2023
Dhënia e Shërbesës me Dije më të Madhe
Janar 2023


“Dhënia e Shërbesës me Dije më të Madhe”, Liahona, janar 2023.

Parimet e Dhënies së Shërbesës

Dhënia e Shërbesës me Dije më të Madhe

Nuk ka pse t’i kemi të gjitha përgjigjet, por nëse arrijmë ta njohim Atë më mirë, kjo do të na ndihmojë të japim shërbesë sikurse bëri Shpëtimtari.

Jezusi i vogël në tempull

Hollësi nga Christ in the Temple [Krishti në Tempull], nga Heinrich Hofmann

Jezusi na Tregoi një Model të Të Mësuarit

Teksa Shpëtimtari rritej, Ai “forcohej në frymë, duke qenë plot dituri; dhe hiri i Perëndisë ishte mbi të” (Lluka 2:40). Lluka shton që “Jezusi rritej në dituri, në shtat dhe në hir përpara Perëndisë dhe njerëzve” (Lluka 2:52). Jezusi nuk pati papritmas një plotësi të dijes, Ai e fitoi atë me kalimin e kohës (shih te Doktrina e Besëlidhje 93:12–14).

Kur Jezusi ishte 12 vjeç, prindërit e gjetën Atë në tempull, në vendin qendror të adhurimit në Jerusalem, “të ulur në mes të doktorëve të ligjit, dhe ata po e dëgjonin dhe po i bënin pyetje” (Përkthimi prej Joseph Smith-it, Lluka 2:46). Ngaqë të mësuarit kishte qenë një pjesë e rëndësishme e rritjes së Tij, kur erdhi mundësia për t’u dhënë mësim atyre që ishin në tempull, Ai ishte i përgatitur. Mësimdhënia e Tij atje pati një efekt mahnitës tek ata dhe te prindërit e Tij.

Përdorimi i Dijes në Dhënien e Shërbesës

Ja tek janë tri mënyra në të cilat zhvillimi i cilësisë së dijes si të Krishtit mund të na ndihmojë në dhënien e shërbesës nga ana jonë.

  1. Ndërsa arrijmë ta njohim Shpëtimtarin dhe të mësojmë rreth cilësive të Tij, do ta dimë më mirë se ç’do të bënte Ai për të dhënë shërbesë në vendin tonë.

  2. Teksa rritemi në dije dhe kuptueshmëri për ungjillin, do të jemi në një pozicion më të mirë që Fryma e Shenjtë të na e sjellë në kujtesë atë që na nevojitet në kohën kur na nevojitet (shih te Gjoni 14:26). Kjo mund të na ndihmojë t’i kuptojmë nevojat e atyre që u japim shërbesë, dhe t’u përgjigjemi pyetjeve ose shqetësimeve të tyre.

  3. Ndërsa aftësia jonë për të mësuar rritet, do të jemi më në gjendje të lidhemi me të tjerët ose t’u shërbejmë atyre. Ne mund të mësojmë më shumë rreth një teme për t’u lidhur me një mik që është i interesuar për të. Ose mund të mësojmë aftësi të caktuara që mund të ndihmojnë të plotësohet një nevojë.

Marrja e dijes mund të na ndihmojë të japim shërbesë në shumë mënyra. Përveç kësaj, “çfarëdo parimi inteligjence që fitojmë në këtë jetë, do të ngrihet me ne në ringjallje” (Doktrina e Besëlidhje 130:18).

i ri në moshë madhore duke studiuar shkrimet e shenjta

Zhvillimi i Dijes

Si mund ta zhvillojmë cilësinë e dijes si të Krishtit? Ja tek janë disa mendime:

  1. Mbajeni mend se edhe Jezusi mësoi gradualisht me kalimin e kohës. Jini i/e zellshëm/me, por i/e duruar me veten. Të mësuarit ndodh “rresht pas rreshti, parim pas parimi” (2 Nefi 28:30).

  2. Mësoni t’i përcaktoni burimet e besueshme të informacionit. (Shih “Finding Truth in the Misinformation Age” në pjesën digjitale të revistës Liahona të tetorit 2022.)

  3. Jini kureshtarë. Mësoni nga ajo që po ndodh rreth jush çdo ditë. Bëni pyetje. Lexoni libra të mirë dhe qëndroni të informuar. (Shih te Doktrina e Besëlidhje 88:79, 118; 90:15.)

  4. Mësoni me anë të studimit dhe me anë të besimit (shih te Doktrina e Besëlidhje 88:118). Aftësia juaj për ta kuptuar të vërtetën në çdo temë do të përmirësohet duke e bashkuar përpjekjen tuaj më të mirë intelektuale me përpjekjen tuaj më të mirë shpirtërore. Jetoni në mënyrë të tillë që të mund të keni ndihmën e Frymës së Shenjtë.