2023
Gjuha e Shpirtit
Janar 2023


“Gjuha e Shpirtit”, Liahona, janar 2023.

Zëra të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme

Gjuha e Shpirtit

Mësova se Shpirti mund të na ndihmojnë të komunikojmë dashurinë e Atit Qiellor, edhe kur ndihemi të papërshtatshëm.

autobus

Fotografi me mirësinë e autores; ilustrimi nga Jennifer M. Potter

Ilustrimi nga Jennifer M. Potter

E kisha zakon ta kaloja verën duke udhëtuar nëpër Europë me një ekip vallëzimi. Spektatorët, interpretimet dhe nivelet tona të energjisë ndryshonin, por kishim një traditë që qëndronte gjithmonë e njëjta: ne e mbyllnim çdo shfaqje duke kënduar këngën “Per’ndia me Ju Qoft’ kur Prap’ t’Tako’emi”1 në gjuhën e vendit që po vizitonim. Për shkak se shumica e ekipit tim të vallëzimit i përkiste Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme, neve na pëlqente tej mase kjo traditë. Kjo ishte një mënyrë e mrekullueshme për t’u lidhur me spektatorët tanë dhe për të shpërndarë dashurinë e Atit Qiellor.

Nga fundi i njërit prej këtyre udhëtimeve, sapo kishim kaluar kufirin për në Gjermani dhe po ushtroheshim për këngën në gjermanisht për shfaqjet e ardhshme. Por kur mbërritëm, zbuluam se kjo krahinë e veçantë e Gjermanisë fliste sorbisht, një dialekt që nuk ngjante aspak me këngën për të cilën qemë ushtruar me aq besnikëri.

Gjatë rrugës me autobus drejt shfaqjes sonë, isha e rraskapitur dhe doja vetëm të flija gjatë gjithë udhëtimit. Por regjisorët tanë kishin ide të tjera. Ata u kishin kërkuar udhërrëfyesve tanë ta përkthenin himnin në sorbisht. Tani ata donin që i gjithë autobusi me interpretuesit gjysmë në gjumë ta mësonte këngën vetëm pak orë përpara shfaqjes sonë.

Ne bëmë çmos. Në fund të shfaqjes, qëndruam në këmbë përpara skenës dhe filluam të këndonim. Më kujtohet se u ndjeva e befasuar kur fjalët e panjohura që kisha ngatërruar pak orë më herët, më erdhën në mendje me lehtësi. Ndjeva dyshimet e mia të mëparshme rreth gatishmërisë sonë për të kënduar, të zbeheshin teksa u mbështeta te Shpirti që të m’i kujtonte fjalët.

çift duke vallëzuar

Kur përfunduam vallëzimin dhe filluam të këndonim, Shpirti i solli fjalët e këngës në mendjen time.

Fotografia me mirësinë e autores

Spektatorët dukeshin të befasuar dhe më pas të ngazëllyer. Kur kënga mbaroi, turmën e kaploi heshtja. Më pas, ata u ngritën në këmbë dhe filluan të këndonin një këngë për ne në këmbim, e cila na shpjeguan më vonë se ishte një këngë mirënjohjeje që e ruanin zakonisht për raste të veçanta.

E ndjeva Shpirtin aq fort në atë çast, ndonëse nuk mund të kuptoja se ç’po këndonin. Isha aq mirënjohëse që Zoti më ka ndihmuar ta komunikoj dashurinë e Tij pavarësisht nga ndjenjat e mia të papërshtatshmërisë. Më solli në mendje se dashuria e Atit Qiellor është një mesazh i përbotshëm. Pavarësisht nga ndryshimet që mund të kemi, të gjithë ne mund ta kuptojmë gjuhën e Shpirtit.