“Nëse Ai Mund ta Shndërrojë Ujin në Verë … ”, Liahona, janar 2023.
Mrekullitë e Jezusit
Nëse Ai Mund ta Shndërrojë Ujin në Verë …
Tri gjëra që mësova nga kjo mrekulli, që shpesh kalohet pa u vënë re.
Gjoni është i vetmi shkrues i Ungjijve i cili rrëfen se Shpëtimtari e ktheu ujin në verë (shih te Gjoni 2:1–11). Ai madje kishte aq ndjesi të forta rreth përvojës sa për të na thënë që ishte “fillim[i i] shenjave të Shpëtimtarit (Gjoni 2:11).
Nga ana kulturore, pasojat e mbarimit të verës mund të kishin lënduar pozitën shoqërore të atyre që ishin të përfshirë. 1 Dhe ndërkohë që nuk besoj se një mrekulli duhet të jetë dramatike për të të ndryshuar jetën, kam vrarë mendjen pse Gjoni ndjeu se kjo mrekulli ishte aq e rëndësishme mes aq shumë mrekullive që ishin njëkohësisht dramatike dhe të ndryshonin jetën.
Përse Mrekullitë?
Pse qenë mrekullitë kaq të rëndësishme gjatë gjithë shërbesës së Shpëtimtarit? Sigurisht ishin të rëndësishme pjesërisht për shkak të dhembshurisë së Tij për njerëzit në nevojë (shih te Marku 1:41). Përveç kësaj, mrekullitë qenë një provë e rëndësishme e fuqisë dhe autoritetit të Tij hyjnor (shih te Marku 2:5, 10–11). Ngjarjet mrekullibërëse mund të forconin gjithashtu besimin dhe ta kthenin vëmendjen te mesazhi i Tij (shih te Gjoni 2:11; 6:2).
Më pas, dikush më vuri në dukje se mrekullitë e Shpëtimtarit nuk mblidhnin thjesht njerëz për ta dëgjuar mesazhin; ato ndihmonin që ta jepte mësim mesazhin.2 Kur e pyeta veten se çfarë mund të mësoja rreth Jezu Krishtit dhe misionit të Tij hyjnor nga kthimi i ujit në verë, fillova të shihja gjëra të reja.
Ja tek janë tri mësime që mora nga mrekullia në Kanë rreth Shpëtimtarit dhe fuqisë së Tij për të shpëtuar.
1. “Ora ime s’ka ardhur akoma!”
Kur Maria i kërkoi ndihmë Jezusit, Ai iu përgjigj: “Ora ime s’ka ardhur akoma!” (Gjoni 2:4.) Pa hollësi të tjera, nuk është e qartë nga anali i Gjonit se çfarë priste Maria apo nënkuptonte Jezusi saktësisht nga përgjigjja e Tij që nuk i kishte ardhur ora akoma.
Kjo frazë më ra në sy si e rëndësishme. Është e mundur që Jezusi po i referohej ndonjë ngjarjeje në të ardhmen e afërt, të tillë si fillimi i shërbesës së Tij publike. Në të njëjtën kohë, fraza ka një jehonë që kumbon në të gjithë analin e Gjonit, shpesh duke treguar më tutje për te mrekullia përfundimtare e flijimit të Tij shlyes (shih te Gjoni 4:21–23; 5:25–29; 7:30; 8:20). Në fund, fraza përsëritet sërish në mbarim të shërbesës së Tij në vdekshmëri, kur “Jezusi [e dinte] se kishte ardhur ora e tij të kalojë nga kjo botë tek Ati” (Gjoni 13:1, theksimi i shtuar; shih edhe te Gjoni 12:23, 27; 16:32). Dhe përpara se të largohej për në Gjetseman, Ai u lut: “O Atë, ora ka ardhur; përlëvdo Birin tënd, që edhe Biri yt të të përlëvdojë” (Gjoni 17:1, theksimi i shtuar).
Kur e pashë që Gjoni e përsëriti këtë frazë gjatë gjithë analit të tij, kjo më ndihmoi ta shihja fundin që prej fillimit. Fillimisht, Jezusi e ndryshoi ujin në verë për të kënaqur etjen fizike. Më pas, në fund, Ai përdori verën e sakramentit për të përfaqësuar gjakun e Tij shlyes, i cili e bëri të mundur jetën e përjetshme dhe bëri që ata që besuan tek Ai, të mos kishin më kurrë etje (shih te Gjoni 4:13–16; 6:35–58; 3 Nefi 20:8).
2. “Bëni gjithçka që ai t’ju thotë!”
Pasi i kërkoi ndihmë Jezusit, Maria u tha shërbëtorëve: “Bëni gjithçka që ai t’ju thotë!” (Gjoni 2:5). Ka një mësim në këtë pohim dhe në ngjashmëritë magjepsëse mes kësaj ndodhie dhe ndodhisë së Jozefit në Egjipt.
“Pastaj tërë vendi i Egjiptit filloi të vuajë nga uria, dhe populli e ngriti zërin për t’i kërkuar bukë Faraonit. Atëherë Faraoni u tha tërë Egjiptasve: ‘Shkoni tek Jozefi dhe bëni si t’ju thotë ai’” (Zanafilla 41:55, theksimi i shtuar).
Maria mund të mos e ketë pasur për qëllim ta bëjë këtë lidhje e mbase as Gjoni. Por kur i vura re ngjashmëritë, më erdhën dy ide në mendje.
E para, pashë prapë një mënyrë tjetër se si Jozefi dhe figura të tjera nga Dhiata e Vjetër kumtojnë Jezu Krishtin dhe misionin e Tij. Por, më e rëndësishmja, historitë e Egjiptit dhe Kanës më kujtuan se Jezusi jo vetëm që mund të na shpëtojë nga mëkati dhe vdekja nëpërmjet Shlyerjes së Tij, gjë që Ai më vonë e përfaqësoi me bukën dhe verën, por Ai mund të na shpëtojë edhe nga sfidat fizike, shoqërore dhe sfida të tjera. Kur njerëzve iu mbaroi buka, Faraoni u tha atyre të bënin atë që do t’u thoshte Jozefi. Ata e bënë këtë dhe Jozefi iu dha bukë e u shpëtuan nga vuajtja fizike. Kur shërbëtorëve u mbaroi vera, Maria u tha atyre të bënin atë që do t’u thoshte Jezusi. Ata e bënë këtë dhe iu dha verë dhe ata që qenë të përfshirë, u shpëtuan nga mospërmbushja e detyrimeve të tyre.
Nëse jemi të gatshëm të bëjmë çfarëdo që të thotë Jezusi, Ai mund të bëjë të njëjtën gjë për ne dhe të kryejë mrekulli në jetën tonë (shih te Hebrenjve 10:35–36). Shpëtimi ynë është më e madhja nga gjithë mrekullitë e Tij dhe kjo kërkon bindje nga ana jonë (shih te Doktrina e Besëlidhje 14:7; Nenet e Besimit 1:3).
3. “Dhe ata i mbushën deri në grykë”
Shpëtimtari i udhëzoi shërbëtorët që të mbushin me ujë gjashtë enë prej guri. “Dhe ata i mbushën deri në grykë” (Gjoni 2:6–7).
Ndërkohë që ekspertët kanë sugjeruar sasi të ndryshme, është mbase më e sigurt të themi se secila enë mbante disa litra. A është më e vështirë të kthesh katër litra apo katërqind litra ujë në verë, unë nuk e di. Ajo që ma ka ndryshuar jetën, është ideja që Jezusi ka fuqinë ta ndryshojë diçka në diçka plotësisht të ndryshme. Ai nuk bëri thjesht ujë me shije vere; Ai e mori ujin, me strukturën e vet të thjeshtë molekulare, dhe e ktheu atë në verë, një përzierje e ndërlikuar e qindra përbërjeve kimike.
Nëse Ai mund ta bëjë këtë, atëherë Ai mund t’i kthejë sfidat e mia në bekime, jo vetëm duke i shtuar një rreze drite stuhisë, por duke e ndryshuar njëmend thelbin e sprovës në diçka që më bekon (shih te Romakëve 8:28; 2 Nefi 2:2).
Dhe nëse Ai mund ta bëjë këtë me një sfidë, Ai mund ta bëjë këtë me të gjitha. Pra, kur jeta duket e mbushur deri në grykë me sprova, mbajeni mend se Ai mund ta ndryshojë ujin në verë. Ai mund ta këmbejë hirin me një diademë (shih tek Isaia 61:3). Ai mund ta marrë të keqen dhe ta shndërrojë atë në të mirë (shih te Zanafilla 50:20). Ai mund t’i kthejë gabimet e mia në rritje dhe t’i marrë mëkatet e mia dhe t’i ndryshojë ato nga ndëshkim në përparim.3
Dhe, për mua, ai përfundim është më domethënësi nga të gjithë. Kjo mrekulli që dikur e kalova pa e vënë re, më ka mësuar se, nëpërmjet fuqisë së Tij, nëse e kemi besimin për të bërë atë që Ai kërkon, Ai mund të na ndryshojë nga ajo që ishim, në atë që mund të bëhemi: si Ai.