2023
Keqtrajtimi, Birësimi dhe Shërimi
Janar 2023


“Keqtrajtimi, Birësimi dhe Shërimi”, Liahona, janar 2023.

Të Rinjtë në Moshë Madhore

Keqtrajtimi, Birësimi dhe Shërimi

Familja ime ishte keqtrajtuese dhe e paqëndrueshme, por nëpërmjet Krishtit, tani kam shpresë për familjen time të ardhshme.

e re në moshë madhore e ulur mbi shtrat dhe duke u lutur

Fotografi ku pozon modele

U rrita në një mjedis të paqëndrueshëm. Prindërit e mi biologjikë më keqtrajtuan dhe më lanë pas dore dhe përjetova shumë sfida të vështira. Luftova me ankthin, problemet me imazhin që kisha për trupin tim, anoreksinë dhe depresionin rrethanor që më mbajtën të burgosur prej vitesh.

Prindërit e mi biologjikë qenë vulosur në tempull, por shpejt pasi u pagëzova kur isha tetë vjeçe, ata filluan të largoheshin nga Kisha. Dhe sa më shumë largoheshin nga besëlidhjet e tyre, aq më keq bëhej situata jonë.

Në moshën 14-vjeçare, isha kujdestarja e vëllait tim autik dhe e nënës sime. Isha e humbur dhe jashtë kontrollit. E urreja veten dhe situatën time dhe besoja se jeta ime nuk do të ndryshonte kurrë.

Por më pas ndodhi një mrekulli. Nëna ime biologjike e kuptoi se nuk mund të kujdesej për mua dhe i telefonoi vëllait të saj në Singapor për ta pyetur a do të më birësonte ai. Me valixhet gati dhe sy të përlotur, hipa në një avion për të filluar një jetë të re, një jetë pa keqtrajtim. Por përshtatja me familjen time birësuese dhe një kulturë të re qe e vështirë dhe për mua qe mundim i madh të bëja përpara.

Prindërit e mi birësues bënë gjithçka mundeshin për të më ndihmuar. Shkova nëpër terapistë dhe mjekë. Nisa të shkoja edhe në kishë përsëri, por të mësuarit rreth një Ati Qiellor i cili më do dhe ka një qëllim për mua ishte e vështirë, sepse nuk e besoja atë gjë pas gjithçkaje që kisha duruar.

Nuk isha e lumtur. Nuk dija si të shërohesha nga e shkuara dhe ndihesha ende e pashpresë për të ardhmen.

Dëshira për t’u Shëruar

Një ditë, po përsiatja rreth faktit se sa e shkurtër është vdekshmëria. Nuk doja ta shpenzoja jetën time duke mos qenë e lumtur. Kisha nevojë të mësoja nga sprovat e mia, t’i zbatoja parimet e ungjillit që më kishin mësuar, dhe ta ftoja Krishtin në jetën time.

Hodha një hap besimi dhe fillova të gjunjëzohesha dhe t’i kërkoja Atit Qiellor çdo ditë fuqinë për t’i falur prindërit e mi biologjikë, për ta ndryshuar frikën time në besim, për të gjetur shërim dhe lumturi dhe për ta dalluar dashurinë në jetën time. Shkova në institut dhe fillova të studioja shkrimet e shenjta dhe t’i zbatoja parimet e ungjillit në jetën time.

E kërkova vërtet fuqinë shëruese të Jezu Krishtit dhe të Shlyerjes së Tij. Dhe me kalimin e kohës, jeta ime filloi të ndryshonte. Ndërsa isha e duruar, merrja trajtim terapeutik dhe mjekësor dhe e mbushja jetën time me Shpirtin çdo ditë, fillova të shërohesha: ndihesha më pak e tërhequr dhe më shumë vetvetja. Ndihesha e sigurt. U shërbeja të tjerëve. E desha, e fala dhe e pranova veten. Ndërtova marrëdhënie të shëndetshme e me dashuri. Fillova ta ndieja dashurinë e Atit Qiellor për mua. Dhe për herë të parë në jetën time, ndjeva gëzim të vërtetë.

Krishti Ofron Shpresë për të Ardhmen Tonë

Nuk mund ta ndryshoj të shkuarën time, por sikurse thuhet te Doktrina e Besëlidhje 122:7: “Gjithë këto gjëra do të [më] japin përvojë dhe do të jenë për të mirën [time]”. Tani e di se Shpëtimtari më mbështeti gjatë mundimeve të mia. Pavarësisht prej tyre, jam rritur aq shumë për shkak të dëshirës sime për të ndryshuar dhe për shkak se vazhdoj t’i drejtohem Atij.

Nëse jeni në një situatë të vështirë familjare, dijeni se keni një Atë në Qiell që ju njeh dhe ju do dhe do t’i hapë dyert për një të ardhme të ndritur. Përpara se të më birësonin, i thashë vetes se rrethanat e mia nuk do të ndryshonin kurrë dhe se kurrë nuk do të martohesha ose të bëja fëmijë sepse kisha frikë se ata do të vuanin si unë. Por kam mësuar se pavarësisht nga mundimet që kemi përjetuar në familjet tona, ndërsa kërkojmë Krishtin, ne mund t’i ndërtojmë shtëpitë e ardhshme dhe familjet tona të përjetshme me shpresë, të vërtetat e ungjillit dhe me dashuri.

Sikurse dha mësim Plaku Klark G. Gilbert, i Të Shtatëdhjetëve: “Ne të gjithë … fillojmë në vende të ndryshme me dhurime të ndryshme në jetë. Disa njerëz linden me pikënisje të larta, plot me mundësi. Të tjerët përballen me rrethana … që janë sfiduese. … Më pas ne përparojmë përgjatë një pjerrësie të përparimit vetjak. E ardhmja jonë do të përcaktohet shumë më pak nga pikënisja jonë dhe shumë më tepër nga pjerrësia e lëvizjes sonë. Jezu Krishti sheh potencial hyjnor pavarësisht nga vendi ku fillojmë. … Ai do të bëjë gjithçka mundet për të na ndihmuar që t’i kthejmë pjerrësitë e lëvizjeve tona drejt qiellit.”1

Cilatdo qofshin rrethanat tuaja, shpresa dhe shërimi gjenden te Jezu Krishti! Ai është me ju dhe Ai do t’ju udhërrëfejë drejt paqes dhe gëzimit teksa e kërkoni Atë – gjithnjë.