2023
Familjet Janë të Përjetshme
Janar 2023


“Familjet Janë të Përjetshme”, Liahona, janar 2023.

Bazat e Ungjillit

Familjet Janë të Përjetshme

familje duke buzëqeshur

Familja është njësia bazë e shoqërisë dhe e Kishës. Anëtarët e Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme besojnë se familjet mund të jenë të përjetshme. Ne punojmë për t’i forcuar familjet tona në tokë. Ne gjithashtu kemi besim se mund ta marrim bekimin e një familjeje të përjetshme.

Familja e Perëndisë

Të gjithë njerëzit janë bij e bija shpirtërore të prindërve qiellorë. Ne të gjithë jemi pjesë e familjes së Perëndisë. Ne të gjithë kemi një natyrë hyjnore dhe një fat hyjnor. Nëse jetojmë me drejtësi, mund të kthehemi për të jetuar me Atin tonë Qiellor si pjesë e familjes së Tij përgjithmonë.

çift i sapomartuar jashtë tempullit

Fotografi martese nga Joseph Kaluba

Familjet e Përjetshme

Kur një burrë dhe një grua martohen në tempull dhe i mbajnë besëlidhjet e tyre, martesa e tyre do të zgjatë në përjetësi. Kjo ordinancë në tempull quhet vulosje. Fëmijët e lindur pasi prindërit e tyre vulosen, lindin në atë besëlidhje. Fëmijët e lindur përpara se të vulosen prindërit, mund të vulosen me ta në tempull në mënyrë që të mund të jenë një familje përgjithmonë. Anëtarët e Kishës bëjnë punë për historinë familjare dhe në tempull në mënyrë që të mund t’i vulosin familjet e tyre së bashku në të gjithë brezat. Bekimi i një familjeje të përjetshme bëhet i mundur për shkak të Jezu Krishtit dhe Shlyerjes së Tij.

Martesa

Martesa midis një burri dhe një gruaje shugurohet nga Perëndia. Ungjilli i Jezu Krishtit u mëson bashkëshortëve dhe bashkëshorteve të jenë të besës ndaj njëri-tjetrit dhe besnikë në besëlidhjet e tyre të martesës. Ata duhet të jenë të vërtetë në mendim, fjalë dhe veprim. Martesa është një ortakëri e barabartë dhe bashkëshortët duhet t’i japin zemër, ta ngushëllojnë dhe ta ndihmojnë njëri-tjetrin.

prindër me foshnjë

Prindërit dhe Fëmijët

Perëndia i urdhëroi Adamin dhe Evën të bënin fëmijë. Udhëheqësit e Kishës kanë dhënë mësim se ky urdhërim është ende në fuqi. Nënat dhe etërit punojnë bashkë për t’i rritur fëmijët e tyre me dashuri dhe drejtësi (shih te Doktrina e Besëlidhje 68:25–28). Fëmijëve u mësohet t’i nderojnë dhe t’u binden prindërve të tyre (shih tek Eksodi 20:12).

Mësimdhënia dhe Të Mësuarit

Prindërit u mësojnë fëmijëve të tyre ta duan Perëndinë dhe t’u binden urdhërimeve të Tij. Jeta familjare na jep mundësi të ndiejmë gëzim dhe të mësojmë durimin e vetëmohimin. Këto tipare na ndihmojnë të bëhemi më shumë si Perëndia dhe na përgatitin të jetojmë lumturisht si familje përgjithmonë.

Forcimi i Familjeve

Duhet punë, përkushtim dhe durim për të krijuar një familje të suksesshme. Parimet e ungjillit të tilla si besimi, lutja, falja, dashuria, puna dhe zbavitja e shëndoshë mund të na ndihmojë të gjejmë gëzim në jetën familjare. Ne gjithashtu mund të marrim zbulesë vetjake për ta ditur se si t’i forcojmë familjet tona.

portret i Jezu Krishtit

Christ’s Image [Imazh i Krishtit], nga Heinrich Hofmann

Bekime në Dispozicion për të Gjithë

Jo gjithkush e ka mundësinë të jetë pjesë e një familjeje ideale këtu në tokë. Por Perëndia ka premtuar se çdokush që i mban urdhërimet e Tij, do t’i marrë të gjitha bekimet e një familjeje të përjetshme. Ne mund të mirëbesojmë tek Ai dhe të kemi besim te koha e planifikuar prej Tij.