2023
Përgatiteni Tokën Tuaj Shpirtërore
Janar 2023


“Përgatiteni Tokën Tuaj Shpirtërore”, Liahona, janar 2023.

Eja, Më Ndiq

Përgatiteni Tokën Tuaj Shpirtërore

Shëmbëlltyra e mbjellësit mund të na ndihmojë të bëhemi gati për studimin e manualit Eja, Më Ndiq për Dhiatën e Re këtë vit.

Një nga shëmbëlltyrat e mia të parapëlqyera në Dhiatën e Re është shëmbëlltyra e mbjellësit, siç gjendet te Mateu 13:3–23 (shih edhe te Marku 4:3–20; Lluka 8:5–15). Në këtë shëmbëlltyrë, mënyrat se si njerëzit e marrin fjalën (farën) krahasohen me llojet e ndryshme të tokës. Ne mësojmë se çdo tokë ka një karakteristikë të rëndësishme, qoftë e mirë ose e keqe.

Ne shpesh e lexojmë këtë shëmbëlltyrë dhe mendojmë se ajo përshkruan gatishmërinë e njerëzve për ta pranuar dhe jetuar ungjillin. Ndërkohë që kjo është e vërtetë, mendoj se shëmbëlltyra mund të përshkruajë edhe përparimin tonë individual ndërsa rritemi në besim dhe në njohurinë e ungjillit. Me fjalë të tjera, ne nuk jemi të kyçur vazhdimisht në një lloj ose nivel të caktuar besimi. Ne mundemi, me besim dhe përpjekje, ta përmirësojmë tokën shpirtërore në mënyrë që të japë fryt më të mirë.

Do të doja ta shqyrtoja imtësisht këtë mendim me ju sepse ai më ka ndihmuar ta kuptoj këtë shëmbëlltyrë në një mënyrë më të thelluar. Besoj se teksa përgatitemi për studimin e manualit Eja, Më Ndiq për Dhiatën e Re vitin që vjen, një rishikim i shëmbëlltyrës së mbjellësit mund të na ndihmojë ta përgatitim zemrën për të marrë të vërtetën e ungjillit.

Marrja e Farave të Ungjillit

Në shëmbëlltyrë, ne mësojmë se kur mbjellësi i mbolli farat:

  • Disa fara ranë përgjatë rrugës dhe i hëngrën zogjtë.

  • Disa ranë në gurishte. Disa mbinë por u fishkën nga dielli.

  • Disa ranë midis ferrave dhe ferrat ua zunë frymën.

  • Disa ranë në tokë të mirë dhe dhanë fryt.

Zoti shpjegon:

“Kur dikush dëgjon fjalën e mbretërisë dhe nuk e kupton, vjen i ligu dhe i merr atë që ishte mbjellë në zemrën e tij. Ky është ai njeri që ka marrë fara përgjatë rrugës.

Dhe ai që ka marrë farën nëpër gurishte, është ai që dëgjon fjalën dhe e pranon menjëherë me gëzim;

por, nuk ka rrënjë në vete, dhe është për pak kohë; dhe kur vijnë mundimi ose përndjekja për shkak të fjalës, skandalizohet menjëherë.

Dhe ai që ka marrë farën midis ferrave është ai që e dëgjon fjalën, por shqetësimet e kësaj bote dhe mashtrimet e pasurisë ia mbysin fjalën; dhe ajo bëhet e pafrytshme.

Por ai që merr farën në tokë të mirë, është ai që e dëgjon fjalën, e kupton dhe jep fryt; dhe prodhon njëri njëqindfish, tjetri gjashtëdhjetëfish dhe tjetri tridhjetëfish” (Mateu 13:19–23; theksimi i shtuar).

Le t’i hedhim një sy secilit nga llojet e tokës dhe të shohim se ç’mund të bëhet për ta përmirësuar atë.

fara dhe zogj

Ilustrimet nga David Green

Toka Përgjatë Rrugës

Presidenti Dallin H. Ouks, Këshilltar i Parë në Presidencën e Parë, tha: “Farat që ‘ra[në] gjatë rrugës’ (Marku 4:4) nuk e arritën tokën e vdekshme, ku ndofta mund të rriteshin. Ato janë si mësimet që i paraqiten një zemre të ngurtësuar ose të papërgatitur.”1

Përveç kësaj, ndonjëherë nuk mund ta kuptojmë atë që dëgjojmë ose lexojmë në shkrimet e shenjta për shkak se zemra jonë është e papërgatitur. Kur ky është rasti, çfarë duhet të bëjmë?

Ne mund të kërkojmë një shpjegim nga ata që e kuptojnë. Ne mund të pyetim misionarët, mësuesin/en e Shkollës të së Dielës, udhëheqësin e priftërisë ose udhëheqësen e organizatës sonë, mësuesin/en e seminarit ose institutit, ata që na japin shërbesë, ose prindërit dhe pjesëtarët e familjes që janë besimtarë. Ne mund të studiojmë bisedat e konferencave të përgjithshme. Programi Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit] siguron një mori burimesh që mund të na ndihmojë të kërkojmë të kuptojmë më tepër.

Ne duhet gjithashtu të lutemi e t’i kërkojmë Perëndisë më tepër dritë. Nëse zemra jonë është e sinqertë, synimi ynë është real dhe kemi besim te Krishti, ne do të marrim njohuri për të vërtetat e ungjillit (shih te Moroni 10:4–5). Zoti tha:

“Lypni dhe do t’ju jepet; kërkoni dhe do të gjeni; trokitni dhe do t’ju hapet.

Pasi kushdo që të lypë, merr; dhe ai që kërkon, gjen; dhe atij që do të trokasë, do t’i hapet” (3 Nefi 14:7–8).

fara dhe gurë

Toka në Gurishte

Disa njerëz e dëgjojnë ungjillin e rivendosur nëpërmjet misionarëve, ndiejnë dashurinë e Krishtit dhe i frekuentojnë dhe iu gëzohen mbledhjeve të Kishës. Megjithatë, me kalimin e kohës, vështirësitë e jetës vazhdojnë. Ata zbulojnë se jeta nuk është shndërruar në një përrua bekimesh pa mbarim. Besimi i tyre pakësohet dhe ata largohen.

Disa gjithashtu i shohin “gurishtet” kur frekuentojnë një mbledhje ose një konferencë dhe ndihen të frymëzuar të bëjnë gjithçka siç duhet nga ai çast e tutje. Por pastaj, të hënën, iu kthehen përgjegjësive të tyre të rregullta. Sfidat në punë mbeten të vështira. Tundimet duken aq tërheqëse sa nuk përballohen dot. Dhe kështu dëshira e tyre për t’u përmirësuar shpirtërisht, pakësohet ose zhduket.

Ata mësojnë nga gabimet e veta se pa rrënjë të thella shpirtërore për të na mbajtur kur fryn erë, për të na ushqyer kur të jemi të uritur, ose për të na freskuar kur dielli është i nxehtë, ne mund të mbarojmë shpirtërisht.

Si mund ta përmirësojmë tokën me gurishte? Duke i hequr gurët dhe duke i thelluar rrënjët tona shpirtërore.

Heqja e gurëve mund të jetë sfiduese. Mund të duhet të krijohet një mjedis ku nxitet besimi. Mund të duhet të krijohen miqësi të reja dhe të hiqet dorë nga çdo dukje e ligë (shih te 1 Thesalonikasve 5:22).

duar duke mbajtur gurë

Për të pasur forcë që t’i heqim gurët, na nevojitet ndihma e Shpëtimtarit. Ajo vjen kur i pranojmë besëlidhjet që Ai ofron. Kjo fillon duke e pranuar ftesën për t’u pagëzuar. Kjo do të thotë të konfirmohemi dhe të marrim dhuratën e Frymës së Shenjtë. Do të thotë të pranojmë çfarëdo besëlidhjeje që na mungon ende, të tillë si marrja e priftërisë ose shkuarja në tempull. Do të thotë të frekuentojmë kishën dhe t’i ripërtërijmë besëlidhjet duke e marrë sakramentin çdo javë.

Kur sprovat dhe tundimet vijnë, ne mund të kapemi fort pas besëlidhjeve që kemi bërë me Zotin. “Ne lidhemi fort pas Shpëtimtarit dhe me Të teksa i kujtojmë besnikërisht dhe bëjmë çmos që të jetojmë në përputhje me detyrimet që kemi pranuar”, – tha Plaku Dejvid A. Bednar, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve. “Dhe ajo lidhje me Të është burimi i forcës shpirtërore në çdo stinë të jetës sonë.”2

fara dhe ferra

Toka midis Ferrave

Kjo tokë lejon që të rriten bimët, përfshirë ferrat. Ferrat janë “shqetësimet, pasuritë dhe kënaqësitë e kësaj jete” të cilat mund të bëjnë që ne të mos “arrij[më] të piqe[mi]” (Lluka 8:14).

Çfarë ndodh kur i pranojmë besëlidhjet, por nuk ecim më në shtegun e besëlidhjeve? Ose kur e marrim sakramentin, por nuk kërkojmë falje, sepse as nuk mendojmë më për gabimet tona. Ose mund të kërkojmë falje, por refuzojmë t’i falim të tjerët. I pranojmë besëlidhjet e tempullit, por nuk arrijmë t’u japim shërbesë atyre që janë në nevojë. I lëmë mënjanë mundësitë për ta shpërndarë ungjillin sepse druhemi se mund të duket e papërshtatshme ose turpëruese, ose sepse nuk dimë më se çfarë të themi.

Zgjidhja është të jetojmë besëlidhjen që bëmë kur u pagëzuam “të vajto[jmë] me ata që vajtojnë; … të ngushëllo[jmë] ata që kanë nevojë të ngushëllohen dhe të qëndro[jmë] si dëshmitarë të Perëndisë në të gjitha kohërat dhe në të gjitha gjërat dhe në të gjitha vendet që … të gjende[mi], madje deri në vdekje” (Mosia 18:9).

Ne i heqim barërat e këqija kur pendohemi çdo ditë, duke bërë përshtatje të vogla ose të mëdha dhe kur kthehemi në shtegun e ngushtë e të ngushtuar të besëlidhjes.

Ne nuk pranojmë t’i lëmë barërat e këqija të jetës të na zënë frymën. E bëjmë këtë duke i shndërruar shtëpitë tona në shenjtërore besimi. Ne synojmë çfarëdo gjëje që e fton ndikimin e Shpirtit. E hedhim poshtë çfarëdo gjëje që e largon atë ndikim. Dhe shërbejmë në mbretërinë e Perëndisë, në thirrjet tona, në tempull, në punën misionare, në familjet tona.

Toka e Mirë

Ka shumë njerëz që e dëgjojnë fjalën, e kuptojnë atë dhe e lënë atë të rritet në zemrat e tyre. Atyre Zoti u thotë: “Unë ju kam zgjedhur juve; dhe ju caktova të shkoni dhe të jepni fryt, dhe fryti juaj të jetë i qëndrueshëm” (Gjoni 15:16). Për njerëz të tillë, përgjigjja është të shkojnë përpara me besim dhe të durojnë duke bërë vepra të mira.

Presidenti Ouks pyeti: “Çfarë bëjmë ne me mësimet e Shpëtimtarit ndërsa e jetojmë jetën tonë?”3 Këtë vit, teksa përgatitemi për të studiuar Dhiatën e Re, u afrofshim më shumë me Shpëtimtarin dhe e përmirësofshim tokën tonë shpirtërore në mënyrë që të mund ta marrim fjalën. Më pas, mund të japim frytet që Ai na kërkon t’i japim duke i pranuar dhe ripërtëritur besëlidhjet që na lidhin me Të, duke i shërbyer Perëndisë e duke i dashur të afërmit tanë dhe duke përparuar përgjatë shtegut të besëlidhjeve që një ditë do të na sjellë përsëri në shtëpinë tonë qiellore.