“Familjet dhe Drita e Botës”, Liahona, janar 2023.
Për Prindërit
Familjet dhe Drita e Botës
Të Dashur Prindër,
Familja është një pjesë thelbësore e planit të Atit Qiellor për lumturinë e fëmijëve të Tij. Artikujt në numrin e botimit të këtij muaji mund t’ju ndihmojnë ta përmirësoni komunikimin brenda familjes dhe t’ju ndihmojnë të manovroni përmes sfidave në marrëdhëniet familjare. Mund ta përdorni këtë numër botimi që t’ju ndihmojë t’u jepni fëmijëve disa mësime të rëndësishme nga Dhiata e Re.
Diskutimet mbi Ungjillin
Jezu Krishti është Drita Jonë e Vërtetë
Tregojini familjes suaj disa mësime nga artikulli i Presidentit Ballard në faqen 4 rreth rolit të Jezu Krishtit si Drita e Botës. Si familje, bëni një listë me burime të ndryshme të dritës në shtëpinë tuaj dhe diskutojini gjërat e ndryshme që drita bën për ne. Në ç’mënyra na ndihmon Jezu Krishti, si burimi më i madh i dritës shpirtërore?
Komunikim i Hapur në Familje
Është e rëndësishme të jemi të përgatitur shpirtërisht për sfidat e jetës. Në faqen 12, lexoni disa këshilla nga një këshillues për shëndetin mendor mbi mënyrën se si të bëni bashkëbisedime të rëndësishme dhe forcuese me fëmijët tuaj. Cilin nga këto mendime dhe sugjerime mund të vini në zbatim me vetë familjen tuaj?
Përgatitja e Zemrës Sonë për Fjalën
Lexojeni artikullin e vëllait Kamargo në faqen 38 rreth shëmbëlltyrës së mbjellësit. Diskutoni me familjen tuaj se çfarë simbolizojnë llojet e ndryshme të tokës në shëmbëlltyrë. Fëmijët më të vegjël mund të vizatojnë gjëra nga shëmbëlltyra dhe të flasin rreth tyre dhe fëmijët më të mëdhenj mund ta lexojnë shëmbëlltyrën te Marku 4:3–20 dhe të shprehin mendimet ose pyetjet e tyre.
Argëtim Familjar me Programin Eja, Më Ndiq
Bërja e Gjërave të Vështira me Ndihmën e Perëndisë
Sikurse Maria dhe kushërira e saj Elizabeta në Dhiatën e Re (shih te Lluka 1:5–55), nganjëherë na kërkohet të bëjmë gjëra të vështira dhe mund të pyetim veten a mundemi.
-
Vendosni një mbajtëse objektesh bosh, si një kovë ose kuti, në njërin skaj të dhomës.
-
Jepini çdo pjesëtari të familjes një pupël.
-
Duke filluar nga skaji i kundërt i dhomës me mbajtësen e objekteve, vëreni çdo pjesëtar të familjes të përpiqet ta futë puplën brenda në mbajtëse duke i fryrë asaj për ta mbajtur në ajër ndërkohë që kalon nëpër dhomë.
-
Për ta bërë më sfiduese, lërini vetëm 30 sekonda kohë dhe përdorni një pipë për t’i fryrë puplës. Vazhdoni ta ulni kohën e caktuar derisa veprimtaria të bëhet e pamundur.
Diskutim: Duke e mbajtur në mendje që disa sfida mund të mos zgjidhen në këtë jetë, tregoni një përvojë që e forcoi dëshminë tuaj se “gjëra të pamundshme për njerëzit janë të mundshme për Perëndinë” (Lluka 18:27). Çfarë hapash të vegjël mund të hidhni çdo ditë për të arritur detyra në jetën tuaj që duken të pamundura?