2023
Gjetja e Projektit Hyjnor në Familjen Tonë “Jo Ideale”
Janar 2023


“Gjetja e Projektit Hyjnor në Familjen Tonë ‘Jo Ideale’”, Liahona, janar 2023.

Të Rinjtë në Moshë Madhore

Gjetja e Projektit Hyjnor në Familjen Tonë “Jo Ideale”

Mospasja e familjes “ideale” në vdekshmëri mund të jetë e dhembshme, por mund ta përdorim realitetin tonë për t’iu afruar më shumë Shpëtimtarit.

e re në moshë madhore me një flluskë mendimi rreth familjes

Ilustrimet nga David Green

Asgjë nuk sjell ndjenja më të thella të kuptimit, gëzimit, dëshirimit dhe dhembjes sesa marrëdhëniet që janë më qendroret në përvojën tonë në vdekshmëri – marrëdhëniet familjare. Dhe ngaqë këto marrëdhënie kanë kaq shumë rëndësi, udhëheqësit e Kishës sonë u frymëzuan të krijonin dokumentin “Familja: Një Proklamatë drejtuar Botës”1. Të vërtetat e tij japin dëshmi për një Atë të dashur, i cili dëshiron fort që ne t’i njohim modelet hyjnore të cilat çojnë drejt lumturisë së përjetshme në jetën familjare.

Presidenti Henri B. Ajring, Këshilltar i Dytë në Presidencën e Parë, dha mësim: “Për shkak se Ati ynë i do fëmijët e Tij, Ai nuk do të na lërë të hamendësojmë rreth asaj që ka më shumë rëndësi në këtë jetë në lidhje me vendet ku vëmendja jonë mund të sjellë lumturi ose ku indiferenca jonë mund të sjellë trishtim”2. Kjo përfshin një mori rolesh të shenjta familjare që mund të kemi në këtë jetë: bijë ose bir, motër ose vëlla, nënë ose baba, emtë ose ungj, gjyshe ose gjysh.

Të vërtetat në proklamatën mbi familjen e ndriçojnë udhën drejt “ideales së përjetshme” që shumë prej nesh dëshirojnë thellësisht: marrëdhënie të forta, të lumtura e të përjetshme familjare. Problemi është që ne jetojmë në “realen e vdekshmërisë”. Dhe ai hendek mes “reales” dhe “ideales” mund të jetë i dhembshëm. Ndonjëherë, në vend që ta shohim atë si një dritë për të na udhërrëfyer, mundet madje ta përjetojmë proklamatën mbi familjen si një kujtues therës të aspekteve ku kemi “dështuar” që ta arrijmë “idealen”.

  • Ne mund të jemi të dëshiruar për martesë, por mos ta shohim si mundësi.

  • Mund të jemi martuar dhe të kemi përjetuar një shkurorëzim shkatërrues.

  • Mund të jemi të dëshiruar për fëmijë që nuk jemi në gjendje t’i bëjmë.

  • Mund të kemi përjetuar keqtrajtim në marrëdhëniet familjare tek të cilat kishim mirëbesim.

  • Mund të kemi përjetuar dhembje të konsiderueshme për shkak të zgjedhjeve të pjesëtarëve të dashur të familjes.

  • Mund të ndihemi të ndarë pavarësish nga përpjekjet tona më të mira për të sjellë unitet mes njerëzve tanë të dashur.

  • Madje mund të ndihemi të zhgënjyer nga dëshirimet dhe premtimet e papërmbushura.

Në realitet, të gjithë ne do t’i njohim sfidat, dhembjen dhe keqardhjen në jetën familjare, disa më shumë se të tjerët. Deri në njëfarë mase, të gjithë ne do të dalim jashtë modeleve ideale të përvijuara në proklamatën mbi familjen.

Gjëja që mund të mos kuptojmë, është projekti hyjnor në atë realitet.

Kërkimi i Shpëtimtarit dhe Nënshtrimi ndaj Tij

Si një grua beqare e dëshiruar për martesë dhe fëmijë prej shumë vjetësh, dëshiroja dhe besoja se një qëllim themelor i jetës sime ishte të arrija idealet e jetës familjare që parashtrohen në proklamatën mbi familjen. Gjithsesi, pavarësisht nga përpjekjet e mia më të sinqerta, nuk dukej se po i bëja ato të ndodhnin në mënyrën që besoja se duhej të ndodhnin. Ai mundim qe i dhembshëm.

Në atë kohë, nuk mund ta kuptoja veprën e mrekullueshme që Zoti po shkaktonte në zemrën time nëpërmjet atij mundimi.

Duke vështruar prapa, dëshirimet e mia të papërmbushura luajtën një rol të shenjtë te drejtimi i zemrës sime për nga Shëlbuesi im për të kërkuar paqen dhe drejtimin që vetëm Ai mund t’i japë dhe për ta thelluar mirëbesimin tim te dashuria e Tij e përsosur dhe fuqia e Tij aftësuese. Lutja e përditshme dhe studimi i shkrimeve të shenjta si dhe veçanërisht fjalët e konferencës së përgjithshme, u bënë si një litar ku kapesha për shpresë dhe drejtim. U ndjeva e detyruar t’u drejtohesha fjalëve të bekimit tim patriarkal, si dhe bekimeve të tjera të priftërisë, për të gjetur dashuri dhe drejtim që ishin personale për mua nga Ati im i Përjetshëm.

Ndërsa ia hapja zemrën Zotit, edhe kur isha e tunduar ta ktheja shpinën me hidhërim, në mendje dhe në zemër më vinin mbresa të shenjta që më siguronin se Ai e dinte se ku isha, që jeta ime kishte një plan të bukur dhe që mund t’i mirëbesoja Atij. Përkatësia në besëlidhje3 me Shëlbuesin tim u bë një përcjellës paqeje dhe gëzimi të thellë që ia tejkalonte çdo burimi tjetër përmbushjeje ose lumturie.

Arrita të kuptoja që ndonëse kisha besuar se qëllimi i jetës sime ishte të arrija ëndrrat mia për familjen ideale, Zoti po e bënte të mundur atë që Plaku Xhefri R. Holland, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, e quajti qëllimin themelor të vdekshmërisë. Duke cituar mbretin Beniamin, ai shpjegoi: “Ndoshta qëllimi themelor … është të bëhemi ‘një shenjtor nëpërmjet shlyerjes së Krishtit Zot’, gjë që do të kërkojë prej nesh të bëhemi ‘si një fëmijë, i nënshtruar, i bindur, i përulur, i duruar, plot me dashuri, i gatshëm t’u nënshtrohet të gjitha gjërave që Zoti i sheh të përshtatshme të shkaktojë mbi të, madje sikurse një fëmijë i nënshtrohet atit të tij’”4.

Nevoja ime për ndihmën dhe forcën e Shpëtimtarit më shtyu ta kërkoja dhe përjetoja zemrën e Tij [që mëshironte] nënshtrim, butësi, përulësi, durim dhe dashuri. Gjatë procesit ndryshova nga fuqia e Tij aftësuese. Dhe në të vërtetë, ajo ishte gjëja që dëshiroja më thellësisht. Ajo që më qe dukur aq “jo ideale” në fakt kishte shtruar udhën për “idealen” më të bukur.

Miku dhe kolegu im Tai Mensfilldi përshkroi një të vërtetë të ngjashme. Si një burrë që përjeton tërheqje ndaj së njëjtës gjini, Tai dëshmoi rritjen shpirtërore që mund të ndodhë ndërsa e hedhim spirancën e jetës sonë te Jezu Krishti dhe ia dorëzojmë me vullnet të plotë të gjithë zemrën Atij, duke e lejuar Atë që t’i shenjtërojë të gjitha përvojat e vështira për dobinë tonë. Për Tain, kjo filloi kur Shpirti i mësoi atij: “Qoftë nëse nuk martohesha kurrë, Perëndia më donte pafundësisht dhe më pranonte. Përgjegjësia ime ishte të vazhdoja t’i jetoja ditët një e nga një ndërkohë që e kërkoja dhe e ndiqja udhërrëfimin e Shpirtit.”5 Dhe përfundimisht, mirëbesimi te Perëndia e shtyu Tain të hynte në një martesë të gëzueshme, të bukur e të përjetshme me bashkëshorten e tij.

Zhvillimi i një Marrëdhënieje më të Thellë me Shpëtimtarin

Edhe unë më në fund u martova pasi pyesja veten a do të martohesha ndonjëherë. Por nevoja për ta hedhur spirancën thellë te Jezu Krishti vetëm ka vazhduar, në mos është rritur, gjatë viteve qëkur u vulosa me bashkëshortin tim. Nisa sërish t’i kërkoja paqe Atij ndërsa mundohesha nga problemet me shterpësinë. Nuk dija se si mund ta kisha vallë gëzimin të cilin shpresoja në jetën familjare pa fëmijë. Por edhe pasi bashkëshorti im dhe unë u bekuam me dy fëmijë, shpesh përqendrohesha te dobësitë e mia si nënë. Ndonëse më në fund kisha atë që kisha dëshiruar gjithmonë, në disa mënyra hendeku mes “ideales” dhe “reales” më dukej se qe zmadhuar.

Këto rrethana më ftuan t’i mendoj përsëri qëllimet e vdekshmërisë dhe proceset e shuguruara hyjnisht nëpërmjet të cilave rritemi. Ndoshta qëllimi i jetës nuk është faktikisht që të arrijmë familjen ideale. Ndoshta idealja as nuk ekziston në vdekshmëri. Ndoshta familja, në vend të kësaj, është një mundësi për përparim.

Në fakt, ndoshta realiteti që na duket kaq i dhembshëm “jo dhe aq ideal” në fakt përmbush qëllimin e shenjtë që të ftojë rritjen e cila na nevojitet për të jetuar në të vërtetë marrëdhënie “ideale”. Ndoshta fuqia qëndron te fakti që hendeku i thellë mes reales dhe ideales na fton në një marrëdhënie më të thellë me Jezu Krishtin ku Ai e shëron dhe e shenjtëron atë që ndiejmë se është thyer, duke krijuar urtësi, forcë dhe dashuri në proces. Mrekullisht, ndodh nëpërmjet hirit dhe shëlbimit të Tij, dhe vetëm të Tijit, që ne mund të bëhemi lloji i njerëzve në llojet e marrëdhënieve që ne kërkojmë të kemi në qiell.

Kam arritur të besoj se “përsosuria” në fakt nuk është e mundur në marrëdhëniet familjare për askënd, së paku në këtë jetë. Por ndershmëria, integriteti moral dhe afërsia e çiltër janë të mundura. Në fakt, shtirja sikur jemi të përsosur ose pritshmëria për të qenë të përsosur do të ndërhyjë te afërsia jonë e çiltër me Perëndinë, familjet tona dhe të tjerët. Në vend të kësaj, teksa ia lejojmë vetes që Krishti, familjet tona dhe të tjerët të na shohin sikurse jemi në të vërtetë, përfshirë në gjithçka që është “jo dhe aq ideale”, ne mund ta ftojmë fuqinë e Tij shenjtëruese në jetën tonë. Ne mund ta përjetojmë fuqinë e Tij mrekullibërëse për të ndrequr të pazgjidhshmen, për të na mbushur me dashurinë e Tij dhe për të na ndryshuar në qenie që kanë marrëdhënie më të thella me Të dhe me njerëzit tanë të dashur.

Ndoshta qëllimi më i shenjtë i proklamatës mbi familjen është të na sigurojë që, për shkak të Jezu Krishtit, familja “ideale” mund të jetë fati hyjnor për secilin prej nesh.

Si bij e bija të dashura të prindërve tanë qiellorë, ne të gjithë i përkasim një familjeje të përjetshme. Përvoja jonë e pashoqe në vdekshmëri është një pjesë thelbësore në planin e Atit tonë që të na ndihmojë të përparojmë dhe “ së fundi … të arri[jmë] destinacionin [tonë] hyjnor si trashëgimtarë të jetës së përjetshme”6, të njëjtën jetë familjare të bukur që Ai përjeton, sado të ndryshme nga idealja që na duket se janë tani përvojat tona familjare. Sikurse deklaroi Plaku D. Tod Kristoferson, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve: “Shlyerja e Jezu Krishtit e ka paraprirë dhe, më së fundi, do ta dëmshpërblejë gjithë mungesën e mundësive dhe humbjen për ata që kthehen tek Ai. Askush nuk është i paracaktuar që të marrë më pak sesa gjithçka që Ati ka për fëmijët e Tij.”7

Ashtu sikurse Zoti i premtoi Jakobit mes sfidave të familjes së tij “jo dhe aq ideale”, marrëdhënia e Tij besëlidhëse me ne na siguron: “Unë jam me ty dhe do të të mbroj kudo që të vesh, dhe do të të sjell përsëri në [shtëpi]; sepse nuk do të të braktis para se të bëj atë që të kam thënë” (Zanafilla 28:15). Kur e ndjekim Atë, pavarësisht nga pamja që ka realiteti ynë i papërsosur, Ai nuk do të na “lërë të shkojmë”, derisa të jemi bërë gjithçka që dëshirojmë të jemi, të lidhur në marrëdhënie familjare me gëzim sublim përjetësisht.

Shënime

  1. Shih te “Familja Një Proklamatë drejtuar Botës”, ChurchofJesusChrist.org.

  2. Henry B. Eyring, “The Family”, Liahona, tetor 1998, f. 10.

  3. Shih Gerit W. Gong, “Përkatësia në Besëlidhje”, Liahona, nëntor 2019, f. 80–83.

  4. Jeffrey R. Holland, “A Saint Through the Atonement of Christ the Lord” (fjalim në takimin shpirtëror në Universitetin “Brigam Jang”, 18 janar 2022), f. 1, speeches.byu.edu.

  5. Ty Mansfield, Voices of Hope (2011), f. 5.

  6. Familja: Një Proklamatë drejtuar Botës.”

  7. D. Tod Kristoferson, “Përse Martesa, Përse Familja?Liahona, maj 2015, f. 52.