2023
Manovrimi Përmes Vështirësive në Marrëdhënie
Janar 2023


“Manovrimi Përmes Vështirësive në Marrëdhënie”, Liahona, janar 2023.

Manovrimi Përmes VështirësiveMarrëdhënie

Sprovat familjare mund të kapërcehen nëse jemi të gatshëm të kërkojmë ndihmën e Zotit për të ndryshuar dhe për t’u përmirësuar.

një grua dhe një burrë përballë njëri‑tjetrit mbi një urë të prishur

Ilustrimet nga Ale+Ale

Manovrimi përmes sfidave në marrëdhëniet tona familjare mund t’i vërë në provë kufijtë tanë emocionalë. Si terapiste, shihja shumë situata që të këputnin shpirtin. Por dëshmova edhe bekime në jetën e atyre që u përballën me sprovat e tyre familjare duke kërkuar ndihmën e Zotit për ta përmirësuar komunikimin e tyre, për ta shtuar dashurinë dhe mirëkuptimin dhe për të punuar së bashku për bërjen e ndryshimeve të rëndësishme. Me ndihmën e Zotit, ata gjetën forcë për t’u rritur gjatë problemeve të tyre.

Komunikimi si i Krishtit mund të sjellë dashuri dhe mirëkuptim.

Tomi dhe Xhoana, (emrat janë ndryshuar) që të dy i kishin humbur bashkëshortët. Bashkëshortja e Tomit kishte ndërruar jetë nga kanceri dhe bashkëshorti i Xhoanës, për shkak të varësisë, ishte larguar për marrëdhënie të tjera. Tomi dhe Xhoana u takuan në një konferencë të beqarëve dhe po prisnin me padurim të martoheshin.

Secili prej tyre kishte fëmijë të moshës 15 vjeç e poshtë. Familjet e tyre kishin dalë disa herë bashkë dhe që të dy, Tomi dhe Xhoana, mund t’i shihnin problemet e mundshme që do të vinin nga bashkimi i familjeve. Ata erdhën në këshillim për disa ide se si të komunikonin në mënyra të shëndetshme për të manovruar gjatë këtij kapitulli të ri në jetën e tyre.

Sugjerova që ata të shqyrtonin mesazhin mbi këshillat e familjeve nga Presidenti M. Rasëll Ballard, President Veprues i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve. “Fëmijëve patjetër iu duhen prindër të gatshëm për t’i dëgjuar”, – dha mësim ai “dhe këshilli i familjes mund të sigurojë një kohë gjatë së cilës pjesëtarët e familjes mund të mësojnë që ta kuptojnë dhe duan njëri-tjetrin.”1

Për këshillat e familjes së tyre, ata vendosën të mbanin rendin vijues:

  1. Përkufizojeni problemin.

  2. Rrihini mendimet për zgjidhje.

  3. Zgjidhni një plan.

  4. Vëreni atë në veprim.

  5. Vlerësojeni suksesin e planit javën e ardhshme dhe bëni sërish bisedime për planin nëse është e nevojshme.

Përveç këshillimit bashkë si familje, Tomi dhe Xhoana mësuan se kur stresi në marrëdhënie është i lartë, mund të ketë nevojë edhe për të mësuar se si të përmirësohet komunikimi kokë më kokë.

Tomi dhe Xhoana mësuan disa teknika që i ndihmuan ata ta përmirësonin komunikimin e tyre dhe marrëdhëniet me fëmijët e tyre.

  • Prindërit kishin të njëjtin qëndrim në gjetjen e zgjidhjeve për problemet me fëmijët.

  • Nëse një fëmijë kishte vështirësi për përfundimin e detyrave të veta të përditshme, njëri nga prindërit kalonte kohë me të, duke diskutuar për ditën ndërkohë që punonin për t’i përfunduar detyrat.

  • Ata shpenzonin kohë çdo javë duke e thelluar marrëdhënien e tyre me secilin fëmijë.

  • Ata vendosën paraprakisht që do të bënin pushim kur mendja “emocionale” (bërtitja) të mbizotëronte mendjen “racionale” të përqendruar te zgjidhja (diskutimi).

  • Sa herë që kishte një betejë për pushtet mes një prindi dhe një fëmije, prindi, kur ndiente mbresën ta bënte, tërhiqej dhe kthehej më vonë për të rrahur mendimet për një zgjidhje të re.

Ndërkohë që familja bënte gjithçka mundej për t’iu qasur problemeve sfiduese në mënyra besimtare, të shëndetshme, duke komunikuar rreth sfidave të veta dhe duke punuar bashkë për të dalë prej tyre, Tomi dhe Xhoana e dalluan rritjen e rëndësishme te fëmijët e tyre dhe te vetja gjithashtu.

Mirëkuptimi dhe dashuria na bashkojnë më shumë

Ndërsa fëmijët bëhen të rritur, ata nuk bëjnë përherë zgjidhjet që ne do të donim të bënin. Si i përballojmë këto situata? Si mund t’i ruajmë ose madje t’i forcojmë marrëdhëniet tona në mënyrë që të mund të vazhdojmë të jemi një ndikim përkrahës, i drejtë në jetën e tyre?

Terri dhe Brusi erdhën në zyrën time pak pasi Terri dhe i biri, Sethi, ishin grindur në telefon. Sethi kishte qenë tre vjet larg për shkollë. Ai kishte pasur një sëmundje të rëndë dhe nuk ishte shkëputur ende nga kujdesi i mjekut. Për shkak të sëmundjes, nuk kishte shërbyer në një mision. Terri dhe Brusi nuk e dinin se në ç’gjendje ishte dëshmia e tij ose madje a e frekuentonte Kishën. Ata qenë të shqetësuar se Xholina, e dashura e re e Sethit, nuk ishte ai lloj ndikimi që ata uronin në jetën e Sethit. Të dy prindërit qenë të mërzitur për shtegun që ai po ndiqte.

Ndërsa folëm rreth asaj që ata mund të bënin, diskutuam shëmbëlltyrën e deles së humbur. Bariu ndoshta e dëgjoi blegërimën e qengjit përpara se ta gjente, ta donte dhe ta sillte sërish në vathë (shih te Lluka 15:6). Terri dhe Brusi e pranuan se nuk mund ta ndryshonin Sethin, por vendosën të përpiqeshin ta dëgjonin, ta donin dhe ta ftonin në shtëpi. Ata nuk mund të zgjidhnin bashkëshorten ose shtegun e jetës së tij në vend të tij, por mund t’i kujtonin dashurinë e familjes për të dhe për ungjillin.

Terri i telefonoi Sethit dhe i kërkoi ndjesë për zënkën. Ajo thjesht e dëgjoi ndërsa ai i tha që ishte i turpëruar ngaqë nuk kishte shërbyer në një mision. Ai e pyeste veten se si mund të dilte në takim me një vajzë nga kisha. Ata i ftuan Sethin dhe Xholinën në shtëpi gjatë pushimeve të shkollës.

Sethi dhe Xholina erdhën. Motrat e Sethit e rrethuan çiftin me dashuri. Të dy prindërve u pëlqeu pa masë ta kishin Sethin sërish në shtëpi dhe ia thanë atij këtë. Terri dhe Brusi u lidhën më shpesh me Sethin. Terri i çonte mesazhe me celular disa herë në javë. Familja bënte një videokonferencë çdo të diel. Babai i Sethit shpenzoi kohë duke luajtur golf dhe duke peshkuar me të. Ndodhi ngadalë, por Sethi u bë përsëri pjesë e familjes. Përfundimisht, Sethi vendosi se shtegu që kishte zgjedhur Xholina, nuk qe i duhuri për të. Ai më vonë u martua me një grua të mrekullueshme të cilën e pagëzoi vetë.

Terri dhe Brusi e gjetën qengjin e tyre të humbur duke e dëgjuar, duke e dashur dhe duke e ftuar atë sërish në vathë.

një grua dhe një burrë duke riparuar një urë bashkë

Puna së bashku për ndryshim mund t’i forcojë marrëdhëniet dhe të nxitë rritjen

Meri dhe bashkëshorti i saj, Dejvidi, kishin shumë vjet të martuar dhe qenë anëtarë të respektuar të komunitetit të tyre. Por pastaj një ditë Meri mësoi, pa e marrë vesh Dejvidi, që ai ishte përfshirë në një marrëdhënie me një grua tjetër.

Meri erdhi në zyrën time duke ndier një ndërthurje të zemërimit, pikëllimit dhe trishtimit. Ndërkohë që qante me dënesë duke treguar historinë, ajo e dinte se nevojitej t’i thoshte Dejvidit se si ndihej por jo me zemërim, në mënyrë që Shpirti të ishte me ta.

Pas një përgatitjeje plot lutje, ajo i tha Dejvidit se e donte, por qe shkatërruar kur mësoi për marrëdhënien e tij me një grua tjetër. Do të nevojitej që të takoheshin me peshkopin dhe të merrnin në shqyrtim fatin e martesës së tyre. Dejvidi nuk donte ta humbte të shoqen ose familjen e vet. Me ndihmë nga peshkopi, ai filloi procesin e pendimit.

Meri e dinte se kishte gjëra që do të nevojitej t’i bënte secili prej tyre për të gjetur shërim individualisht edhe si çift. Meri i kërkoi Dejvidit të qëndronte te prindërit e tij për ca kohë ndërkohë që ajo merrej me ndjenjat e veta. Kaloi kohë në tempull duke i kërkuar ndihmë Zotit. Ajo qëndroi në terapi duke i forcuar aftësitë e saja të komunikimit dhe duke mësuar të vendoste kufijtë e duhur.

Së bashku, Meri dhe Dejvidi:

  • Lexonin shkrimet e shenjta çdo natë.

  • Luteshin.

  • Tregonin ndodhitë e çdo dite.

  • Kishin një mbrëmje që dilnin në takim, një herë në javë.

Komunikonin në mënyrë më të hapur. Meri thoshte atë që mendonte dhe Dejvidi e dëgjonte. Ata filluan të flasin me njëri-tjetrin ashtu siç bënin kur ishin të sapomartuar.

Meri raportoi se nuk qe vetëm Dejvidi ai që ndryshoi; ndryshoi edhe ajo. Ajo ndihej më e fortë dhe kishte më tepër vetëbesim. Dejvidi vazhdoi pendimin dhe erdhi në shtëpi.

Përfshirja e Zotit në jetën e tyre të përditshme i solli mirëbesim dhe dashuri më të madhe marrëdhënies së tyre. Të dy ndien se përpjekja për ta kapërcyer këtë sfidë me ndihmën e Zotit, i kishte forcuar ata.

Fjalët e Krishtit do të na udhërrëfejnë

Teksa manovrojmë përmes marrëdhënieve të vështira familjare, u kujtofshim të gjithë që të ulemi në këshill me Zotin. Nganjëherë Ai do të na thotë se çfarë të bëjmë. Nganjëherë ne mund të zgjedhim. “Nuk është e përshtatshme që unë duhet të urdhëroj për gjithçka” (Doktrina e Besëlidhje 58:26). Por ka herë të tjera kur duhet të vetëdorëzohemi te Zoti. Nëse mbajmë një këndvështrim të përjetshëm, pasuritë e përjetësisë do të jenë tonat “dhe gjithë gjërat do të punojnë së bashku për të mirën t[onë]” (Doktrina e Besëlidhje 90:24).