“Kur të Pret Rrugën Sëmundja Kronike”, Liahona, janar 2023.
Mplakja me Besnikëri
Kur të Pret Rrugën Sëmundja Kronike
Përballja me kundërshtinë ditë pas dite mund të na ndihmojë të rritemi në dhembshuri, ndjeshmëri dhe aftësi për t’u ripërtërirë.
Përpara se të ndërronte jetë nga një sëmundje ligështuese, nëna ime shpesh buzëqeshte dhe thoshte: “Asnjëri prej nesh nuk do të dalë gjallë prej këtej, ndaj më mirë të marrim më të mirën e asaj që kemi”.
Kjo ndodhte në ditët e saj të mira. Dhe në jetën e vet, ajo pati shumë ditë të mira.
Por ajo gjithashtu kishte ditë që nuk ishin dhe aq optimiste. Në ato ditë ajo thoshte: “Prano atë që të pret rrugën, dhe shih nëse mundesh të bësh ndonjë të mirë në botë gjithsesi”.
Botërisht, njerëzit janë duke jetuar shumë më gjatë se në të shkuarën.1 Por ndonëse po jetojmë më gjatë, ne kemi më tepër gjasa të zhvillojmë një sëmundje kronike: diabet, sëmundjen e Parkisonit, kancer, depresion, Alzhaimer dhe lista vazhdon. Ndaj, kur ju pret rrugën sëmundja kronike, si duhet të reagoni?
Ecni Përpara me Besim
“Pranojeni fatin tuaj, edhe kur nuk e dini se çfarë ju pret”, – thotë një vëlla i detyruar të merrte leje për paaftësi ndërkohë që bashkëshortja e tij kthehet në punë për të mbajtur familjen e tyre. Ai beson se tepër shpesh ne bëjmë sikur jemi të lumtur dhe kjo na pengon t’i përpunojmë ndjenjat tona ose ta përmirësojmë botëkuptimin tonë. “Në vend që të shkojmë përpara me besim, ne qëndrojmë të amullt teksa presim për një mrekulli ose mërmëritim kur një e tillë nuk vjen”, – thotë ai. Ai ia del mbanë duke dëgjuar shkrimet e shenjta dhe bisedat e konferencës së përgjithshme dhe duke biseduar me miq e familjarë në telefon.
“Janë gjërat e zakonshme të çdo dite që mund të më ulin moralin”, – thotë një motër, bashkëshorti i së cilës është i sëmurë kronik. “Shëndeti i bashkëshortit tim nuk do të përmirësohet kurrë. E pranoj këtë. Por angaria e gjithë rutinës, e detyrave të shërbimit është rraskapitëse nga ana mendore, fizike dhe shpirtërore.” Ajo i vlerëson vizitat nga motrat shërbestare. “Kur vijnë për vizitë, kjo ma ndriçon ditën.”
“Nganjëherë, bashkëshortja ime dhe unë harrojmë gjëra dhe e humbasim durimin me njëri-tjetrin”, – thotë një vëlla tjetër në moshë. “Ndihemi të acaruar ngaqë jemi aq harraqë dhe brengosemi veçanërisht pas fjalëve zemërake që i themi njëri-tjetrit.” Ata kanë mësuar të mbajnë shënime që t’i ndihmojnë të kujtohen. Ata i lejojnë njëri-tjetrit të marrin kohë për t’u qetësuar përpara se të flasin. “Dhe”, – thotë ai, – “ne e kemi mësuar edhe më shumë rëndësinë që të themi: ‘Faleminderit’ dhe ‘Të dua’.”
Një çift tjetër i moshuar mbahej nga ca të ardhura fikse derisa çmimi i mjekimeve të tyre u dyfishua. Falë pjesëtarëve të familjes dhe lagjes së tyre, nevojat e tyre u plotësuan. “Fillimisht kishim turp të kërkonim ndihmë, veçanërisht nga fëmijët tanë”, – tha vëllai. “Por gjithsecili mezi priste të na vinte në ndihmë.”
Sugjerime dhe Vërejtje
Ja tek janë disa sugjerime dhe vërejtje nga ata që kanë të bëjnë me sëmundjet kronike:
-
Ata që i drejtohen Shpëtimtarit, do të gjejnë shpresë. “Mendoja se askush nuk mund ta kuptonte atë që po kaloja”, – thotë një vëlla me sindromën e lodhjes kronike (CFS). “Pastaj, një të diel, ndërkohë që po merrja sakramentin, më shkoi në mendje se Shpëtimtari e kuptonte vuajtjen time. E dija se mund të duroja duke iu afruar më shumë Atij.” (Shih tek Alma 7:11–12; Doktrina e Besëlidhje 121:8; 122:8.)
-
Dhembshuria rritet tek ata që “duro[jnë] mirë” (Doktrina e Besëlidhje 121:8). “Ku e hedhim vështrimin, në ditët e hidhërimit dhe shkatërrimit, për ndihmë dhe ngushëllim? … Ata janë burra dhe gra që kanë vuajtur dhe nga përvoja e tyre me vuajtjen ata u ofrojnë pasuritë e keqardhjes dhe ngushëllimit si një bekim atyre që janë tani në nevojë. A mund ta bënin ata këtë po të mos kishin vuajtur vetë?”2
-
Merreni çdo ditë një e nga një. “Disa vjet më parë, dhembja ishte aq e rëndë sa nuk e merrja me mend si do të mund ta duroja më gjatë. Fillova të kisha mendime për vetëvrasje”, – thotë një motër që vuan nga skleroza e shumëfishtë (MS). Ajo u regjistrua në një njësi për shëndetin mendor në spital. Gjatë këshillimit, motoja e saj nuk u bë vetëm “duro… deri në fund” (1 Nefi 22:31) por në vend të kësaj “duro deri në fund të ditës”.
-
Zhvilloni interesa të rinj dhe gjeni mënyra të reja për të shërbyer. Në vend që të hidhëroheni për atë që nuk mund ta bëni më, zbuloni pasione të reja. Një motër me sklerozë të shumëfishtë zbuloi se nuk mund të bënte më gjërat që i pëlqenin shumë, si kalërimi apo softbolli. Në vend të kësaj, ajo mësoi kaligrafinë. Tani ajo e përdor talentin e saj të sapozhvilluar për të krijuar dorëshkrime artistike të Librit të Mormonit për familjen e saj.
Kur sëmundja kronike bëhet një fakt i jetës, ajo është njëmend një sfidë. Por me besim, shpresë në Krisht dhe një dëshirë për të vazhduar të shërbejmë, përballja me kundërshtinë ditë pas dite mund të na ndihmojë të rritemi në dhembshuri, ndjeshmëri dhe aftësi për t’u ripërtërirë.
Autori jeton në Jutë, SHBA.