2023
Qëndroji Pranë Djalit Tënd
Janar 2023


“Qëndroji Pranë Djalit Tënd”, Liahona, janar 2023.

Zëra të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme

Qëndroji Pranë Djalit Tënd

Pasi Shpirti i foli babait tim gjatë shugurimit tim në priftëri, ai e ndryshoi tërësisht jetën e tij.

djalë duke u shuguruar

Four Generations [Katër Breza], nga Kwani Povi Winder

U bëra aktiv në Kishë kur daja im Billi më çoi bashkë me dy motrat e mia në Fillore. Mësuesja ime e Fillores, Xhin Riçardsoni, ishte një figurë dashamirëse nëne. Më pëlqente ajo dhe miqtë e mi të rinj në kishë, të cilët qenë shumë më të sjellshëm me mua sesa fëmijët në lagjen time të banimit. Kështu që vendosa të qëndroja.

Ndërsa afrohej ditëlindja ime e 12-të, peshkopi Del Gaimon më ftoi të merrja Priftërinë Aarone dhe të shugurohesha si dhjak. Nuk isha i sigurt se çfarë nënkuptonte kjo, por thashë po. Më pas ai tha: “Pse nuk i kërkon babait tënd të të sjellë këtu të dielën e ardhshme dhe ne do të të shugurojmë”.

Babi dhe familja e tij kishin ndaluar së frekuentuari kishën kur ai ishte rreth 13 vjeç. Kur u rrit, ai i kalonte shumicat e fundjavave në pijetoret vendore ose duke peshkuar me karrema artificialë. Ai kishte shërbyer në Marinën e SHBA-së gjatë Luftës II Botërore dhe Luftës së Koresë. Ai pinte puro, pinte alkool dhe shante, por kishte një reputacion në qytezën tonë të vogël të Montanës që ishte i ndershëm dhe i drejtë.

Kur babi më çoi në kishë të dielën e ardhshme, ishte një rast i veçantë. Kur shkoi ora, peshkopi Gaimon më thirri të dilja përpara dhe më kërkoi të ulesha në një karrige. Disa burra, por jo babi im, m’i vendosën duart mbi kokë dhe kryen ordinancën.

Ndjeva peshën e rëndë të disa duarve të mëdha mbi vete. Babi, i ulur në stol vetëm pak metra më larg, ndjeu një lloj tjetër shtrëngimi në kraharor. Një zë i foli së brendshmi duke i thënë: “Duhet t’i qëndrosh ti pranë djalit tënd herën tjetër që do të ndodhë kjo”.

Javët që pasuan, babi e ndryshoi jetën tërësisht dhe filloi ta frekuentonte kishën çdo të diel. Shpejt, Kisha u bë pika kryesore e përqendrimit në jetën tonë familjare.

Babi u bë këshilluesi im në kuorumet e dhjakëve, mësuesve dhe priftërinjve; mësuesi im në Shkollën e së Dielës dhe trajneri im i basketbollit, i softbollit dhe i volejbollit. Ndërkohë që ishim shokë të mësimit të shtëpisë, babi ndihmoi burra dhe familje të tjera që të ktheheshin e të bëheshin aktivë në Kishë.

Me përkrahjen e babit, përjetova kthimin tim në besim vetjak dhe shndërrues. Nga ajo kohë, jam përpjekur të jem i ndjeshëm ndaj burrave që, si babi im, mund t’i përgjigjen një ftese për t’u bërë babai më i mirë që mund të jenë.

Do të jem përherë mirënjohës për atë që daja im Billi dhe një mësuese dashamirëse e Fillores, një peshkop i urtë dhe babi im bënë për mua 60 vjet më parë.