2023
Bashkëbisedime Thelbësore Familjare
Janar 2023


“Bashkëbisedime Thelbësore Familjare”, Liahona, janar 2023.

Bashkëbisedime Thelbësore Familjare

Bashkëbisedimet thelbësore do t’i ndihmojnë fëmijët tanë të dinë se çfarë besojnë dhe pse e besojnë.

atë e bir duke bërë ngjitje në mal

Ilustrimet nga Noah Regan

Një bir i kërkoi të atit t’i mësonte si të ngjitej në mal. Babi ia mësoi të gjitha gjërat thelbësore, përfshirë planifikimin, sigurinë, përgatitjen dhe mjetet. Djali pyeti se kur do të flisnin rreth asaj që duhej të bënin në rastin e një urgjence. Babai tha se nuk donte ta trembte të birin dhe se ky bashkëbisedim mund të priste derisa të bëhej thelbësor.

Ata e përfunduan stërvitjen dhe shkuan në ekspeditën e tyre të parë të ngjitjes në malin Rainier pranë Siatëllit në Uashington. Përvoja dhe kushtet filluan shumë mirë derisa moti mori një kthesë për keq dhe shpejt ata e gjetën veten duke parë një ortek që po iu vinte përballë.

Nuk dinin ç’të bënin sepse nuk e kishin diskutuar. Djali e pyeti të atin: “A jam gati tani për atë bashkëbisedimin se çfarë duhet bërë në raste urgjence, babi?”

Bashkëbisedimet thelbësore, në sigurinë e shtëpive tona, mund të na ndihmojnë të përgatitemi për ortekët e jetës.

E vërteta e parë e madhe e gjithësisë është se Perëndia na do”, – tha Plaku Xhefri R. Holland, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve.1 Fjalët e tij na kujtojnë se dashuria është themeli për të gjithë përjetësinë dhe për jetën tonë të përditshme. Me atë dashuri si parakusht, bashkëbisedimet dhe lidhjet që bëjmë me familjen tonë, janë thelbësore.

Si bashkëshort, baba, këshillues në shkolla dhe si këshillues për shëndetin mendor me leje për ushtrim profesioni, kam zbuluar se bashkëbisedimet familjare janë kritike dhe nuk duhen shtyrë për më vonë. Xhoi D. Xhons, ish-Presidentja e Përgjithshme e Fillores, tha: “Ne nuk mund të presim që kthimi në besim thjesht t’u ndodhë fëmijëve tanë. … Bashkëbisedime[t] familjare rreth ungjillit të Jezu Krishtit, bashkëbisedime[t] thelbësore, … mund të ftojnë Shpirtin.”2

Cilat janë bashkëbisedimet thelbësore?

Motra Xhons i përkufizoi bashkëbisedimet thelbësore si “[të] thjesht[a], bashkëbisedime plot kujdesje [që] mund t’i bëjnë fëmijët [dhe secilin prej nesh] të dinë jo vetëm se çfarë besojnë, por më e rëndësishmja, përse e besojnë atë”3. Një fjalë që më pëlqen pa masë nga ky përkufizim, është të thjeshta. Dialogu ynë nuk ka pse të jetë i thellë ose i ndërlikuar apo madje i planifikuar. Në fakt, disa prej bashkëbisedimeve më të mira që do të kemi ndonjëherë, nuk mund të planifikohen, përveçse që të përgatitemi duke e pasur gjithmonë Shpirtin me vete që të na ndihmojë.

Motra Xhons dha mësim më tej: “Kthimi në besim rastësor nuk është një parim i ungjillit të Jezu Krishtit. Bërja si Shpëtimtari ynë nuk do të ndodhë rastësisht.”4 Ajo ndodh rresht pas rreshti, me kohë dhe përpjekje të qëllimshme.

Sa shpesh duhet të ndodhin bashkëbisedimet thelbësore?

Ne duhet të flasim me fëmijët tanë përditë. Sa më shpesh që i bëjmë bashkëbisedimet thelbësore, aq më normale, të natyrshme dhe sqaruese bëhen ato.

Mënyra më e keqe për të bërë bashkëbisedime thelbësore është të mos i bëjmë ato fare! Ne shpesh mendojmë se nuk është koha e duhur, është tepër e ndërlikuar ose që fëmijët tanë nuk do të kuptojnë. Ne nuk duam të fyejmë, ose të themi gjënë e gabuar, ose ta vëmë dikë në siklet. Sidoqoftë, të paktën përpjekja për të bërë një bashkëbisedim është më mirë sesa të mos themi asgjë.

Si t’i bëjmë bashkëbisedimet thelbësore me fëmijët tanë?

Receta e thjeshtë që kam zbuluar për bërjen e bashkëbisedimeve thelbësore, është duaj, dëgjo dhe ndrysho. Ndonëse mund të mos jemi të përkryer tek asnjëra prej këtyre, mund të mundohemi ta ndjekim modelin me qëndrueshmëri.

Duaj: Pa themelin dhe zbatimin e dashurisë, ne nuk mund të zhvillojmë bashkëbisedimet thelbësore më të efektshme. Dashuria është shkaku, koha, arsyeja dhe mënyra e gjithçkaje që bëjmë në familjet tona. Fëmijët tanë kanë nevojë të ndihen të sigurt kur lidhen me ne dhe dashuria e siguron atë mjedis vendimtar. Ne gjithnjë mund të tregojmë dashuri. Jezu Krishti na e tregoi mënyrën.

Motra Xhons tha: “Teksa i ushqejmë shpirtërisht dhe i përgatitim fëmijët tanë, ne lejojmë lirinë e tyre të zgjedhjes, i duam me gjithë zemër, u mësojmë urdhërimet e Perëndisë dhe dhuratën e Tij të pendimit dhe kurrë, asnjëherë, nuk heqim dorë prej tyre. Në fund të fundit, a nuk është kjo mënyra e Zotit me secilin prej nesh?”5

Dëgjo: Kam mësuar nëpërmjet vetë gabimeve të mia që të dëgjuarit në mënyrë aktive është një pjesë kritike e çfarëdo bashkëbisedimi thelbësor. Të dëgjuarit duhet të jetë përparësia e parë dhe të ndodhë dy herë më shpesh nga sa flasim. Jezu Krishti është shembulli më i mirë i mënyrës se si të bëjmë bashkëbisedime thelbësore dhe të dëgjojmë në mënyrë aktive. Ne mësojmë te Gjoni 8 që kur farisenjtë sollën tek Ai gruan e kapur në shkelje kurore, gjërat e para që Ai i tha gruas ishin pyetjet: “Ku janë ata që të paditnin? Askush nuk të dënoi?” (Vargu 10.) Për të ndihmuar të ndodhte nxjerrja e mësimeve thelbësore, Ai bënte pyetje dhe dëgjonte përpara se të jepte mësim.

Ndrysho: Pasi kemi dashur, dëgjuar dhe jemi lidhur me dikë, çfarë bëjmë nga kjo pikë? A nevojitet që të pendohemi, të japim mësim, të dëgjojmë më shumë, të shërbejmë, të kërkojmë ndjesë, të falim? Bashkëbisedimet thelbësore duhet të na sigurojnë një mundësi për të ndryshuar. Shpresa është që ne të jemi duke u munduar gjithnjë të jemi, sikurse e ka thënë Presidenti Rasëll M. Nelson, “pak më [të] mirë çdo ditë”6.

babë e bir duke biseduar së bashku

Si mund të bëjmë bashkëbisedime thelbësore më të shpeshta?

Ju do të udhërrëfeheni nga zbulesa se çfarë funksionon më së miri për familjen tuaj. Merrini parasysh këto sugjerime nga përvoja e familjes sonë:

Studimi familjar i shkrimeve të shenjta: Kur i pyeta fëmijët tanë se çfarë bëjmë që i ndihmon ata më së shumti të bëjnë bashkëbisedime për ungjillin, ata thanë se ishte studimi i shkrimeve të shenjta së bashku çdo mbrëmje duke përdorur manualin Eja, Më Ndiq.

Mbledhja familjare e dëshmive çdo të diel agjërimi: Nuk është zakonisht një mbledhje formale dëshmish, por një rast për çdo person të familjes sonë që të shprehë ndjenjat, bindjet, mundimet dhe sukseset. Bashkëshortja ime dhe unë gjithnjë përpiqemi fort të dëshmojmë për Jezu Krishtin. Kjo mbledhje është bërë një nga përvojat më me ndikim në shtëpinë tonë.

Darka familjare: Kur themi: “Çfarë kohe ka ardhur?” gjatë darkës, fëmijët e dinë se ka ardhur koha që çdo njeri të tregojë diçka që shkoi mirë dhe diçka që do të kishin uruar të kishte shkuar më mirë atë ditë. Kjo shpesh çon në shprehje të mirënjohjes, dashurisë, nganjëherë të acarimeve dhe shpesh në bashkëbisedime të mbushura me ungjillin që nuk do të kishin ndodhur përndryshe.

Bashkëbisedimet kokë më kokë: E ruaj si thesar kohën çdo muaj të dielën e agjërimit që të ulem me secilin prej fëmijëve të mi kokë më kokë, lutem për ta në emër, i vështroj në sy dhe u bëj pyetje. Përpiqem të dëgjoj dhe të lidhem me ndjenjat dhe nevojat e tyre. Mund të ketë qenë e çuditshme për ta në fillim, por tani atyre iu mungon nëse nuk e bëjmë. Shpresoj që ata ta dinë se koha ime me ta është më e rëndësishme se çdo gjë tjetër dhe që dëshiroj të bëj bashkëbisedime thelbësore me ta përditë.

Rishikimet e synimeve: Ne krijojmë synime vetjake, në çift dhe familjare çdo janar. Pastaj ne diskutojmë rritjen dhe përparimin tonë drejt tyre çdo muaj gjatë një kohe për studimin e shkrimeve të shenjta ose një mësimi të mbrëmjes familjare. Kjo çon drejt bashkëbisedimeve thelbësore.

Bashkëpunimi në çift ose prindëror: Çdo natë të diele, kur bashkëshortja ime dhe unë u hedhim një sy kalendarëve tanë javorë, ne gjithashtu e pyetim njëri-tjetrin se si po ndihemi dhe se çfarë po na mundon ose për çfarë kemi nevojë për ndihmë. Ne bëjmë bashkëbisedime thelbësore rreth martesës sonë dhe secilit prej fëmijëve tanë, dhe asaj që nevojitet të bëjmë për ta rrënjosur më tej ungjillin e Jezu Krishtit në zemrën e secilit prej nesh.

Bashkëshortja ime është një dëgjuese shumë më e mirë se unë dhe shumë më e zonja për të na ndihmuar të ruajmë drejtpeshimin dhe përqendrimin në shtegun e besëlidhjeve. Unë mësoj jashtë mase prej saj dhe jam tepër i bekuar që ajo më zgjodhi mua për përjetësinë.

Familja jonë nuk është e përsosur në bërjen e gjithë këtyre gjërave, por ne vërtet bëjmë përpjekjen tonë më të mirë dhe vazhdojmë të përpiqemi.

Bëhuni gati përpara se të vijë orteku

Mos prisni derisa të vijnë ortekët e jetës për martesën, fëmijët ose marrëdhënie të tjera tuajat. Nuk është çështja a do të vijnë, por kur do të vijnë. Bashkëbisedimet për ungjillin dhe gjëra të tjera thelbësore na përgatitin më së miri vetëm nëse ndodhin në mënyrë të qëllimshme dhe të rregullt.

Të qenit së bashku me bashkëshorten, fëmijët dhe familjen time në përjetësi është synimi dhe qëllimi im më i madh i gjithçkaje që bëj, përfshirë secilin bashkëbisedim thelbësor.

Nuk ia dal gjithmonë, si të gjithë ne, por nëpërmjet fuqisë së Jezu Krishtit dhe pendimit, lartësohem. Shpëtimtari ka premtuar të na forcojë me anë të fuqisë së Tij dhe ndriçimit të përkryer të shpresës që na jep Ai nëpërmjet Shlyerjes së Tij. Nuk ka pse të jemi të përsosur, por njëmend nevojitet të përpiqemi fort për t’u përmirësuar! Secili prej nesh e ka atë fuqi në dispozicion për vete. Ju nuk do të dështoni. Suksesi qëndron gjithnjë te përpjekja.

Presidenti Nelson ka premtuar se “kur zgjidhni ta lejoni Perëndinë të triumfojë në jetën tuaj, ju do të përjetoni vetë se Perëndia jonë është ‘një Perëndi mrekullish’ [Mormoni 9:11]”7. Kjo mund të përfshijë lejimin që Perëndia të triumfojë në bashkëbisedimet tona thelbësore. Të gjitha gjërat janë të mundura nëpërmjet Shpëtimtarit tonë, Jezu Krishtit, përfshirë këto bashkëbisedime thelbësore. Dashuria është gjithnjë përgjigjja e Tij!

Autori jeton në Uashington, SHBA.