2023
Përse nuk Mundesha të Falja?
Janar 2023


“Pse nuk Mundesha të Falja?”, Liahona, janar 2023.

Zëra të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme

Përse nuk Mundesha të Falja?

U luta që Ati Qiellor të më ndihmonte t’i kapërceja ndjenjat e mia të këqija dhe të falja.

burrë duke punuar në kopsht në rrethinat e tempullit

Ilustrimi nga Allen Garns

U isha bashkuar disa vëllezërve të tjerë nga lagjja ime për të ndihmuar një motër të lëvizte me shtëpi. Por kur mbërritëm në hyrjen e saj, një mikrobus që qe parkuar keq, na pengoi të futeshim te ndërtesa e saj me mikrobusin tonë.

I rashë numrit që qe në anë të mikrobusit për të kërkuar që dikush të vinte e ta lëvizte mikrobusin. U përgjigj një burrë dhe premtoi se do të vinte shpejt.

Pas 15 minutash, i telefonova përsëri, por nuk u përgjigj. Më në fund, pas një telefonate tjetër, ai u duk me dy fëmijë. Ishte i zemëruar dhe tha diçka që më ngriti nervat. U përpoqa ta harroja ndërsa vazhduam punën me lëvizjen e gjërave.

Atë mbrëmje mendova rreth përvojës. U luta që Ati Qiellor të më ndihmonte t’i harroja ndjenjat e mia dhe ta falja burrin. Ai iu përgjigj lutjes sime.

Sidoqoftë, pak më vonë, po lexoja një gazetë vendore dhe vura re një artikull rreth këtij burri. Ajo përfshinte një fotografi të tijën. Ndjenjat e mia negative kundrejt tij u kthyen. Ndaj, kalova sërish përmes të njëjtit proces. I kërkova Zotit që kjo çështje pa rëndësi të mos më bezdiste më dhe që Ai të më ndihmonte ta falja atë burrë. Pata një ndjenjë të mirë.

Nuk kaloi shumë përpara se të rastisja ta takoja të njëjtin burrë në një dyqan. Ndjenjat e mia të këqija u kthyen përsëri. U habita. E pyeta Zotin pse nuk isha në gjendje ta lija pas këtë përvojë. Pak ditë më vonë, Ai më dha një mësim.

Po largohesha me makinë nga rrethinat e Tempullit të Helsinkit në Finlandë kur vura re po atë burrë duke punuar në kopshtet e tempullit. Nuk mund t’u besoja syve. Mendja ime u hap dhe kuptova se ai, ashtu si unë, po i shërbente Zotit dhe se ai, ashtu si unë, kishte ditë acaruese kur gjërat nuk shkonin mirë. Atëherë munda ta shihja këtë burrë si vëllanë tim. Me një këndvështrim të ri, ndjeva respekt dhe dashuri kundrejt tij. Pas asaj, të gjitha ndjenjat e mëparshme ikën, për të mos u kthyer më kurrë.

Kur i shohim të tjerët ashtu siç na sheh Zoti, ne mund ta ndjekim urdhërimin e Tij për të falur plotësisht (shih te Mateu 6:14–15; Doktrina e Besëlidhje 64:9–10). Kjo përvojë qe një mëshirë e paharrueshme, e dhembshur e Zotit, të cilën ende e përsiat në zemrën time.