2023
Një Bashkëbisedim rreth Ndodhive të Çmuara
Mars 2023


Një Bashkëbisedim rreth Ndodhive të Çmuara

Plaku Soares: Në shumë familje latino‑amerikane, kujtimet krijohen përreth tryezës së darkës dhe kështu ndodhi me familjen time. Rrokej çdo mundësi për t’u mbledhur, për të gatuar dhe për të ngrënë ushqim të hatashëm. Ditëlindjet, festat zyrtare dhe madje të dielat i kalonim bashkë si familje. Ishte një traditë që u kalua brez pas brezi; edhe kur krijuam familjen tonë me tre fëmijët tanë, e vizitonim familjen time çdo të diel, gatuanim bashkë, hanim një vakt së bashku dhe shpenzonim orë e orë të tëra së bashku me dashuri dhe përkrahje për njëri-tjetrin.

Motra Soares: Këto ndodhi dhe tradita familjare janë pjesë e njeriut që jemi. Disa nga ndodhitë dhe traditat kalohen brez pas brezi dhe disa prej tyre zbulohen nga e para. Ndërsa përfshihemi në historinë familjare dhe zbulojmë më shumë rreth atyre që ishin përpara nesh, ne mund të gjejmë fuqi në atë zbulim – fuqi që mund të na shtyjë drejt një kuptueshmërie më të mirë për faktin se kush jemi dhe ku përkasim.

Plaku Soares: Nga çfarë ndodhish familjare merrni forcë ju? Çfarë traditash mbani gjallë? Nëse nuk ju vjen asgjë në mendje, mos u shkurajoni. Ne ju nxitim t’i zbuloni ato. Dhe kujtojeni, historia familjare nuk ka të bëjë e gjitha me të shkuarën e largët. Ju mund të shihni përvojat dhe ndodhitë ose historinë tuaj vetjake të kohëve të fundit teksa shpaloset pikërisht këtu në të tashmen. Mund të vendosni traditat tuaja vetjake. Ajo që ju bën të pashoq, është një ndërthurje e së shkuarës dhe e së tashmes.

Ndodhi nga Fëmijëria

Plaku Soares: Kisha një vëlla dy vjet më të madh se vetja, i cili kishte një problem me dëgjimin. Ai e kishte shumë të vështirë për të komunikuar dhe mund ta kujtoj se si në thelb unë u bëra shoqëruesi i tij, duke e ndihmuar të bënte gjëra dhe të komunikonte me njerëzit. M’u desh të mësoja të komunikoja me gjuhën e shenjave në kishë. Për shembull, atij njëherë iu caktua të jepte një bisedë në kishë. Megjithatë, ai nuk qe në gjendje të fliste. Por unë u ula me të dhe unë, duke i folur me shenja, e ndihmova të shkruante një bisedë. Në mbledhjen e sakramentit, ai qëndroi krah meje në foltore ndërsa unë lexoja bisedën që ai kishte përgatitur.

Prindërit e mi qenë shumë besimtarë dhe kthimi i tyre në besim tek ungjilli ua ndryshoi jetën përgjithmonë. Kjo krijoi një këndvështrim të ri për mua sepse ata punuan fort që jeta ime të ishte e ndryshme në të ardhmen. Ata ndien aq shumë gëzim për shkak të ungjillit të Jezu Krishtit, saqë sapo u pagëzuan, filluan t’i ftonin fqinjët e tyre që të vinin e t’i dëgjonin mësimet e misionarëve në shtëpinë tonë.

Motra Soares: Babai im dhe pjesa tjetër e familjes në shtëpinë time nuk shkonin në kishë. Por babai im gjithmonë bënte lutje, çdo natë, duke u gjunjëzuar dhe unë e vëzhgoja që kur isha shumë e vogël. Ai nuk më mësoi me fjalë, por më mësoi me anë të veprimit. Kur isha e vogël, më kujtohet gjithashtu se nganjëherë e thosha emrin e Perëndisë më kot. Nuk e dija se po bëja diçka të gabuar dhe nëna ime më mësoi që nuk duhej të flisja në atë mënyrë. Ajo nuk shkonte në kishë, por e dinte se çfarë ishte e drejtë dhe e gabuar. Kur isha nëntë vjeçe, një vajzë në lagjen time të banimit, e cila ishte gjithashtu nëntë vjeçe, më ftoi të shkoja në Fillore për herë të parë.

Plaku Soares: Ti u rrite në Kishë pa i pasur prindërit aty dhe prapëseprapë e ndërtove besimin tënd në ungjill dhe tani ke vendosur që jeta jote t’i kushtohet mësimit të fëmijëve tanë për po atë lloj besimi.

Ndodhitë e Krijimit të një Familjeje

Plaku Soares: U takova me Motrën Soares në një mbrëmje vallëzimi në Kishë gjashtë muaj pasi isha kthyer nga misioni im. Ajo sapo ishte kthyer nga një mision gjithashtu.

Motra Soares: E shihja që më vështroje dhe diçka filloi të më trazonte edhe mua përbrenda. Dhe sapo ndaloi muzika, ti erdhe tek unë dhe më kërkove të vallëzonim.

Plaku Soares: Ne vazhduam si miq, por ajo qe nata kur na u hapën sytë. Secili nga ne pa tek tjetri një shenjtor besnik/e të ditëve të mëvonshme dhe mundësinë për një marrëdhënie. Dhe dy javë më vonë filluam të dilnim në takime. Kjo ndodhi 41 vjet më parë.

Më kujtohet se çfarë sfide ishte gjatë atyre pesë viteve të para pas martese kur po përpiqeshim të bënim fëmijë.

Motra Soares: Ato vite qenë shumë të vështira. Nuk arrija të mbetesha shtatzënë.

Plaku Soares: Patëm shumë sfida shëndetësore pas aq shumë përpjekjeve. Ajo ishte koha kur morëm një bekim priftërie. Më vone ti bëre një ndërhyrje kirurgjikale dhe pak muaj më vonë …

Motra Soares: Ëndrra jonë u bë realitet.

Plaku Soares: Ti mbete shtatzënë.

Motra Soares: Ne mirëbesuam shumë te Zoti dhe i dalluam bekimet e prekshme. Nuk ishte e lehtë për të dy ne, aq pa përvojë, por në të njëjtën kohë ka qenë edhe e mrekullueshme.

Plaku Soares: Ndërkohë që po përballeshim me jetën, Zoti na siguroi nevojat tona shpirtërore, duke na dhënë paqen që na nevojitej, ngushëllimin dhe aftësinë për të punuar, për të vazhduar përpara, për të përfunduar arsimimin tonë. Ishte një kohë domethënëse në jetën tonë që e ndryshoi tërësisht drejtimin e gjithçkaje që menduam se do të bënim.

Fëmijët e Perëndisë dhe Tempulli

Plaku Soares: Sjellja në kujtesë e kulturës, trashëgimisë dhe traditave tona është e rëndësishme. Bashkë me përvojat nga të cilat përbëhet tregimi i jetës sonë, ato kontribuojnë në kuptueshmërinë tonë për atë që jemi. Por ju nuk mund ta kuptoni plotësisht thellësinë e njeriut që jeni, pa e kuptuar se i/e kujt jeni! A e kuptoni se jeni një fëmijë i Perëndisë me plot kuptimin e fjalës? A e keni zbuluar se çfarë do të thotë ajo trashëgimi hyjnore për ju? Për mua, ai zbulim, ai fillim i dëshmisë sime, nisi në një moshë të vogël, por ka vazhduar të zhvillohet dhe forcohet gjatë rrjedhës së jetës sime.

Motra Soares: Shkuarja në tempull dhe kthimi prej tij mund ta ndihmojnë secilin prej nesh që të lidhet përsëri me rrënjët e veta shpirtërore. Atje është vendi ku mund të mësoni e rimësoni rreth planit të Perëndisë për ne. Atje është vendi ku mund të arratiseni nga zërat e lartë që me aq dëshpërim përpiqen t’ju shpërqendrojnë nga personi që jeni vërtet. Atje është vendi ku kemi mundësinë të ndihmojmë në kauzën më të madhërishme të mbledhjes së njerëzve të familjes sonë që nuk e patën kurrë mundësinë për t’i marrë ordinancat e shenjta gjatë kohës kur ishin në jetë.

Plaku Soares: Në çdo tempull të ditëve të mëvonshme anembanë botës, mund të gjenden këto fjalë: Shenjtëri Zotit, Shtëpia e Zotit. Kur hyni në dyert e tempullit, jeni brenda shtëpisë së Tij dhe jeni shumë më pranë Tij dhe Atit. Gjithçka që ndodh brenda këtyre mureve të shenjta, përqendrohet te [synimi] për t’i sjellë të gjithë të sigurt në shtëpi tek Ai, të cilin e quajmë Atë.

Motra Soares: E di se ka shumë njerëz që po presin nga Zoti mundësinë që të bashkohen si çift ose që të vulosen me prindërit ose fëmijët e tyre për kohën dhe përjetësinë.

Shpresoj me padurim edhe për mundësinë e ëmbël kur do të kem rastin të bashkohem përjetësisht me prindërit e mi të dashur në shtëpinë e Zotit. Nuk ka asnjë vend tjetër mbi tokë ku lidhja me Perëndinë dhe Jezu Krishtin të ndihet dhe kuptohet më qartë sesa brenda mureve të tempullit.

Të kuptuarit se kush jemi, nga erdhëm dhe nga kush erdhëm, mund të sjellë në jetën tonë ndjenjën më të madhërishme të paqes, largpamësisë dhe qëllimit.

Plaku Soares: Në tempull është vendi ku mund të zbuloni jo vetëm se kush jeni dhe i/e kujt jeni por edhe se kush jeni paracaktuar të bëheni. Është interesante të dallojmë se ndërkohë që zbulimi i faktit se kush jemi e thekson individualitetin tonë të pashoq, zbulimi se të kujt jemi thekson faktin se jemi njësoj. Ne “të gjithë j[emi] njësoj para Perëndisë” (2 Nefi 26:33) dhe pavarësisht nga ndasitë tona, secili prej nesh ka të njëjtën trashëgimi hyjnore dhe një mundësi të barabartë për një fat të lavdishëm çelestial.

Motra Soares: Zbulimet për të cilat flasim, mund të kenë një efekt të fuqishëm, afatgjatë, jo vetëm në jetën tonë si individë, por edhe në jetën e atyre me të cilët e kemi të përbashkët trashëgiminë. Secili prej nesh luan një rol të rëndësishëm në kalimin brez pas brezi të ndodhive, trashëgimisë, kulturës dhe traditave tona familjare. Çdonjëri prej nesh është një hallkë që lidh të shkuarën dhe të tashmen me të ardhmen. Kalimi tek të tjerët i këtyre aspekteve të rëndësishme të faktit se kush jemi dhe të kujt jemi, mund ta fortifikojë brezin e ri në një kohë kur mund të ketë nevojë më së shumti.

Ndodhia më e Rëndësishme

Plaku Soares: Po aq e rëndësishme, në mos më e rëndësishme se kalimi brez pas brezi i kulturës dhe trashëgimisë, është kalimi brez pas brezi i dëshmive tona për ungjillin e Jezu Krishtit dhe dëshmive tona për Të dhe për Shlyerjen e Tij. Ajo trashëgimi besimi e kaluar nga brezi në brez është trashëgimia themelore që mund t’u kalojmë brezave të ardhshëm.

Si anëtarë të Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme, nuk duhet të befasohemi nga ky parim. Libri i Mormonit, në fund të fundit, u shkrua për dobinë e fëmijëve tanë që ata “të mund të dinë se cilit burim t’i drejtohen për heqjen e mëkateve të tyre. Prandaj, ne flasim … që fëmijët tanë të … mund të presin atë jetë që është në Krisht” (2 Nefi 25:26–27).

Prindër, tregojeni trashëgiminë tuaj në mënyrë që fëmijët tuaj të mund ta dinë se cilët janë dhe të kujt janë! Kjo mund të bëhet thjesht me anë të një dëshmie, një tregimi, një tradite ose edhe një vakti ushqimor.

Lart mbi malin e Korkovados qëndron statuja Cristo Redentor. Kjo statujë madhështore që portretizon Shpëtimtarin krahëhapur, është bërë një nga imazhet më të njohura të Brazilit.

Ka ditë kur mund të shihet qartë ky monument që ngrihet mbi qytet, por ka raste kur ka një vrundull resh, që të pengojnë ta shohësh statujën. Në ato çaste, për ta parë duhet të ngrihesh lart. Për ta parë, të duhet të ngjitesh në majë të kodrës. Sa e vërtetë është kjo në lidhje me Shpëtimtarin tonë, Jezu Krisht. Për ta zbuluar Atë, për të ditur se kush është Ai, duhet që secili prej nesh të ngrihet lart dhe të ngjitet në majë të asaj kodre.

Shtegu drejt zbulimit të faktit se kush është Ai, sigurisht është individual dhe ka pjesën e vet të ulje-ngritjeve. Por ai zbulim do të na çojë përfundimisht dhe padyshim te pastërtia dhe paqja, largpamësia dhe qëllimi si dhe, te fuqia dhe një vend në familjen e Perëndisë.

Ne lexojmë për jetën e Tij, shembullin e Tij të përsosur dhe urdhërimet e Tij. Zbulimi i këtyre aspekteve për faktin se kush është Ai, vendos standardin më të mirë të mënyrës se si duhet të jetojmë, shembullit që duhet të japim, dhe urdhërimeve që duhet të ndjekim. Në atë synim për t’u bërë sikurse është Ai, ne zbulojmë varësinë tonë nga Ai dhe Shlyerja e Tij. Është nëpërmjet Shlyerjes së Jezu Krishtit që ne mund të gjejmë pastërti dhe paqe ndërsa përpiqemi fort t’ia nënshtrojmë vullnetin tonë vullnetit të Atit, sikurse bëri Shpëtimtari.

Kur arrijmë ta njohim Atë, kjo na çon drejt largpamësisë dhe qëllimit, edhe në çastet më të zymta. Në njërën nga periudhat më të mbushura me pikëllim në jetën time, e humba tim atë në mënyrë tragjike nga një sulm i papritur në zemër. Ajo që ma shtoi pikëllimin, ishte humbja e afërt e vëllait tim dhe shpejt pas kësaj e një vëllai tjetër. Gjatë kësaj kohe munduese, bashkëshortja ime e dashur dhe unë vuajtëm humbjen e dy fëmijëve, njëri lindi para kohe dhe nuk mbijetoi dhe tjetrin e humbëm nga një dështim i papritur. Në këto çaste të zymta, çaste pikëllimi dhe dhembjeje, çaste humbjeje dhe dëshpërimi, çaste sprove dhe mundimi – ardhja te Krishti është mënyra e sigurt për të kthyer qoftë edhe një regëtimë drite që mund të rritet brenda jush pak e nga pak, dhe, me kalimin e kohës, t’ju çojë drejt shpresës dhe shërimit.

Mund të zbuloni, ndërsa arrini ta njihni Atë, se fuqia dhe vendi në familjen e Perëndisë janë në dispozicionin tuaj. Ai do t’ju pranojë ashtu siç jeni dhe, ndërsa vini tek Ai dhe mësoni nga Ai, ju mund dhe do të bëheni gjithnjë e më tepër si Ai.

Një pjesë e asaj bërjeje përfshin bashkimin në kauzën e mbledhjes në të dyja anët e velit. Duke folur posaçërisht për punën në tempull dhe punën për historinë familjare, ndërsa i vini në ndihmë Zotit për të bërë “të ndodhë pavdekësia dhe jeta e përjetshme e njeriut” (Moisiu 1:39), shkrimet e shenjta na mësojnë se ne bëhemi shpëtimtarë të mirëfilltë në Malin e Sionit (shih tek Abdia 1:21). Por çfarë do të thotë kjo? Ashtu sikurse Shpëtimtari e sakrifikoi jetën e Vet për të gjithë njerëzimin, ne në një shkallë më të ulët bëhemi si shpëtimtarë për ata që nuk kanë asnjë mënyrë për t’i marrë ordinancat e shpëtimit dhe ekzaltimit pa ndihmën e atyre prej nesh që janë këtu në tokë. Në thelb, përfshirja në këtë punë na ndihmon për synimin tonë që të bëhemi më shumë si Jezu Krishti.

Ju premtoj se, ndërsa bashkoheni me Atë për kryerjen e punës së Atit tonë, duke i ndihmuar ata që nuk e patën kurrë rastin për ta pranuar Atë e për të hedhur hapa përgjatë shtegut të besëlidhjeve, ju do të filloni ta shihni Atë ashtu siç Ai është. Ju do të jeni si Ai dhe do të zbuloni se kush jeni dhe thjesht se sa i/e jashtëzakonshëm/me mund të jeni!

Shtyp në Letër