Botime të Mëparshme
Burimet


Burimet

Arsimimi për Mbështetjen te Vetja

Zgjidhini dhe interpretojini rolet në vijim.

NDËRMJETËSI: Mirë se erdhët, të gjithë! Na tregoni emrin dhe diçka rreth vetes suaj.

KUEJMI: Mirë, unë jam Kuejmi. Sapo u ktheva nga misioni, po kërkoj një bashkëshorte dhe po punoj në punë të rastësishme.

KONSUELO: Emri im është Konsuelo; jam e martuar dhe kam dy djem të vegjël; unë e ndihmoj bashkëshortin tim tek tezga e tij e frutave.

MEKALA: Ndërsa unë jam Mekala. Jam një nënë beqare me një vajzë gjashtë vjeçare. Po punoj me kohë të plotë duke pastruar hotele.

ROBERTI: Unë jam Roberti, jam i martuar dhe kam pesë fëmijë dhe aktualisht po shërbej si peshkop, por po has vështirësi për të gjetur punë të mirë.

NDËRMJETËSI: Mirë, në rregull. Atëherë përse ndodheni këtu ju të gjithë?

KUEJMI: Thjesht dua të hyj në shkollë. Të gjithë shokët e mi të misionit, kur u kthyen në shtëpi, shkuan në kolegj dhe unë dua të bëj të njëjtën gjë.

ROBERTI: Në fakt po shpresoja të merrja një hua nga Fondi i Qarkullueshëm Arsimor – a nuk është për këtë ky program?

KONSUELO: Profeti tha që të marrim sa më shumë arsimim që të jetë e mundur, kështu që i thashë bashkëshortit tim se duhej ta bëja këtë.

MEKALA: Po ja, unë thjesht kam nevojë për punë më të mirë, që të bëhem më e mbështetur te vetja dhe nuk kam shumë aftësi.

NDËRMJETËSI: Në rregull, duket sikur paskemi shumë arsye përse jemi këtu. Bashkë do t’ia kalojmë mirë. Makela ajo që the ti është shumë e rëndësishme. Na trego më shumë.

MEKALA: Pra, po punoj me orë të zgjatura dhe nuk mundem të rri shumë me vajzën time. Dhe kam zbuluar se nuk mund të gjej një vend pune më të mirë pa njëfarë trajnimi. Kështu që më duhet njëfarë trajnimi për të fituar aftësi. Peshkopi im më tha se ky qe vendi i duhur.

NDËRMJETËSI: Ke të drejtë, Mekala! Në fakt, kjo është arsyeja përse ne të gjithë jemi këtu. Kjo nuk ka të bëjë vetëm me arsimimin. A është befasuese kjo? Ky grup do të na ndihmojë që të planifikojmë për të marrë njëfarë trajnimi ose arsimimi, por qëllimi është të fitojmë aftësi, të gjejmë një vend pune më të mirë dhe t’i rritim të ardhurat tona. Ndoshta më e rëndësishmja, për këto 12 javë, është që ne do të mësojmë parime, aftësi dhe zakone që do të na ndihmojnë vërtet të jemi të mbështetur te vetja. Pra kjo është shumë më tepër sesa thjesht të shkosh në shkollë.

ROBERTI: Po për sa u përket huamarrjeve nga FQA-ja?

NDËRMJETËSI: Nëse zbuloni se juve vërtet ju nevojitet një hua, ajo është pa dyshim në dispozicion dhe ne të gjithë do të mësojmë rreth mënyrës se si ta bëjmë këtë. Po sikur të mund ta merrnit trajnimin që ju duhet pa marrë hua? Atëherë s’kishit për ta pasur borxhin.

KONSUELO: A do të na ndihmojë të hyjmë në universitet?

NDËRMJETËSI: Nëse ai është vendi i duhur për ju që të fitoni aftësitë që ju duhen për të gjetur një vend pune të mirë, atëherë po. Por nganjëherë një diplomë universiteti nuk ju çon drejt vendeve të punës në ekonominë tonë.

ROBERTI: Kjo është e vërtetë. Njoh doktorë që janë bërë shoferë taksish.

KUEJMI: Thjesht dua t’ia nis me diçka. Kam bërë vetëm shitje në rrugë përpara misionit tim. Nuk kam ndonjë zanat.

KONSUELO: Pra, a jemi këtu për të mësuar rreth vendeve të punës apo arsimimit?

NDËRMJETËSI: Për të dyja! Ne duam të jemi të mbështetur te vetja apo jo? Kështu që ne do të mësojmë parimet kyçe të mbështetjes te vetja. Do t’ia nisim duke vendosur se çfarë lloj pune do të na i japë neve të ardhurat që na çojnë drejt mbështetjes te vetja.

Dhe më pas do të vendosim se çfarë trajnimi apo arsimimi do të na ndihmojë për t’u kualifikuar për atë punë. Më pas ne do të gjejmë mënyra se si të paguajmë për arsimimin dhe se si të kemi sukses në shkollë. Ne do ta ndihmojmë njëri-tjetrin për t’i arritur synimet tona.

ROBERTI: Tani e kam të qartë. Deri tani, unë kam menduar veçse të hyj në shkollë, por nuk e kisha menduar vërtet se përse duhet të shkoj në shkollë.

KUEJMI: Më duket sikur kjo mund të më japë njëfarë drejtimi. Nuk habitem se përse presidenti i kuorumit më solli këtu!

MEKALA: Por a funksionon kjo vërtet? Jam mjaft e dëshpëruar dhe jam përpjekur në mënyra të tjera edhe më parë që të merrja një arsimim.

NDËRMJETËSI: Mirë, ne do të na duhet të punojmë fort së bashku dhe ta ndihmojmë njëri-tjetrin. Por unë besoj se do të funksionojë. Unë besoj me gjithë zemër se Zoti do që ne të jemi të mbështetur te vetja dhe të suksesshëm. Ai dëshiron që ne të mësojmë dhe të zhvillohemi. Dhe Ai e ka fuqinë për të na ndihmuar. Shlyerja është e vërtetë si në gjërat materiale, ashtu edhe në ato shpirtërore. Dhe grupet e mbështetjes te vetja i kanë ndihmuar shumë njerëz si ne. Si mendon? A mund ta bëjmë këtë? A duhet të përpiqemi? Këtu kemi një histori të një personi:

IMELDA: Të qenit një studente e dalluar nuk është diçka që ia detyroj vetes sime; ia detyroj Kishës! E dija se bashkimi me Kishën e Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme do të më ndihmonte të fitoja shpirtshmëri më të madhe, por nuk e përfytyroja kurrë se do të më hapte dyert nga ana akademike.

Mësimi i ungjillit ishte vërtet një zile zgjimi për mua. Më bëri të kuptoja se kisha në ngarkim vetë fatin tim. Pavarësisht nga rrethanat tona të tanishme dhe ajo që mund të ndiejmë, nuk kam asnjë dyshim se Ati im Qiellor ka plane të mira për ne.

Kthehuni te faqja 4

Të Mësuarit e “Shko dhe Bëj”

Lexojini me radhë paragrafët vijues.

Në një klasë tipike, ne shpesh ndjekim këtë model: 1) Ne hyjmë dhe ulemi, zakonisht pa shumë përgatitje nga ana jonë. 2) Mësuesi flet. 3) Ne përpiqemi ta dëgjojmë dhe të mësojmë. 4) Ndonjëherë ne i përgjigjemi ndonjë pyetjeje. Dhe pastaj 5) shkojmë në shtëpi.

Në grupin tonë të mbështetjes te vetja, ne do të ndjekim një model tjetër.

Pamja
act diagram

Themeli

Raportoni

Mësoni

Përsiatni

Zotohuni

VEPRONI përditë me përgjegjshmëri

Gjatë javës, ne do të veprojmë. Ne do të bëjmë atë që jemi zotuar të bëjmë në mbledhjen e mëparshme të grupit. Ne do të bëjmë pyetje, do të analizojmë ide dhe do të mësojmë vërtet.

Më pas, përpara mbledhjes së grupit, ne të gjithë do ta shqyrtojmë fletoren e punës dhe zotimet tona dhe do të vijmë të përgatitur dhe në orar.

Gjatë pjesës së parë të çdo mbledhjeje të grupit, ne do të marrim kohë për t’u përqendruar te një parim ose zakon te broshura Themeli. Ne do të zotohemi gjithashtu që t’ua mësojmë atë familjarëve tanë e të tjerëve.

Më tej, ne do të raportojmë për zotimet tona, do të mësojmë nga njëri-tjetri dhe do të gjejmë mënyra për t’u përmirësuar.

Më pas, ne do të kthehemi për të mësuar. Këtu ne do t’i shqyrtojmë imtësisht idetë dhe mjetet që do të na duhen për të “shkuar dhe bërë”, gjatë javës. Ne do të diskutojmë së bashku, do shohim materiale filmike, do mësojmë e ushtrohemi.

Pas pjesës së të mësuarit, ne do të ndalojmë dhe do të përsiatim. Kjo mund të jetë një kohë për frymëzim dhe përgjigje.

Së fundi, ne i zotohemi njëri-tjetrit. Ne e shqyrtojmë se ku do të shkojmë dhe çfarë do të bëjmë gjatë javës për ta përmirësuar jetën tonë.

Kjo do të na sjellë te veprimi. Pjesa më e rëndësishme e këtij modeli të të mësuari ndodh ndërmjet mbledhjeve! Për të na ndihmuar, ne do të zgjedhim një “partner në veprim” për javën dhe çdo ditë ne do të komunikojmë me atë person, për ta raportuar me të shpejtë atë që bëmë dhe atë që mësuam. Ne mund të përdorim mesazhet me celular ose mundësi të tjera komunikimi. Gjithashtu, familja jonë do të jetë burimi më i madh i ndihmës!

Kthehuni te faqja 5

Listat e Parapëlqimeve të FQA-së

Zgjidhini dhe interpretojini rolet në vijim.

NDËRMJETËSI: Mirë pra, të gjithë. Lista e Parapëlqimeve e FQA-së paraqet disa prej vendeve më të mira të punës, programe arsimore dhe shkolla vendore në zonën tonë. Nëse doni një hua nga FQA-ja, do t’ju duhet të zgjidhni nga kjo listë.

KONSUELO: Përse?

NDËRMJETËSI: Pyetje me vend. Kjo listë paraqet vendet më të mira të punës në zonën tonë. Këto janë “vendet e parapëlqyera të punës” dhe ato janë më të kërkuarat. Ka më shumë si këto vende pune në dispozicion dhe më shumë njerëz janë duke u punësuar.

ROBERTI: Kjo duket vërtet e dobishme. Kush e hartoi këtë listë?

NDËRMJETËSI: Përgjegjësi ynë vendor i shërbimeve për mbështetjen te vetja dhe disa vullnetarë bënë kërkime në tregun tonë të punës, këqyrën prirjet për vendet e punës dhe faktikisht biseduan me shumë punëdhënës vendorë. Ata gjetën edhe shkollat dhe programet vendore që i ndihmojnë njerëzit të fitojnë aftësitë që u duhen për vendet e parapëlqyera të punës.

MEKALA: Duket sikur ata i kanë renditur edhe kohëzgjatjen e programeve dhe kostot.

KUEJMI: Ua. Është interesante të shohësh që disa shkolla kërkojnë mbi dy vjet dhe të tjera vetëm 10 muaj për të njëjtat programe.

KONSUELO: Edhe kostot janë shumë të ndryshme. Pyes veten, përse?

NDËRMJETËSI: Ne do të mësojmë më shumë rreth kostove dhe vlerës së shkollave gjatë javëve në vazhdim. Por ajo që po vëreni është e rëndësishme. Jo të gjitha shkollat kanë të njëjtën vlerë!

MEKALA: Kjo është e rëndësishme. Dua të shkoj në një shkollë që më ndihmon të gjej një vend pune të mirë. Por edhe një kurs më i shkurtër që kushton më lirë është i rëndësishëm.

NDËRMJETËSI: Pikërisht. Programet dhe shkollat e parapëlqyera na japin aftësi për vendet e parapëlqyera të punës, me një kohëzgjatje dhe kosto të arsyeshme. Ato duhet të kenë gjithashtu probabilitete të larta për të gjetur vend pune. Kjo është një hallkë shumë e vlefshme për ne.

ROBERTI: A mund të më ndihmojë kjo edhe nëse nuk më nevojitet një hua nga FQA-ja?

KUEJMI: Epo, po. Unë do t’ia nis gjithsesi me këtë listë.

NDËRMJETËSI: Ide e mirë. Edhe nëse ju nuk zgjidhni një vend pune, program apo shkollë te lista, prapëseprapë duhet t’i gjeni vetë përgjigjet tuaja për këto pyetje, çfarë vendesh pune janë më të kërkuarat dhe cilat programe ose shkolla janë më të mirat për ato vende pune. Si mendoni?

Kthehuni te faqja 6

Plani Im i Punës në Tre Minuta

Zgjidhini dhe interpretojini rolet në vijim.

MEKALA: Në rregull, pra këtu është plani im i punës në tre minuta. Pjesa e parë është për të renditur zgjedhjet e mia për punë. Ende nuk jam plotësisht e sigurt rreth këtyre, por jam duke mësuar shumë dhe po ndiej më shumë shpresë. Vendet e punës janë ndihmës/e ekzekutiv/e, mësues/e dhe administrim hoteli. Më pas pjesa tjetër …

ROBERTI: Pjesa tjetër e planit të punës, janë njerëzit me të cilët fola. Për mundësinë për vendin e punës si përkthyes, unë fola me njerëz në një agjenci përkthimi dhe me presidentin tim të kunjit, i cili punon shumë jashtë vendit. Për vendin e punës si admimistrues/e arsimi, munda të gjej vetëm dy njerëz në disa shkolla private, të cilët mund të shpenzonin paksa kohë me mua. Dhe për mundësinë e biznesit të furrës së bukës, fola me katër pronarë të ndryshëm të furrave të bukës, përfshirë dhe tezen time Elenën. Me përvojën time në biznes, disa mundësi mund të bëhen reale.

Pra, keni ndonjë pyetje ose përshtypje për mua?

MEKALA: Cila nga këto mundësi do të të lejonte të shërbeje më mirë në thirrjen tënde në Kishë? Unë e di se kjo është e rëndësishme për ty.

KONSUELO: Dhe sa pajisje duhen për ta hapur biznesin e furrës së bukës?

ROBERTI: Pyetje me vend. Pra, unë mendoj se do të kem më shumë kohë, por kostoja …

KUEJMI: Ua, kjo ishte një veprimtari e mrekullueshme, apo jo? Njësoj si të ishe përsëri në mision. Një pronar i një dyqani saldimesh më tha se si ishte trajnuar, vendin e trajnimit dhe sa kushtonte. Dhe më pas ai më tha se një stazh ishte mundësia më e mirë për mua. Dyqani tjetër madje ma ofroi menjëherë stazhin, por pa pagë, prandaj jam në mëdyshje lidhur me të. Edhe akademia e policisë ishte mundësi e shkëlqyer. Do të më duhej ta frekuentoja shkollën për një vit dhe më pas të dilja në terren me disa oficerë për një vit tjetër. Kështu që do të kushtojë më shumë, por paga do të jetë katër herë më e lartë nga sa kam fituar ndonjëherë. Më duhet të bëj një zgjedhje …

KONSUELO: Dhe kështu më në fund, m’u desh të bëja një zgjedhje. Për momentin i kam ulur në dy mundësitë e zgjedhjes, por ne po merremi me këtë familjarisht dhe ka qenë e mrekullueshme. Unë do të punoj në drejtim të mundësisë për degët si specialist i programeve kompjuterike ose teknolog mjekësie. Të dyja degët paguhen pothuajse njëlloj, por dega e specialistit të programeve kompjuterike do të jetë më e duhura për familjen time. Do të mundja ta ndihmoja prapëseprapë bashkëshortin tim dhe shkolla zgjat tre muaj më pak …

KUEJMI: Mirë, në rregull, koha mbaroi. Po përparojmë!

Kthehuni te faqja 10

Veprim dhe Zotim

Zgjidhini dhe interpretojini rolet në vijim.

ANËTARI 1 I GRUPIT: Ne besojmë në bërjen e zotimeve dhe mbajtjen e tyre. Në grupin tonë të mbështetjes te vetja, gjithçka që ne bëjmë është të përparojmë në bërjen e zotimeve dhe të raportojmë.

ANËTARI 2 I GRUPIT: Në mbarim të një mbledhjeje të grupit, ne i shqyrtojmë veprimet tona për javën dhe vëmë nënshkrimin tonë për të treguar zotimin tonë. Ne zgjedhim edhe një “partner në veprim”. Partneri në veprim e nënshkruan fletoren tonë të punës për të na dhënë mbështetje. Dhe çdo ditë ndërmjet mbledhjeve, ne komunikojmë me partnerin tonë në veprim, për të raportuar për veprimet tona dhe për të marrë ndihmë kur na nevojitet.

ANËTARI 3 I GRUPIT: Ndërmjet mbledhjeve, ne e shenjojmë përparimin tonë te fletorja e punës dhe i përdorim materialet e dhëna, të tilla si fletët e punës ose formularë të tjerë. Dhe nëse na nevojitet ndihmë shtesë, ne mund të komunikojmë me familjarët, miqtë tanë ose ndërmjetësit.

ANËTARI 4 I GRUPIT: Në fillim të mbledhjes së radhës, ne do të kthehemi sërish dhe do të raportojmë për zotimet tona. Kjo duhet të jetë një përvojë e rehatshme, e fuqishme për çdokënd. Teksa çdo anëtar i grupit raporton, mendoni se si ai ose ajo u ndihmua nga bërja e zotimeve dhe nga raportimi i përparimit.

ANËTARI 1 I GRUPIT: Herën e parë që raportova për zotimet e mia, mendova: “Kjo është e çuditshme”. Përse anëtarëve të mi të grupit u intereson ajo që bëra unë? Por më pas zbulova se ata interesoheshin njëmend. Dhe ajo më ndihmoi.

ANËTARI 2 I GRUPIT: Unë kuptova se nuk doja ta zhgënjeja grupin tim. Prandaj punova fort që t’i mbaja zotimet e mia. Nuk jam i sigurt nëse do të kisha përparuar sistematikisht në ndonjë mënyrë tjetër. Raportimi në çdo mbledhje vërtet më ndihmoi mua për përparësitë e mia.

ANËTARI 3 I GRUPIT: Kur mendova për shtegun tim drejt mbështetjes te vetja, u frikësova sepse ishte diçka kaq e madhe. Por mbledhjet e grupit më ndihmuan ta ndaj atë në hapa të vegjël. Dhe unë në çdo hap i raportoja grupit tim. Më pas pata një përparim të vërtetë. Mendoj se ky sukses rrodhi nga krijimi i zakoneve të reja.

Kthehuni te faqja 17

PLANI IM I PUNËS: ÇFARË PUNE MUND TË MË NDIHMONTE TË BËHESHA I/E MBËSHTETUR TE VETJA?

Renditni tre lloj punësh që do t’i merrni në shqyrtim.

KUSH ËSHTË NË DIJENI PËR KËTË LLOJ PUNE?

Renditni 3–5 njerëz me të cilët të flisni për secilin vend pune.

ÇFARË PYETJESH DO T’U BËJ KËTYRE NJERËZVE?

Sa të ardhura mund të pres çdo muaj kur të filloj punë? Sa të ardhura mujore mund të pres pasi të kem punuar për një vit?

Si të kualifikohem për çfarëdolloj pune?

A ka shkolla vendore?

A ka rritje të kërkesës për këtë lloj pune?

Sa është kostoja për të filluar?

Pyetje të tjera?

CILA PUNË DUKET MË E MIRA PËR TË SIGURUAR TË ARDHURA DHE QË PËRPUTHET ME PIKAT E MIA TË FORTA DHE AFTËSITË E MIA?

Çfarë kam mësuar lidhur me këto mundësi? Cila duket se është më e mira për mua?

Shtyp në Letër