Thirrjet në Mision
Kapitulli 3: Mësimi 4 – Bërja Dishepuj të Jezu Krishtit për Gjithë Jetën


“Kapitulli 3: Mësimi 4 – Bërja Dishepuj të Jezu Krishtit për Gjithë Jetën”, Predikoni Ungjillin Tim: Një Udhëzues për Shpërndarjen e Ungjillit të Jezu Krishtit (2023)

“Kapitulli 3: Mësimi 4”, Predikoni Ungjillin Tim

Kapitulli 3: Mësimi 4

Bërja Dishepuj të Jezu Krishtit për Gjithë Jetën

The Lost Lamb [Qengji i Humbur], nga Del Parson

Dhënia e Këtij Mësimi

Pagëzimi është një ordinancë e gëzueshme shprese. Kur pagëzohemi, ne tregojmë dëshirën tonë për ta ndjekur Perëndinë dhe për të hyrë në shtegun që të çon drejt jetës së përjetshme. Ne gjithashtu tregojmë zotimin tonë për t’u bërë dishepuj të Jezu Krishtit për gjithë jetën.

Ky mësim është organizuar sipas besëlidhjeve që bëjmë gjatë pagëzimit. Ai përfshin pjesët kryesore vijuese, çdonjëra prej së cilës ka nënpjesë:

Ndihmojini njerëzit të kuptojnë se parimet dhe urdhërimet që jepni mësim, janë pjesë e besëlidhjes që ata do të bëjnë në pagëzim. Tregojuni atyre se si secila pjesë e këtij mësimi do t’i ndihmojë të “vi[jnë] te Krishti … dhe të m[arrin] pjesë në shpëtimin e tij” (Omni 1:26; shihni edhe te 1 Nefi 15:14).

Këtë mësim do të doni ta jepni në disa vizita. Rrallëherë duhet të zgjatë një vizitë më shumë se 30 minuta. Zakonisht është më mirë të bëni vizita të shkurtra, më të shpeshta që trajtojnë copëza më të vogla të materialit.

Planifikoni se çfarë do të jepni mësim, kur do ta jepni dhe sa kohë do t’ju duhet. Merrini parasysh nevojat e njerëzve të cilëve po u jepni mësim, dhe kërkoni udhërrëfimin e Shpirtit. Ju keni elasticitetin për t’i dhënë mësimet sipas asaj që do t’i ndihmojë njerëzit më së shumti të përgatiten për pagëzimin dhe konfirmimin.

Disa pjesë në këtë mësim përfshijnë ftesa specifike. Kërkoni frymëzim për të vendosur se si dhe kur t’i bëni ftesat. Jini të vëmendshëm ndaj nivelit të kuptueshmërisë së çdo personi. Ndihmojeni atë ta jetojë ungjillin duke i hedhur hapat një e nga një.

grua duke marrë sakramentin

Besëlidhja Jonë për të Qenë të Gatshëm të Marrim mbi Vete Emrin e Jezu Krishtit

Kur pagëzohemi, ne besëlidhim ta ndjekim Jezu Krishtin “me qëllim të plotë të zemrës”. Ne gjithashtu dëshmojmë se “je[m]i të gatshëm të m[arrim] mbi vete emrin e Krishtit” (2 Nefi 31:13; shihni edhe te Doktrina e Besëlidhje 20:37).

Marrja mbi vete e emrit të Jezu Krishtit do të thotë që e kujtojmë Atë dhe përpiqemi fort të jetojmë si dishepujt e Tij për gjithë jetën. Ne e lëmë dritën e Tij të ndriçojë përmes nesh tek të tjerët. Ne e shohim veten si të Tijët dhe e vëmë Atë të parin në jetën tonë.

Pjesët vijuese përshkruajnë dy mënyra se si e kujtojmë dhe e ndjekim Jezu Krishtin.

Lutuni Shpesh

Lutja mund të jetë një bashkëbisedim i thjeshtë me Atin Qiellor që vjen nga zemra. Në lutje, ne flasim me Të haptas dhe ndershmërisht. Ne shprehim dashurinë për Të dhe mirënjohje për bekimet tona. Ne gjithashtu kërkojmë ndihmë, mbrojtje dhe drejtim. Ndërsa i përfundojmë lutjet tona, duhet të gjejmë kohë për t’u ndalur e për të mbajtur vesh.

Jezusi dha mësim: “Ju duhet t’i luteni gjithmonë Atit në emrin tim” (3 Nefi 18:19, theksimi i shtuar, shihni edhe te Moisiu 5:8). Kur lutemi në emrin e Jezu Krishtit, e kujtojmë edhe Atë edhe Atin Qiellor.

Jezusi na dha shembullin që duhet të ndjekim kur lutemi. Mund të mësojmë shumë rreth lutjes duke studiuar lutjet e Shpëtimtarit në shkrimet e shenjta (shihni te Mateu 6:9–13; Gjoni 17).

Lutjet tona mund të përfshijnë pjesët vijuese:

  • E nisim duke iu drejtuar Atit Qiellor.

  • Shprehim ndjenjat e zemrës sonë, të tilla si mirënjohje për bekimet që kemi marrë.

  • Bëjmë pyetje, kërkojmë udhërrëfim dhe kërkojmë bekime.

  • E mbyllim duke thënë: “Në emrin e Jezu Krishtit, amen”.

Shkrimet e shenjta na paralajmërojnë të lutemi në mëngjes dhe në mbrëmje. Sidoqoftë, mund të lutemi në çdo kohë dhe në çfarëdo mjedisi. Për lutjet tona vetjake dhe familjare, mund të jetë kuptimplotë të gjunjëzohemi kur lutemi. Duhet të kemi gjithnjë një lutje në zemër. (Shihni tek Alma 34:27; 37:36–37; 3 Nefi 17:13; 19:16.)

Lutjet tona duhet të jenë të menduara dhe nga zemra. Kur lutemi, duhet të shmangim të thënit e të njëjtave gjëra në të njëjtat mënyra.

Ne lutemi me besim, me sinqeritet dhe qëllim të vërtetë për të vepruar sipas përgjigjeve që marrim. Ndërsa e bëjmë këtë, Perëndia do të na udhërrëfejë dhe do të na ndihmojë të marrim vendime të mira. Ne do të ndihemi më pranë Tij. Ai do të na japë kuptueshmëri dhe të vërtetë. Ai do të na bekojë me ngushëllim, paqe dhe forcë.

Studimi i Shkrimeve të Shenjta

Mësoni më Shumë për Këtë Parim

  • Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta: “Lutje

Studiojini Shkrimet e Shenjta

Nefi dha mësim: “Ushqehuni me bollëk me fjalët e Krishtit; pasi [ato] do t’ju tregojnë të gjitha gjërat që ju duhet të bëni” (2 Nefi 32:3; shihni edhe 31:20).

Studimi i shkrimeve të shenjta është një mënyrë thelbësore për ta kujtuar dhe ndjekur Jezu Krishtin. Në shkrimet e shenjta ne mësojmë për jetën, shërbesën dhe mësimet e Tij. Ne gjithashtu mësojmë për premtimet e Tij. Ndërsa i lexojmë shkrimet e shenjta, ne përjetojmë dashurinë e Tij. Shpirti ynë zgjerohet, besimi ynë tek Ai rritet dhe mendja jonë ndriçohet. Dëshmitë tona për misionin e Tij hyjnor bëhen më të forta.

Ne e kujtojmë dhe e ndjekim Jezusin teksa i zbatojmë fjalët e Tij në jetën tonë. Duhet t’i studiojmë shkrimet e shenjta përditë, veçanërisht Librin e Mormonit.

Shkrimet e shenjta të Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme janë Bibla e Shenjtë, Libri i Mormonit, Doktrina e Besëlidhje dhe Perla me Vlerë të Madhe. Këta libra quhen edhe “veprat standarde”.

Studimi i Shkrimeve të Shenjta

Mësoni më Shumë për Këtë Parim

Jezu Krishti duke i dhënë mësim turmës

Besëlidhja Jonë për t’i Zbatuar Urdhërimet e Perëndisë

Shënim: Ka mënyra të shumta për t’i dhënë mësim urdhërimet në këtë pjesë. Për shembull, mund t’i jepni mësim ato gjatë pak vizitash. Ose mund t’i jepni mësim disa prej tyre si pjesë e tri mësimeve të para. Kur t’i jepni mësim urdhërimet, sigurohuni që t’i lidhni ato me besëlidhjen e pagëzimit dhe planin e shpëtimit.

Kur pagëzohemi, ne besëlidhim me Perëndinë që do t’i “zbato[jmë] urdhërimet e tij” (Mosia 18:10; Alma 7:15).

Perëndia na ka dhënë urdhërime sepse Ai na do. Ai do më të mirën për ne, tani si dhe në përjetësi. Si Ati ynë Qiellor, Ai e di çfarë na nevojitet për mirëqenien tonë shpirtërore dhe fizike. Ai gjithashtu e di se çfarë do të na sjellë lumturinë më të madhe. Çdo urdhërim është një dhuratë hyjnore, e dhënë për të na udhërrëfyer në vendimet tona, për të na mbrojtur dhe për të na ndihmuar të rritemi.

Një arsye pse erdhëm në tokë, është të mësojmë dhe të rritemi nëpërmjet përdorimit të lirisë sonë të zgjedhjes me urtësi (shihni tek Abraham 3:25). Zgjedhja për t’iu bindur urdhërimeve të Perëndisë – dhe për t’u penduar kur nuk ia dalim – na ndihmon të gjejmë drejtim në këtë rrugëtim shpesh sfidues në vdekshmëri.

Urdhërimet e Perëndisë janë një burim force dhe bekimesh (shihni te Doktrina e Besëlidhje 82:8–9). Duke i zbatuar urdhërimet, ne mësojmë se ato nuk janë rregulla të rënda që na kufizojnë lirinë. Liria e vërtetë vjen nga bindja ndaj urdhërimeve. Bindja është një burim force që na sjell dritë dhe njohuri nëpërmjet Frymës së Shenjtë. Ajo na sjell lumturi më të madhe dhe na ndihmon ta arrijmë potencialin tonë hyjnor si fëmijë të Perëndisë.

Perëndia na premton të na bekojë ndërsa i zbatojmë urdhërimet e Tij. Disa bekime janë specifike për urdhërime të caktuara. Bekimet e Tij përfundimtare janë paqe në këtë botë dhe jetë e përjetshme në botën që do të vijë. (Shihni te Mosia 2:41; Alma 7:16; Doktrina e Besëlidhje 14:7; 59:23; 93:28; 130:20–21.)

Bekimet e Perëndisë janë shpirtërore si dhe materiale. Nganjëherë, nevojitet të jemi të duruar për të pritur për to, për të mirëbesuar se ato do të vijnë sipas vullnetit dhe kohës së Tij (shihni te Mosia 7:33; Doktrina e Besëlidhje 88:68). Për t’i dalluar disa bekime, nevojitet të jemi të vëmendshëm dhe vëzhgues nga ana shpirtërore. Kjo është veçanërisht e vërtetë për bekimet që vijnë në mënyra të thjeshta dhe në dukje të zakonshme.

Disa bekime mund të jenë të dukshme vetëm kur shohim pas. Të tjerat mund të mos vijnë deri pas kësaj jete. Pavarësisht nga koha ose natyra e bekimeve të Perëndisë, ne mund të kemi siguri se ato do të vijnë ndërsa përpiqemi fort ta jetojmë ungjillin e Jezu Krishtit (shihni te Doktrina e Besëlidhje 82:10).

Perëndia i do të gjithë fëmijët e Tij përsosurisht. Ai është i duruar me dobësinë tonë dhe Ai na fal kur pendohemi.

Dy Urdhërimet e Mëdha

Kur Jezusin e pyetën: “Cili është urdhërimi i madh i ligjit?” Ai u përgjigj: “Duaje Zotin, Perëndinë tënde me gjithë zemrën tënde, me gjithë shpirtin tënd dhe me gjithë mendjen tënde”.

Jezusi më pas tha se urdhërimi i dytë i madh është i ngjashëm me të parin: “Duaje të afërmin tënd porsi vetveten” (Mateu 22:36–39). “Nuk ka urdhërim tjetër më të madh se këta” (Marku 12:31).

Si fëmijë shpirtërorë të Perëndisë, ne kemi një kapacitet të madh për dashuri. Është pjesë e trashëgimisë sonë shpirtërore. Të jetuarit e dy urdhërimeve të mëdha, të duam Perëndinë të parin dhe të duam të afërmin tonë, është një karakteristikë përkufizuese e dishepujve të Jezu Krishtit.

Dashuria për Perëndinë

Ka mënyra të shumta se si mund ta tregojmë dashurinë tonë për Perëndinë. Ne mund t’i zbatojmë urdhërimet e Tij (shihni te Gjoni 14:15, 21). Ne mund ta vëmë Atë të parin në jetën tonë, duke ia dorëzuar vullnetin tonë Atij. Ne mund t’i përqendrojmë dëshirat, mendimet dhe zemrat tona tek Ai (shihni tek Alma 37:36). Ne mund të jetojmë me mirënjohje për bekimet që Ai na ka dhënë dhe të jemi zemërgjerë për t’i ndarë ato bekime (shihni te Mosia 2:21–24; 4:16–21). Nëpërmjet lutjes dhe shërbimit ndaj të tjerëve, ne mund ta shprehim dhe ta thellojmë dashurinë tonë për Të.

Njësoj si urdhërimet e tjera, urdhërimi për të dashur Perëndinë është për dobinë tonë. Ajo që duam, përcakton atë që kërkojmë. Ajo që kërkojmë, përcakton atë që mendojmë dhe bëjmë. Dhe ajo që mendojmë dhe bëjmë, përcakton atë që jemi dhe atë që do të bëhemi.

Dashuria për të Tjerët

Dashuria për të tjerët është një zgjatim i dashurisë sonë për Perëndinë. Shpëtimtari na mësoi shumë mënyra për t’i dashur të tjerët (shihni, për shembull, te Lluka 10:25–37 dhe Mateu 25:31–46). Ne iu afrohemi dhe i mirëpresim ata në zemrën dhe jetën tonë. Ne duam me anë të shërbimit, duke dhënë nga vetja madje edhe në mënyra të vogla. Ne i duam të tjerët duke përdorur dhuratat që Perëndia na ka dhënë, për t’i bekuar ata.

Dashuria për të tjerët përfshin të qenit të duruar, dashamirës dhe të ndershëm. Ajo përfshin edhe faljen lirisht. Do të thotë t’i trajtojmë të gjithë njerëzit me respekt.

Kur e duam dikë, bekohemi edhe ne, edhe ai person. Zemra jonë rritet, jeta jonë bëhet më kuptimplotë dhe gëzimi ynë shtohet.

Bekimet

Dy urdhërimet e mëdha – të duam Perëndinë dhe të duam të afërmin tonë – janë themeli i të gjitha urdhërimeve të Perëndisë (shihni te Mateu 22:40). Kur e duam Perëndinë të parin dhe gjithashtu i duam të tjerët, gjithçka në jetën tonë do të shkojë në vendin e vet. Kjo dashuri do të ndikojë në këndvështrimin tonë, te përdorimi i kohës sonë, interesat që ndjekim dhe te rendi i përparësive tona.

Studimi i Shkrimeve të Shenjta

Mësoni më Shumë për Këtë Parim

Ndiqeni Profetin

Perëndia thërret profetë që të jenë përfaqësuesit e Tij në tokë. Nëpërmjet profetëve të Tij, ai zbulon të vërtetën dhe jep udhërrëfim e paralajmërime.

Perëndia e thirri Jozef Smithin që të ishte profeti i parë i ditëve të mëvonshme (shihni te mësimi 1). Pasuesit e Jozef Smithit janë thirrur po ashtu nga Perëndia për të udhëhequr Kishën e Tij, përfshirë profetin që e udhëheq atë sot. Ne duhet të marrim një bindje për thirrjen hyjnore të profetit të gjallë dhe t’i ndjekim mësimet e tij.

Mësimet e profetëve dhe apostujve të gjallë sigurojnë një spirancë për të vërtetën e përjetshme në një botë me vlera të ndryshueshme. Ndërsa i ndjekim profetët e Perëndisë, pështjellimi dhe grindja e botës nuk do të na pushtojnë. Do të gjejmë lumturi më të madhe në këtë jetë dhe do të marrim udhërrëfim për këtë pjesë të rrugëtimit tonë të përjetshëm.

Studimi i Shkrimeve të Shenjta

Mësoni më Shumë për Këtë Parim

Zbatojini Dhjetë Urdhërimet

Perëndia ia zbuloi Dhjetë Urdhërimet një profeti të lashtë me emrin Moisi që të udhërrëfente popullin e tij. Këto urdhërime gjejnë po aq zbatim në kohën tonë. Ato na mësojnë ta adhurojmë dhe të tregojmë nderim për Perëndinë. Ato na mësojnë edhe si ta trajtojmë njëri-tjetrin.

  • “Nuk do të kesh perëndi të tjerë para meje” (Eksodi 20:3). “Perëndi” të tjerë mund të përfshijë gjëra të shumta, të tilla si zotërime, pushtet ose famë.

  • “Nuk do të bësh skulpturë … të asnjë gjëje” (Eksodi 20:4).

  • “Nuk do ta përdorësh emrin e Zotit, të Perëndisë tënd, kot” (Eksodi 20:7).

  • “Mbaje mend ditën e shtunë për ta shenjtëruar” (Eksodi 20:8).

  • “Do të nderosh atin tënd dhe nënën tënde” (Eksodi 20:12).

  • “Nuk do të vrasësh” (Eksodi 20:13).

  • “Nuk do të shkelësh besnikërinë bashkëshortore” (Eksodi 20:14).

  • “Nuk do të vjedhësh” (Eksodi 20:15).

  • “Nuk do të bësh dëshmi të rreme kundër të afërmit tënd” (Eksodi 20:16).

  • “Nuk do të dëshirosh [me lakmi]” (Eksodi 20:17).

Studimi i Shkrimeve të Shenjta

Mësoni më Shumë për Këtë Parim

burrë duke mbajtur një grua në kurriz

Jetojeni Ligjin e Dëlirësisë

Ligji i dëlirësisë është një pjesë jetike e planit të Perëndisë për shpëtimin dhe ekzaltimin tonë. Intimiteti seksual mes bashkëshortit dhe bashkëshortes shugurohet nga Perëndia për krijimin e fëmijëve dhe për shprehjen e dashurisë brenda martesës. Ky intimitet dhe fuqia për të krijuar jetë njerëzore kanë për qëllim të jenë të bukura dhe të shenjta.

Ligji i Perëndisë për dëlirësinë është shmangia e marrëdhënieve seksuale jashtë një martese të ligjshme mes një burri dhe një gruaje. Ky ligj do të thotë gjithashtu që të ketë besë dhe besnikëri të plotë ndaj bashkëshortit/es pas martese.

Për të na ndihmuar ta mbajmë ligjin e dëlirësisë, profetët na kanë paralajmëruar të jemi të pastër në mendimet dhe fjalët tona. Ne duhet ta shmangim pornografinë në çdo formë. Për ta mbajtur ligjin e dëlirësisë, duhet të jemi të thjeshtë në sjelljen dhe paraqitjen tonë.

Kandidatët për pagëzim duhet ta jetojnë ligjin e dëlirësisë.

Pendimi dhe Falja

Në sytë e Perëndisë, shkelja e ligjit të dëlirësisë është shumë e rëndë (shihni tek Eksodi 20:14; Efesianëve 5:3). Ajo keqpërdor fuqinë e shenjtë që Ai na ka dhënë për të krijuar jetë. Por Ai vazhdon të na dojë edhe nëse e kemi shkelur këtë ligj. Ai na fton të pendohemi dhe të bëhemi të pastër nëpërmjet flijimit shlyes të Jezu Krishtit. Dëshpërimi i mëkatit mund të zëvendësohet me paqen e ëmbël të faljes së Perëndisë (shihni te Doktrina e Besëlidhje 58:42–43).

Bekimet

Perëndia na e ka dhënë ligjin e dëlirësisë që të na bekojë ne dhe fëmijët shpirtërorë që Ai dërgon në tokë. Bindja ndaj këtij ligji është thelbësore për paqen vetjake dhe për të pasur dashuri, mirëbesim dhe bashkim në marrëdhëniet tona familjare.

Ndërsa e jetojmë ligjin e dëlirësisë, do të mbrohemi nga dëmi shpirtëror që vjen nga intimiteti seksual jashtë martesës. Ne do t’i shmangim gjithashtu problemet emocionale dhe fizike që shpesh i shoqërojnë marrëdhënie të tilla. Do të na rritet vetëbesimi përpara Perëndisë (shihni te Doktrina e Besëlidhje 121:45). Do të jemi më të hapur ndaj ndikimit të Frymës së Shenjtë. Do të jemi më të mirëpërgatitur për të bërë besëlidhje të shenjta në tempull që i bashkojnë familjet tona në përjetësi.

Studimi i Shkrimeve të Shenjta

Mësoni më Shumë për Këtë Parim

  • Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta: “Dëlirësi

Mbajeni Ligjin e së Dhjetës

Një privilegj madhor i anëtarësisë në Kishë është mundësia për të paguar të dhjetën. Ndërsa paguajmë të dhjetën, ne ndihmojmë për ta çuar më tej veprën e Perëndisë dhe për të bekuar fëmijët e Tij.

Ligji i së dhjetës i ka fillesat në kohët e Dhiatës së Vjetër. Për shembull, profeti Abraham pagoi të dhjetën e gjithçkaje që zotëronte (shihni tek Alma 13:15; Zanafilla 14:18–20).

Fjala e dhjetë do të thotë fjalë për fjalë një e dhjeta. Ndërsa e paguajmë të dhjetën, dhurojmë një të dhjetën e të ardhurave tonë në Kishë (shihni te Doktrina e Besëlidhje 119:3–4; interes kuptohet se do të thotë të ardhurat). Gjithçka kemi është një dhuratë nga Perëndia. Kur e paguajmë të dhjetën, tregojmë mirënjohje ndaj Tij duke kthyer një pjesëz të asaj që Ai na ka dhënë.

Pagimi i së dhjetës është një shprehje e besimit. Është edhe një mënyrë për të nderuar Perëndinë. Jezusi dha mësim se duhet “para së gjithash [të] kërko[jmë] mbretërinë e Perëndisë” (Mateu 6:33) dhe e dhjeta është një mënyrë për ta bërë atë.

Widow’s Mite [Monedha e së Vesë], nga Sandra Rast

Përdorimi i Fondeve të së Dhjetës

Fondet e së dhjetës janë të shenjta. Ne ia japim të dhjetën tonë një anëtari të peshkopatës ose në shumë zona mund ta paguajmë nëpërmjet internetit. Kur peshkopata e merr të dhjetën, ata ia përçojnë atë zyrave qendrore të Kishës.

Një këshill i përbërë nga Presidenca e Parë, Kuorumi i Dymbëdhjetë Apostujve dhe Peshkopata Kryesuese përcakton se si të përdoren fondet e së dhjetës për veprën e Perëndisë (shihni te Doktrina e Besëlidhje 120:1). Këto përdorime përfshijnë:

  • Ndërtimin dhe mirëmbajtjen e tempujve dhe të shtëpive të mbledhjeve.

  • Përkthimin dhe botimin e shkrimeve të shenjta.

  • Përkrahjen e veprimtarive dhe funksionimeve të bashkësive vendore të Kishës.

  • Përkrahjen e punës misionare anembanë botës.

  • Përkrahjen e punës për historinë familjare.

  • Financimin e shkollave dhe arsimimit.

E dhjeta nuk përdoret për të paguar udhëheqësit vendorë të Kishës. Ata shërbejnë vullnetarisht pa asnjë pagesë.

Bekimet

Kur e paguajmë të dhjetën, Perëndia premton bekime që janë shumë më të mëdha se ajo që japim. Ai do të “hap[ë] pragjet e qiellit dhe … derdh[ë] … aq shumë bekim, sa nuk do të ke[m]i vend të mjaftueshëm ku ta shti[më]” (Malakia 3:10; shihni vargjet 7–12). Këto bekime mund të jenë edhe shpirtërore edhe materiale.

Studimi i Shkrimeve të Shenjta

Mësoni më Shumë për Këtë Parim

Bindiuni Fjalës së Urtësisë

Ligji i Zotit për Shëndetin

Trupat tanë janë dhurata të shenjta nga Perëndia. Secilit prej nesh i nevojitet një trup fizik për t’u bërë më shumë si Ai. Trupat tanë janë aq të rëndësishëm sa shkrimet e shenjta i krahasojnë me tempujt (shihni te 1 Korintasve 6:19–20).

Zoti do që ne t’i trajtojmë trupat tanë me respekt. Për të na ndihmuar ta bëjmë këtë, Ai zbuloi një ligj shëndeti të quajtur Fjala e Urtësisë. Kjo zbulesë na mëson rreth të ngrënit të ushqimeve të shëndetshme dhe mospërdorimit të substancave që i dëmtojnë trupat tanë, posaçërisht alkoolit, duhanit dhe pijeve të nxehta (që do të thotë çaj dhe kafe).

Në frymën e Fjalës së Urtësisë, profetët bashkëkohorë kanë paralajmëruar kundër përdorimit të substancave të tjera që janë të dëmshme, të paligjshme ose varësuese. Profetët kanë paralajmëruar gjithashtu kundër abuzimit me mjekimet që merren me recetë. (Presidenti juaj i misionit do t’iu përgjigjet pyetjeve për faktin a ka substanca të tjera në zonën tuaj gjeografike që nuk duhen përdorur.)

Bekimet

Zoti e dha Fjalën e Urtësisë për mirëqenien tonë fizike dhe shpirtërore. Ai premton bekime të mëdha ndërsa e zbatojmë këtë urdhërim. Këto bekime përfshijnë shëndetin, urtësinë, thesare diturie dhe mbrojtje (shihni te Doktrina e Besëlidhje 89:18–21).

Bindja ndaj Fjalës së Urtësisë do të na ndihmojë të jemi më pranues ndaj nxitjeve të Frymës së Shenjtë. Ndonëse të gjithë përjetojmë sfida shëndetësore, bindja ndaj këtij ligji do të na ndihmojë të jemi më të shëndetshëm në trup, mendje dhe shpirt.

Kandidatët për pagëzim duhet t’i binden Fjalës së Urtësisë.

Për udhërrëfim se si t’i ndihmoni njerëzit që janë duke luftuar me varësitë, shihni kapitullin 10.

Studimi i Shkrimeve të Shenjta

Mësoni më Shumë për Këtë Parim

Mbajeni të Shenjtë Ditën e Shabatit

Një Ditë për Çlodhje dhe Adhurim

Shabati është një ditë e shenjtë që e ka caktuar Perëndia për ne çdo javë që të çlodhemi nga punët tona të përditshme dhe ta adhurojmë Atë. Një nga Dhjetë Urdhërimet që iu dha Moisiut, është: “Mbaje mend ditën e shtunë për ta shenjtëruar” (Eksodi 20:8; shihni edhe vargjet 9–11).

Në një zbulesë bashkëkohore, Zoti ripohoi se Shabati “është një ditë e caktuar për ty që të prehesh nga punët e tua dhe t’i drejtosh lutje Më të Lartit” (Doktrina e Besëlidhje 59:10). Ai tha edhe që Shabati duhet të jetë një ditë gëzimi, lutjeje dhe falënderimi (shihni vargjet 14–15).

Si pjesë e adhurimit tonë të Shabatit, ne marrim pjesë në mbledhjen e sakramentit çdo javë. Në këtë mbledhje, ne adhurojmë Perëndinë dhe marrim sakramentin për të kujtuar Jezu Krishtin dhe Shlyerjen e Tij. Kur e marrim sakramentin, ne i përtërijmë besëlidhjet tona me Perëndinë dhe tregojmë se jemi të gatshëm të pendohemi për mëkatet tona. Ordinanca e sakramentit është qendra e respektimit të ditës së Shabatit nga ana jonë.

Në kishë ne marrim pjesë gjithashtu në orë mësimore në të cilat mësojmë më shumë rreth ungjillit të Jezu Krishtit. Besimi ynë rritet ndërsa i studiojmë shkrimet e shenjta së bashku. Dashuria jonë rritet ndërsa shërbejmë dhe e forcojmë njëri-tjetrin.

Përveç çlodhjes nga punët tona në Shabat, duhet të përmbahemi për të mos bërë blerje dhe veprimtari të tjera që do ta bënin të dukej si një ditë e zakonshme. Ne i lëmë mënjanë veprimtaritë e botës dhe i përqendrojmë mendimet dhe veprimet tona në çështje shpirtërore.

Një Ditë për të Bërë Mirë

Të bësh mirë në ditën e Shabatit është të paktën po aq e rëndësishme sa edhe të mos bësh disa gjëra për ta mbajtur atë të shenjtë. Ne mësojmë ungjillin, forcojmë besimin, ndërtojmë marrëdhëniet, japim shërbim dhe marrim pjesë në veprimtari të tjera lartësuese me familjen dhe miqtë.

çift duke lexuar shkrimet e shenjta

Bekimet

Mbajtja e ditës së Shabatit të shenjtë është një shprehje e përkushtimit tonë ndaj Atit Qiellor dhe Jezu Krishtit. Ndërsa i bëjmë veprimtaritë tona në Shabat të pajtueshme me qëllimin që ka Perëndia për atë ditë, do të ndiejmë gëzim dhe paqe. Do të jemi të ushqyer shpirtërisht dhe të rifreskuar fizikisht. Do të ndihemi gjithashtu më pranë Perëndisë dhe do ta thellojmë marrëdhënien tonë me Shpëtimtarin tonë. Do ta mbajmë veten më plotësisht “të panjollë nga bota” (Doktrina e Besëlidhje 59:9). Shabati do të bëhet “kënaqësi” (Isaia 58:13; shihni edhe vargun 14).

Studimi i Shkrimeve të Shenjta

Mësoni më Shumë për Këtë Parim

Bindjuni Ligjit dhe Nderojeni Atë

Shenjtorët e ditëve të mëvonshme besojnë në bindjen ndaj ligjit dhe në të qenit qytetarë të mirë (shihni te Doktrina e Besëlidhje 134; Nenet e Besimit 1:12). Anëtarët e Kishës nxiten të japin shërbim për t’i përmirësuar komunitetet dhe vendet e tyre. Ata nxiten gjithashtu që të jenë një ndikim për vlera të shëndosha morale në shoqëri dhe qeveri.

Anëtarët e Kishës ftohen të marrin pjesë në qeveri dhe në procesin politik në pajtim me ligjin. Anëtarët që mbajnë pozicione në qeveri, veprojnë në pozita të tilla si qytetarë të interesuar, jo si përfaqësues të Kishës.

Studimi i Shkrimeve të Shenjta

Mësoni më Shumë për Këtë Parim

Greatest in the Kingdom [Më i Madhi në Mbretëri], nga J. Kirk Richards

Besëlidhja Jonë për t’i Shërbyer Perëndisë dhe të Tjerëve

Shërbimi

Kur pagëzohemi, ne bëjmë besëlidhje për t’i shërbyer Perëndisë dhe për t’u shërbyer të tjerëve. Shërbimi ndaj të tjerëve është një nga mënyrat kryesore se si i shërbejmë Perëndisë (shihni te Mosia 2:17). Profeti Alma u dha mësim atyre që dëshironin të pagëzoheshin, që ata duhet të ishin “të gatshëm të mbani[n] barrat e njëri-tjetrit, … të vajtoni[n] me ata që vajtojnë … dhe të ngushëlloni[n] ata që k[ishin] nevojë të ngushëllohen” (Mosia 18:8–9).

Shpejt pas pagëzimit, anëtarët e rinj zakonisht marrin një thirrje për të shërbyer në Kishë. Këto thirrje janë vullnetare dhe pa pagesë. Ndërsa i pranojmë ato dhe shërbejmë me zell, na rritet besimi, zhvillojmë talente dhe i bekojmë të tjerët.

Një pjesë tjetër e shërbimit tonë në Kishë është të qenit një “vëlla shërbestar” ose një “motër shërbestare”. Në këtë përgjegjësi, ne u shërbejmë individëve dhe familjeve ku na kanë caktuar.

Si dishepuj të Jezu Krishtit, ne kërkojmë mundësi për të shërbyer çdo ditë. Si Ai, ne e përshkojmë “vendin duke bërë mirë” (Veprat e Apostujve 10:38). Ne u shërbejmë të afërmve tanë dhe të tjerëve në komunitetin tonë. Ne mund të marrim pjesë në mundësitë për shërbim nëpërmjet faqes ThjeshtShërbe atje ku është në dispozicion. Ne mund t’i përkrahim përpjekjet humanitare të Kishës dhe të marrim pjesë në reagimet ndaj katastrofave natyrore.

Studimi i Shkrimeve të Shenjta

Mësoni më Shumë për Këtë Parim

  • Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta: “Shërbim

njerëz duke biseduar

Shpërndarja e Ungjillit

Si pjesë e besëlidhjes sonë të pagëzimit, ne premtojmë të “qëndro[jmë] si dëshmitarë të Perëndisë” (Mosia 18:9). Një mënyrë se si qëndrojmë si dëshmitarë, është duke e shpërndarë ungjillin e Jezu Krishtit. Ndihma ndaj të tjerëve që ta pranojnë ungjillin, është një prej llojeve më të gëzueshme të shërbimit që mund të japim (shihni te Doktrina e Besëlidhje 18:15–16). Ajo është një shprehje e fuqishme e dashurisë sonë.

Kur i përjetojmë bekimet e të jetuarit të ungjillit, ne natyrshëm dëshirojmë t’i ndajmë ato bekime. Pjesëtarët e familjes, miqtë dhe të njohurit shpesh interesohen kur ne japim një shembull besnik dhe ata shohin se si ungjilli na e bekon jetën. Ne mund ta shpërndajmë ungjillin në mënyra normale dhe të natyrshme (shihni te General Handbook [Manuali i Përgjithshëm], kapitulli 23).

Ne i ftojmë të tjerët të marrin pjesë me ne në veprimtari shërbimi, të komunitetit, të kohës së lirë dhe në ato të Kishës. Ne mund t’i ftojmë ata në një mbledhje të Kishës ose në një shërbesë pagëzimi. Mund t’i ftojmë ata të shikojnë një material filmik në internet që shpjegon ungjillin e Jezu Krishtit, të lexojnë Librin e Mormonit ose të vizitojnë një shtëpi të hapur për tempullin. Ka qindra ftesa që mund të bëjmë. Shpesh, bërja e ftesës do të thotë thjesht përfshirjen e familjes, miqve dhe të afërmve tanë në atë që po bëjmë tashmë.

Nëse e kërkojmë, Perëndia do të na ndihmojë t’i dallojmë mundësitë për ta shpërndarë ungjillin dhe për t’u treguar të tjerëve rreth mënyrës se si ai e bekon jetën tonë.

Për më shumë informacion rreth zbatimit të parimeve të dhënies së dashurisë, të treguarit dhe të ftuarit, shihni pjesën “Bashkohuni me Anëtarët” në kapitullin 9.

Studimi i Shkrimeve të Shenjta

Mësoni më Shumë për Këtë Parim

Agjërimi dhe Ofertat e Agjërimit

Perëndia themeloi ligjin e agjërimit si një mënyrë që ne të zhvillojmë forcë shpirtërore dhe t’i ndihmojmë njerëzit nevojtarë.

Agjërimi do të thotë të qëndrojmë pa ushqim dhe pije për një periudhë kohore. Kisha zakonisht cakton të dielën e parë të çdo muaji si një ditë agjërimi. Një ditë agjërimi zakonisht përfshin qëndrimin pa ushqim dhe pije për një periudhë 24-orëshe nëse jemi në gjendje fizikisht. Pjesë të tjera të rëndësishme të së dielës së agjërimit përfshijnë lutjen dhe dhënien e dëshmisë. Ne nxitemi gjithashtu të agjërojmë herë të tjera kur e ndiejmë nevojën.

Krijimi i Forcës Shpirtërore

Agjërimi mund të na ndihmojë të bëhemi të përulur, të afrohemi më shumë me Perëndinë dhe të ndihemi të përtërirë shpirtërisht. Përpara se ta fillonte shërbesën e Tij, Jezu Krishti agjëroi (shihni te Mateu 4:1–2). Shkrimet e shenjta shënojnë shumë rrëfime të profetëve dhe të tjerëve që agjërojnë në mënyrë që të mund ta rritin forcën e tyre shpirtërore dhe të kërkojnë bekime të veçanta për veten ose të tjerët.

Agjërimi dhe lutja shkojnë së bashku. Kur agjërojmë dhe lutemi me besim, kemi më tepër prirje për të marrë zbulesë vetjake. Jemi gjithashtu më pranues ndaj dallimit të së vërtetës dhe të kuptuarit të vullnetit të Perëndisë.

Ndihma ndaj Njerëzve Nevojtarë

Kur agjërojmë, i dhurojmë para Kishës për të ndihmuar që të kujdesemi për njerëzit nevojtarë Kjo quhet oferta e agjërimit. Neve na ftojnë të japim një ofertë që është të paktën e barabartë me vlerën e vakteve që nuk hamë. Nxitemi të jemi bujarë dhe të japim më shumë sesa vlera e këtyre vakteve, nëse jemi në gjendje. Dhënia e një oferte agjërimi është një mënyrë se si mund t’u shërbejmë të tjerëve.

Ofertat e agjërimit përdoren për t’u siguruar ushqim dhe gjëra të tjera të nevojshme njerëzve nevojtarë, si në vend, edhe në mbarë botën. Për informacion rreth mënyrës se si të kontribuoni me oferta agjërimi, shihni pjesën te “Dhurimi i Të Dhjetave dhe Ofertave të Tjera” në këtë mësim.

Studimi i Shkrimeve të Shenjta

Agjërimi

Përkujdesja për Njerëzit Nevojtarë

Mësoni më Shumë për Këtë Parim

familje jashtë tempullit

Besëlidhja Jonë për të Duruar deri në Fund

Kur pagëzohemi, ne besëlidhim me Perëndinë që të “duro[jmë] deri në fund” për ta jetuar ungjillin e Jezu Krishtit (2 Nefi 31:20; shihni edhe te Mosia 18:13). Ne përpiqemi fort të jemi dishepuj të Jezu Krishtit për gjithë jetën.

Profeti Nefi i Librit të Mormonit e përshkroi pagëzimin si porta nëpërmjet së cilës hyjmë në shtegun e ungjillit (shihni te 2 Nefi 31:17). Pas pagëzimit, ne vazhdojmë të “shko[jmë] përpara me një vendosmëri në Krisht” (2 Nefi 31:20).

Ndërsa “shko[jmë] përpara” në shtegun e dishepullimit, ne përgatitemi për të shkuar në tempull. Atje do të bëjmë besëlidhje me Perëndinë ndërsa marrim ordinancat e tempullit. Në tempull, do të marrim dhurimin me fuqi dhe mund të vulosemi si familje në përjetësi. Mbajtja e besëlidhjeve që bëjmë në tempull, do t’ia hapë derën çdo privilegji shpirtëror dhe bekimi që Perëndia ka për ne.

Ndërsa vazhdojmë me besnikëri përgjatë shtegut të ungjillit, ne do të marrim përfundimisht dhuratën më të madhe të Perëndisë, dhuratën e jetës së përjetshme (shihni te 2 Nefi 31:20; Doktrina e Besëlidhje 14:7).

Pjesët vijuese shpjegojnë disa aspekte të asaj që Perëndia ka siguruar për të na ndihmuar të durojmë deri në fund të rrugëtimit tonë në vdekshmëri dhe të gjejmë gëzim në të.

Priftëria dhe Organizatat e Kishës

Priftëria është autoriteti dhe fuqia e Perëndisë. Nëpërmjet priftërisë, Ati Qiellor e përmbush veprën e Tij që “të bëj[ë] të ndodhë pavdekësia dhe jeta e përjetshme” e fëmijëve të Tij (Moisiu 1:39). Perëndia u jep autoritet dhe fuqi bijve dhe bijave të Tij në tokë për t’i ndihmuar që ta kryejnë këtë vepër.

Priftëria na bekon ne të gjithëve. Ordinanca të tilla si pagëzimi dhe sakramenti merren nëpërmjet atyre që mbajnë detyra në priftëri. Ne gjithashtu marrim bekimet për shërim, ngushëllim dhe këshilla.

Priftëria, Udhëheqja e Kishës dhe Thirrjet

Kisha udhëhiqet nga Jezu Krishti nëpërmjet profetëve dhe apostujve. Këta udhëheqës thirren nga Perëndia, shugurohen dhe u jepet autoriteti i priftërisë për të vepruar në emër të Shpëtimtarit.

Në lashtësi, Krishti u dha Apostujve të Tij po këtë autoritet priftërie, i cili u lejoi atyre të udhëhiqnin Kishën e Tij pasi Ai u ngjit në qiell. Përfundimisht ai autoritet humbi kur njerëzit e hodhën poshtë ungjillin dhe Apostujt vdiqën.

Lajmëtarët qiellorë e rivendosën priftërinë në vitin 1829 nëpërmjet Profetit Jozef Smith dhe Zoti e themeloi Kishën e Tij përsëri me apostuj dhe profetë. (Shihni te mësimi 1.)

Në nivel vendor, peshkopët dhe presidentët e kunjve kanë autoritetin e priftërisë për të udhëhequr bashkësitë e Kishës.

Kur burrat dhe gratë thirren dhe veçohen për të shërbyer në Kishë, atyre u jepet autoritet nga Perëndia për të vepruar në atë thirrje. Ky autoritet u jepet misionarëve, udhëheqësve, mësuesve dhe të tjerëve derisa ata të lirohen nga thirrjet e tyre. Ai delegohet nën drejtimin e atyre që mbajnë çelësat e priftërisë.

Autoriteti i priftërisë mund të përdoret vetëm me drejtësi (shihni te Doktrina e Besëlidhje 121: 34–46). Ky autoritet është një mirëbesim i shenjtë për të përfaqësuar Shpëtimtarin dhe për të vepruar në emër të Tij. Ai ka gjithmonë për qëllim t’i bekojë dhe t’u shërbejë të tjerëve.

të rinj në shkollën e së dielës

Priftëria Aarone dhe Priftëria Melkizedeke

Në Kishë, priftëria përfshin Priftërinë Aarone dhe Priftërinë Melkizedeke. Nën drejtimin e atyre që mbajnë çelësat e priftërisë, Priftëria Aarone dhe ajo Melkizedeke u jepet anëtarëve meshkuj të denjë të Kishës. Pasi jepet priftëria e duhur, personi shugurohet në një detyrë në atë priftëri, si për shembull, dhjak ose plak. Ai duhet të shugurohet nga dikush që ka autoritetin e nevojshëm.

Kur një burrë ose i ri merr priftërinë, ai bën një besëlidhje me Perëndinë për të përmbushur detyra të shenjta, për t’u shërbyer të tjerëve dhe për të ndihmuar të ngrihet Kisha.

Të rinjtë mund të marrin Priftërinë Aarone dhe të shugurohen dhjakë duke filluar nga janari i vitit kur mbushin 12 vjeç. Ata mund të shugurohen mësues në vitin kur mbushin 14 vjeç dhe priftërinj në vitin kur mbushin 16 vjeç. Të kthyerit në besim meshkuj që janë në moshë, mund ta marrin Priftërinë Aarone shpejt pas pagëzimit dhe konfirmimit. Mbajtësit e Priftërisë Aarone administrojnë ordinanca të tilla si sakramenti dhe pagëzimi.

Pas shërbimit për ca kohë si një prift në Priftërinë Aarone, një burrë i denjë që është të paktën 18 vjeç, mund të marrë Priftërinë Melkizedeke dhe të shugurohet plak. Burrat që e marrin Priftërinë Melkizedeke, mund të kryejnë ordinanca të priftërisë të tilla si dhënia e bekimeve për shërim dhe ngushëllim te pjesëtarët e familjes dhe të tjerë.

Shihni te Manuali i Përgjithshëm, 38.2.9.1, për informacion rreth marrjes së priftërisë nga anëtarët e rinj.

Kuorumet dhe Organizatat e Kishës

Kuorumet e Priftërisë. Një kuorum është një grup i organizuar i mbajtësve të priftërisë. Çdo lagje ka një kuorum pleqsh për burrat në moshë madhore. Kuorumet e dhjakëve, mësuesve dhe priftërinjve janë për të rinjtë.

Shoqata e Ndihmës. Shoqata e Ndihmës përfshin gra të moshave 18 vjeçe e lart. Anëtaret e Shoqatës së Ndihmës i forcojnë familjet, individët dhe komunitetin.

Të Rejat. Të rejat i bashkohen organizatës së Të Rejave duke filluar nga janari i vitit kur mbushin 12 vjeçe.

grua duke i dhënë mësim një klase

Fillorja. Fëmijët e moshave 3 deri 11 vjeç janë pjesë e organizatës së Fillores.

Shkolla e së Dielës. Të gjithë personat në moshë madhore dhe të rinjtë e të rejat e frekuentojnë Shkollën e së Dielës ku mblidhen për t’i studiuar shkrimet e shenjta së bashku.

Për më shumë informacion rreth priftërisë, shihni te Manuali i Përgjithshëm, kapitulli 3.

Për më shumë informacion rreth kuorumeve të priftërisë dhe organizatave të Kishës, shihni te Manuali i Përgjithshëm, kapitujt 8–13.

Studimi i Shkrimeve të Shenjta

Mësoni më Shumë për Këtë Parim

Martesa dhe Familjet

Martesa

Martesa midis një burri dhe një gruaje shugurohet nga Perëndia. Ajo është qendrore në planin e Tij për përparimin e përjetshëm të fëmijëve të Tij.

Bashkimi i një bashkëshorti dhe një bashkëshorteje, duhet të jetë marrëdhënia e tyre më e çmuar në tokë. Ata kanë një përgjegjësi të shenjtë për të qenë të besës ndaj njëri-tjetrit dhe besnikë ndaj besëlidhjes së tyre të martesës.

Një bashkëshort e një bashkëshorte janë të barabartë në sytë e Perëndisë. Njëri nuk duhet të sundojë mbi tjetrin. Vendimet e tyre duhet të merren në unitet e dashuri, me pjesëmarrje të plotë nga të dy.

Teksa një bashkëshort dhe një bashkëshorte e duan njëri‑tjetrin dhe punojnë së bashku, martesa e tyre mund të jetë burimi i lumturisë së tyre më të madhe. Ata mund ta ndihmojnë njëri-tjetrin dhe fëmijët e tyre të përparojnë drejt jetës së përjetshme.

Familja

Ashtu si martesa, familja shugurohet nga Perëndia dhe është qendrore në planin e Tij për lumturinë tonë të përjetshme. Familjet tona kanë më tepër gjasë të jenë të lumtura kur jetojmë sipas mësimeve të Jezu Krishtit. Prindërit ua mësojnë fëmijëve të tyre ungjillin e Jezu Krishtit dhe japin një shembull të të jetuarit të tij. Familjet na sigurojnë mundësi që ta duam dhe t’i shërbejmë njëri-tjetrit.

Prindërit duhet ta bëjnë familjen e tyre përparësinë e tyre më të madhe. Është privilegj dhe përgjegjësi e shenjtë për prindërit që të kujdesen për fëmijët që ata janë në gjendje të lindin ose të birësojnë.

Të gjitha familjet kanë sfida. Ndërsa kërkojmë përkrahjen e Perëndisë dhe i zbatojmë urdhërimet e Tij, sfidat familjare mund të na ndihmojnë të mësojmë dhe të rritemi. Nganjëherë këto sfida na ndihmojnë të mësojmë të pendohemi dhe të falim.

baba duke i dhënë mësim familjes

Udhëheqësit e Kishës i kanë nxitur anëtarët të zhvillojnë një mbrëmje shtëpie të përjavshme. Prindërit e përdorin këtë kohë për t’u dhënë mësim ungjillin fëmijëve të tyre, për të forcuar marrëdhëniet familjare dhe për t’u argëtuar së bashku. Udhëheqësit e Kishës kanë lëshuar një proklamatë që na mëson të vërteta të rëndësishme rreth familjes (shihni dokumentin “Familja: Një Proklamatë drejtuar Botës”, ChurchofJesusChrist.org).

Mënyra të tjera për ta forcuar familjen përfshijnë lutjen familjare, studimin e shkrimeve të shenjta dhe adhurimin së bashku në kishë. Ne gjithashtu mund të bëjmë kërkime për historinë familjare, të mbledhim ndodhi të familjes dhe t’u shërbejmë të tjerëve.

Shumë njerëz kanë mundësi të kufizuara për martesë ose për marrëdhënie familjare plot dashuri. Shumë kanë përjetuar shkurorëzim dhe rrethana të tjera të vështira familjare. Gjithsesi, ungjilli na bekon individualisht pavarësisht nga rrethanat tona familjare. Ndërsa jemi besnikë, Perëndia do të sigurojë një mënyrë që ne të kemi bekimet e një familjeje të dashur qoftë në këtë jetë ose në jetën që do të vijë.

Studimi i Shkrimeve të Shenjta

Martesa

Familja

Mësoni më Shumë për Këtë Parim

Puna në Tempull dhe për Historinë Familjare për Paraardhësit e Vdekur

Ati Qiellor i do të gjithë fëmijët e Tij dhe dëshiron shpëtimin dhe ekzaltimin e tyre. Prapëseprapë miliarda njerëz kanë vdekur pa e dëgjuar ungjillin e Jezu Krishtit ose pa marrë ordinancat shpëtuese të ungjillit. Këto ordinanca përfshijnë pagëzimin, konfirmimin, shugurimin në priftëri për burrat, dhurimin në tempull dhe martesën e përjetshme.

Nëpërmjet hirit dhe mëshirës së Tij, Zoti ka siguruar një mënyrë tjetër që këta njerëz ta pranojnë ungjillin dhe t’i marrin ordinancat e tij. Në botën e shpirtrave, ungjilli u predikohet atyre që kanë vdekur pa e pranuar atë (shihni te Doktrina e Besëlidhje 138). Në tempuj, ne mund të kryejmë ordinanca në emër të paraardhësve tanë dhe personave të tjerë të vdekur. Këta njerëz të vdekur në botën e shpirtrave munden më pas ta pranojnë ose refuzojnë ungjillin dhe ordinancat e kryera për ta.

familje duke studiuar shkrimet e shenjta

Përpara se të mund t’i kryejmë këto ordinanca, nevojitet të identifikojmë paraardhësit tanë që nuk i kanë marrë ato. Identifikimi i pjesëtarëve të familjes sonë në mënyrë që ata të mund të marrin ordinancat, është një qëllim qendror i punës sonë për historinë familjare. Kur gjejmë informacion për ta, ne e shtojmë atë në bazën e të dhënave të Kishës në FamilySearch.org. Pastaj ne (ose të tjerë) mund të kryejmë ordinanca me mëkëmbës për ta në tempull.

Ndërsa i identifikojmë paraardhësit tanë dhe kryejmë ordinanca për ta, familjet tona mund të bashkohen për përjetësinë.

Studimi i Shkrimeve të Shenjta

Mësoni më Shumë për Këtë Parim

Tempujt, Dhurimi, Martesa e Përjetshme dhe Familjet e Përjetshme

Tempujt

Tempulli është shtëpia e Zotit. Ai është një vend i shenjtë ku mund të bëjmë besëlidhje me Perëndinë teksa marrim ordinancat e Tij të shenjta. Teksa i mbajmë këto besëlidhje, do të kemi fuqinë e perëndishmërisë të shfaqur në jetën tonë (shihni te Doktrina e Besëlidhje 84:19–22; 109:22–23).

Dhurimi

Një nga ordinancat që marrim në tempull, quhet dhurimi. Fjala dhurim do të thotë “një dhuratë”. Kjo dhuratë diturie dhe fuqie vjen nga Perëndia. Gjatë dhurimit, ne bëjmë besëlidhje me Perëndinë që na lidhin me Të dhe Birin e Tij, Jezu Krishtin (shihni te kapitulli 1).

Personat në moshë madhore mund të kenë të drejtë ta marrin dhurimin e tyre në tempull pas së paku një viti anëtarësie në Kishë. Për më shumë informacion rreth dhurimit, shihni te General Handbook [Manuali i Përgjithshëm], 27.2.

Martesa e Përjetshme dhe Familjet e Përjetshme

Plani i Perëndisë për lumturinë bën të mundur që marrëdhëniet familjare të vazhdojnë përtej varrit. Në tempull ne mund të martohemi për kohën dhe përjetësinë. Kjo bën të mundur që familjet të jenë së bashku përgjithmonë.

Pasi çiftet e martuara të kenë marrë dhurimin e tyre në tempull, ata mund të vulosen ose të martohen për përjetësinë. Fëmijët e tyre mund të vulosen me ta.

Një bashkëshort e bashkëshorte që janë vulosur në tempull, duhet t’i mbajnë besëlidhjet që kanë bërë për të marrë bekimet e martesës së përjetshme.

çift duke ecur në rrugë

Studimi i Shkrimeve të Shenjta

Mësoni më Shumë për Këtë Parim