“Jezu Krishti Është Forca e Rinisë – Pjesë të Shkëputura”, Për Forcën e Rinisë, nëntor 2022.
Sesioni i Paradites të së Shtunës
Jezu Krishti Është Forca e Rinisë
Pjesë të Shkëputura
Nëse jeni të moshave 11 deri në 18 vjeç, unë kam një mesazh veçanërisht për ju nga Shpëtimtari juaj, Jezu Krishti.
Mesazhi i Shpëtimtarit për Ju
Miqtë e mi të dashur, të rinj në moshë, nëse Shpëtimtari do të ishte këtu pikërisht tani, çfarë do t’ju thoshte Ai?
Besoj se do ta fillonte duke shprehur dashurinë e Tij të thellë për ju. …
Dhe prapëseprapë, ngaqë jemi të gjithë të dobët dhe të papërsosur, disa shqetësime mund të fillojnë të zvarriten në mendjen tuaj. Mund të sillni ndërmend gabime që i keni bërë, raste kur ju dorëzuat tundimit, gjëra që do të donit të mos i kishit bërë ose do të donit t’i kishit bërë më mirë. …
Unë besoj se Shpëtimtari Jezu Krisht do të donte që ju ta shihni, ndieni dhe dini se Ai është forca juaj. Se me ndihmën e Tij, nuk ka kufij për atë që mund të përmbushni. …
Shpëtimtari do të shpallte, në mënyrë aspak të dyshimtë, se jeni një bijë ose bir i Perëndisë së Plotfuqishëm. Ati juaj Qiellor është qenia më e lavdishme në univers, plot dashuri, gëzim, pastërti, shenjtëri, dritë, hir e të vërtetë. Dhe një ditë Ai dëshiron që ju të trashëgoni gjithçka që Ai ka. …
Për ta bërë këtë të mundur, Ai dërgoi Jezu Krishtin që të ishte Shpëtimtari juaj. …
Ai është fati juaj hyjnor. Ajo është e ardhmja juaj. Kjo është zgjedhja juaj!
E Vërteta dhe Zgjedhjet
Në qendër të planit të Perëndisë për lumturinë tuaj është fuqia juaj për të zgjedhur. …
Kur keni zgjedhje të rëndësishme për të bërë, Jezu Krishti dhe ungjilli i Tij i rivendosur janë zgjedhja më e mirë. Kur keni pyetje, Jezu Krishti dhe ungjilli i Tij i rivendosur janë përgjigjja më e mirë. Kur ndiheni të dobët, Jezu Krishti është forca juaj. …
Për Forcën e Rinisë
Për t’ju ndihmuar të gjeni Udhën dhe për t’ju ndihmuar ta bëni doktrinën e Krishtit ndikimin udhërrëfyes në jetën tuaj, Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme ka përgatitur një burim të ri, një variant të rishikuar të broshurës Për Forcën e Rinisë. …
Për të qenë shumë të qartë, udhërrëfyesi më i mirë i mundshëm që mund të keni për bërjen e zgjedhjeve, është Jezu Krishti. Jezu Krishti është forca e rinisë.
Prandaj, qëllimi i broshurës Për Forcën e Rinisë është që t’ju drejtojë tek Ai. …
Gjithashtu është e rëndësishme të dini atë që nuk e bën broshura Për Forcën e Rinisë. Nuk merr vendime për ju. Nuk ju jep një “po” ose “jo” rreth çdo zgjedhjeje me të cilën mund të përballeni ndonjëherë. Broshura Për Forcën e Rinisë përqendrohet te themeli i zgjedhjeve tuaja. Përqendrohet te vlerat, parimet dhe doktrina, në vend të çdo sjelljeje specifike. …
A është e gabuar të kemi rregulla? Natyrisht që jo. Ne të gjithë kemi nevojë për ato çdo ditë. Por është e gabuar të përqendrohemi vetëm te rregullat në vend që të përqendrohemi te Shpëtimtari. …
Një Standard më i Lartë
Jezu Krishti ka standarde shumë të larta për pasuesit e Tij. Dhe ftesa për të kërkuar me zell vullnetin e Tij dhe për të jetuar sipas të vërtetave të Tij është standardi më i lartë i mundshëm!
Zgjedhjet e rëndësishme tokësore dhe shpirtërore nuk duhet të bazohen vetëm mbi parapëlqimin vetjak apo atë që është e volitshme ose e shumëpërhapur. Zoti nuk po thotë: “Bëni çfarë të doni”.
Ai po thotë: “Lejojeni Perëndinë të triumfojë”.
Ai po thotë: “Eja[ni] e më ndiq[ni]”.
Ai po thotë: “Jetoni në një mënyrë më të shenjtë, më të lartë, më të pjekur”.
Ai po thotë: “Zbatojini urdhërimet e mia”.
Jezu Krishti është shembulli ynë i përsosur dhe ne përpiqemi me të gjithë energjinë e shpirtit tonë ta ndjekim Atë.
Miqtë e mi të dashur, më lejoni ta përsërit, nëse Shpëtimtari do të qëndronte këtu sot, Ai do të shprehte dashurinë e Tij të pafundme për ju, mirëbesimin e Tij të plotë te ju. Ai do t’ju thoshte se mund ta bëni këtë gjë. Ju mund të ndërtoni një jetë të gëzuar e të lumtur, sepse Jezu Krishti është forca juaj. Ju mund të gjeni vetëbesim, paqe, siguri, lumturi dhe përkatësi tani dhe përjetësisht, sepse ju do t’i gjeni të gjitha ato te Jezu Krishti, tek ungjilli i Tij dhe te Kisha e Tij.