“Rivishu me Forcën Tënde, o Sion – Pjesë të Shkëputura”, Për Forcën e Rinisë, nëntor 2022.
Rivishu me Forcën Tënde, o Sion
Pjesë të Shkëputura
Unë lutem me zell që Fryma e Shenjtë do ta ndriçojë secilin prej nesh ndërsa shqyrtojmë tani rëndësinë e shëmbëlltyrës së gostisë së dasmës mbretërore. …
Kur mbreti hyri në sallën e dasmës, ai e vëzhgoi publikun dhe menjëherë vuri re se një i ftuar i spikatur nuk kishte veshur një rrobë dasme. Burrin e sollën përpara dhe mbreti e pyeti: “Mik, si hyre këtu pa pasur rrobë dasme? Dhe ai [e] mbylli gojën” [Mateu 22:12]. …
… Refuzimi i burrit për të veshur rrobën e dasmës ilustronte haptazi “mungesën e respektit si për mbretin ashtu edhe për birin e tij”. Atij nuk i mungonte thjesht një veshje dasme; përkundrazi, ai zgjodhi të mos e vishte një të tillë. … Përgjigjja e mbretit ishte e shpejtë dhe vendimtare: “Lidheni duar dhe këmbë, kapeni dhe hidheni në errësirat e jashtme. Atje do të [k]etë [të] qara dhe kërcëllim dhëmbësh” [Mateu 22:13].
… Mungesa e veshjes së duhur nga ana e tij zbuloi rebelimin e tij të brendshëm kundër mbretit dhe udhëzimeve të tij.
Shëmbëlltyra më pas përfundon me këtë shkrim të shenjtë depërtues: “Shumë janë të thirrur, por pak janë të zgjedhur” [Mateu 22:14].
… Perëndia nuk ka një listë të të preferuarve, në të cilën ne duhet të shpresojmë se emrat tanë do të shtohen një ditë. Ai nuk i kufizon të “zgjedhurit” vetëm me një numër të kufizuar të zgjedhurish. Përkundrazi, zemrat tona, aspiratat tona, nderimi ynë i besëlidhjeve dhe ordinancave të shenjta të ungjillit, bindja jonë ndaj urdhërimeve dhe, më e rëndësishmja, mëshira dhe hiri shëlbues i Shpëtimtarit përcaktojnë nëse ne numërohemi si një nga të zgjedhurit e Perëndisë. …
Ndërsa kërkojmë në mënyrë të përshtatshme dhuntinë shpirtërore të syve për të parë dhe veshëve për të dëgjuar, unë premtoj se do të bekohemi me aftësinë dhe gjykimin për ta forcuar lidhjen tonë besëlidhëse me Zotin e gjallë. Ne gjithashtu do të marrim fuqinë e perëndishmërisë në jetën tonë dhe përfundimisht do të thirremi dhe do të zgjidhemi për gostinë e Zotit.