2007
Një Dëshmi e Profetëve
Tetor 2007


Një Dëshmi e Profetëve

Kur isha 12 vjeç, ia prezantova misionarët familjes sime. I kisha takuar në rrugë dhe ata u treguan miqësorë me mua. Ata po ndihmonin Kishën që të ndërtonte një shtëpi mbledhjesh në qytetin tim në Brazil dhe më ftuan t’i ndihmoja, gjë të cilën fillova ta bëj gjatë kohës sime të lirë. Nuk kisha dëgjuar asnjëherë për djem të rinj që vendosnin të shpenzonin kohën e tyre për ndërtimin e një kishe.

Më bënë aq përshtypje, saqë vendosa t’ua prezantoj prindërve të mi dhe i ftuam të na vinin në shtëpi. Misionarët bënë diskutimin e parë me familjen tonë. Ne nuk kishim pirë ndonjëherë duhan, prandaj familja jonë tashmë i bindej asaj pjese të Fjalës së Urtësisë dhe ne kishim bërë mbrëmje familjare çdo natë në shtëpinë tonë. Nuk e quanim një mbrëmje familjare në shtëpi, por e tillë ishte ajo që bënim. Ishim katolikë dhe ndiqnim rregullisht kishën tonë, prandaj babai u tha se ne ndiheshim të qetë në fenë tonë.

Misionarët u larguan, por ata lanë shënime mbi familjen tonë në librin e misionarëve të zonës, i cili mbeti në banesën e misionarëve, duke përfshirë edhe përshtypjen e tyre se ne mund të bashkoheshim me Kishën.

Duke Mësuar mbi Familjet e Përjetshme

Dhjetë vjet më vonë jetoja në një qytet tjetër kur misionarë të rinj arritën në zonën ku jetonte familja ime. Ata nuk kishin asnjë njeri që t’i jepnin mësime dhe vendosën të shihnin librin e zonës. Gjetën emrin e prindërve të mi dhe vendosën të bënin vizitë. Misionarët u lutën para se të shkonin dhe Zoti u dha frymëzim. Pavarësisht se i ishte shumë besnik fesë së tij, babai kishte një pyetje. Ai nuk mund ta besonte që mbas vdekjes bashkëshortja e tij nuk do të ishte më bashkëshortja e tij. Ndjeu vërtet që lidhjet e familjes nevojitej të vazhdonin pas vdekjes. Ai kishte pyetur shërbestarë të kishave të ndryshme mbi këtë gjë dhe secili i shpjegonte: “Jo, pas vdekjes bashkëshortja juaj do të jetë si motër dhe biri juaj do të jetë si vëlla”.

Kur këta misionarë trokitën në derën e prindërve të mi, babai e hapi dhe u tha se e kishte dëgjuar mesazhin e tyre më përpara dhe nuk i interesonte. Por misionarët i thanë: “Kemi një mesazh tjetër për ju. E dini që familja juaj mund të jetë bashkë përgjithmonë?” Ato fjalë e frymëzuan atë. Babai i ftoi të hynin brenda dhe ta mësonin. Të udhëhequr nga Shpirti, misionarët i treguan familjes sime për martesën dhe familjen e përjetshme. Me këtë hyrje drejt ungjillit familja ime vazhdoi të takohej me misionarët derisa fituan një dëshmi dhe vendosën të pagëzoheshin e të konfirmoheshin.

Fitimi i Dëshmisë nga Unë

Pesë vjet më vonë — isha 27 vjeç atëherë — u ktheva në shtëpinë e babait për një kohë. Ati im ishte udhëheqës i misionit të lagjes dhe motrat misionare po mësonin dikë tjetër në shtëpinë time. Më zuri veshi që mësonin për Librin e Mormonit dhe Jozef Smithin dhe vendosa të lutem mbi to. M’u duk e llogjikshme në mendjen time që, nëse Jozef Smithi ishte profet, atëherë Libri i Mormonit është i vërtetë dhe Kisha është e vërtetë.

Atë natë fillova të lexoja historinë e Jozef Smithit dhe të vegimit të tij në Korijen e Shenjtë. Pastaj u ndala dhe iu luta Zotit. Kalova gjithë natën kështu, duke lexuar e duke u lutur mbi secilin paragraf. Kjo më kërkoi 14 orë. Diçka ndodhi tek unë kur fillova të thellohem në mendime. Dukej si të isha në korije bashkë me Jozefin. Ishte një përjetim aq i gjallë e i vërtetë. Dukej sikur mund të shihja se çfarë ndodhi. Mëngjesin tjetër kur përfundova lutjen, e dija që Jozef Smithi ishte profet.

Shkova menjëherë të gjeja misionarët. Në mesditë, kur motrat misionare u kthyen në shtëpi për të ngrënë drekën, unë po i prisja i ulur përballë derës së tyre. U kërkova të më mësonin diskutimet. Pasi më mësuan të shtata diskutimet në një periudhë të shkurtër kohe, u pagëzova dhe u konfirmova në Kishë.

Duke Ecur pas Profetit

Rreth një muaj pasi iu bashkova Kishës, takova bashkëshorten time të ardhshme, Magaretin, dhe një vit më pas u martuam. Në kohën që takohesha me të, i thashë që për shkak se e dija se Jozef Smithi ishte profet, unë dëshiroja ta ndërtoja familjen tonë mbi fjalët dhe mësimet e profetëve. Për shembull, Presidenti Spenser W. Kimball (1895-1985) ishte profeti i atëhershëm dhe i këshillonte anëtarët e Kishës që t’u rrinin larg borxheve. Në përfundimin e 29 viteve të martesës sonë, gruaja ime dhe unë nuk kemi paguar kurrë asnjë qindarkë interes. Asnjëherë.

Qëkur mora një dëshmi për Jozef Smithin, kam treguar vëmendje ndaj çdo fjale të Presidencisë së Parë dhe të Dymbëdhjetë Apostujve dhe i vë në praktikë ato që na mësojnë. Ngaqë di se Jozef Smithi ishte profet, për mua nuk ka qenë kurrë e vështirë të shkoj pas Vëllezërve. Ata mund të më kërkojnë çdo gjë për të bërë dhe unë e bëj, sepse e di që janë profetë, shikues dhe zbulues.

Në rast se punoni që të keni dëshmi për profetët, ju do të jeni më të fortë. Kjo është një nga çelësat e lumturisë. Kur ju dëgjoni profetët dhe bëni ato që ju këshillojnë, do të jeni të lumtur që u jeni bindur.