2007
Shkrim-Këndimi Përmirëson Jetë
Tetor 2007


Shkrim-Këndimi Përmirëson Jetë

Dy shenjtorë të ditëve të mëvonshme tregojnë se si e ndryshon jetën mësimi i leximit dhe shkrimit.

Kudo në botë njerëzit përmirësojnë jetën e tyre dhe atë të të tjerëve nëpërmjet mësimit të aftësive bazë të shkrim-këndimit.

Dashuria për të Mësuar

Shirli Florenc Sainz, e cila ka lindur në Meksikë, tregon historinë se si u kthye në një bekim për të tjerët përpjekja e nënës së saj për t’u arsimuar:

“Kur nëna ime, Anita Valenzuela Mendoza, ishte dy vjeçe, gjyshi im vdiq në një aksident në minierë, duke e lënë gjyshen time me tetë fëmijë dhe me pak mjete për t’u përkujdesur për ta. Gjyshja ime nuk mund të lexonte, të shkruante apo të kuptonte numrat.

Kur nëna ime ishte gjashtë vjeçe, pati privilegjin të ndiqte shkollën, edhe pse nuk kishte lapsa, letër ose libra. Megjithatë, ajo e donte mësimin, prandaj qëndiste peceta, fshinte klasën dhe sillte dru zjarri në mënyrë që të siguronte letër shkrimi. Në shtëpi gjyshja ime ngjiste së bashku fletë nga letra e çmuar për gazeta, duke i kthyer në fletore shënimesh për nënën time.

Mësuesit e vlerësonin etjen e nënës sime për dituri. Pa vënë re rrobat e saj të vjetëruara dhe flokët e saj të pashtruara, ata ushqenin urinë e saj për njohuri. Në fund të viteve të shkollës fillore, familja e një prej mësuesve të saj i ofroi nënës sime një mundësi për arsimim të mëtejshëm. Megjithatë, ajo nuk ishte në gjendje të vazhdonte dhe arsimimi i saj zyrtar përfundoi.

Vite më vonë, kur nëna ime ishte 27 vjeçe, shkollimi i saj lulëzoi rishtas kur u takua me babain tim dhe ai e njohu me ungjillin. Ajo e donte shumë mësimin përmes leximit të shkrimeve të shenjta. Gjithashtu Shoqata e Ndihmës i siguroi shumë mundësi që ajo ta shtonte njohurinë.

Nëna ime rrënjosi tek unë një dashuri për të mësuar dhe jam diplomuar nga kolegji dhe jam vetë një mësuese për shkollën fillore. Brenda dy brezave familja jonë është bekuar së tepërmi, ngaqë, kur ishte vajzë, nëna ime mësoi të lexojë e të shkruajë. Zotësia në shkrim e këndim i hapi asaj derën për të kuptuar dhe përqafuar ungjillin e Jezu Krishtit. Si rezultat i kësaj, të gjithë pasardhësit e nënës sime u bekuan.”

Klasa e Shkrim-Këndimit nëpërmjet Ungjillit

Ngjarja e treguar nga Motra Sainz nuk është e vetme. Kur njerëzit mësojnë të lexojnë e të shkruajnë, ata mund ta rrisin kuptimin e tyre për ungjillin dhe të bekojnë jetën e të tjerëve. Mësimi i aftësive bazë të shkrim-këndimit e ndihmoi Pol Imietehen nga Nigeria, një i kthyer në besim në Kishë, ta kuptonte më mirë dhe ta përhapte ungjillin. Ai kujton:

“U bashkova me Kishën e Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme në Uarri, Nigeri. Anëtarësimi në Kishë më bëri të kuptoj nevojën për të mësuar të lexoj e të shkruaj. Kur udhëheqësit e mi të priftërisë më caktonin të jepja biseda dhe të thoja lutje, unë i rrija larg kishës. Kjo më sillte me të vërtetë turp.

Kur u vendosa në Abuja, pashë libra dhe revista të Kishës dhe ndjeva se sa nevojë kisha të lexoja e të shkruaja. Kisha dëshirë t’i lexoja këto botime që anëtarët e tjerë i lexonin dhe u gëzoheshin atyre. Atje shumica e anëtarëve të Kishës shpreheshin me gëzim, tregonin dëshmitë e tyre për ungjillin dhe unë dëshiroja të isha në gjendje të shprehja ndjenjat e fuqishme që kam për vërtetësinë e ungjillit. Atëherë e kuptova se duhet të mësoja të lexoja e të shkruaja.

Një të dielë vendosa të ndjek Shkollën e së Dielës në klasën e shkrim-këndimit nëpërmjet ungjillit. Në ditën time të parë në klasë, pashë se nxënësit e tjerë ishin kryesisht motra si dhe djem më të rinj. Isha i vetmi i rritur në atë klasë. Pata tundimin ta lija, por dëshira e fortë për të mësuar më mbajti aty. Mësuesi ynë nxiste secilin nga ne të merrte pjesë duke lexuar nga manuali i shkrim-këndimit nëpërmjet ungjillit dhe leximin nga shkrimet e shenjta.

Bëra mjaft përpjekje për të mësuar të lexoja. Lexoja shkrimet e shenjta dhe revista të Kishës. Kuptimi im për to u përmirësua kur u thirra si këshilltar i dytë në presidencinë e Shkollës të së Dielës të Degës Idu. Në fillim dyshova në aftësitë e mia. Por kur u veçova në thirrje, presidenti i degës shqiptoi një bekim se unë do të kisha aftësi të lartësoja thirrjen. Gjatë veçimit pata një ndjenjë vetëbesimi.

Dy javë më pas m’u dha detyra për të mësuar të rriturit në Shkollën e së Dielës. Megjithëse kisha shqetësim për aftësitë e mia, e përgatita gjithë javës, kur kthehesha nga puna dhe madje edhe gjatë kohës së pushimit në punë. Kur erdhi e diela dhe ishte koha të jepja mësimin, unë bëra një lutje të heshtur të shkurtër dhe i kërkova Atit Qiellor të më drejtonte. Kur fillova të flas për mësimin, u habita që fjalët më dilnin rrjedhshëm. Mendoja se do të belbëzoja, por jo.

Shumica e pjesëtarëve të klasës janë më të shkolluar se unë, por përgjigjet e tyre dhe shprehjet e tyre të fytyrës më dhanë kurajë. U ndjeva i qetë gjatë gjithë orës së mësimit.

Klasa e shkrim-këndimit nëpërmjet ungjillit ka krijuar brenda meje një dëshirë të fortë të përmirësoj arsimimin tim formal. Gjithashtu më ka ndihmuar të kuptoj më mirë ungjillin dhe më ka bërë më të aftë t’u shërbej të tjerëve.

Me profesion jam skulptor dhe po punoj në një shoqëri ndërtimesh, ku përdor aftësitë e mia në gdhendjen e drurit. Në Nigeri kemi një thënie të urtë: ‘Sëpata që përdorim për të prerë dru, është aq e rëndësishme, sa e mbajmë me dy duar dhe e mbështesim mbi sup’. Sëpata është shumë e vyer për ta lënë mënjanë. Kështu ndihem unë për Kishën dhe mësimin e shkrim-këndimit nëpërmjet ungjillit. I mbaj ato me të dy duart dhe supin tim dhe s’mund t’i lë mënjanë.

Jam mirënjohës për udhëheqësit e degës sime, të cilët më nxitën të mësoj, veçanërisht Vëllain Lorenc Monai, mësuesi im i shkrim-këndimit nëpërmjet ungjillit.”

Vëllai Imietehe mësoi të lexonte e të shkruante në klasën e shkrim-këndimit nëpërmjet ungjillit dhe, si rezultat, vetëbesimi i tij u rrit dhe dëshmia e tij për ungjillin u bë më e fortë. Që atëherë ai ka bekuar jetën e shumë anëtarëve të degës së tij.

A Mund të Ndihmoni?

Manuali i studentit për shkrim-këndimin nëpërmjet ungjillit, titulluar Ye Shall Have My Words (nr. i artikullit 34476), mundësohet në gjuhët angleze, franceze, portugeze dhe spanjolle. Ata që mund të përfitonin më së shumti prej tij, nuk munden t’i lexojnë këto fjalë. A mund t’i ndihmoni ju ata?

Ne mund të ndihmojmë

“Kam bërë një studim të shkurtër mbi situatën e shkrim-këndimit në botë. Një miliardë nga [gjashtë] miliardë banorë mbi tokë nuk mund të lexojnë apo të shkruajnë… . Ç’tragjedi — ç’tragjedi e zymtë, fatkeqe dhe e errët! Të mos jesh në gjendje të lexosh, të kuptosh, të shkruash — çfarë tragjedie! Ne mund të ndihmojmë për ta hequr këtë mallkim. Ka gjëra që mund të bëhen për ta ndryshuar këtë gjendje të patolerueshme.”

President Gordon B. Hinkli, Teachings of Gordon B. Hinckley (1997), faqe 314.