2007
Në Poloni Mblidhet një Kongres për Mbrojtjen e Familjes Përreth Botës
Tetor 2007


Në Poloni Mblidhet një Kongres për Mbrojtjen e Familjes Përreth Botës

Më shumë se 3.300 delegatë nga e gjithë bota u mblodhën në Pallatin e Kulturës dhe të Shkencës në Varshavë të Polonisë, nga 11– 13 maj 2007, për të ndjekur Kongresin IV Botëror për Familjet. Qëllimi i tyre ishte të mësonin dhe të konfirmonin që familja natyrore njerëzore është vënë nga Krijuesi dhe është thelbi i një shoqërie të mirë.

Delegatët që ndoqën kongresin, mendojnë se në mbarë botën familjet ndodhen nën sulm dhe ata besojnë se ka një nevojë për vendosjen e parimeve bazë për një lëvizje ndërkombëtare pro familjes. Delegatët erdhën që nga largësi të tilla si Kili, Zelanda e Re, Afganistani, Meksika dhe Filipinet për t’u përqendruar mbi shumë çështje që prekin familjet në nivel ndërkombëtar.

Ellin Sorbri, ndihmëssekretare e shtetit për popullatën, refugjatët dhe migrimin, ndihmoi me mirëpritjen e këtij kongresi dhe e quajti familjen si institucioni njerëzor më i vjetër dhe më i qëndrueshëm.

“Familja daton përpara të gjitha shteteve dhe mund të gjendet tek çdo kulturë, në çdo epokë. … Nuk e krijoi shteti familjen; përkundrazi, familjet krijuan shtetin”, tha Zj. Sorbri.

Roman Giertiç, ministër i arsimit dhe zëvendëskryeministër i Polonisë, gjithashtu e mirëpriti kongresin dhe tha se, pa familjen, nuk ka as qeveri, as shtet, as jetë.

Temat e diskutuara në konferencë përfshinin abortin, martesën brenda gjinisë, rënien e popullimit, pornografinë, sulmet ndaj familjes në lajme dhe përtëritjen e fesë tradicionale.

Mbi temën e Hollivudit dhe familjes, Don Feder, drejtor i mjeteve të komunikimit për Kongresin Botëror për Familjet, tha: “Çdo ditë një industri amerikane hedh tonelata të tëra mbeturinash toksike në vendet dhe shtëpitë tuaja. E kam fjalën për Hollivudin, produktet bazë të të cilit – me përjashtime të cilat duhen nderuar – janë seksualiteti, dhuna, zvetënimi, nihilizmi, sulmet ndaj fesë dhe morali thellësisht anti-familje.”

Bred Uilkoks, profesor i sociologjisë në Universitetin e Virxhinias, foli për bashkëjetesën dhe mbarëvajtjen e fëmijëve.

“Shtimi i bashkëjetesave në Europë duket se po çon … drejt rritjes së të qenit prind i vetëm dhe ne e dimë se të jesh prind i vetëm, paraqet një kërcënim për mbarëvajtjen e fëmijëve”, tha ai.

Në përfundim të kuvendit, u bë një Deklaratë e Varshavës si formulim pro familjes për shekullin njëzet e një: “Familja natyrore, krijim i Perëndisë, është komuniteti njerëzor themelor, i bazuar mbi martesën për gjithë jetën ndërmjet një burri dhe gruaje, në të cilën individë të rinj ngjizen, linden dhe rriten.”

Kongresi Botëror për Familjet (KBF) është një rrjet ndërkombëtar i përbërë nga organizata pro familjes, nga studiues, udhëheqës dhe njerëz vullnetmirë nga mëse 60 vende, të cilët kërkojnë ta rivendosin familjen natyrore si njësinë shoqërore themelore të shoqërisë.

Allen Karlson e themeloi KBF në Rokford, Illinois, më 1997. Tre kongreset e mëparshme u mbajtën në Pragë të Republikës Çeke (1997), në Gjenevë të Zvicrës (1999) dhe në Meksiko të Meksikës (2004).

KBF shpall: “Familja natyrore është njësia shoqërore themelore, e gdhendur në natyrën njerëzore dhe e përqendruar mbi bashkimin e vullnetshëm të një burri dhe një gruaje me besëlidhjen e martesës për gjithë jetën. … Familja e dashur zgjat dorën e dashurisë dhe të shërbimit ndaj komuniteteve të tyre dhe ndaj atyre që janë nevojtarë. Të gjitha institucionet kulturore dhe shoqërore duhet të respektojnë dhe të përkrahin të drejtat dhe përgjegjësitë e familjes.”