2007
Priftërinjtë Shinto Mirëpresin Plakun Ajring në Qendrën Historike të Faltores Meiji në Japoni
Tetor 2007


Priftërinjtë Shinto Mirëpresin Plakun Ajring në Qendrën Historike të Faltores Meiji në Japoni

Kacushi Tojama, kryeprift i qendrës historike të Faltores Meiji të Tokios, u takua me Plakun Henri B. Ajring nga Kuorumi i Dymbëdhjetë Apostujve, gjatë turneut të Plakut Ajring nëpër zonat e Kishës në Azi dhe ishujt e Paqësorit.

Plaku Ajring, bashkë me Plakun D. Tod Kristoferson nga Presidencia e të Shtatëdhjetëve dhe me Plakun Dejvid F. Evans, President i Zonës së Azisë Veriore, u ftua të takojë Z. Tojama për të vendosur ura mirëkuptimi dhe të vullnetit të mirë.

Z. Tojama u tha vizitorëve se nuk kishte asnjë libër të shkruar për doktrinën Shinto, si libri i Biblës apo shkrimeve të tjera të shenjta, por ndjekësit e saj tregonin lidhjen e tyre me Perëndinë duke u përpjekur për jetë të pastër dhe të drejtë.

Plaku Ajring u tha se anëtarët e Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme përpiqen me të njëjtën mënyrë për pastërti dhe drejtësi në jetën e tyre. “Profeti ynë, Gordon B. Hinkli, i këshillon rregullisht anëtarët e kishës sonë ta bëjnë besimin e tyre pjesë të pandarë të jetës së përditshme”, tha ai.

Z. Tojama u familjarizua së pari me Kishën kur ishte i ftuar në Salt Lejk Siti në vitet ’70. Së fundmi, kjo marrëdhënie është rritur ndërkohë që priftërinj të tjerë të faltores kanë vizituar Salt Lejk Sitin dhe Universitetin Brigam Jang në Provo të Jutas. Më 2005, Kori i Universitetit Brigam Jang në Havai u bë i pari grup i krishterë që interpretonte tek Faltorja Meiji.

Mbledhja me Z. Tojama u mbajt në një dhomë të vogël të faltores, që rezervohet në përgjithësi për bisedime me krerët e shteteve dhe të dërguarit e tyre.

Perandori Meiji, emrin e të cilit mban faltorja, sundoi mbi Japoninë nga viti 1857 deri më 1912. Ai mbajti në ekuilibër një dëshirë të ruajtjes së kulturës unike japoneze dhe një shtytje për ta çuar vendin e tij drejt botës së industrializuar.

Pagëzimet e para në Japoni ndodhën më 1902. Sot në Japoni ka më tepër se 120.000 anëtarë të Kishës. Gjithashtu Kisha ka atje dy tempuj, një në Tokio dhe një në Fukuoka.