2007
Ata Lanë Gjurmët Mbi Shtegun që Duhet të Ndjekim
Tetor 2007


Mesazhi i Presidencisë së Parë

Ata Lanë Gjurmët Mbi Shtegun që Duhet të Ndjekim

Shumë vite më parë u mrekullova nga kopertina e njërës prej botimeve të Kishës në të cilën paraqitej një riprodhim i shkëlqyer i një pikture të Karl Bloshit. Skena të cilën artisti e përfytyroi në mendjen e tij dhe më pas—me ndihmën e Zotit—e hodhi në telajo, paraqiste Elizabetën, gruan e Zakarias, duke i uruar mirëseardhjen Marias, nënës së Jezusit. Të dyja do të lindnin bij—në një mënyrë të mrekullueshme.

Biri i cili u lind nga Elizabeta, u bë i njohur si Gjon Pagëzori. Ashtu si për Jezusin, birin e Maries, ashtu edhe për Gjonin—shumë pak është shkruar për vitet e tyre të rinisë. Një fjali e vetme na tregon gjithçka që dimë për jetën e Gjonit, nga lindja deri në shërbesën e tij publike: “Ndërkaq fëmija rritej dhe forcohej në frymë: dhe qëndroi në shkretëtirë deri në atë ditë, kur ai duhej t’i zbulohej Izraelit”1.

Mesazhi i Gjonit ishte i shkurtër. Ai predikoi besim, pendim, pagëzim nëpërmjet zhytjes dhe dhënien e Frymës së Shenjtë nga një autoritet më i madh sesa ai që zotëronte vetë. “Unë nuk jam Krishti”, u tha dishepujve të tij besnikë, “por jam dërguar përpara tij”2. “Unë ju pagëzoj me ujë; por vjen ai që është më i fortë nga unë…: ai do t’ju pagëzojë me Frymën e Shenjtë dhe me zjarr”3.

Më pas ndodhi pagëzimi i Krishtit nga Gjon Pagëzori. Më vonë Jezusi dëshmoi: “Ndër ata që janë lindur prej gruas nuk ka dalë kurrë ndonjë më i madh se Gjon Pagëzori”4.

Të gjithë ne kemi nevojë për shembuj—madje modele për të ndjekur. Gjon Pagëzori na jep një shembull të patëmetë të përulësisë së sinqertë, për shkak se ai gjithmonë iu nënshtrua Atij që do të vinte—Shpëtimtarit të njerëzimit.

Modele Besimi

Duke mësuar për të tjerë të cilët besuan tek Perëndia dhe ndoqën mësimet e Tij, ne dëgjojmë pëshpëritjen në shpirtin tonë: “Ndaluni dhe pranoni që jam Perëndi”5. Ndërsa me vendosmëri zbatuan urdhërimet e Tij, ata u bekuan. Kur ndjekim shembujt e tyre, ne gjithashtu do të bekohemi në mënyrë të ngjashme në kohën tonë. Secili bëhet një model për t’u ndjekur.

Të gjithëve na pëlqen rrëfimi i bukur në Bibël për Abrahamin dhe Isakun. Sa tej mase e vështirë duhet të ketë qenë për Abrahamin, në bindje ndaj urdhërimit të Zotit, të merrte birin e tij të dashur Isakun në vendin e moriahëve për ta sakrifikuar. A mund ta përfytyroni trishtimin e zemrës së tij ndërsa mblodhi drurët për zjarr dhe udhëtoi drejt vendit të caktuar? Me siguri dhimbja duhet ta ketë dërrmuar trupin e tij dhe torturuar mendjen e tij ndërsa “e lidhi Isakun … dhe e vendosi mbi altar sipër druve.

Pastaj Abrahami shtriu dorën dhe mori thikën për të vrarë të birin.” Sa e lavdishme ishte deklarata dhe me sa habi të mrekullueshme erdhi: “Mos e zgjat dorën kundër djalit dhe mos i bëj asnjë të keqe. Tani e di mirë që ti i trembesh Perëndisë, se nuk më ke refuzuar birin tënd, të vetmin bir që ke”6.

Abrahami cilësohet si model i një bindjeje pa mëdyshje.

Nëse ndokush nga ne mendon se sfidat tona qëndrojnë përmbi aftësinë për t’u bërë ballë, le të lexojmë për Jobin. Duke e bërë këtë, vjen mendimi: “Nëse Jobi mund t’i duronte dhe t’i mposhtte, kështu do të veproj edhe unë”.

Jobi ishte njeri “i ndershëm dhe i drejtë” i cili “kishte frikë nga Perëndia dhe i largohej së keqes”7. I drejtë si njeri dhe mjaft i pasur, Jobi duhet të përballej me një provë që mund të kishte shkatërruar çdo njeri. I privuar nga zotërimet e tij, i tallur nga miqtë, i munduar nga vuajtjet, i dërrmuar nga humbja e familjes, ai u nxit të “[mallkonte] Perëndinë dhe [të vdiste]”8. Ai i bëri ballë këtij tundimi dhe shpalli nga thellësia e shpirtit të tij fisnik: “Ja, dëshmitari im është në qiell, garanti im është lart”9. “Unë e di që Shpëtimtari im jeton”10.

Jobi u bë një model i durimit të pakufishëm. Edhe sot i krahasojmë me durimin e Jobit ata që janë të shumëvuajtur. Ai na jep një shembull të cilin duhet ta ndjekim.

Të Bindesh dhe të Jetosh

“Një njeri i drejtë dhe i patëmetë midis bashkëkohësve të tij”, dikush që “eci me Perëndinë”11, ishte profeti Noe. I shuguruar në priftëri në një moshë të re, “ai u bë një predikues i drejtësisë dhe shpalli ungjillin e Jezu Krishtit, … duke mësuar besim, pendim, pagëzim dhe marrjen e Frymës së Shenjtë”12. Ai paralajmëroi se mosvënia e veshit ndaj mesazhit të tij, do të sillte përmbytje mbi ata që e dëgjuan zërin e tij, megjithatë ata nuk i dëgjuan fjalët e tij.

Noeu i vuri veshin urdhërimit të Perëndisë për të ndërtuar një arkë, në mënyrë që ai dhe familja e tij t’i shpëtonin shkatërrimit. Ai ndoqi udhëzimin e Perëndisë për të mbledhur në arkë dy ose më shumë nga çdo krijesë e gjallë, në mënyrë që edhe ata të shpëtoheshin nga përmbytja.

Presidenti Spenser W. Kimball (1895-1985) na mësoi në konferencën e përgjithshme të më shumë se një çerek shekulli më parë: “Deri në atë kohë nuk kishte të dhëna për shi ose përmbytje… . Paralajmërimi i [Noeut] u konsiderua i paarsyeshëm… . Sa marrëzi të ndërtoje një arkë në tokë të thatë me diellin që shndriste dhe jetën që shkonte përpara si zakonisht! Por koha mbaroi… . Përmbytjet erdhën. Të pabindurit … u mbytën. Mrekullia e arkës ndoqi pas besimin që u tregua në ndërtimin e saj”13.

Noeu pati besimin e palëkundur për t’iu bindur urdhërimeve të Perëndisë. Bëfshim edhe ne gjithmonë të njëjtën gjë. Kujtofshim se urtësia e Perëndisë shpesh duket si marrëzi për njerëzit; por mësimi më i madh që mund të mësojmë në vdekshmëri është se, kur Perëndia flet dhe ne bindemi, do të jemi gjithnjë në rregull.

Një model ideal i natyrës femërore është Ruthi. Duke ndier zemrën e lënduar të vjehrrës së saj, Naomit—e cila vuajti humbjen e secilit nga dy bijtë e saj të shkëlqyer—duke ndier ndoshta dhimbjet e dëshpërimit dhe të vetmisë që në mënyrë të vazhdueshme pllakosnin shpirtin e Naomit, Ruthi shprehu atë që është bërë thënia klasike e besnikërisë: “Mos ngul këmbë me mua që unë të të braktis dhe të mos të të ndjek më, sepse kudo që të shkosh ti do të shkoj edhe unë, dhe kudo që të rrish ti do të rri edhe unë; populli yt do të jetë populli im, Perëndia yt do të jetë edhe Perëndia im”14. Veprimet e Ruthit treguan sinqeritetin e fjalëve të saj.

Nëpërmjet besnikërisë së palëkundur të Ruthit ndaj Naomit, ajo u martua me Boazin, nëpërmjet të cilit ajo—e huaja dhe moabitja e kthyer në besim—u bë një paraardhëse e Davidit dhe, si rrjedhim, një paraardhëse e Shpëtimtarit tonë Jezu Krishtit.

Modele Bindjeje

Tani kthehem tek një profet i madh i Librit të Mormonit—madje tek Nefi, bir i Lehit dhe Sarias. Ai ishte besnik dhe i bindur ndaj Perëndisë, trim dhe guximtar. Kur iu dha detyra e vështirë për të marrë fletët e tunxhit nga Labani, ai nuk mërmëriti, por deklaroi: “Unë do të shkoj dhe do të bëj gjërat që Zoti ka urdhëruar, pasi e di se Zoti nuk u jep urdhërime fëmijëve të njerëzve pa përgatitur një udhë për ta, që ata të mund të plotësojnë gjënë, që ai i urdhëron”15. Ndoshta kjo vepër e guximshme frymëzoi një varg këshille për ne, i cili gjendet tek himni “The Iron Rod” [Shufra e Hekurit]:

Nefit, shikuesit të lashtësisë,

Një vegim i erdhi nga Perëndia… .

Mbahu pas shufrës, shufrës së hekurit;

Ësht’ e fort’, e ndritshme dhe e vërtetë.

Shufra e hekurit është fjala e Perëndisë;

Me siguri përpara do t’na çojë16.

Nefi mishëroi vendosmëri të patundur.

Asnjë përshkrim modelesh të cilat duhet të ndjekim nuk do të ishte i plotë pa përfshirë Jozef Smithin, profetin e parë të kësaj periudhe ungjillore. Kur ishte vetëm 14 vjeç, ky i ri guximtar hyri në një korije pemësh, e cila më vonë do të quhej e shenjtë, dhe mori një përgjigje ndaj lutjes së tij të sinqertë.

Jozefin e ndoqën persekutimet e vazhdueshme ndërsa ai u tregoi të tjerëve ndodhinë e vegimit të lavdishëm që mori në atë korije. Megjithëse u tall dhe përbuz, ai qëndroi i vendosur. Ai tha: “Unë kisha parë një vegim; unë e dija atë dhe e dija se Perëndia e dinte atë dhe nuk mund ta mohoja, as nuk guxoja ta bëja atë”17.

Hap pas hapi, duke u përballur me kundërshtim thuajse në çdo moment dhe, megjithatë, gjithmonë i udhëhequr nga dora e Zotit, Jozefi organizoi Kishën e Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme. Ai tregoi guxim në gjithçka që bëri.

Ndaj fundit të jetës së tij, ndërsa e çuan me vëllain e tij, Hajrëm, në burgun Kartixh, ai me guxim i bëri ballë asaj që pa dyshim e dinte se e priste dhe e vulosi dëshminë e tij me gjakun e tij.

Ndërsa përballemi me provat e jetës, le të pasqyrojmë gjithmonë kurajon e madhe të mishëruar nga Profeti Jozef Smith.

Një Model Optimizmi

Përpara nesh qëndron sot një profet tjetër i Perëndisë—madje Presidenti ynë i dashur Gordon B. Hinkli. Ai ka kryesuar mbi zgjerimin më të madh që ka patur Kisha—si numerikisht ashtu edhe gjeografikisht—në historinë tonë. Ai ka kaluar kufij të cilët nuk janë shkelur më parë nga ndonjë President i Kishës dhe është takuar me udhëheqës qeverish dhe me anëtarë në të gjithë botën. Dashuria e tij për njerëzit i tejkalon pengesat e gjuhës dhe kulturës.

Me vegim profetik ai ka themeluar Fondin e Qarkullueshëm Arsimor, i cili ndërpret ciklin e varfërisë për anëtarët tanë në shumë vende të botës dhe siguron aftësi dhe trajnim, të cilët i kualifikojnë të rinjtë dhe të rejat tona për punë fitimprurëse. Ky plan i frymëzuar ka ndezur dritën e shpresës në sytë e atyre që ndiheshin të mallkuar në një jetë mediokriteti, por të cilët tani kanë një mundësi për një të ardhme më të ndritur.

Presidenti Hinkli ka punuar pa pushim për të sjellë bekimet e shenjta tek anëtarët e Kishës në mbarë botën duke siguruar tempuj ku të gjithë mund të arrijnë të shkojnë. Ai ka kapacitetin për t’i frymëzuar njerëzit që vijnë nga çdo fushë e jetës të jetojnë standarde më të larta, pavarësisht besimit të cilit i përkasin. Ai është një model optimizmi të pareshtur dhe ne e nderojmë atë si profetin, shikuesin dhe zbuluesin tonë.

Cilësitë unike që zotërohen nga këta burra dhe gra të cilët kam përmendur, mund të shërbejnë si ndihmë e paçmuar për ne ndërsa përballemi me problemet dhe sprovat që shtrihen para nesh. Më lejoni ta ilustroj këtë duke treguar përvojën e familjes Polard, nga Oaklandi, Kaliforni.

Besimi i një Familjeje

Disa vite më parë, ndërsa Elder Taavili Jozef Samuel Polard po udhëtonte për në zyrën e misionit në ditën e fundit të misionit të tij në Zimbabve, makina e misionit të cilën ai po ngiste, papritur doli jashtë kontrollit dhe goditi një pemë. Një kalimtar mundi të shpëtonte shokun e Elder Polard, por Elder Polard, i cili ishte pa ndjenja, ngeci në makinë, e cila shpërtheu në flakë. Elder Polard vdiq. Nëna e tij kishte vdekur tetë vite më parë; kështu që babai i tij po kujdesej i vetëm për familjen. Njëri nga vëllezërit po shërbente në Misionin e Ishujve të Karaibeve.

Kur lajmi i vdekjes së Elder Polard i erdhi të atit, këtij burri të përulur—i cili tashmë kishte humbur gruan e tij—ai i telefonoi të birit që po shërbente në Ishujt Karaibe për ta lajmëruar në lidhje me vdekjen e të vëllait. Gjatë asaj bisede të largët telefonike, Vëllai Polard dhe i biri, pa dyshim të brengosur dhe të pikëlluar, kënduan së bashku “Fëmi i Per’ndis’ Jam”18. Para se ta përfundonte telefonatën, i ati ofroi një lutje ndaj Atit Qiellor, duke e falënderuar për bekimet e Tij dhe duke kërkuar ndihmën e Tij hyjnore.

Vëllai Polard më vonë tha se e dinte që familja e tij do të ishte mirë, sepse ata kanë dëshmi të forta për ungjillin dhe planin e shpëtimit.

Vëllezërit dhe motrat e mia, në këtë periudhë të mrekullueshme ungjillore të plotësisë së kohërave, ndërsa udhëtojmë përgjatë vdekshmërisë dhe përballemi me sprovat dhe sfidat e së ardhmes, i kujtofshim shembujt e këtyre modeleve që duhet të ndjekim. Paçim përulësinë e sinqertë të Gjon Pagëzorit, bindjen pa mëdyshje të Abrahamit, durimin e pakufishëm të Jobit, besimin e palëkundur të Noeut, kurajon e madhe të Profetit Jozef Smith dhe optimizmin e pareshtur të Presidentit Hinkli. Ato do të jenë si një fortesë e fuqishme për ne gjatë gjithë jetës sonë.

Shembulli i Madh

U udhëheqshim gjithmonë nga Shembulli më i lartë, madje biri i Maries, Shpëtimtari Jezu Krisht—jeta e të cilit na dha një model të përkryer për ta ndjekur.

I lindur në një grazhd, i mbështjellë në një koritë, Ai erdhi nga qielli për të jetuar në tokë si një njeri i vdekshëm dhe për të themeluar mbretërinë e Perëndisë. Gjatë shërbesës së Tij tokësore, Ai u mësoi njerëzve ligjin më të lartë. Ungjilli i Tij i lavdishëm reformoi mënyrën e të menduarit të botës. Ai bekoi të sëmurët; bëri që ulokët të ecnin, të verbërit të shihnin dhe të shurdhët të dëgjonin. Ai madje i ktheu të vdekurit në jetë.

Cili ishte reagimi ndaj mesazhit të Tij të mëshirës, fjalëve të Tij të urtësisë dhe mësimeve të Tij për jetën? Vetëm shumë pak vetë e vlerësuan Atë. Ata lanë këmbët e Tij. Ata mësuan fjalën e Tij. Ata ndoqën shembullin e Tij.

Por pati edhe nga ata që e mohuan Atë. Kur u pyetën nga Pilati: “Ç’të bëj, pra, me Jezusin, që quhet Krisht?”19 ata britën: “Kryqëzoje!”20. Ata e tallën Atë. I dhanë uthull për të pirë. E fyen Atë. E goditën me një kallam. E pështynë Atë. E kryqëzuan.

Përgjatë gjithë brezave mesazhi i Jezusit ka qenë i njëjti. Pjetrit dhe Andreas përgjatë brigjeve të Detit të bukur të Galilesë, Ai u tha: “Ndiqmëni”21. Filipit të lashtë i erdhi thirrja: “Ndiqmë”22. Levitit që rrinte në vendin e tatimeve i erdhi udhëzimi: “Ndiqmë”23. Dhe juve e mua, nëse vetëm dëgjojmë, do të na vijë e njëjta thirrje: “Ndiqmëni”. Bëfshim kështu dhe korrshim shpërblimet e përjetshme të ruajtura për ata që ndjekin shtegun që Ai shënoi nëpërmjet jetës së Tij shembullore.

Ide për mësuesit e shtëpisë

Pasi ta studioni mesazhin me lutje, jepeni atë duke përdorur një metodë që nxit pjesëmarrjen e atyre që po ua mësoni. Më poshtë jepen disa shembuj:

  1. Kërkojini pjesëtarëve të familjes të përpiqen të vizatojnë diçka të panjohur (për shembull, një hartë të një vendi të largët apo një lule të rrallë). Më pas jepuni një fotografi të objektit dhe kërkojuni ta vizatojnë përsëri. Si ju ndihmojnë modelet? Përmendni thëniet e Presidentit Monson mbi përdorimin e profetëve si modele në jetën tonë. Tregoni një përvojë personale që tregon se si ju ka ndihmuar shembulli i një profeti.

  2. Pyesni: “Cilët ndjekin njerëzit sot në botë? Çfarë cilësish zotërojnë këta burra dhe gra?” Krahasoni shembujt e drejtë të përmendur në artikull me shembujt e botës. Ftojeni familjen të zgjedhë dhe të vërë në jetë një tipar shpirtëror të mishëruar nga këta burra dhe gra të drejta.

  3. Nëse në shtëpi ka fëmijë të vegjël, kërkojuni të imitojnë veprimet tuaja. Përplasni duart, tundni kokën etj. Diskutoni mbi kuptimin e ndjekjes së shembullit të dikujt tjetër. U kërkoni anëtarëve të familjes të mendojnë për shembuj të drejtë dhe përdoreni artikullin për të plotësuar përgjigjet e tyre. Përfundoni me dëshminë e Presidentit Monson për Jezu Krishtin si shembulli më i madh për t’u ndjekur.

Shënime

  1. Lluka 1:80.

  2. Gjoni 3:28.

  3. Lluka 3:16.

  4. Mateu 11:11.

  5. Psalmeve 46:10.

  6. Zanafilla 22:9-10, 12.

  7. Jobi 1:1.

  8. Jobi 2:9.

  9. Jobi 16:19.

  10. Jobi 19:25.

  11. Zanafilla 6:9.

  12. Bible Dictionary, “Noah,” 738-39.

  13. Në Conference Report, tetor 1952, 48.

  14. Ruthi 1:16.

  15. 1 Nefi 3:7.

  16. Joseph L. Townsend (1849-1942), Hymns, nr. 274.

  17. Joseph Smith—Historia 1:25.

  18. Naomi W. Randall (1908-2001), Hymns, nr. 301.

  19. Mateu 27:22.

  20. Marku 15:13.

  21. Mateu 4:19.

  22. Gjoni 1:43.

  23. Lluka 5:27.