Një Lutje me Mësuesin Tim të Shtëpisë
Zihem ngushtë ta pranoj, por kishte një kohë kur mendoja se mësuesit e shtëpisë ishin më shumë telash sesa bekim. Në të tilla raste gjeja mënyra që të mungoja në vizitat e tyre, me qëllim që të mbaroja punën time.
Kjo ishte arsyeja pse isha veçanërisht e mërzitur kur Linkolni u bë mësuesi ynë i shtëpisë. Ai nuk e humbte asnjëherë vizitën. Gjithmonë kishte të përgatitur një mësim dhe i çonte deri në fund detyrat e tij si mësues shtëpie. I vlerësoja përpjekjet e tij, por jo aq sa t’u jepja atij dhe shokut të tij të gjithë vëmendjen kur ata vinin për vizitën e tyre të muajit. Linkolni gjithnjë ishte i përzemërt; unë isha gjithnjë pak e vrazhdë.
Një vit, gjatë pranverës së hershme, isha jashtë duke punuar në kopsht. Dita ishte e kthjellët dhe e ngrohtë. Zakonisht kopshtaria më duket kuruese, por këtë ditë isha e shqetësuar. Bashkëshorti im sapo kishte kaluar një operacion dobësues në shpinë dhe ne si familje përballeshim me disa vendime të vështira.
Nga nevoja për përgjigje, u gjenda e ulur në gjunjë në kopsht. Më rrodhën lotë ndërsa lutesha me zjarr për udhëheqje nga Zoti. Ah sikur të ndieja vetëm pak paqe! Sikur të kisha vetëm pak siguri se e ardhmja jonë nuk do të ishte aq e zymtë sa dukej në atë çast. U luta me zell, disa herë duke folur me zë, duke i lypur shpresë Zotit, por mbi të gjitha për paqe.
Kur u ktheva në shtëpi mbasi iu luta Zotit, ndihesha e këputur. U gëzova që askush nuk ishte në shtëpi, që kështu të mund të mblidhja veten. Por, sapo kisha hequr këpucët e punës, ra zilja e derës. As që më shkonte mendja se mund të ishte Linkolni, por, kur hapa derën, ai ndodhej aty bashkë me të shoqen, por pa mësim të përgatitur.
Për të parën herë, vërtet u ndjeva e gëzuar që e pashë atë. I ftova brenda. Folëm ca, dhe Linkolni më pyeti për punën e bashkëshortit tim, për pesë vajzat tona dhe çështje të tjera familjare. Nuk qëndruan gjatë, por, ndërsa u ngritën të shkonin, Linkolni pyeti nëse mund të linte një bekim për familjen tonë. Isha mirënjohëse, duke pyetur veten si e dinte që një lutje do të ishte aq e mirëpritur. U ulëm në gjunjë dhe, ndërsa dëgjoja fjalët e tij të ngushëllimit, ai kërkoi në veçanti një bekim për paqe në shtëpinë tonë.
Gjatë atij çasti ndjeva që një valë qetësimi mbushi qenien time. E dija atëherë se situata ishte në duart e Zotit dhe se çdo gjë do të zgjidhej.
Lutjet e mia morën përgjigje me qartësi dhe siguri nëpërmjet Linkolnit, mësuesit besnik të shtëpisë sonë. Duke nderuar detyrën e kujdestarisë së tij dhe duke ndjekur nxitjet e Frymës së Shenjtë, ai më la një dëshmi të thirrjes së tij të shenjtë.