2007
Plaku Hejfën Flet në Kongresin e Familjes
Tetor 2007


Plaku Hejfën Flet në Kongresin e Familjes

Plaku Brus C. Hejfën nga Kuorumi i të Shtatëdhjetëve u foli delegatëve nga gjithë bota për rëndësinë e rivendosjes së kuptimit të martesës tradicionale. Komentet e tij u dhanë në Kongresin IV Botëror për Familjet, të mbajtur në Varshavë të Polonisë, nga 11–13 maj 2007.

Gjatë historisë së botës ka patur një “histori dashurie universale” ku një djalë dhe një vajzë takohen, bien në dashuri dhe pastaj martohen, tha Plaku Hejfën. Lidhja martesore nuk ndikon vetëm mbi çiftin më vete, por shoqëria si një e tërë ka interes të madh në suksesin e asaj lidhjeje.

“Ja përse të ftuarit dhe miqtë përherë i kanë festuar martesat si ngjarje të përbashkëta”, tha Plaku Hejfën. “Martesa ka qenë përherë nyja kritike në pëlhurën që e mban shoqërinë së bashku. Çdo martesë i ndikon ata në formën e rrathëve bashkëqendrore që përhapen së jashtmi duke filluar nga çifti, nëpërmjet fëmijëve të tyre deri më gjerë në komunitet. …

Komuniteti i ndjek martesat jo që të fusë hundët në çështje private, por për shkak të interesimit të tij shumë të madh për rezultatin dhe pasardhësit e secilës martesë. Të martohesh, do të thotë që dikush bën një zotim publik se pranon përgjegjësinë vetjake për fëmijët e vet dhe për ndikimin e tyre në atë lloj komuniteti që ne krijojmë me kalimin e kohës”, shpjegoi ai.

Këto shpresa shoqërore dhe vetjake e bëjnë martesën mjetin parësor për transmetimin e vlerave nga një brez tek një tjetër, tha ai. Megjithatë, ky burim vendimtar për qëndrueshmërinë afatgjatë të shoqërisë po venitet.

Më shumë se 80 përqind e evropianëve dhe 46 përqind e amerikanëve janë dakord se është e pranueshme që një çift të jetojë së bashku pa patur qëllim të martohet, tha Plaku Hejfën. Vetëm në Skandinavi rreth 82 përqind e fëmijëve të parëlindur lindin jashtë lidhjes martesore – pavarësisht kërkimeve të bollshme që tregojnë rreziqe psikologjike dhe të tjera, me të cilat përballen fëmijët me prindër bashkëjetues. Ka pasoja shoqërore serioze me këto lloje prirjesh të reja.

Veç kësaj, ritmi i divorcit që nga viti 1960 në Shtetet e Bashkuara – tani vendi më i prirur për divorce në botë – është më shumë se dyfishuar, gjë që do të thotë se gjysma e martesave të sotme do të përfundojë në ndarje. Numri do të ishte madje edhe më i lartë, nëse përfshinte ndarjet e çifteve që bashkëjetojnë, numri i të cilëve është rritur me 760 përqind në Shtetet e Bashkuara që nga viti 1960.

“Ne mund të shohim forcën e një revolucioni antimartesor në ato statistika që tregojnë rritje deri në qiell të lindjeve jashtë martese, të bashkëjetesës dhe të divorceve”, tha Plaku Hejfën. “Në 40 vitet e kaluara shumë njerëz … kanë pushuar së besuari që martesa është një institucion publik e shoqëror afatgjatë. … Shoqëria bashkëkohore ka ‘humbur linjën e subjektit’ të historisë së dashurisë universale.”

Dobësimi i martesës tradicionale filloi gjatë lëvizjes të së drejtave civile në vitet ’60. Nevojiteshin ndryshime në dallimin racial dhe gjinor të Amerikës, tha Plaku Hejfën. Megjithatë, disa ekstremistë shkuan shumë më tej dhe sfiduan ligje dhe zakone që përkrahnin marrëdhëniet familjare. Ndërsa vrulli i lëvizjes së “emancipimit” rritej, gjykatësit lejuan që kërkesat për lirinë e të rriturve të zëvendësonin interesat më të mira të fëmijëve.

“Njëherë pashë një djalë të vogël që qëndronte fare i vetmuar, që dukej i humbur dhe i frikësuar”, tha Plaku Hejfën. “Kishte veshur një bluzë me mëngë të shkurtra që mbante sloganin ‘Lërmëni të qetë’. Ai … ilustronte atë ironi të lejimit të të rriturve të papërgjegjshëm për t’i braktisur fëmijët në ‘të drejtën e tyre për t’u lënë të qetë’ në emër të çlirimit të të gjithë robërve të një shoqërie [që ata thonë se] shtypet nëpërmjet lidhjeve të familjes.”

Kërkimet gjithashtu tregojnë se mungesa e prindërve të martuar është emëruesi i përbashkët i një rinie shumë të trazuar dhe, në krahasim me çiftet e martuara, çiftet e bashkëjetesës kanë më tepër gjasa të përjetojnë depresionin, problemet e alkoolit dhe drogës, pabesinë, të ardhura më të ulëta dhe palumturinë, si dhe dy ose tre herë më tepër dhunë fizike, shpjegoi Plaku Hejfën.

Plaku Hejfën gjithashtu foli për problemin serioz të martesës brenda gjinisë. Pesëmbëdhjetë vjet më parë asnjë vend i botës nuk e merrte aq seriozisht martesën brenda gjinisë, sa ç’merret ajo sot. Opinionet gjyqësore po mbështesin martesën brenda gjinisë bazuar mbi nocionet e lirisë dhe fshehtësisë personale, jo mbi vlerën shoqërore të martesës, tha ai.

“Debati mbi martesën homoseksuale, në këtë mënyrë ngre sheshit një pyetje: a duhet që martesa të nënshkruajë thjesht një zgjedhje vetjake të të rriturit apo ajo është një organizëm me qëllimin publik të çuarjes përpara të interesave të fëmijëve dhe të shoqërisë, ashtu edhe të interesave të çiftit?” tha Plaku Hejfën.

Plaku Hejfën e përfundoi duke përmbledhur katër “të mira” shoqërore kryesore që siguron martesa tradicionale: së pari, nevojat dhe të drejtat e fëmijëve përmbushen më me sukses; së dyti, virtytet shoqërore i mësohen dhe i përcillen brezit të mëpasshëm; së treti, prindërit vendosin se ç’vlera duhet të mësojnë fëmijët e tyre; dhe, së katërti, bëhen të mundura shpresat më të qëndrueshme që priten në marrëdhëniet personale.

“Gatishmëria ime të martohem, ashtu si dhe gatishmëria ime të kem një fëmijë, i tregon familjes sime dhe shoqërisë se unë zotohem në këtë marrëdhënie për të gjithë kohën e saj”, tha Plaku Hejfën. “Atëherë gruaja dhe fëmijët e mi mund të zotohen gjithashtu, pa pyetur brenda vetes a do t’ia vlejë përpjekja e tyre për të sakrifikuar.”