2007
Njoftohet Paraprakisht Ndërtimi i një Tempulli në Manaus, Brazil
Tetor 2007


Njoftohet Paraprakisht Ndërtimi i një Tempulli në Manaus, Brazil

Presidencia e Parë njoftoi planet për ngritjen e një tempulli në Manaus të Brazilit, me anë të një letre drejtuar udhëheqësve brazilianë të priftërisë, më 23 maj 2007.

“I përgëzojmë shenjtorët për devotshmërinë dhe besnikërinë e tyre dhe jemi mirënjohës për bekimet që do t’u vijnë nëpërmjet ndërtimit të këtij tempulli të ri”, thoshte në letër Presidencia e Parë.

Kur të përfundojë, Tempulli i Manausit në Brazil do të jetë tempulli i gjashtë në vend. Kunjet që do të përfshihen në rajonin e tempullit, do të bëhen të ditura në një datë të mëvonshme.

Me tempujt e ndërtuar afër kufirit jugor dhe lindor të Brazilit, anëtarëve që jetojnë në zonat qendrore dhe veriore të tij, u duhet të udhëtojnë më shumë se 1600 kilometra për të frekuentuar tempullin më të afërt.

“Jemi të bindur se kjo do të jetë një bekim për shumë shenjtorë besnikë në këtë zonë dhe në ato përreth, të cilëve u është dashur të udhëtojnë largësi të mëdha për të gëzuar bekimet e tempullit”, tha Presidencia e Parë.

Tashmë në botë ka 124 tempuj në veprim, 6 në ndërtim e sipër dhe 6 të njoftuar paraprakisht, ku përfshihet tempulli i Manausit.

Tempulli i parë latino-amerikan u ndërtua në Sao Paolo të Brazilit më 1978, kur anëtarësia në vend arrinte shumën e vetëm 54.000 anëtarëve. Presidenti Spenser W. Kimball (1895–1985) kryesoi ceremoninë e vendosjes së gurit të qoshes. Presidenti Gordon B. Hinkli e ripërkushtoi tempullin e Sao Paolos në vitin 2004 pas rinovimit të tij.

Në fund të 2005-s kishte 928.926 anëtarë në Brazil, i cili është shtëpia e tre tempujve të tjerë në qytetet Resife, Porto Alegre dhe Kampinas. Tempulli i Kuritibas, Brazil, ndërtimi i të cilit filloi më 2005, pritet të përfundojë vitin që vjen.

Në një vizitë para pak kohe në Kuritiba, Plaku Rasëll M. Nelson nga Kuorumi i Dymbëdhjetë Apostujve, u premtoi anëtarëve: “Nëse ju përgatiteni të shkoni në tempull dhe të kryeni ordinancat për vete dhe për të parët tuaj, ju do të formoni për këtë punë një dëshmi së cilës nuk do t’ia arrinit në mënyrë tjetër”. Ai tha gjithashtu: “Mbase është më lehtë të ngresh një tempull, sesa të përgatisësh njerëzit për një tempull”.