2007
Majkëlli i Munguar
Tetor 2007


Majkëlli i Munguar

“Ai që do Perëndinë, të dojë edhe vëllanë e vet” (1 Gjoni 4:21).

Bazuar mbi një histori të vërtetë

Ja ku duket maja e kishës!” thirri Natalia. Asaj i pëlqente shumë të shkonte në kishë. E diela ishte dita e saj e preferuar e javës, përveç diçkaje—ajo ishte e trishtuar që vëllai i saj, Majkëll, vendoste të mos shkonte në kishë me pjesën tjetër të familjes.

Ndërsa Natalia qëndronte qetësisht ulur në mbledhjen e sakramentit, ajo mendoi për Majkëllin. Kur ai vinte në kishë, Natalisë i pëlqente të ulej pranë tij ndërsa ajo shihte librat me piktura të Jezusit. Pas mbledhjes së sakramentit, Majkëlli e merrte për dore dhe e çonte në Fillore. “Shihemi më vonë, motërz”, thoshte gjithmonë ai. Por Majkëlli nuk kishte ardhur në kishë për një kohë të gjatë.

Natalia dëshironte të mund ta lidhte atë me litarin e saj të kërcimit dhe ta tërhiqte në kishë me vagonin e saj të vogël të kuq, por e dinte se atij nuk do t’i pëlqente kjo. E çfarë tjetër mund të bënte ajo?

Në klasën e Fillores, Motra Çang e përshëndeti plot gaz klasën e saj. “Jam shumë e lumtur që jeni të gjithë këtu sot”, tha ajo. “Më bën të lumtur kur shoh fytyrat tuaja të buzëqeshura. Por kush mungon?”

Natalia shikoi rrotull nëpër dhomë. Ajo ngriti dorën. “Xhedi”, thirri ajo. “Xhedi nuk është këtu sot.”

“Ke të drejtë”, tha Motra Çang. “Xhedi nuk ishte këtu as javën e kaluar.”

“Ndoshta është i sëmurë”, sugjeroi Liza.

“Ndoshta është në ndonjë udhëtim”, tha Bojdi.

“Ndoshta ai thjesht nuk donte të vinte”, tha qetësisht Natalia.

“Duhet t’i tregojmë atij se e duam dhe na merr malli kur ai mungon”, tha Motra Çang.

“Si mund ta bëjmë këtë?” pyeti Natalia.

“Do t’i themi atij”, tha Motra Çang. “Gjërat e vogla shpesh mund të shkaktojnë një ndryshim të madh. Unë përgatita një kartolinë, që ju ta firmosni, dhe secili nga ju mund të bëjë një vizatim të veçantë për Xhedin.”

Natalia vendosi të vizatonte një mal dhe disa pemë, sepse e dinte se Xhedit i pëlqente natyra. Dhe më pas Natalia e pyeti mësuesen e saj nëse ajo mund të bënte një vizatim tjetër që ta merrte në shtëpi.

Kur Natalia u kthye në shtëpi nga kisha, ajo e gjeti Majkëllin në dhomën e tij duke dëgjuar muzikë. “Çkemi motërz”, e përshëndeti ai. “Si po ja kalon?”

Natalia i dha një copë letër të palosur. “Të bëra një kartolinë.”

“Për mua?” buzëqeshi Majkëlli. “Pse? Nuk kam as ditëlindjen.”

“Motra Çang më ndihmoi të shkruaja brenda në të. Aty thotë: ‘Më merr malli për ty kur nuk vjen në kishë me ne. Të dua.’ Dhe e firmosa.”

“Falemnderit”, tha me zë të ëmbël Majkëlli. “Është një kartolinë e bukur. Të lumtë.”

“Të lutem!” Natalia i dha vëllait të saj një përqafim dhe nxitoi për të ndihmuar mamin në përgatitjen e darkës. Ndjeu lumturi përbrenda. Ajo e donte shumë të vëllain dhe tani ai gjithashtu e dinte atë.

Të dielën tjetër, Natalia ishte shumë e lumtur kur Majkëlli vendosi të shkonte në kishë. Ajo e kapi atë për dore ndërsa hynë në kishë. Ajo u ul qetësisht pranë tij gjatë shërbesës. Natalia pa Xhedin të ulur dy rreshta përpara dhe e përshëndeti.

Natalisë i pëlqente shumë të shkonte në kishë, veçanërisht kur të gjithë miqtë dhe familja e saj ishin aty. Ajo vendosi që nga ajo ditë, se, nëse e kishte marrë malli për dikë, t’ia thonte këtë gjë, sepse ndonjëherë gjërat e vogla mund të shkaktojnë një ndryshim të madh.

“Është përgjegjësia jonë … të kujdesemi që secili nga ata që është pagëzuar, të inkurajohet dhe të ndiejë ngrohtësinë e mrekullueshme të këtij ungjilli të Zotit tonë.”

President Gordon B. Hinkli, “Find the Lambs, Feed the Sheep,” Liahona, korrik 1999, fq.124.