Historiani i Kishës Diskuton mbi Rolin e Historisë në Misionin e Kishës
Qëllimet themelore të Family and Church History Department (Departamenti i Historisë së Familjes dhe të Kishës), tha Plaku Marlin K. Xhensen, nga të Shtatëdhjetët, janë “që të ndihmojnë fëmijët e Perëndisë të bëjnë e të mbajnë besëlidhje të shenjta”, një detyrë e kërkuar nga shkrimi i shenjtë, e cila iu dha Profetit Jozef Smith në ditët e hershme të Kishës.
Duke folur në konferencën e përvitshme të Mormon History Association (Shoqata e Historisë së Mormonëve) më 26 maj 2007, Plaku Xhensen, i emëruar në prill 2005 si historian dhe protokollues i Kishës, tregoi me detaje zhvillimin e departamentit historik dhe kontributet e shumë udhëheqësve të cilët e morën seriozisht urdhërimin që u dha nga Zoti në ditën e organizimit të Kishës, për të mbajtur një dokumentim për Kishën.
“Nuk flas si historian profesionist, por si historian i ‘Kishës’, si njëri që vjen në radhën e gjatë të zyrtarëve të përgjithshëm të Kishës të thirrur për një periudhë kohe të papërcaktuar, që të përmbushë një thirrje që u vendos me një zbulesë drejtuar Profetit Jozef Smith”, tha ai.
Arritjet e mëparshme të departamentit, vazhdoi ai, u përqendruan kryesisht përreth grumbullimit, ruajtjes dhe, në një masë më të vogël, botimit të dokumenteve që përmbajnë histori të Kishës të cilat tërheqin vëmendjen.
“Cili është qëllimi themelor i historisë së Kishës?” pyeti ai. “Kisha është bërë një organizatë e madhe ndërkombëtare, qendra shpirtërore e përhapjes të së cilës po zhvendoset gjithnjë e më shumë drejt hemisferës jugore. Këta dhe të tjerë faktorë na kanë bindur se ne nuk mund të vazhdojmë të bëjmë punën tonë historike si zakonisht.”
Pas shqyrtimit me lutje gjatë disa viteve të kaluara, lidhur me planifikimin e drejtimit të ardhshëm të departamentit, tha Plaku Xhensen, “ne mendojmë se historia ka kontribuar në misionin e përgjithshëm të Kishës, … në shpëtimin e njerëzimit”.
Plaku Xhensen vërejti që një mandat i tillë e dallon Departamentin e Historisë së Familjes dhe të Kishës nga profesionistët e tjerë dhe amatorët e historisë.
“Kjo është një ambicie fisnike dhe e lartë, një gjë që nuk arrihet lehtë, dhe ndoshta jo gjithnjë e vlerësuar plotësisht nga kolegët tanë profesionistë”, tha ai.
Për të përmbushur këtë mandat, shtoi ai, Departamenti i Historisë së Familjes dhe të Kishës përqendrohet në tre kritere: të sigurojë kujtesën e gjërave të mëdha të Perëndisë, të ndihmojë për ruajtjen e organizimit të zbuluar të mbretërisë dhe të dëshmojë e të mbrojë vërtetësinë e Rivendosjes.
Ky qëllim “përkufizon punën tonë dhe spektatorin tonë”, duke krijuar “një sferë pune më të madhe sesa mund të përmbushim ne në vetvete – kështu del nevoja e bashkëpunimit”, tha Plaku Xhensen. Kjo “na shpërngul neve nga të qenit thjesht koleksionues pasivë, drejt një organizate aktive që do të vendosë përparësi në grumbullim, në përhapje, në kërkime e në të shkruar”.
Ndërtimi i një departamenti që t’i shërbejë një Kishe mbarëbotërore, kërkon një ndryshim në të menduar i cili nuk është fare pa dhimbje, tha ai. Një zhvillim e tillë do të kërkojë ndryshime organizative që vënë theksin mbi shërbimin ndaj anëtarësisë së përgjithshme të Kishës si edhe të udhëheqësve. Të gjitha këto ndryshime duhet të shfrytëzojnë gjithë përparësinë e teknologjisë.
Një tjetër hap domethënës drejt zhvillimit të departamentit historik është ngritja e një ndërtese 23.000 m2 që do të njihet si Biblioteka e Historisë së Kishës.
“Hapja e themelit ka filluar në tetorin e kaluar dhe ndërtimi po vazhdon i programuar për një dedikim të saj nga mesi i 2009-s. Biblioteka do të strehojë koleksionet tona të paçmuara dhe është projektuar që të jetë e hapur, tërheqëse dhe mjaft funksionale”, tha Plaku Xhensen.
Marrë me përshtatje nga Church News, 2 qershor 2007.