2007
Transportimi për në Kishë
Tetor 2007


Transportimi për në Kishë

Kur isha shtatë vjeç, nëna dhe babai im zunë miqësi me një familje pak aktive në lagjen tonë, e cila përbëhej nga një nënë e vetme dhe dy djemtë e saj. Vëllai im më i madh, Xhoni, dhe unë ishim të së njëjtës moshë me të dy djemtë, Robinin dhe Shanonin, prandaj dukej me vend t’u shtrinim dorën e miqësisë.

Ajo familje nuk kishte makinë, kështu babai im u ofroi t’i merrte me makinë nga shtëpia e tyre në qytetin aty pranë për t’i sjellë në kishë e për t’i kthyer prapë në shtëpi. Më kujtohen ditët që babi na ftonte mua dhe vëllain që ta shoqëronim kur t’i merrte ata. Këtë nuk e kisha me qejf në atë kohë, por pavarësisht ankesave të mia, babi vazhdonte t’i merrte ata me makinë derisa ata e frekuentuan kishën aktivisht dhe kishin makinën e tyre. Shpejt Robini dhe Shanoni u pagëzuan e u konfirmuan dhe mamaja e tyre filloi të merrte pjesë në Shoqatën e Ndihmës. Atë kohë nuk arrija të kuptoja jehonat pozitive që do të vinin nga ky akt shërbimi.

Pak muaj para se të filloja klasën e tetë, babai im ndërroi jetë. Si për të ma përkeqësuar hidhërimin, ndieja pasiguri për paraqitjen time fizike dhe mungesën e miqve. Fillova t’u dorëzohem ndjenjave të dëshpërimit dhe i kaloja orët që kisha për ngrënien e drekës, duke shkuar në shtëpi e duke u kthyer përsëri, ngaqë nuk mund të duroja të ulesha vetëm në tryezë.

Po atë vit, familja që ne kishim zënë miqësi, u vendos në zonën e shkollës sonë dhe Shanoni filloi të frekuentonte shkollën time. U bëmë miq të ngushtë. Ndihesha i pranuar dhe nuk isha më aq i dëshpëruar. Dija se dikush gëzohej që ishte shok me mua, më rriti vetëbesimin dhe vlerësimin për veten. Nuk më duhej më ta kaloja i vetmuar orën e ngrënies së drekës.

Miqësia jonë u thellua gjatë shkollës së mesme. Kur vëllëzërit tanë më të rritur shkuan në kolegj dhe në misione, unë dhe Shanoni u bëmë zëvendësit e tyre për njëri-tjetrin. Ne morëm Çmimin e Shqiponjës së Skautizmit në të njëjtën ceremoni, shkuam në të njëjtin universitet, shkuam në misione gjatë së njëjtës kohë të verës dhe më pas u bëmë shokë dhome. Të dy u martuam me gra të mrekullueshme në Tempullin e Solt Lejkut dhe fëmijët tanë të parë lindën në një diferencë kohe prej tre muajsh.

Një mbrëmje, pak para martesës së Shanonit, zumë të flisnim për fëmijërinë tonë. I tregova se sa më kishte ndihmuar të mposhtja pasiguritë e mia dhe të përballoja vdekjen e babait tim. Ishte miqësia e tij, shtova unë, që e ndihmoi jetën time të merrte kthesë. Shanoni pastaj më tha që, nëse babai im nuk do ta kishte transportuar familjen e tij në kishë, ai nuk do ta kishte frekuentuar kishën, të shërbente në mision dhe të vulosej në tempull.

Shpirti më preku fuqishëm gjatë atij bashkëbisedimi, teksa kuptova bekimet që pati mbi jetën tonë një transportim i thjeshtë për në kishë. Ndërsa reflektoja për miqësinë me Shanonin, kuptova se babai im jo vetëm ndihmoi në shpëtimin e familjes së Shanonit, por edhe përgatiti një mik i cili ndihmoi në shpëtimin e të birit.