2007
Lavdia e Perëndisë Është Inteligjencë
Tetor 2007


Miku i Mikut

Lavdia e Perëndisë Është Inteligjencë

“Në qoftë se një njeri fiton më shumë dije dhe inteligjencë në këtë jetë, nëpërmjet zellit dhe bindjes, sesa një tjetër, ai do të ketë po aq më shumë përparësi në botën që vjen” (DeB 130:19).

Kam kaluar pjesën më të madhe të jetës i përfshirë në arsim. Kur isha më i ri, mendoja se arsimi donte të thoshte të shkoje në shkollë, të jepje provime dhe të merrje nota të mira. Por ndërsa u rrita, fillova të mësoj dallimin ndërmjet suksesit në shkollë dhe të qenit i arsimuar. Një person mund të dalë mirë në provime dhe përsëri të mos jetë i arsimuar. Arsim i vërtetë është të mësosh si të mësosh për veten tënde. Që kur e zbulova atë mësim, të mësuarit ishte një kënaqësi.

Një nga qëllimet kryesore të jetës në vdekshmëri është të mësojmë—të fitojmë njohuri dhe inteligjencë. Doktrina e Besëlidhje 93:36 thotë: “Lavdia e Perëndisë është inteligjencë”. Ju mund të mendoni se inteligjencë do të thotë të jesh i talentuar në punë akademike, por inteligjencë gjithashtu do të thotë të vësh në zbatim për qëllime të drejta njohurinë që fitojmë.

Njohuria, si tokësore, ashtu edhe shpirtërore, vjen shkallë-shkallë. Dëshmia ime u rrit urdhër mbi urdhër, rregull mbi rregull, pak këtu dhe pak atje (shih Isaia 28:10)—në të njëjtën mënyrë siç ndodh për pothuajse të gjithë anëtarët e Kishës. Kur isha djalë, më kujtohet se si nëna më lexonte histori nga Libri i Mormonit dhe historia e Kishës. Ndieja një ndjenjë të ëmbël, të paqme dhe bindëse se ajo që po mësoja ishte e vërtetë. Kjo ndjenjë u zhvillua në një dëshirë të sinqertë për të mësuar më shumë nëpërmjet studimit të shkrimeve të shenjta. Asgjë nuk ka patur një ndikim më të madh në jetën time, sesa leximi, studimi dhe kërkimi i shkrimeve të shenjta për të marrë më shumë njohuri dhe inteligjencë.

Unë u rrita në Kaliforni në moshën e adoleshencës në një kohë kur ndikimet e këqija, si drogat dhe muzika e keqe, po bëheshin përherë e më shumë modë. Për shkak të njohurisë me të cilën isha bekuar, vendosa të mos merrja pjesë në ato gjëra. Po përgatitesha të bëhesha një misionar dhe t’i shërbeja Zotit. Në fushën e misionit, njohuria që po i shërbeja Zotit e forcoi vendosmërinë time për të punuar fort në ndërtimin e mbretërisë së Tij. Puna si misionar është ndoshta një nga mënyrat më të mira për të mësuar dhe fituar njohuri shpirtërore.

Vlera e vërtetë e të mësuarit është se ajo të mundëson të jesh i mprehtë në çdo situatë—për të gjetur çfarë duhet të bësh kur nuk e ke idenë se çfarë duhet të bësh! Shpesh mësohemi në shkrimet e shenjta të kërkojmë për të mësuar me anë të studimit dhe besimit (shih DeB 88:118). Në jetën tonë, në familjet tona dhe në Kishë, ne mund të marrim bekime force, drejtimi dhe mbrojtjeje shpirtërore ndërsa kërkojmë me anë të besimit të fitojmë inteligjencë dhe të vëmë në zbatim njohuri shpirtërore në drejtësi.