2007
Ejani në Tempull
Tetor 2007


Ejani në Tempull

Rreth fillimit të shekullit të njëzetë, dy misionarë po punonin në rajonin malor të pjesës jugore të Shteteve të Bashkuara. Një ditë, ndërsa po ecnin përgjatë një kurrizi kodrinor, ata panë njerëz të mbledhur në një lirishtë pranë një kasolleje, në një farë largësie nga faqja e kodrës.

Ata zbuluan se do të kryhej një funeral. Një djalë i vogël ishte mbytur. Prindërit e tij i kishin çuar fjalë pastorit për të “thënë fjalët e fundit” në varrimin e djalit të vogël. Elderat qëndruan për të vëzhguar nga larg ceremoninë. Djali i vogël do të varrosej në varrin tashmë të hapur pranë kasolles. Pastori qëndroi përpara babait e nënës së brengosur dhe të tjerëve që ishin mbledhur dhe filloi predikimin e tij të përmortshëm. Nëse prindërit do të prisnin ngushëllim nga ky shërbestar, ata do të zhgënjeheshin.

Ai i qortoi ata rreptësisht, ngaqë nuk e kishin pagëzuar djalin e vogël. Ata e kishin shtyrë këtë gjë për shkak të njërës apo tjetrës arsye dhe tani ishte tepër vonë. Ai u tha atyre mjaft hapur se djali i tyre i vogël kishte vajtur në ferr. Ai u tha se ishte faji i tyre, se ata duhet të fajësoheshin—ata i kishin shkaktuar birit të tyre mundim të pafund.

Pasi predikimi përfundoi dhe varri u mbulua, miqtë, fqinjët dhe të afërmit u larguan. Elderat iu afruan prindërve të hidhëruar. “Ne jemi shërbëtorë të Zotit”, i thanë ata mamasë së përlotur, “dhe kemi ardhur me një mesazh për ju.”

Ndërsa prindërit e pikëlluar i dëgjonin, dy të rinjtë u shpalosën atyre një grimcë nga vegimi i përjetësisë. Ata lexuan nga zbulesat dhe ndanë me këta prindër të përulur dhe të pikëlluar dëshminë e tyre të rivendosjes së çelësave të shëlbimit si për të gjallët, ashtu dhe për të vdekurit.

Unë nuk e qortoj predikuesin udhëtonjës. Në të vërtetë, kam një farë simpatie për të, për shkak se po bënte më të mirën që dinte me dritën dhe njohurinë që kishte marrë. Por ka më tepër nga sa ai kishte për të dhënë. Është plotësia e ungjillit.

Udha që misionarët u treguan atyre njerëzve të përulur ishte më shumë sesa kthimi në besim, pendimi e pagëzimi; për shkak se, për ata që do ta ndjekin, ajo udhë me kalimin e kohës të udhëheq drejt dhomave të shenjtëruara të tempullit të shenjtë. Atje anëtarët e Kishës të cilët e bëjnë veten të përshtatshëm, mund të marrin pjesë në ordinancat shlyese më madhështore dhe të shenjta të cilat i janë zbuluar njerëzimit. Atje mund të lahemi, të vajosemi, të udhëzohemi, të marrim indaumentin dhe të vulosemi. Dhe kur t’i kemi marrë këto bekime për vetveten, mund të kryejmë ordinancat për ata që kanë vdekur pa patur të njëjtën mundësi.

Shpresa ime është që t’jua zgjeroj të kuptuarin se përse ndërtojmë tempuj dhe pse atje kryhen ordinanca dhe ceremoni.

Privilegji i Vajtjes në Tempull

Është privilegj të hysh në tempullin e shenjtë. Nëse jeni të përshtatshëm kundrejt standardeve të vendosura, sigurisht që duhet të vini për të marrë bekimet tuaja; dhe më pas duhet të ktheheni vazhdimisht për t’i bërë po ato bekime të mundshme për të tjerët të cilët kanë vdekur pa mundësinë për t’i marrë ato në vdekshmëri.

Nuk duhet të shkoni në tempull derisa të jeni i përshtatshëm, derisa të përmbushni kërkesat që Zoti ka vendosur. Por duhet të shkoni, nëse jo tani, sa më shpejt të kualifikoheni.

Doktrina që mbështet punën në tempullin e shenjtë, më shumë se çdo gjë tjetër, e veçon dhe i jep epërsi Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme mbi çdo organizatë tjetër fetare mbi faqen e tokës. Ne kemi diçka që asnjë besim tjetër fetar nuk e ka. Ne mund të japim diçka që ata nuk mund ta ofrojnë.

Dhimbja në zemrën e atyre prindërve të pikëlluar mund të shuhet vetëm me doktrinat e kësaj Kishe. Këto doktrina bazohen në ordinancat e tempullit të shenjtë.

Rregull në të Gjitha Gjërat

Për të shpjeguar diçka mbi domethënien e ordinancave, po filloj me artikullin e tretë të besimit: “Ne besojmë se nëpërmjet Shlyerjes së Krishtit, i gjithë njerëzimi mund të shpëtohet, me anë të bindjes ndaj ligjeve dhe ordinancave të Ungjillit.”

Fjala ordinancë do të thotë “një kryerje fetare ose ceremoniale”, “një rit i caktuar”1. Tani pyetja, po në lidhje me ordinancat e ungjillit? Sa të rëndësishme janë ato për ne si anëtarë të Kishës? A mund të jeni i lumtur, a mund të shëlbeheni, a mund të ekzaltoheni pa to? Përgjigjja: Ato janë më shumë se të këshillueshme ose të dëshirueshme, madje më shumë se të nevojshme. Madje më shumë sesa thelbësore ose jetësore, ato janë vendimtare për secilin nga ne.

Çdo shenjtor i ditëve të mëvonshme duhet t’i bëjë vetes pyetjen: A është jeta ime në rregull? A i kam të gjitha ordinancat e ungjillit që duhet të zotëroj deri në këtë kohë të jetës sime? A po më vlejnë ato?

Nëse mund t’u përgjigjeni pozitivisht këtyre pyetjeve dhe nëse ordinancat kryhen nën ndikimin e fuqisë dhe autoritetit vulosës, ato do të qëndrojnë në fuqi përjetësisht. Nëse është kështu, jeta juaj deri në këtë çast është ashtu siç duhet. Atëherë do të ishte mirë që të mendonit për familjen, të gjallë e të vdekur, me të njëjtat pyetje në mendje.

Ordinancat e Tempullit

Ordinancat që kryejmë në tempull përfshijnë larjen, vajosjen, indaumentin dhe ordinancën vulosëse—si vulosjen e fëmijëve me prindërit, ashtu dhe vulosjen e çifteve, e cila njihet përgjithësisht si martesa e tempullit.

Këtu jepet një përmbledhje e shkurtër e informacionit që gjendet nëpër libra lidhur me ordinancat e tempullit.

Ordinancat e larjes dhe vajosjes shpesh në tempull quhen ordinancat fillestare. Do të jetë e mjaftueshme për qëllimet tona të themi vetëm sa më poshtë: Të lidhura me indaumentin janë larja dhe vajosja—kryesisht simbolike në natyrë, por të cilat premtojnë bekime të qarta e të menjëhershme si edhe të ardhshme. Në lidhje me këto ordinanca Zoti ka thënë: “Unë ju them, si do të jenë larjet tuaja të pranueshme për mua, në qoftë se ju nuk i kryeni ato në një shtëpi që e keni ndërtuar për emrin tim?” (DeB 124:37).

Në bashkëngjitje me këto ordinanca, në tempull ju do të visheni zyrtarisht me veshjen e brendshme të tempullit dhe do t’ju premtohen bekime të mrekullueshme si pjesë e saj. Është e rëndësishme që të dëgjoni me vëmendje ndërsa këto ordinanca kryhen dhe të mundoheni të kujtoni bekimet e premtuara dhe kushtet mbi të cilat ato përmbushen.

Të dhurosh do të thotë të pasurosh, t’i japësh dikujt diçka jetëgjatë dhe me shumë vlerë. Në ordinancat e indaumentit të tempullit, “marrësit dhurohen me fuqi nga lart”, dhe “ata marrin udhëzime në përputhje me qëllimet dhe planet e Zotit”2.

Presidenti Brigam Jang (1801-77) tha në lidhje me indaumentin: “Më lejoni t’ju jap një përkufizim të shkurtër. Indaumenti juaj konsiston në marrjen e të gjitha atyre ordinancave në shtëpinë e Zotit, të cilat janë të nevojshme që pasi të jeni larguar nga kjo jetë, t’ju mundësojnë të ktheheni në praninë e Atit, duke kaluar engjëjt të cilët qëndrojnë si roje, duke patur mundësinë t’u jepni fjalët kyç, shenjat dhe simbolet, që i përkasin Priftërisë së shenjtë, dhe të fitoni ekzaltimin tuaj të përjetshëm pavarësisht nga toka apo ferri”3.

Bekimi i indaumentit është i nevojshëm për ekzaltim të plotë. Çdo shenjtor i ditëve të mëvonshme duhet të kërkojë të jetë i denjë për këtë bekim dhe për ta marrë atë.

Ordinanca vulosëse është ajo ordinancë e cila i lidh familjet përjetësisht. Martesa e tempullit është një ordinancë vulosëse. Fëmijët e lindur nga prindër të cilët janë vulosur në tempull, janë lindur në besëlidhje. Kur një çift është martuar në një martesë civile dhe më pas është vulosur në tempull pas një apo më shumë vitesh, fëmijët të cilët nuk janë lindur në besëlidhje vulosen me çiftin në një ordinancë të shkurtër dhe të shenjtë.

Gjithmonë më ka bërë përshtypje që ordinancat e tempullit gjithmonë administrohen me nderim dhe kujdes. Ato nuk janë të ndërlikuara apo të tepruara, por janë përfaqësim i thjeshtësisë së parimeve të ungjillit.

Në Kishë ne kemi autoritet të mjaftueshëm për të kryer të gjitha ordinancat e nevojshme për të shëlbyer dhe ekzaltuar të gjithë familjen njerëzore. Dhe për shkak se kemi çelësat e fuqisë vulosëse, ajo që lidhim ashtu siç duhet këtu, do të lidhet edhe në qiell. Ata çelësa—çelësat për të lidhur në qiej ato që janë vulosur dhe lidhur mbi tokë—përfaqësojnë dhuratën më të madhe nga Perëndia ynë. Me atë autoritet ne mund të pagëzojmë dhe të bekojmë, mund të dhurojmë dhe vulosim, dhe Zoti do t’i nderojë zotimet tona.

Ordinancat Duhet T’u Ofrohen të Vdekurve

Predikuesi udhëtonjës për të cilin folëm në fillim, nuk kishte përgjigje ndaj pyetjes se çfarë ndodh me ata që vdesin pa pagëzim. Çfarë ndodh me ta? Nëse s’ka udhë tjetër dhe as emër të dhënë nën qiell, nëpërmjet të cilit njeriu mund të shpëtohet në mbretërinë e Perëndisë (dhe kjo është e vërtetë), dhe ata kanë jetuar dhe vdekur madje pa e dëgjuar atë emër, dhe nëse pagëzimi është thelbësor (dhe ashtu është), dhe ata kanë vdekur madje pa u ftuar për ta bërë një gjë të tillë, ku janë ata tani?

Ajo pyetje është e vështirë për t’u konceptuar, por përshkruan pjesën më të madhe të familjes njerëzore. Me fjalë të tjera, pyesni se çfarë fuqie do të vendoste një Zot dhe një besim të vetëm dhe të lejonte të ndodhte që shumica e familjes njerëzore madje as të mos vinte nën ndikimin e doktrinave të saj? Me atë pyetje të papërgjigjur, pjesa dërrmuese e familjes njerëzore duhet të pranohet e humbur, përfshirë djalin e vogël i cili u mbyt—dhe kundër çdo zbatimi si të ligjit të drejtësisë, ashtu edhe atij të mëshirës.

Nëse një kishë nuk ka përgjigje ndaj kësaj dileme, si mund të pretendojë të jetë Kisha e Zotit? Sigurisht Ai nuk është gati ta harrojë pjesën më të madhe të familjes njerëzore për shkak se ata nuk u pagëzuan kurrë për sa kohë ishin në tokë.

Ata që me pakënaqësi e të pështjelluar pranojnë se nuk kanë përgjigje ndaj kësaj pyetje, me plot arsye nuk mund të pretendojnë ndaj autoritetit për të administruar punët e Zotit mbi tokë ose për të mbikqyrur punën me të cilën i gjithë njerëzimi duhet të shpëtohet.

Një nga karakteristikat që na veçon nga pjesa tjetër e botës dhe na përcakton si Kisha e Zotit, është fakti që ne kryejmë pagëzime dhe ordinanca të tjera për paraardhësit tanë të vdekur.

Kurdoherë që flas mbi çështjen e atyre që kanë vdekur pa pagëzim, e bëj atë me nderimin më të madh, për shkak se kjo lidhet me një punë të shenjtë. Jo shumë e njohur për botën, kjo punë është e mrekullueshme në potencialin e saj, përmbi atë për të cilën njerëzit mund të kenë ëndërruar, hyjnore, e frymëzuar dhe e vërtetë. Ajo është përgjigjja.

Me autoritetin e duhur një person i vdekshëm mund të pagëzohet për dikë i cili nuk e ka patur mundësinë përpara se të vdiste. Ai individ atëherë do ta pranojë ose do ta hedhë poshtë pagëzimin në botën e shpirtrave, sipas dëshirës së tij.

Kjo punë erdhi si një ripohim i madh i diçkaje mjaft themelore—se ka jetë pas vdekjes. Vdekja tokësore nuk është fundi, ashtu si lindja nuk ishte fillimi. Puna e madhe e shëlbimit vazhdon prapa velit po ashtu si këtu në vdekshmëri.

Ne jemi autorizuar për të kryer pagëzime dhe ordinanca të tjera mëkëmbëse për të vdekurit në tempull, në mënyrë që kur ata të dëgjojnë t’u predikohet ungjilli dhe të dëshirojnë ta pranojnë atë, ato ordinanca thelbësore do të jenë kryer.

Ejani në Tempull

Çdo shenjtor i ditëve të mëvonshme është përgjegjës për punën e tij. Ndoshta asnjë çështje tjetër doktrinore nuk e veçon këtë Kishë nga fetë e tjera më shumë sesa kjo. Ne kemi zbulesat. Ne kemi këto ordinanca të shenjta.

Të gjithë juve ju them: “Ejani në tempull”. Ndoshta ju mezi po prisni për privilegjin që ndodh një herë në jetë për të vajtur dhe për të marrë atje indaumentin tuaj, për të marrë bekimet tuaja dhe për të hyrë në besëlidhjet tuaja me Zotin. Ndoshta ju keni qenë atje një ose dy herë tashmë. Ndoshta ju shkoni atje shpesh. Madje mundet që ju po shërbeni në tempull. Çfarëdo qofshin rrethanat, ejani në tempull.

Nëse është e nevojshme, vendoseni jetën në rregull; lutuni me zjarr. Fillojeni tani udhëtimin mjaft të vështirë dhe ndonjëherë mjaft shkurajues të pendimit. Vendosni që do të bëni çdo gjë që mundni për të ndihmuar punën e tempullit dhe të historisë familjare që mbështet atë dhe të ndihmoni çdo shpirt të gjallë dhe çdo shpirt matanë velit në çdo mënyrë që të mundni e me çdo burim në dispozicionin tuaj.

Ejani në tempull!

Përshtatur nga The Holy Temple (1980).

Shënime

  1. Oxford English Dictionary (1971), “ordinance”, 2006.

  2. Bruce R. McConkie, Mormon Doctrine, botimi i 2-të (1966), 227.

  3. Discourses of Brigham Young, përzgjedh. John A. Widtsoe (1941), 416.