Në Ndihmë të Atyre që Luftojnë me Joshjen Ndaj së Njëjtës Gjini
Një djalë i këndshëm në fillim të të njëzetave të tij, u ul përkundrejt meje. Kishte një buzëqeshje tërheqëse, megjithëse nuk buzëqeshte shpesh gjatë bashkëbisedimit tonë. Ajo që më tërhoqi më shumë vëmendjen ishte dhimbja që i dukej në sy.
“Nuk e di a duhet të mbetem anëtar i Kishës”, tha ai. “Nuk mendoj që jam i denjë.”
“Pse nuk do të ishit i denjë?” e pyeta.
“Jam homoseksual.”
Më duket se ai mendoi se do të befasohesha. Por nuk ndodhi kështu. “Edhe … ?” e pyeta.
Një rreze lehtësimi ra mbi fytyrën e tij kur ndjeu se unë vazhdoja të isha i dhembshur. “Nuk joshem ndaj grave. Joshem ndaj burrave. Jam përpjekur t’i shpërfill këto ndjenja ose t’i ndryshoj ato, por …”
Ai psherëtiu. “Pse jam kështu? Ato ndjenja janë vërtet të tilla.”
Unë heshta, pastaj thashë: “Më duhet të di pak më tëpër para se t’ju këshilloj. Duhet të dish se joshja ndaj së njëjtës gjini nuk është mëkat, por të veprosh në bazë të atyre ndjenjave është — njëlloj siç do të ishte për ndjenjat ndaj gjinisë së kundërt. A e shkelni ligjin e dëlirësisë?
Ai tundi kokën. “Jo, nuk e shkel.”
Këtë herë u qetësova. “Falemnderit që dëshiron ta përballosh këtë gjë”, i thashë. “Kërkon guxim për të folur mbi të dhe unë ju nderoj që e mbani veten të pastër.
Për pyetjen përse i ndieni ato, unë nuk mund t’i përgjigjem. Mund të përfshihen një numër faktorësh dhe ato mund të jenë po aq të ndryshëm sa ç’janë edhe njerëzit. Disa gjëra, përfshirë edhe shkakun e atyre ndjenjave, ne nuk mund t’i dimë kurrë në këtë jetë. Por, të dish se pse ndiheni në atë mënyrë, nuk ka aq rëndësi sa të dish se ju nuk keni bërë shkelje. Nëse jeta juaj është në harmoni me urdhërimet, atëherë ju jeni i denjë të shërbeni në Kishë, të gëzoni shoqërim të plotë me anëtarët, të frekuentoni tempullin dhe të merrni të gjitha bekimet e Shlyerjes së Shpëtimtarit.”
Ai e pozicionoi trupin më drejt në karrige. Unë vazhdova: “Nuk i bëni shërbim të mirë vetes kur e përcaktoni atë kryesisht me ndjenjat tuaja seksuale. Ky nuk është i vetmi tipar i juaji, prandaj mos i jepni kësaj një vëmendje të tepruar. Në radhë të parë dhe mbi të gjitha, ju jeni një bir i Perëndisë dhe Ai ju do.
Për më tepër, unë ju dua juve. Vëllezërit e mi nga Autoritetet e Përgjithshme ju duan juve. Po më kujtohet një koment që bëri Presidenti Bojd K. Paker, duke folur për ata që joshen ndaj së njëjtës gjini. ‘Ne nuk ju hedhim poshtë’, tha ai. ‘Ne nuk mund t’ju hedhim poshtë, sepse ju jeni bijtë dhe bijat e Perëndisë. Ne nuk do t’ju hedhim poshtë, sepse ju duam.’”1
Ne folëm edhe për afro 30 minuta të tjera. Duke e ditur se nuk mund të isha këshilluesi i tij vetjak, e udhëzova të shkonte tek udhëheqësi i tij vendor i priftërisë. Pastaj u ndamë. Mendoj se më zuri syri një vështrim shprese në sytë e tij i cili nuk gjendej më parë aty. Megjithëse ai ende përballej me sfida për zgjidhje — ose thjesht për të duruar — pata një ndjenjë se do t’i përballonte mirë.
Perëndia i Do Fëmijët e Tij
Kur një engjëll i bëri Nefit një pyetje për Perëndinë, Nefi iu përgjigj: “Unë e di se ai i do fëmijët e tij; megjithatë, unë nuk e di kuptimin e të gjitha gjërave” (1 Nefi 11:17). Unë gjithashtu pohoj se Perëndia i do të gjithë fëmijët e Tij dhe pranoj se shumë pyetje, përfshirë edhe disa nga ato që lidhen me joshjen ndaj së njëjtës gjini, duhet të presin një përgjigje të ardhshme, mbase në jetën tjetër.
Fatkeqësisht, disa njerëz besojnë se ata i dinë të gjitha përgjigjet që tani dhe i shpallin opinionet e tyre anembanë. Fatmirësisht, njerëz të tillë nuk flasin në emër të Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme.
Ndonëse besoj që anëtarët presin me padurim për t’u ofruar dhembshuri atyre që janë ndryshe prej tyre, është në natyrën njerëzore që, kur përballemi me një situatë që nuk e kuptojmë, ne priremi të tërhiqemi. Në veçanti kjo është e vërtetë lidhur me joshjen ndaj së njëjtës gjini. Kemi kaq pak të dhëna të besueshme mbi këtë, saqë ata që duan të ndihmojnë mbeten disi me ndjenjën e pavendosmërisë. Ndërsa pranoj pamjaftueshmërinë time lidhur me këtë gjë, por duke dashur të ndihmoj, më lejoni të ofroj disa sugjerime për të ndihmuar ata që kanë njerëz të dashur ose miq të cilët joshen ndaj së njëjtës gjini.
Plani i Lumturisë i Atit Tonë Qiellor
Së pari, le të jemi plotësisht të qartë se çfarë dëshiron Perëndia nga secili prej nesh. Ai dëshiron që të kemi të gjitha bekimet e jetës së përjetshme. Ai dëshiron të bëhemi si Ai. Që të na ndihmojë ta bëjmë këtë gjë, Ai na ka dhënë një plan. Ky plan bazohet mbi të vërtetat e përjetshme dhe nuk ndryshohet sipas tendencave shoqërore të ditës.
Në zemër të këtij plani është lindja e fëmijëve, një nga arsyet më vendimtare që Adami dhe Eva ikën nga Kopshti i Edenit (shih 2 Nefi 2:19-25; Moisiu 5:10-12). Ata u urdhëruan të “[jenë] të frytshëm dhe [të shumëzohen]” (Moisiu 2:28) dhe ata zgjodhën t’i binden atij urdhërimi. Ne duhet t’i ndjekim ata nëpërmjet martesës dhe duke siguruar trupa fizikë për fëmijët shpirtërorë të Atit Qiellor. Kuptohet, marrëdhënia brenda së njëjtës gjini nuk është në pajtim me këtë plan.
Për arsye të ndryshme, martesa dhe lindja e fëmijëve nuk janë menjëherë të arritshme për të gjithë. Mbase nuk merret asnjë ofertë për martesë. Mbase edhe pas martesës mund të ketë pamundësi për të pasur fëmijë. Mbase nuk është e pranishme as tërheqja ndaj gjinisë tjetër. Cilado qoftë arsyeja, bekimet më të pasura të Perëndisë do të jenë më në fund të arritshme për të gjithë fëmijët e Tij, në qoftë se janë të pastër dhe besnikë.
Nëpërmjet ushtrimit të besimit, të përpjekjes vetjake dhe të sigurisë për fuqinë e Shlyerjes, disa mund ta zgjidhin në këtë jetë problemin e joshjes ndaj së njëjtës gjini dhe të martohen. Të tjerë, megjithatë, mund të mos jenë kurrë të lirë prej joshjes ndaj së njëjtës gjini në këtë jetë.
Si bashkëanëtarë të Kishës, si familje dhe miq, na nevojitet të kuptojmë se ata që joshen ndaj së njëjtës gjini, përballen me disa kufizime tepër të pazakonta lidhur me shprehjen e ndjenjave të tyre. Megjithëse joshja ndaj së njëjtës gjini është diçka reale, nuk duhet të ketë asnjë shprehje fizike të kësaj joshjeje. Dëshira për kënaqësi fizike nuk e autorizon askënd për amoralitet. Ndjenja të tilla mund të jenë të fuqishme, por ato kurrë nuk janë aq të forta sa t’i grabisin dikujt lirinë për të zgjedhur një sjellje të denjë.
Duke thënë këtë, me lejoni të sqaroj se joshjet si të vetme, sado të mundimshme të jenë, nuk e bëjnë dikë të padenjë. Presidencia e Parë ka bërë të ditur: “Ka një dallim ndërmjet mendimeve e ndjenjave amorale dhe pjesëmarrjes në një sjellje amorale, qoftë ajo heteroseksuale, qoftë homoseksuale e çfarëdo lloji”. 2 Në rast se nuk veproni sipas tundimeve, ju nuk keni shkelur.
Dështimi për të parë atë dallim nganjëherë të çon drejt dëshpërimit. Më dhembin ata që nuk kuptojnë se çdo bekim që ofrohet nga Perëndia, është i arritshëm për cilindo që i bindet ligjeve mbi të cilat bazohen ato bekime (shih DeB 130:20-21). Asnjë njeri që jeton ungjillin nuk duhet të dëshpërohet. Shpresa dhe paqja vijnë nga Ngushëlluesi dhe përgjigjja ndaj dëshpërimit është të ftojmë Frymën e Shenjtë në jetën tonë.
Mënyra Ndihme
Le ta zëmë se jeni një pjesëtar i familjes ose mik i dikujt që joshet ndaj së njëjtës gjini i cili vjen tek ju për ndihmë. Çfarë të thoni? Çfarë të bëni?
Unë do t’ia filloja duke ia njohur guximin që e ka sjellë deri tek ju birin, bijën, vëllain a motrën ose mikun tuaj. Do t’ia njihja atë mirëbesim që ai njeri ka treguar. Diskutimi i problemit me një njeri të besës është një hap i parë i shëndetshëm drejt trajtimit të ndjenjave turbulluese dhe është e domosdoshme që këtyre hapave t’u përgjigjesh me dhembshuri.
Më pas, në rast se jeni prindi i dikujt që joshet ndaj së njëjtës gjini, mos mendoni se jeni ju shkaku i atyre ndjenjave. Askush, përfshirë edhe atë që ka vështirësinë, nuk duhet të përpiqet të njollosë vetveten. Gjithashtu askush nuk duhet të hedhë njollën mbi një tjetër — përfshirë Perëndinë. Ecni me anë të besimit dhe ndihmojeni njeriun tuaj të dashur ta trajtojë këtë sfidë në mënyrën më të mirë që ai apo ajo ka mundësi.
Duke vepruar kështu, kuptoni megjithatë se martesa nuk është zgjidhje për çdo situatë. Joshjet ndaj së njëjtës gjini janë mjaft ngulmuese dhe përpjekja për të detyruar një marrëdhënie me gjininë e kundërt, nuk ka të ngjarë t’i ndryshojë ato. Të gjithë ne gëzohemi shumë kur disa njerëz që luftojnë kundër këtyre ndjenjave, janë në gjendje të martohen, të rrisin fëmijë dhe të arrijnë lumturinë familjare. Por përpjekje të tjera kanë përfunduar me thyerje zemre dhe familje të ndara.
Përmbi gjithçka, mbajini të hapura linjat tuaja komunikuese. Komunikimi i hapur ndërmjet prindërve dhe fëmijëve është shprehje e qartë e dashurisë dhe dashuria e pastër që shprehet bujarisht, mund të transformojë marrëdhëniet familjare. Por dashuria për pjesëtarin e familjes nuk përfshin mbylljen e syve për sjelljen e padrejtë. Fëmijët tuaj janë të mirëpritur të qëndrojnë në shtëpinë tuaj, natyrisht, por ju keni çdo të drejtë të përjashtoni nga vendbanimi juaj çdo sjellje që fyen Shpirtin e Zotit.
Parimi i Kopshtarisë
Më tej, merrni parasysh një parim që mësohet në kopshtari. Dikush ka thënë se, në rast se e mbjellim kopshtin me farë të mirë, nuk do të nevojitet aq shumë shati. Në të njëjtën mënyrë, nëse e mbushim jetën tonë me ushqimin shpirtëror, ne mund të fitojmë më me lehtësi kontroll mbi dëshirat. Kjo do të thotë të krijosh një mjedis pozitiv në shtëpitë tona, në të cilin Shpirti ka një ndikim të madh. Një mjedis pozitiv përmban adhurimin e vazhdueshëm më vete dhe haptas, lutjen, agjërimin, leximin e shkrimeve të shenjta, shërbimin dhe qëndrimin në praninë e bashkëbisedimit, të muzikës, të literaturës dhe të mjeteve të tjera të informimit që frymëzojnë.
I njëjti mjedis shtrihet deri tek përvojat në kishë. Disa njerëz që joshen ndaj së njëjtës gjini, kanë ndjenja të pavendosura frike dhe ndihen të fyer në kishë ndërkohë që nuk ka aspak qëllim fyerjeje. Nga ana tjetër, disa anëtarë i përjashtojnë nga rrethi i tyre shoqëror ata që janë të ndryshëm. Kur veprimet ose fjalët tona e bëjnë dikë të tërhiqet nga marrja e të gjithë përparësisë që ka anëtarësimi në Kishë, ne i lëmë në baltë ata dhe Zotin. Kisha bëhet më e fortë kur përfshijmë çdo anëtar dhe kur forcojmë njëri-tjetrin me shërbim dhe dashuri (shih DeB 84:110).
Ju ka mundësi të ndieni shtytje ta inkurajoni njeriun të cilin po përpiqeni të ndihmoni, të takohet me një udhëheqës priftërie, i cili mban çelësat e këshillimit të frymëzuar. Ju lutem veproni kështu, me dijeninë që Presidencia e Parë u ka kërkuar udhëheqësve të Kishës t’i bisedojnë këto çështje në mirëbesim dhe me shpirtin e dashurisë së Krishtit3.
Në Duart e Zotit
Pak kohë më parë mora një letër nga një burrë në vitet e para të të 30-ave të tij, i cili ndeshet me joshjen ndaj së njëjtës gjini. Ndeshja e tij nuk ka qenë e lehtë dhe ai nuk është ende i martuar. Por, shkruan ai, “Zoti më ka ndihmuar të përballoj rrethanat e mia të tanishme dhe jam i kënaqur që bëj më të mirën dhe e lë jetën time në duart e Tij”.
Unë përlotem me admirim dhe respekt para besimit dhe guximit të një njeriu të tillë, i cili po jeton me një sfidë që unë s’jam ballafaquar kurrë. E dua atë dhe mijëra të tjerë si ai, meshkuj ose femra, të cilët “[luftojnë] luftën e drejtë” (1 Timoteut 6:12). Ia rekomandoj qëndrimin e tij të gjithë atyre që ndeshen — ose që po ndihmojnë të tjerët që ndeshen — me joshjen ndaj së njëjtës gjini.
Ndihmë shtesë
Disa nga idetë dhe gjuha e përdorur në këtë artikull vijnë nga broshura e përgatitur nga Presidencia e Parë dhe Kuorumi i Dymbëdhjetë Apostujve për ata që joshen ndaj së njëjtës gjini. Ajo titullohet God Loveth His Children (nr. i artikullit 04824). Nëse broshura është përkthyer në gjuhën tuaj, mund të merrni një kopje nga qendra lokale e shpërndarjes për ju ose ta tërhiqni si dokument nga faqja e internetit “www.lds.org/ same-gender-attraction”.