2007
Zemra të Kthyera në Një Vend Tempujsh
Tetor 2007


Zemra të Kthyera në Një Vend Tempujsh

Ndërsa anëtarët ose misionarët folën rreth pagëzimeve të tyre me Li, Çiun-tsan në përgatitje për pagëzimin e tij në vitin 1971, ata përshkruan një përvojë të fuqishme dhe gjallëruese. Kështu që dobësia e madhe që Vëllai Li ndjeu pasi doli nga ujërat e pagëzimit, nuk ishte ajo që ai priste dhe ishte sigurisht diçka e pazakontë.

I pagëzuar dhe konfirmuar në Taipei, Taivan, në moshën 17 vjeçare, Vëllai Li e kishte pranuar krishtërimin disa vite më parë, por nuk e kishte gjetur paqen të cilën po e kërkonte, derisa Libri i Mormonit i preku zemrën.

“E ndjeva Shpirtin mjaft fort”, thotë ai. “Fryma e Shenjtë më tha se kjo ishte Kisha e vërtetë.”

Kështu që ai nuk mund ta kuptonte përse ndihej aq i dobët tani që ishte një anëtar dhe u lut për të zbuluar pse kishte humbur papritur fuqinë. Përgjigjja e papritur përcaktoi drejtimin e jetës së tij.

“Do të gjeja forcë ndërsa do të kërkoja të gjeja paraardhësit e mi për t’u bërë atyre punën në tempull”, kujton ai pëshpëritjen e Shpirtit.

Përgjatë 35 e më shumë viteve, Vëllai Li, anëtar i Lagjes Hu Uei, në Kunjin Çung Sing, Taivan, ia ka përkushtuar veten punës së tempullit dhe historisë familjare. Ai dhe gruaja e tij, Li-hsueh, kanë arritur të gjejnë prejardhjen e familjes së tij deri 5 000 vjet më parë, në kohën e Perandorit të Verdhë, që besohet se është paraardhësi i shumicës së popullit kinez. Ata kanë dorëzuar më shumë se 100 000 emra në tempull.

“Puna e historisë familjare ndonjëherë mund të duket e mundimshme”, thotë Vëllai Li. “Por dëshira për të bekuar paraardhësit shpërblehet me bollëk.”

Përvojat e shenjtorëve të ditëve të mëvonshme në Taivan japin dëshmi për bekimet e përfshirjes në përgjegjësitë e punës së tempullit dhe historisë familjare, të cilat janë të ndërlidhura ngushtë me njëra-tjetrën.

Një Vend Tempujsh

Taivani është një vend me shumë tempuj të ndryshëm, një vend ku nderimi i paraardhësve është pjesë e një historie të gjatë e të pasur. Shumë familje mbajnë të dhëna të cilat dokumentojnë prejardhjen e tyre patriark pas patriarku, që prej shumë brezash. Tempuj dhe vende të shenjta tradicionale të panumërta sigurojnë vende në të cilat njerëzit besojnë se mund të lidhen me paraardhësit e tyre. Këto ndërtesa, shpesh shekullore, të ndërtuara me mjeshtëri, gjenden në pothuaj çdo cep në Taipein plot gjallëri dhe po ashtu duket sikur mbijnë nga bimësia plot jetë që mbulon fshatrat e qeta.

“Besimi tradicional i njerëzve tanë i vë mjaft theksin paraardhësve”, thotë Vëllai Li. “Kthimi i zemrave tek etërit është pjesë e kulturës sonë.”

Ndërsa shumica e njerëzve i përdorin këta tempuj tradicionalë për të kërkuar bekime nga paraardhësit e tyre, ka një tempull tjetër në Taivan në të cilin njerëzit sjellin bekime për paraardhësit e tyre nëpërmjet ordinancave të ungjillit të rivendosur.

Që kur Tempulli i Taipeit, Taivan, u dedikua më 1984, u ka dhënë anëtarëve të Kishës mundësinë për të marrë bekime për veten e tyre dhe, duke u dhënë mundësinë për të bekuar paraardhësit e tyre të vdekur, u ka dhënë gjithashtu domethënie të përjetshme dokumentave të tyre të historisë familjare.

Një Lidhje e Veçantë

Ashtu si familja Li, edhe Familja Vu kanë arritur të gjejnë prejardhjen e familjes së tyre gjer tek perandori. Duke e bërë këtë, ata kanë zbuluar se fëmijët e familjes Vu i përkasin brezit të 150-të që nga perandori. Historia tërhoqi vëmendjen e medias dhe në vitin 2005, Uilford Vu, atëherë 19 vjeç, u zgjodh të përfaqësonte të rinjtë e Taivanit gjatë një ceremonie të përvitshme në varrin tradicional të Perandorit të Verdhë.

Për familjen Vu, anëtarë të lagjes Çing Hsin të kunjit Perëndimor të Taipeit, Taivan, historia familjare ka qenë një përpjekje familjare. Vëllai Vu, Çi-Li dhe gruaja e tij, Shirli, bënë shumicën e kërkimeve dhe Uilford dhe motra e tij më e madhe, Kamila, kanë ndihmuar me organizimin e saj dhe kanë marrë pjesë në ordinanca të tempullit për më shumë se 3 000 nga paraardhësit e tyre.

Puna së bashku e ka ndihmuar familjen Vu të afrohen më shumë me njëri-tjetrin. Ata thonë se gjithashtu i ka ndihmuar ata të ndiejnë një lidhje të veçantë me paraardhësit e tyre.

“Kryerja e punës për prindërit e mi më solli një lumturi nga qielli që nuk e kisha ndier kurrë më parë”, thotë Motra Vu. “Kam një dëshirë të madhe të jem përjetësisht e bashkuar me paraardhësit e mi. Lutem që ata të jenë të përgatitur.”

Një Ndihmë e Madhe

Lidhja e 150 brezave nuk ishte e lehtë. Ashtu si shumë të tjerë që janë të përfshirë në kërkimin e paraardhësve të tyre, familja Vu pranon se ata u ndihmuan.

Pasi zbuluan deri në 26 breza, ata nuk mund të vazhdonin më tej.

“Pothuaj i gjithë informacioni që kishim ishte një nofkë”, thotë Motra Vu.

Ditën e fundit të Vitit të Ri kinez, Motra Vu kishte plane që të merrte pjesë në një festim, pasi të shërbente në tempull. Por kur një shoqe që po shërbente me të, i tha se ajo do të shkonte në qendrën e historisë familjare që ndodhet në oborrin e tempullit, Motra Vu pati ndjesinë që duhet të shkonte me të.

Ajo iu afrua një libri që përmbante të dhëna mbi njerëz me mbiemër të njëjtë me atë të paraardhësit të cilin familja nuk mund ta gjente. Kur e hapi librin, qëlloi që ai u hap tek një faqe që përmbante të dhëna mbi paraardhësin në fjalë. Me këto të dhëna, ata mundën të lidheshin me paraardhës të tjerë duke zbuluar kështu mjaft breza më të largët.

“Ishte një përvojë mjaft e veçantë për mua”, thotë Motra Vu. “Mund ta ndiej se paraardhësit tanë mezi presin që ordinancat e tyre të kryhen”.

Një Bekim për Pasardhësit

Dëshira për të marrë pjesë në bekimet e tempullit ka bërë që Çiang, Jung-feng dhe gruaja e tij, Çun-mei, nga dega Çi An e distriktit Hua Lien, Taivan, të përjetojnë një aspekt tjetër të premtimit të Malakias (shih Malakia 4:6). Përveç kthimit të zemrave tek etërit e tyre, si prindër, zemrat e tyre janë kthyer tek fëmijët e tyre.

Vëllai dhe Motra Çiang i përkasin një numri në rritje anëtarësh të Kishës në Taivan të cilët kanë tre breza familjarë të vulosur të gjithë së bashku.

“Është kënaqësia jonë të shohim nipërit tanë duke ardhur në kishë”, thotë vëllai Çiang, i cili u lirua kohët e fundit nga thirrja e tij si këshilltar i parë në presidencinë e tempullit të Taipeit, Taivan. Është detyra jonë e madhe t’i ndihmojmë ata të vijnë tek Krishti nëpërmjet ordinancave të ungjillit. Ne nuk mund ta thyejmë zinxhirin.”

Familja Li beson se ndikimi i ordinancave të tempullit fillon me një çift.

“Martesa jonë ishte më e mirë pasi ishim vulosur në tempull, madje edhe pse më përpara jetonim sipas standardeve të Kishës”, thotë vëllai Li. “Kur vulosesh, marrëdhënia ndryshon. Kur jeta mbaron, ti humbet gjithçka për të cilën ke punuar në këtë jetë—makinën, punën, shtëpinë, paratë. Por nuk ka pse të humbësh familjen.”

“Të ndihmon të kuptosh çfarë është e përjetshme dhe çfarë nuk është”, thotë Motra Li. “Kështu që ia përkushton përpjekjet dhe përqendrimin tënd familjes.”

Prej andej, ndikimi përhapet.

“Kur e di se je një familje e përjetshme, e do më shumë bashkëshorten dhe i do më shumë fëmijët”, thotë Vëllai Li. “Si rrjedhojë, në shtëpinë tonë ka më shumë ngrohtësi. Ka më shumë rehati aty. Shpirti është aty.”

Një Bekim Kurorëzues

Këto familje nga Taivani thonë që puna e tempullit dhe e historisë familjare ka bekuar familjet e tyre në këtë jetë dhe ata gjejnë ngushëllim në bekimet e premtuara për përjetësinë.

“Ndërsa kemi punuar në tempull, kemi përjetuar një ndryshim gradual në jetën tonë”, thotë Vëllai Çiang, i cili me gruan e tij ka kryer punën në tempull për 16 breza të familjes së tij. “Ne kemi përjetuar një përtëritje në ungjill.”

Vëllai Çiang gjithashtu beson se ndikimi i Satanit pakësohet në jetën e atyre që marrin pjesë në punën e tempullit. “Vajtja në tempull i sjell nderim zemrës sonë”, thotë Vëllai Çiang. “Ne harrojmë gjërat e botës.”

Vëllai Vu është dakord: “Nëse mësojmë ta marrim me vete në shtëpi përshpirtshmërinë dhe lumturinë që gjejmë atje, kjo do t’i ndihmojë familjet tona ta mposhtin tërheqjen ndaj gjërave të botës dhe të jenë më pranë Perëndisë.”

Këto familje besojnë se marrja e ordinancave të tempullit dhe sigurimi i tyre për ata të cilët nuk i morën ato në këtë jetë, janë thelbësore në arritjen e qëllimeve të tyre të përjetshme.

Presidenti Gordon B. Hinkli ka mësuar: “Ordinancat e tempullit bëhen bekimet kurorëzuese që Kisha ka për të ofruar”1.

“Qëllimi përfundimtar i anëtarësisë sonë është të kthehemi tek Ati ynë Qiellor si familje të përjetshme”, thotë Vëllai Çiang. “Për këtë duhet të marrim gjitha ordinancat e domosdoshme që gjenden në tempull.”

Një Shfaqje Dashurie

Në misionin e saj, Kamil Vu mësoi se sa i rëndësishëm është çdo shpirt për Perëndinë. Kamila ndjeu një derdhje të madhe të dashurisë së Shpëtimtarit për secilin nga numri i madh i njerëzve që ajo pati mundësi të mësonte.

“Kur erdha në shtëpi dhe u angazhova me historinë tonë familjare”, thotë ajo, “e kuptova se ndoshta mund të kisha po aq shumë ndikim në shpëtimin e shpirtrave duke bërë punë tempulli dhe historie famljare.”

Familja Vu mendon se tempulli është një nga shfaqjet më të mëdha të dashurisë së Atit Qiellor për fëmijët e Tij, për shkak të gjithçkaje që ai ofron.

“Kuptimi që gjej në tempull”, thotë vëllai i Kamilës, Uilfordi, “është dashuria e Perëndisë për fëmijët e Tij.”

Shënim

  1. “New Temples to Provide ‘Crowning Blessings’ of the Gospel,” Ensign, maj 1998, 87.