2007
Pyetje & Përgjigje
Tetor 2007


Pyetje & Përgjigje

“Një ditë lexova 1 Nefi 7:12, që thotë se Zoti është në gjendje të bëjë gjithçka për ne, në qoftë se ushtrojmë besim tek Ai. Si e ushtrojmë besimin tek Krishti?”

  • Ushtrimi i besimit tek Jezu Krishti do të thotë të kesh mirëbesim dhe bindje tek Ai.

  • Besimi është fuqia për të shfaqur vullnetin e Tij në jetën tuaj.

  • Besimi, dhuratë nga Perëndia, vjen kur jeni të drejtë.

  • Tre kapitujt më të nevojshëm për t’u lexuar janë Hebrenjve 11, Ethëri 12 dhe Moroni 7.

Liahona

Besim do të thotë t’i zësh besë dhe të kesh siguri tek Zoti. Besimi juaj tek Ai, është një fuqi që ju çon t’i bindeni ungjillit të Tij dhe bindja juaj do t’ju ndihmojë të keni më shumë besim, i cili është dhuratë nga Perëndia.

Siç thonë shkrimet e shenjta, në rast se keni besim tek Zoti, Ai mund të bëjë gjithçka për ju, të tilla si: t’ju shërojë, t’ju falë, t’ju ngushëllojë dhe t’ju kthejë në besim. Por të kesh besim nuk do të thotë t’i tregosh Perëndisë se ç’të bëjë. Do të thotë t’i besosh Atij dhe të kuptosh që të gjitha bekimet vijnë “sipas vullnetit të tij” (1 Nefi 7:12) dhe “në vetë kohën e tij dhe në vetë mënyrën e tij” (DeB 88:68). Për shembull, mundet që ju të mos merrni përgjigje të menjëhershme për lutjet tuaja. Por besimi juaj ju siguron se Ati Qiellor i dëgjon lutjet tuaja dhe do t’u përgjigjet në kohën e duhur.

Për ta zhvilluar dhe ushtruar besimin, (1) mësoni fjalën e Perëndisë, qoftë duke lexuar shkrimet e shenjta ose duke dëgjuar ata që kanë autoritet që ta mësojnë (shih Romakëve 10:17). Njohja e fjalës do t’ju ndihmojë të shihni që Perëndia i mban gjithmonë premtimet e Tij.

(2) Veproni mbi bazën e asaj që mësoni ose, siç thotë Alma, eksperimentoni me fjalën. Fjala është si një farë. Në rast se është e mirë, do të zmadhojë shpirtin tuaj, do të ndriçojë kuptimin tuaj, do të fillojë të jetë e këndshme për ju (shih Alma 32:28). Ky është për ju pohimi shpirtëror që fjala është e vërtetë, gjë e cila do të ngrejë besimin tuaj.

(3) Bindjuni urdhërimeve. Drejtësia juaj lejon që të zhvillohet dhurata e besimit në jetën tuaj. Tregojeni besimin që keni tek Jezu Krishti duke ndjekur shembullin dhe mësimet e Tij. Bëni atë që Ai ju kërkon nëpërmjet shkrimeve të shenjta, mësimeve të profetëve të gjallë dhe nxitjeve të Frymës së Shenjtë. Për shembull, a e pranuat ju ftesën e Presidentit Gordon B. Hinkli që ta lexonit Librin e Mormonit deri në fund të vitit 2005? Ata që vepruan kështu, vepruan me besim dhe morën bekimet e premtuara. (Sigurisht, në rast se nuk e mbaruat leximin e Librit të Mormonit atëherë, keni akoma mundësi!)

Ndërkohë që shumë njerëz ecin në jetë pa besimin tek Zoti, ata nuk munden kurrë të trashëgojnë jetën e përjetshme pa besim tek Ai. Vetëm nëpërmjet ungjillit të Jezu Krishtit — duke qenë besimi tek Ai si parim i parë — ne mund të gëzojmë “jetë të përjetshme, dhuratë e cila është më e madhja nga të gjitha dhuratat e Perëndisë” (DeB 14:7).

Lexuesit

Unë besoj që përkushtimi ndaj Krishtit dhe ungjillit të Tij është mënyra më e mirë për të treguar dashurinë dhe besimin tonë tek Ai. Kur i jetojmë parimet dhe standardet e Tij dhe ecim me qëndrueshmëri në udhën që na ka treguar, ne po i dëshmojmë jo vetëm Atij, por edhe njerëzve të tjerë në jetën tonë. Ne japim dëshmi për mirënjohjen që kemi për sakrificën e Tij për ne dhe gjithashtu për Rivendosjen e ungjillit.

Jan V., 17 vjeç, Moravia, Republika Çeke

Kur ne besojmë në ndihmën dhe fuqinë e Zotit, atëherë mund të shkojmë përpara duke pasur besim tek Ai. Bindja jonë ndaj urdhërimeve tregon se kemi besim tek Ai. E di me të gjithë zemrën se Ai dëshiron të na japë bekime të mëdha dhe se besimi dhe bindja janë thelbësore për t’i fituar ato.

Marko C., 18 vjeç, Liguria, Itali

Ushtro besim tek Krishti nëpërmjet bindjes. Besimi pa vepra është i vdekur. Kur bindemi pa e ditur përse, ne tregojmë mirëbesimin dhe besimin tonë tek Ai. T’u bindesh urdhërimeve, tregon se ne i zëmë besë Atij dhe kemi besim tek ato që na thotë për të bërë. Lutja dhe leximi përditë i shkrimeve të shenjta forcojnë marrëdhënien time me Atin Qiellor, duke më dhënë më shumë besim tek Ai. Gjithashtu, ju duhet të prisni përgjigje për lutjet tuaja. Lutuni për ndihmën që të fitoni besim.

Megan S., 18 vjeçe, Misuri, SHBA

Të kesh besim tek Jezu Krishti, do të thotë t’i besosh plotësisht Atij dhe të jesh i sigurtë në mendje dhe zemër që Ai ekziston dhe që është Shpëtimtari ynë. Ne duhet ta vëmë mirëbesimin tonë te Krishti, sepse Ai di si të na ndihmojë të kapërcejmë vështirësitë në jetë. Mungesa e besimit tonë tek Ai, bën që të shqetësohemi për gjendjen tonë shpirtërore dhe të vëmë në dyshim premtimet e Perëndisë. Përqendrimi tek Shpëtimtari më ka ndihmuar të mbetem e fortë në ungjill, të vë nën kontroll frikën dhe të kapërcej pengesat.

Natalia N., 19 vjeçe, Çimborazo, Ekuador

Nëse kemi njohuri për ungjillin dhe kemi besim tek vërtetësia e tij, nevojitet që të eksperimentojmë vënien e tij në jetë, që të marrim bekimet. Besimi pa vepra është i vdekur. Nëse ka besim me vepra, atëherë besimi bëhet gjithnjë e më i vendosur. Tek 1 Nefi 7:12, na kujtohet që ne duhet të jemi besnikë ndaj Perëndisë. Të jesh besnik, përbën pjesën e parë të zhvillimit të besimit.

Otgonçimeg B.,15 vjeç, Töv, Mongoli

Mund të ushtrojmë besim duke lënë Zotin të na udheqë në jetë. Duke i besuar Perëndisë, duke ndjekur Atë dhe duke punuar me zell për mbajtjen e urdhërimeve, mund të ushtrojmë besimin tek Ai. Pasi i nënshtrohemi vullnetit të Tij, ne mund të bëhemi dëshmitarë të mrekullive të mëdha në jetën tonë dhe në jetën e të tjerëve përreth.

Dmitrij Z., 21 vjeç, Doneck, Ukrainë

Mund të ushtrojmë besim tek Jezu Krishti duke u mbështetur dhe duke i besuar tërësisht gjithëditurisë dhe plotfuqishmërisë së Tij. Një mënyrë e mirë për ta bërë këtë është duke paguar të dhjetën, sepse nëpërmjet saj mund të tregojmë se jemi të gatshëm të lëmë gjërat e botës për bekime më të mëdha të premtuara.

Samanta L., 15 vjeçe, Zamboanga del Sur, Filipine

Ne kemi shumë mënyra për ta ushtruar besimin tek Perëndia, si leximi i shkrimeve të shenjta dhe lutja përditë, mbajtja e shenjtë e ditës së Shabatit, dhënia e së dhjetës dhe e ofertave të agjërimit, shërbimi ndaj të tjerëve dhe gatishmëria për të mbajtur urdhërime të tjera.

Seng S., 18 vjeç, Batambang, Kamboxhia

Ne ushtrojmë besim tek Krishti duke shkuar në Kishë, duke bërë lutjet, duke lexuar shkrimet e shenjta, duke pranuar thirrjet, duke u penduar për mëkatet tona, duke marrë sakramentin dhe duke lartësuar thirrjet tona.

Adam N., 18 vjeç, Xhorxhia, SHBA

Përgjigjet kanë si qëllim të ndihmojnë dhe të japin një vështrim, nuk janë deklarime të doktrinës së Kishës.

Sa herë që vini në provë besimin tuaj, domethënë, kur veproni me denjësi sipas një mbrese, ju do të merrni provën pohuese të Shpirtit. Ato ndjenja do ta përforcojnë besimin tuaj. Ndërsa përsërisni këtë model, besimi juaj do të bëhet më i fortë… . Duke e praktikuar në vazhdimësi, besimi do të bëhet një forcë drithëruese, e fuqishme, lartësuese e frymëzuese në jetën tuaj.”

Plaku Riçard G. Skot, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, “The Sustaining Power of Faith in Times of Uncertainty and Testing”, Liahona, maj 2003, faqe 76.