2007
Kush Ma Ktheu Kokën?
Tetor 2007


Kush Ma Ktheu Kokën?

Gjatë mbledhjes së sakramentit në Piura, Peru, më 1972, një folës i cili po diskutonte për rëndësinë e punës për historinë familjare, më vështronte gjatë gjithë kohës. Në fund të fjalës së tij, ai më befasoi mua kur njoftoi: “E di se Vëllai Rosilo do ta bëjë këtë punë”.

Isha anëtar i Kishës për më pak se një vit, por vura qëllim t’ia filloja historisë së familjes sime — jo për shkak të asaj që tha ai, por sepse ndieja dëshirë për të vepruar ashtu. Mora një tabelë prejardhjeje për katër breza dhe fillova duke pyetur prindërit dhe të afërmit e mi që të zbuloja ato që dinin. Sa herë punoja për historinë e familjes sime, i lutesha dhe i kërkoja ndihmë Zotit.

Për të gjetur datat e vdekjes së stërgjyshërve të mi nga ana e nënës, udhëtova drejt qytetit të Zoritos, në Perunë veriore, ku qenë varrosur ata. Varrezat ishin në periferi të qytetit dhe shumica e të vdekurve ishin vënë të preheshin në kube të gurta.

Hyra në varrezë dhe fillova të kërkoja, por nuk gjeta asgjë. Atëherë vendosa të shkoj në qytet që të pyesja një kushërirë nëse ishte e sigurt që stërgjyshërit tanë qenë varrosur atje. Kur ajo tha se po, unë i thashë: “Nuk largohem derisa t’i kem ato data”.

U ktheva tek varreza dhe fillova kërkimin metodik, duke marrë radhazi korridoret e kubeve dhe duke lexuar çdo mbishkrim. Nuk munda të gjej ende kubetë e tyre, prandaj u ula në gjunjë dhe i kërkova Zotit të më ndihmonte. Pastaj kërkova përsëri, por po me atë përfundim. Isha i lodhur, po bëhej vonë dhe duhej të largohesha për të bërë një kërkim tjetër që kisha planifikuar.

“Epo unë e bëra pjesën time”, mendova me vete. Do të më duhej të largohesha pa e plotësuar qëllimin.

Gati për t’u larguar, iu drejtova portës së përparme. Por sapo hodha një hap, ndjeva se dy duar më kapën nga pas kokës dhe ma kthyen në drejtim të njëfarë vendi. Sytë m’u ndalën mbi një gur varri të vogël e të lerosur që ishte rrafsh me tokën. Vështrova pas për të parë se kush më kishte kapur nga koka, por askush nuk ishte aty.

Shkova tek guri i varrit, u ula në tokë dhe i pastrova mbishkrimin. Me mirënjohje të madhe lexova të dhënën që po kërkoja: Isidro Garsia Rosilo, vdekur më 1 gusht 1934. Fransiska Espinoza Berrú, vdekur më 31 janar 1954.

Pritja e gjatë e stërgjyshërve të mi për të marrë ordinancat shpëtuese përfundoi më 1980. Kjo ndodhi kur gruaja ime dhe unë shkuam në Tempullin Sao Paulo Brazil për të marrë indaumentet tona. Në tempull u vulosa me gruan time dhe u pagëzova për të dashurit e mi të vdekur.

Kur po hyja në vaskën e pagëzimit, m’u kujtua guri i vogël i varrit atje tek varreza. Zbrita në ujin e qetë me dijeninë që Zoti kishte udhëhequr hapat e mi ndërsa kërkoja stërgjyshërit e mi.