Ju Dini Mjaftueshëm
Si dishepuj të Zotit Jezu Krisht, ne kemi në dispozicion rezervuarë gjigandë shpirtërorë të dritës dhe të së vërtetës. … Në ditët tona të vështira, ne zgjedhim rrugën e besimit.
Unë gëzohem bashkë me ju që jemi anëtarë të Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme. Ndërsa Presidenti Monson dha lajmin e mrekullueshëm për pesë tempuj të rinj, unë mendova se si nëpër botë, në çdo kontinent, në qytetet e mëdha dhe në fshatrat e vegjël, ne jemi një familje e madhe besimtarësh. Së bashku, ne kemi filluar marshimin tonë drejt jetës së përjetshme. Ai është udhëtimi më i madh i gjithë udhëtimeve. Ne ecim përpara duke marrë mbi vete “emrin e Krishtit, duke pasur vendosmëri për t’i shërbyer atij deri në fund.”1
Ndërsa ka shumë përvoja si kjo që po përjetojmë sot, plot me fuqi dhe konfirmim shpirtëror, ka gjithashtu ditë kur ne ndiehemi të papërshtatshëm dhe të papërgatitur, kur dyshimi dhe pështjellimi hyjnë në shpirtrat tanë, kur ne kemi vështirësi në gjetjen e pikës për t’u mbështetur nga ana shpirtërore. Pjesë e fitores sonë si dishepuj të Krishtit është ajo që bëjmë ne kur vijnë këto ndjenja.
Afro 40 vjet më parë, ndërsa po mendoja për sfidën e një misioni, unë e ndjeva veten shumë të papërshtatshëm dhe të papërgatitur. Unë kujtoj që u luta: “Atë Qiellor, si mund të shërbej në një mision kur unë di kaq pak?” Unë besoja në Kishën, por unë ndieja që njohuria ime shpirtërore ishte shumë e kufizuar. Ndërsa unë lutesha, erdhi ndjenja: “Ti nuk di çdo gjë, por ti di mjaftueshëm!” Ai sigurim më dha mua kurajën të ndërmerrja hapin tjetër për në fushën e misionit.
Udhëtimi ynë shpirtëror është procesi i një jete të tërë. Ne nuk dimë çdo gjë në fillim ose madje edhe përgjatë rrugës. Kthimi ynë në besim vjen hap-pas-hapi, rresht pas rreshti. Ne fillimisht ndërtojmë një themel besimi tek Zoti Jezu Krisht. Ne ruajmë si thesar parimet dhe ordinancat e pendimit, pagëzimit dhe marrjes së dhuratës së Frymës së Shenjtë. Ne përfshijmë një zotim të vazhdueshëm në lutje, një gatishmëri për të qenë të bindur dhe një dëshmi të vazhdueshme për Librin e Mormonit. (Libri i Mormonit është ushqim i fuqishëm shpirtëror.)
Atëherë ne mbetemi të qëndrueshëm dhe të duruar ndërsa përparojmë përgjatë jetës së vdekshme. Disa herë, përgjigjja e Zotit do të jetë: Ti nuk di çdo gjë, por ti di mjaftueshëm – mjaftueshëm për të mbajtur urdhërimet dhe për të bërë atë që është e drejtë. Kujtoni fjalët e Nefit: “Unë e di se ai i do fëmijët e tij; megjithatë, unë nuk e di kuptimin e të gjitha gjërave.”2
Një herë vizitova një mision në Europën jugore. Unë arrita në ditën kur një misionar i ri po përgatitej të kthehej në shtëpi me këmbënguljen e vet. Ai e kishte biletën e tij të kthimit për ditën tjetër.
Ne u ulëm së bashku në shtëpinë e presidentit të misionit. Misionari më tregoi rreth fëmijërisë së tij të vështirë me çrregullime në të mësuar e me shpërngulje nga një familje në tjetrën. Ai foli hapur për paaftësinë e tij për të mësuar një gjuhë të re dhe për t’u përshtatur me një kulturë të re. Më pas ai shtoi: “Vëllai Andersen, unë as që nuk e di nëse Perëndia më do”. Kur ai tha ato fjalë, unë ndjeva një ndjenjë të sigurt dhe të fortë të hynte brenda shpirtit tim, “Ai e di që unë e dua atë. Ai e di atë.”
Unë e lashë të vazhdonte edhe për disa minuta dhe pastaj thashë: “Elder, unë i kuptoj me dhembshuri shumë nga ato që ke thënë, por më duhet të të korrigjoj për një gjë: ti me të vërtetë e di që Perëndia të do ty. Ti e di që Ai të do.”
Ndërsa ia thashë ato fjalë, i njëjti Shpirt që më kishte folur mua, i foli atij. Ai përkuli kokën dhe filloi të qante. Ai kërkoi falje. “Vëllai Andersen,” tha ai, “unë me të vërtetë e di që Perëndia më do, unë e di atë.” Ai nuk dinte gjithçka, por ai dinte mjaftueshëm. Ai e dinte që Perëndia e donte atë. Ajo pjesëz e paçmuar e njohurisë shpirtërore ishte e mjaftueshme që dyshimi i tij të zëvendësohej nga besimi. Ai gjeti forcën të qëndronte në misionin e tij.
Vëllezër dhe motra, secili prej nesh ka çaste të fuqisë shpirtërore, çaste frymëzimi dhe zbulese. Ne duhet t’i zhysim ato thellë brenda dhomave të shpirtrave tanë. Ndërsa e bëjmë atë, ne përgatitim rezervat e shtëpive tona shpirtërore për çastet e vështirësive vetjake. Jezusi tha: “Nguliteni këtë në zemrat tuaja, që ju do të bëni gjërat që unë do t’ju mësoj dhe urdhëroj.”3
Disa vite më parë, një mikut tim i vdiq vajza e vogël në një aksident tragjik. Shpresat dhe ëndrrat u shkatërruan. Miku im përjetoi një dhimbje të papërballueshme. Ai filloi të vinte në pikëpyetje atë çfarë kishte mësuar për vete dhe çfarë ai u kishte mësuar të tjerëve si misionar. Nëna e mikut tim më shkroi një letër dhe më kërkoi që të mund t’i jepja një bekim. Ndërsa i vura duart e mia mbi kokë, ndjeva t’i thosha atij diçka për të cilën nuk kisha menduar saktësisht në atë mënyrë më parë. Përshtypja që më erdhi ishte: Besimi nuk është vetëm një ndjenjë, është një vendim. Atij do t’i duhej të zgjidhte besimin.
Miku im nuk dinte gjithçka, por ai dinte mjaftueshëm. Ai zgjodhi rrugën e besimit dhe bindjes. Ai u ul në gjunjë. Ekuilibri i tij shpirtëror u rikthye.
Kanë kaluar disa vite që prej asaj ngjarjeje. Pak kohë më parë mora një letër nga i biri i cili po shërben tani në një mision. Ishte plot bindje dhe dëshmi. Ndërsa lexoja letrën e tij të bukur, pashë se si zgjedhja e të atit për të besuar në një kohë shumë të vështirë, e bekoi thellësisht brezin pasues.
Sfidat, vështirësitë, pyetjet, dyshimet – këto janë pjesë e jetës sonë të vdekshme. Por ne nuk jemi vetëm. Si dishepuj të Zotit Jezu Krisht, ne kemi në dispozicion rezervuarë gjigandë shpirtërorë të dritës dhe të së vërtetës. Frika dhe besimi nuk mund të bashkekzistojnë në zemrat tona në të njëjtën kohë. Në ditët tona të vështira, ne zgjedhim rrugën e besimit. Jezusi tha: “Mos ki frikë, vetëm ki besim!”4
Përgjatë viteve ne i ndërmarrim këto hapa të rëndësishëm shpirtërorë vazhdimisht pa pushim. Ne fillojmë të kuptojmë që “ai që merr dritë e vazhdon në Perëndinë, merr më shumë dritë; dhe ajo dritë shkëlqen gjithnjë e më shumë, derisa drita është e plotë”5. Pyetjet dhe dyshimet tona gjejnë zgjidhje ose bëhen më pak shqetësuese për ne. Besimi ynë bëhet i thjeshtë dhe i pastër. Ne arrijmë të njohim atë që tashmë e dinim.
Jezusi tha: “Në qoftë se ju … nuk bëheni si fëmijët e vegjël, ju nuk do të hyni fare në mbretërinë e qiejve.”6
Hadli Pei është tani shtatë vjeçe. Hadli lindi me një dëmtim shumë serioz në të dëgjuar, që kërkonte kirurgji të gjerë për t’i dhënë një dëgjim madje të kufizuar. Prindërit e saj vijuan ta ushtronin në mënyrë të palodhur për ta mësuar të fliste. Hadli dhe familja e saj iu përshtatën me një shpirt të mirë sfidës së shurdhërisë së saj.
Një herë, kur Hadli ishte katër vjeçe, ajo po qëndronte në radhë te sporteli i një dyqani ushqimesh me nënën e saj. Ajo vështroi prapa saj dhe pa një djalë të vogël të ulur në një karrige me rrota. Ajo vuri re që djali nuk kishte këmbë.
Megjithëse Hadli kishte mësuar të fliste, ajo kishte vështirësi në kontrollimin e lartësisë së zërit të saj. Me zërin e saj të lartë, ajo e pyeti të ëmën përse nuk kishte këmbë djali i vogël.
Nëna e saj qetësisht dhe thjeshtë i shpjegoi Hadlit që “Ati Qiellor i bën të gjithë fëmijët e Tij të ndryshëm”. “Në rregull,” u përgjigj Hadli.
Pastaj, papritur, Hadli u kthye nga djali i vogël dhe i tha: “A e di që kur Ati Qiellor më bëri mua, veshët e mi nuk funksiononin? Kjo më bën mua të veçantë. Ai të bëri ty pa këmbë dhe ajo të bën ty të veçantë. Kur të vijë Jezusi, unë do jem në gjendje të dëgjoj dhe ti do marrësh këmbët e tua. Jezusi do të bëjë çdo gjë si duhet.”
“Në qoftë se ju … nuk bëheni si fëmijët e vegjël, ju nuk do të hyni fare në mbretërinë e qiejve.”
Hadli dinte mjaftueshëm.
Jezusi është Krishti. Ai është ringjallur. Ai është Shpëtimtari dhe Shëlbuesi ynë. Gjithçka do të bëhet mirë kur Ai të vijë përsëri. Kjo është puna e Tij e shenjtë. Nëpërmjet Profetit Jozef Smith, priftëria e Tij u rivendos mbi tokë dhe profeti i Tij sot është Presidenti Tomas S. Monson. Kështu dëshmoj, në emrin e Jezu Krishtit, amen.