Mesazh nga Udhëheqja Zonale
Të Arrijmë ta Njohim Shpëtimtarin Tonë, Jezu Krishtin
Misionarët më folën për Jezu Krishtin, jetën e Tij dhe mësimet e Tij kur isha i ri. Tani, pasi kam qenë anëtar i Kishës për 30 vjet, nganjëherë pyes veten nëse e njoh me të vërtetë Shpëtimtarin tim, Jezu Krishtin. Përgjigjja është: “Po, vërtet e njoh Atë dhe po ashtu e njihni edhe ju”.
Sidoqoftë, ashtu si njerëzit me të cilët nuk kemi qenë në kontakt për një kohë të gjatë, bëhen të panjohur për ne, po ashtu Shpëtimtari ynë mund të bëhet një i panjohur për ne. Të arrijmë ta njohim Atë dhe vërtet ta njohim Atë është një proces i vazhdueshëm. Dëshiroj t’ju tregoj disa nga veprimet që më kanë ndihmuar të arrij ta njoh më mirë Krishtin dhe ta njoh Atë vazhdimisht.
Lutja
Materiali “Të Vërtetë ndaj Besimit” na mëson rreth lutjes: “Ati juaj Qiellor ju do dhe i njeh nevojat tuaja dhe dëshiron që ju të bashkëbisedoni me Të me anë të lutjes. … Kur e bëni zakon që t’i drejtoheni Perëndisë me lutje, ju do të arrini ta njihni më mirë Atë dhe t’i afroheni gjithnjë e më pranë. Dëshirat tuaja do të bëhen më të ngjashme me të Tijat. Do të jeni në gjendje të siguroni për vete dhe për të tjerët bekime që Ai është gati t’i japë, nëse ju veçse ia kërkoni me besim.”1 Kur fillova të lutesha, u afrova më shumë me Atin tim Qiellor dhe Birin e Tij. Lutjet e rregullta më ndihmuan ta ruaja këtë marrëdhënie të ngushtë. Unë jam mirënjohës për fuqinë e lutjes.
Studimi i Shkrimeve të Shenjta
Libri i Mormonit përdor fjalët vijuese për të përshkruar bijtë e Mosias: “Dhe ata ishin përforcuar në njohurinë e së vërtetës; pasi ata ishin njerëz me kuptim të saktë dhe kishin kërkuar me zell shkrimet e shenjta, që ata të mund të dinin fjalën e Perëndisë”2. Studimi i përditshëm i shkrimeve të shenjta na ndihmon të jemi të ndjeshëm ndaj pëshpëritjeve të Frymës së Shenjtë. Ai e forcon besimin tonë, na ndihmon t’u bëjmë ballë tundimeve dhe na ndihmon të mësojmë që ta njohim Atin tonë Qiellor dhe Birin e Tij të dashur.
Shërbimi
Leximi i shkrimeve të shenjta na ndihmon të arrijmë të njohim Shpëtimtarin. Gjithsesi, thjesht njohja e Tij nuk mjafton, ne gjithashtu duhet të bëhemi si Ai. Që të bëhemi si Shpëtimtari, na nevojitet të veprojmë. Nëpërmjet shërbimit ndaj të tjerëve, ne jemi bashkëshërbëtorë të Krishtit.
Kur isha anëtar i ri në Kishë, në atdheun tim pati kohë të vështira dhe shumë njerëz kishin vështirësi financiare. Nganjëherë u çoja ushqime anëtarëve të degës sonë dhe i lija qeset prapa dyerve të tyre fshehurazi. Më pëlqente shumë të mendoja se kur ta gjenin qesen me ushqime, duke mos e ditur se kush e solli, ata do të falënderonin Perëndinë dhe jo mua. Një prej shëmbëlltyrave të mia të parapëlqyera në shkrimet e shenjta, është shëmbëlltyra e Samaritanit të Mirë. Samaritani nuk planifikoi ndonjë veprim të mirë për atë ditë të veçantë, por e pa nevojën dhe kreu veprimin. Jezusi i tha një doktori të ligjit në fund të këtij rrëfimi: “Shko dhe bëj kështu dhe ti”3. Ky mesazh i Jezusit na drejtohet edhe neve. Duke i ndihmuar të tjerët, ne do të jemi në gjendje të ndihemi ashtu si u ndje Jezusi kur Ai u shërbeu të tjerëve.
Besëlidhjet
Besëlidhjet bëhen midis dy ose më shumë palëve. Kur bëjmë besëlidhje në Kishë, ne jemi njëri nga partnerët dhe partneri tjetër është Perëndia. Besëlidhja jonë e parë është besëlidhja a pagëzimit dhe nëpërmjet bërjes së kësaj besëlidhjeje ne premtuam që të marrim mbi vete emrin e Jezu Krishtit. Të dielave ne frekuentojmë mbledhjen e sakramentit për të ripërtërirë besëlidhjen tonë të pagëzimit. Në tempuj ne bëjmë besëlidhje që do të jenë të vlefshme edhe pas largimit nga kjo botë.
Presidenti Nelson tha që ne e “rritim gjithashtu fuqinë e Shpëtimtarit në jetën tonë kur bëjmë besëlidhje të shenjta dhe i mbajmë ato besëlidhje me saktësi. Besëlidhjet tona na lidhin me Të dhe na japin fuqi të perëndishme.”4 Për t’i ndihmuar të tjerët që ta rritin fuqinë e Shpëtimtarit në jetën e tyre, ne mund t’i nxitim dhe ndihmojmë ata që të marrin ordinanca dhe besëlidhje hyjnore.
Dëshmimi për Jezu Krishtin
Dëshmia jonë vetjake zakonisht fillon me dëshminë e dikujt tjetër. Motra ime më shprehu dëshminë e vet pas pagëzimit të saj. Ndjeva dëshirë që të dëgjoja më shumë rreth asaj për të cilën kishte dëshmuar motra ime. Më pas misionarët erdhën dhe dëshmuan rreth Jezu Krishtit, ungjillit të Tij dhe Kishës së rivendosur. Ishte kaq e fuqishme sa ma ndryshoi tërësisht jetën. Në një çast, një ateist ishte bërë një besimtar, i cili dëshironte të ndiqte mësimet dhe shembullin e Krishtit. Në të njëjtën mënyrë, dëshmia jonë mund ta ndryshojë jetën e dikujt tjetër. Për shkak të dëshmisë sonë, dikush mund të arrijë ta njohë Krishtin, të cilin nuk e njihte më parë.
Unë ju dëshmoj se e di që kemi një Atë të dashur Qiellor. E di se biri i Tij, Jezu Krishti, na shëlboi nga mëkati. Ju premtoj se kur luteni, i studioni shkrimet e shenjta, u shërbeni të tjerëve, bëni besëlidhje me Zotin dhe dëshmoni për Të, ju do të arrini ta njihni Shpëtimtarin tuaj, Jezu Krishtin, edhe më mirë.