“Shpresë te Krishti”, Për Forcën e Rinisë, maj 2021.
Sesioni i Pasdites të së Shtunës
Shpresë te Krishti
Pjesë të Shkëputura
Vëllezër e motra, në këtë kohë Pashke, ne përqendrohemi te Ringjallja e lavdishme e Zotit dhe Shpëtimtarit tonë, Jezu Krishtit. Na kujtohet ftesa e Tij plot dashuri: “Ejani tek unë, o ju të gjithë të munduar dhe të rënduar, dhe unë do t’ju jap çlodhje.
Merrni mbi vete zgjedhën time dhe mësoni nga unë, sepse unë jam zemërbutë dhe i përulur nga zemra; dhe ju do të gjeni prehje për shpirtrat tuaj.
Sepse zgjedha ime është e ëmbël dhe barra ime është e lehtë” [Mateu 11:28–30].
Ftesa e Shpëtimtarit për të ardhur tek Ai është një ftesë për të gjithë që jo vetëm të vijnë tek Ai, por edhe që të përkasin në Kishën e Tij. …
Jezusi dëshiron që ne ta dimë se Perëndia është një Atë i dashur Qiellor.
Dijenia se Ati ynë Qiellor na do, do të na ndihmojë të dimë se kush jemi dhe të dimë se ne përkasim në familjen e Tij të madhe dhe të përjetshme. …
… Pavarësisht nga sfidat që hasim në jetë, sikurse në atë mëngjes të parë të Pashkës, për ne mund të agojë një jetë e re në Krishtin, me mundësi të reja e të mrekullueshme dhe realitete të reja, kur ne i drejtohemi Zotit për shpresë dhe përkatësi. …
Unë flas për shpresë te Krishti jo si një mendim plot dëshira. Përkundrazi, unë flas për shpresën si një pritshmëri që do të realizohet. Një shpresë e tillë është thelbësore për të kapërcyer fatkeqësinë, për të ushqyer aftësinë ripërtëritëse dhe forcën shpirtërore, si dhe për të arritur në dijeninë se Ati ynë i Amshuar na do dhe se ne jemi fëmijët e Tij që i përkasim familjes së Tij. …
Kurrë mos harroni se jeni fëmijë i Perëndisë, Atit tonë të Amshuar, tani dhe përgjithmonë. Ai ju do dhe Kisha ju do dhe ka nevojë për ju. Po, ne kemi nevojë për ju! Kemi nevojë për zërat, talentet, aftësitë, mirësinë dhe drejtësinë tuaj.