“Çfarë Ka Bërë Shpëtimtari Ynë për Ne?”, Për Forcën e Rinisë, maj 2021.
Sesioni i Priftërisë
Çfarë Ka Bërë Shpëtimtari Ynë për Ne?
Pjesë të Shkëputura
Çfarë ka bërë Jezu Krishti për secilin prej nesh? Ai ka bërë gjithçka që është thelbësore për udhëtimin tonë përmes vdekshmërisë drejt fatit të përvijuar në planin e Atit tonë Qiellor. Unë do të flas për katër prej karakteristikave kryesore të atij plani. …
Ringjallja na jep këndvështrimin dhe forcën për t’i duruar sfidat e vdekshmërisë, me të cilat përballet secili prej nesh dhe njerëzit që i duam. Ajo na jep një mënyrë të re për t’i parë mangësitë fizike, mendore apo emocionale që i kemi që nga lindja ose që i marrim gjatë jetës në vdekshmëri. Ajo na jep forcën për t’i duruar hidhërimet, dështimet dhe zhgënjimet. …
Ringjallja gjithashtu na jep edhe një stimul të fuqishëm për t’i zbatuar urdhërimet e Perëndisë gjatë jetës sonë në vdekshmëri. …
Shpëtimtari dhe Shëlbuesi ynë duroi vuajtje të papërfytyrueshme për t’u bërë fli për mëkatet e të gjithë të vdekshmëve që do të pendoheshin. Ky flijim shlyes ofroi të mirën më të lartë, qengjin e dëlirë pa të meta, për masën më të lartë të ligësisë, mëkatet e tërë botës. …
… Jezusi na mësoi planin e shpëtimit. Ky plan përfshin Krijimin, qëllimin e jetës, domosdoshmërinë e kundërshtimit dhe dhuratën e lirisë së zgjedhjes. Ai gjithashtu na mësoi urdhërimet dhe besëlidhjet që duhet t’u bindemi, dhe ordinancat që duhet të përjetojmë për të na kthyer te prindërit tanë qiellorë. …
Shpëtimtari ynë i ndien dhe i di tundimet tona, betejat tona, pikëllimet tona dhe vuajtjet tona, sepse Ai me gatishmëri i përjetoi ato të gjitha si pjesë e Shlyerjes së Tij. … Të gjithë ata që vuajnë çfarëdo lloji dobësie të vdekshmërisë, duhet të kujtojnë se edhe Shpëtimtari ynë e përjetoi atë lloj dhembjeje dhe se nëpërmjet Shlyerjes së Tij, Ai i ofron secilit prej nesh forcën për ta duruar atë.