“Vini Re! Unë Jam një Perëndi Mrekullish”, Për Forcën e Rinisë, maj 2021.
Sesioni i Pasdites të së Dielës
“Vini Re! Unë Jam një Perëndi Mrekullish”
Pjesë të Shkëputura
Mrekullitë, shenjat dhe çuditë gëlojnë mes pasuesve të Jezu Krishtit sot, në jetën tuaj dhe në jetën time. Mrekullitë janë vepra hyjnore, shpërfaqje dhe shprehje të fuqisë së pakufishme të Perëndisë dhe një pohim se Ai është “i njëjti dje, sot dhe përgjithmonë” [Moroni 10:19]. Jezu Krishti, i cili krijoi detet, mund t’i qetësojë ato; Ai i cili i ktheu shikimin të verbrit, mund të na i drejtojë sytë drejt gjërave shpirtërore; Ai i cili pastroi lebrosët, mund të na i shërojë pafuqitë tona; Ai i cili shëroi të paralizuarin, mund të na bëjë thirrje të ngrihemi duke na thënë: “Eja[ni] e më ndiq[ni]” [Lluka 18:22].
Shumë prej jush kanë dëshmuar mrekulli, më shumë nga sa mund ta përfytyroni. Ato mund të duken të vogla krahasuar me ngritjen e të vdekurve nga Jezusi. Por nuk është madhështia ajo që e dallon një mrekulli, por vetëm fakti që vjen nga Perëndia. …
Ka raste kur shpresojmë që një mrekulli ta shërojë një njeri të dashur, të zhbëjë një veprim të padrejtë ose ta zbutë zemrën e një shpirti të hidhëruar ose zhgënjyer. Duke i parë gjërat me sytë njerëzorë, ne duam që Zoti të ndërhyjë, ta ndreqë atë që është prishur. Nëpërmjet besimit, mrekullitë do të vijnë, ndonëse jo medoemos kur e presim ne ose me përfundimin që ne dëshirojmë. …
Zoti na ka kujtuar: “As rrugët tuaja nuk janë rrugët e mia” [Isaia 55:8]. Ai ofron: “Ejani tek unë, o ju të gjithë të munduar dhe të rënduar, dhe unë do t’ju jap çlodhje” [Mateu 11:28] – çlodhje nga shqetësimi, zhgënjimi, frika, mosbindja, shqetësimi për njerëzit e dashur, për ëndrrat e humbura ose të parealizuara. Paqja mes pështjellimit ose pikëllimit është një mrekulli.