“Varri Nuk Ka Fitore”, Për Forcën e Rinisë, maj 2021.
Sesioni i Paradites të së Dielës
Varri Nuk Ka Fitore
Pjesë të Shkëputura
Në njëfarë pike në jetën tonë, ne do të ndihemi zemërthyer pas humbjes së dikujt që e duam fort. Gjatë pandemisë mbarëbotërore të tanishme, shumë prej nesh kanë humbur njerëz të dashur – qoftë pjesëtarë të familjes apo miq. Ne lutemi për ata që po pikëllohen nga një humbje e tillë. …
Ne mund ta përfytyrojmë se si u ndien miqtë e Jezusit, të cilët e kishin ndjekur Atë dhe i kishin dhënë shërbesë Atij, kur dëshmuan vdekjen e Tij. Ne e dimë se ata u “pikëllua[n] dhe e qanin” [Marku 16:10]. …
… Kur isha nëntë vjeçe, humba vëllanë tim më të madh gjatë një tërmeti shkatërrues. Për shkak se ai ndodhi papritur, m’u desh njëfarë kohe që ta kuptoja realitetin e asaj që kishte ndodhur. Isha zemërthyer nga hidhërimi dhe e pyesja veten: “Çfarë i ndodhi vëllait tim? Ku është ai? Ku shkoi ai? A do ta shoh vallë sërish?” …
Rreth 40 vjet më vonë, gjatë kohës së Pashkës, po përsiatja rreth Ringjalljes së Jezu Krishtit dhe fillova të mendoj për vëllanë tim. …
Atë ditë e kuptova se Shpirti më kishte dhënë ngushëllim në një kohë të vështirë. Kisha marrë një dëshmi që shpirti i vëllait tim nuk ka vdekur; ai është i gjallë. Ai ende po përparon në ekzistencën e tij të përjetshme. Unë e di tani se “vëlla[i im] do të ringjallet” [Gjoni 11:23] në atë çast të madhërishëm kur, për shkak të Ringjalljes së Jezu Krishtit, ne të gjithë do të ringjallemi.