“Dashuria Hyjnore në Planin e Atit”, Për Forcën e Rinisë, maj 2022.
Sesioni i Pasdites të së Dielës
Dashuria Hyjnore në Planin e Atit
Pjesë të Shkëputura
Në Kishën e rivendosur të Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme, ne kemi një kuptueshmëri të pashoqe për planin e Atit tonë Qiellor. Kjo na jep një mënyrë të ndryshme për ta parë qëllimin e jetës në vdekshmëri, gjykimin hyjnor që e pason atë, dhe fatin e lavdishëm përfundimtar të të gjithë fëmijëve të Perëndisë. …
… Doktrina e zbuluar nga Kisha e rivendosur e Jezu Krishtit na mëson se të gjithë fëmijët e Perëndisë – me përjashtime shumë të kufizuara për t’i marrë parasysh këtu – në fund do të përfundojnë në një mbretëri lavdie. …
… Më e larta e këtyre është ekzaltimi në mbretërinë çelestiale, ku ne mund të bëhemi si Ati ynë dhe Biri i Tij, Jezu Krishti. …
… Misioni i Kishës së rivendosur është t’i ndihmojë të gjithë fëmijët e Perëndisë të kualifikohen për atë që Perëndia dëshiron si fatin e tyre përfundimtar. …
Thelbësore për ne është zbulesa nga Perëndia se ekzaltimi mund të fitohet vetëm nëpërmjet besnikërisë ndaj besëlidhjeve të një martese të përjetshme midis një burri dhe një gruaje. Ajo doktrinë hyjnore është arsyeja përse ne japim mësim se “gjinia është një karakteristikë thelbësore e identitetit dhe qëllimit individual të jetës para lindjes, të jetës së vdekshme dhe asaj të përjetshme” [“Familja: Një Proklamatë drejtuar Botës”, ChurchofJesusChrist.org]. …
… Ne pohojmë se proklamata mbi familjen, e hartuar mbi doktrinën e paanulueshme, përcakton llojin e marrëdhënieve familjare ku mund të ndodhë pjesa më e rëndësishme e zhvillimit tonë të përjetshëm. …
… Ne duhet të përpiqemi t’ua shpërndajmë këto të vërteta të përjetësisë njerëzve të tjerë. Por me dashurinë që u detyrohemi të gjithë të afërmve tanë, ne gjithmonë i pranojmë vendimet e tyre. Ashtu si dha mësim një profet i Librit të Mormonit, ne duhet të shkojmë përpara, duke pasur “dashuri për Perëndinë dhe për gjithë njerëzit” [2 Nefi 31:20].