2011
Dashuria Hyjnore Nuk Ligështohet Kurrë
Nëntor 2011


Dashuria Hyjnore Nuk Ligështohet Kurrë

Lutuni për të pasur dëshirë që të mbusheni me dhuratën e dashurisë hyjnore, dashurinë e pastër të Krishtit.

Silvia H. Allred

Bashkëshorti im dhe unë, kemi vizituar së fundmi qytetin e Navusë në Ilinois. Kur ishim atje, ne u ulëm në dhomën e sipërme të Red Brick Store-it [Dyqanit me Tulla të Kuqe], atje ku Profeti Jozef Smith kishte një zyrë dhe një biznes. Ne dëgjuam me vëmendje udhërrëfyesen e cila nënvizoi disa nga ngjarjet historike të Rivendosjes që ndodhën atje.

Unë mendova për krijimin e Shoqatës së Ndihmës dhe për disa nga mësimet që morën motrat e Shoqatës së Ndihmës nga Profeti Jozef po në atë dhomë. Këto mësime u bënë parimet themeluese mbi të cilat u ngrit Shoqata e Ndihmës. Qëllimet e rritjes së besimit, forcimit të shtëpive të Sionit dhe kërkimi si dhe ndihma ndaj njerëzve në nevojë u vendosën që nga fillimi. Ato kanë qenë gjithmonë në përputhje me mësimet e profetëve tanë.

Në një prej atyre mbledhjeve të fillimit, Profeti Jozef citoi pjesë nga shkrimet e Palit drejtuar korintasve. Në ligjëratën e tij të fuqishme mbi dashurinë hyjnore, Pali i referohet besimit, shpresës dhe dashurisë hyjnore duke e përfunduar me “por më e madhja nga këto është dashuria”1.

Ai përshkruan cilësitë e mëshiruara te dashuria hyjnore. Ai tha:

“Dashuria është e durueshme; plot mirësi; dashuria nuk ka smirë, nuk vë në dukje, nuk krekoset,

… nuk kërkon të sajat, nuk pezmatohet, nuk dyshon për keq;

nuk gëzohet për padrejtësinë, por gëzohet me të vërtetën;

i duron të gjitha, i beson të gjitha, i shpreson të gjitha, i mban çdo gjë.

Dashuria nuk ligshtohet kurrë”2.

Duke iu drejtuar motrave, Profeti Jozef tha: “Mos u kufizoni në pikëpamjet tuaja lidhur me virtytet e të afërmve tuaj. … Ju duhet ta zgjeroni shpirtin tuaj përkundrejt të tjerëve nëse ju [do të] vepronit si Jezusi. … Ndërsa rriteni në pafajësi dhe virtyt, ndërsa rriteni në mirësi, le të gufohen zemrat tuaja, le të rriten ato kundrejt të tjerëve; ju duhet të jeni të durueshme dhe të duroni të metat e gabimet e njerëzimit. Sa të çmuar janë shpirtrat e njerëzve!”3

Shpallja e shkrimit të shenjtë “Dashuria hyjnore nuk ligështohet kurrë” u bë motoja e Shoqatës së Ndihmës pasi ajo përmban këto mësime dhe përgjegjësinë që Profeti Jozef Smith u dha motrave të Shoqatës së Ndihmës për të “lehtësuar të varfrin” e për të “shpëtuar shpirtra”4.

Këto parime themelore janë pranuar nga motrat e Shoqatës së Ndihmës në mbarë botën, pasi e tillë është natyra e punës së Shoqatës së Ndihmës.

Çfarë është dashuria hyjnore? Si e fitojmë ne dashurinë hyjnore?

Profeti Mormoni e përkufizon dashurinë hyjnore si “dashuri[në] e pastër të Krishtit”5, ndërsa Pali jep mësim se “dashuria hyjnore … është lidhja e përsosmërisë”6 dhe Nefi na kujton se “Zoti Perëndi ka dhënë urdhër, që të gjithë njerëzit duhet të kenë mirëdashje, mirëdashje e cila është dashuri”7.

Gjatë rishikimit të përshkrimit të mëparshëm të Palit për dashurinë hyjnore, ne mësojmë se dashuria hyjnore nuk është veç një veprim i vetëm ose diçka që ne e japim, por një gjendje e të qenit, një gjendje e zemrës, ndjenja mirëdashëse që shkaktojnë vepra dashurie.

Mormoni gjithashtu, jep mësim se dashuria hyjnore u jepet dishepujve të vërtetë të Zotit dhe se dashuria hyjnore i pastron ata që e kanë atë.8 Përveç kësaj, ne mësojmë se dashuria hyjnore është një dhuratë qiellore të cilën duhet ta kërkojmë dhe për të cilën duhet të lutemi.Ne duhet të kemi dashuri hyjnore në zemrat tona në mënyrë që të trashëgojmë mbretërinë çelestiale.9

Duke ditur se Zoti na ka kërkuar të “vesh[im] [veten tonë] me lidhjen e dashurisë hyjnore”10, ne duhet të kërkojmë se cilat cilësi do të na ndihmojnë ta zhvillojmë dashurinë hyjnore.

Ne së pari duhet të kemi dëshirën për t’u rritur në dashuri hyjnore dhe për t’u bërë më shumë si Krishti.

Hapi pasues është të lutemi. Mormoni na këshillon t’i “lutemi Atit me gjithë fuqinë e zemrës sonë, që [ne] të mund të mbushemi me këtë dashuri”. Kjo dashuri e perëndishme është dashuria hyjnore dhe kur ne mbushemi me këtë dashuri, “ne do të jemi si Ai”11.

Leximi i përditshëm i shkrimeve të shenjta mund ta çojë mendjen tonë te Shpëtimtari dhe te një dëshirë për të qenë më shumë si Ai.

Në zyrën time, unë vendosa të varja një pikturë nga Minerva Taihert [Minerva Teichert] të quajtur Rescue of the Lost Lamb [Shpëtimi i Qengjit të Humbur]. Ajo paraqet Shpëtimtarin duke qëndruar mes deleve të Tij dhe duke mbajtur me dhimbsuri një qengj të vogël në krahët e Tij. Ajo më ndihmon mua të reflektoj mbi përgjërimin e Tij: “Kulloti delet e mia”12, që për mua do të thotë t’u shërbesh atyre që të rrethojnë dhe t’u japësh vëmendje të veçantë atyre që janë në nevojë.

Shpëtimtari është shembulli i përsosur i mënyrës se si ta shprehim dashurinë hyjnore. Gjatë shërbesës së Tij tokësore, Ai tregoi mëshirë për të uriturin, për mëkatarin, për të pikëlluarin dhe për të sëmurin. Ai u shërbeu të varfërve dhe të pasurve; grave, fëmijëve e burrave, familjes së tij, miqve dhe të panjohurve. Ai i fali akuzuesit e Tij dhe vuajti e vdiq për të gjithë njerëzimin.

Gjatë gjithë jetës së tij, Profeti Jozef Smith gjithashtu, e vuri në zbatim dashurinë hyjnore ndërsa tregonte dashuri vëllazërore dhe respekt për të tjerët. Ai shquhej për mirësjelljen, dashurinë, mëshirën dhe shqetësimin e tij për ata që e rrethonin.

Sot, ne jemi të bekur që kemi një profet që është shembull i dashurisë hyjnore. Presidenti Tomas S. Monson është një shembull për ne dhe për botën. Ai vesh mantelin e dashurisë hyjnore. Ai është i sjellshëm, i mëshirshëm dhe bujar; një shërbestar i vërtetë i Zotit Jezu Krisht.

Presidenti Monson jep mësim: “Dashuria hyjnore është të kemi durim me dikë që na ka lënë në baltë. Ajo do të thotë t’i rezistosh nxitjes për t’u fyer me lehtësi. Ajo është të pranosh dobësitë dhe mangësitë. Ajo është t’i pranosh njerëzit ashtu siç janë në të vërtetë. Ajo është të shohësh përtej dukjes fizike për tek cilësitë që nuk do të zbehen me kalimin e kohës. Ajo do të thotë t’i rezistosh nxitjes për t’i gjykuar të tjerët.”13

Kur kemi dashuri hyjnore, ne jemi të gatshëm t’u shërbejmë dhe t’u japim ndihmë të tjerëve kur nuk është e volitshme dhe pa pritur vlerësim ose diçka në këmbim. Ne nuk presim që të caktohemi për të dhënë ndihmë pasi dashuria hyjnore bën që ne ta kemi atë në natyrë. Kur ne zgjedhim të jemi të sjellshëm, dashamirës, bujarë, të duruar, pranues, falës, gjithëpërfshirës dhe vetëmohues, ne zbulojmë se jemi mbushur me dashuri hyjnore.

Shoqata e Ndihmës siguron mënyra të panumërta për t’u shërbyer të tjerëve. Një nga mënyrat më të rëndësishme për ta vënë në zbatim dashurinë hyjnore është nëpërmjet vizitave mësimore. Nëpërmjet vizitave të efektshme mësimore, ne kemi shumë mundësira për të dhënë dashuri, për t’u dhënë ndihmë e për t’u shërbyer të tjerëve. Shprehja e dashurisë hyjnore ose dashurisë, pastron dhe shenjtëron shpirtrat tanë duke na ndihmuar të bëhemi më shumë si Shpëtimtari.

Unë mahnitem teksa dëshmoj veprat e panumërta të dashurisë hyjnore që kryhen çdo ditë nga mësueset vizitore në mbarë botën, që në mënyrë vetëmohuese, u përgjigjen nevojave të secilës motër dhe familjeve të tyre. Këtyre mësueseve vizitore besnike unë u them: “Nëpërmjet këtyre veprave të vogla të dashurisë hyjnore, ju ndiqni Shpëtimtarin dhe veproni si mjete në duart e Tij kur ndihmoni, kujdeseni, lartësoni, ngushëlloni, dëgjoni, nxisni, ushqeni, mësoni dhe forconi motrat që janë nën kujdesin tuaj”. Më lejoni të tregoj disa shembuj të një shërbese të tillë.

Roza vuan nga diabeti degradues dhe nga sëmundje të tjera. Ajo u bashkua me Kishën pak vite më parë. Ajo është një nënë beqare me një djalë adoleshent. Asaj i duhet të shtrohet në spital vazhdimisht për disa ditë çdo herë. Mësueset e saj të mira vizitore, jo vetëm që e çojnë atë në spital, por ato e vizitojnë dhe e ngushëllojnë atë në spital ndërkohë që kujdesen edhe për djalin e saj në shtëpi dhe në shkollë. Mësueset e saj vizitore janë miket dhe familja e saj.

Pas vizitave të para te një motër e veçantë, Kethi zbuloi se kjo motër nuk dinte të lexonte, por dëshironte të mësonte. Kethi doli vullnetare për ta ndihmuar atë megjithëse e dinte që kjo do të kërkonte kohë, durim dhe vendosmëri.

Emilia është një bashkëshorte e re, që është në kërkim të së vërtetës. Bashkëshorti i saj, Majkëlli, ishte më pak i interesuar për fenë. Kur Emilia u sëmur dhe kaloi pak kohë në spital, Keli, një motër e Shoqatës së Ndihmës që është edhe fqinja e saj, i çoi familjes vakte ushqimore, u kujdes për foshnjën e tyre, pastroi shtëpinë dhe organizoi gjërat që Emilia të merrte një bekim priftërie. Këto vepra dashurie hyjnore e zbutën zemrën e Majkëllit. Ai vendosi të frekuentonte mbledhjet e Kishës dhe të takohej me misionarët. Emilia dhe Majkëlli kanë pak kohë që janë pagëzuar.

“Dashuria nuk ligshtohet kurrë. Dashuria hyjnore … është e mirë, … nuk kërkon të sajat, … i duron të gjitha, i mban çdo gjë.”14

Presidenti Henri B. Ajring tha:

“Historia e Shoqatës së Ndihmës është e mbushur me përshkrime të një shërbese të tillë të shquar vetëmohuese. …

Kjo shoqatë përbëhet nga gra, ndjenjat e dashurisë hyjnore të të cilave, burojnë nga zemra të ndryshuara nëpërmjet cilësimit për besëlidhjet dhe mbajtjes së besëlidhjeve të ofruara vetëm në Kishën e vërtetë të Zotit. Ndjenjat e tyre të dashurisë hyjnore vijnë nga Ai, nëpërmjet Shlyerjes së Tij. Veprat e tyre të dashurisë hyjnore drejtohen nga shembulli i Tij – dhe vijnë si rezultat i mirënjohjes për dhuratën e Tij të pafundme të mëshirës – dhe nga Shpirti i Shenjtë, të cilin Ai e dërgon për t’i bërë shoqëri shërbëtorëve të Tij në misionet e tyre të mëshirës. Për pasojë, ato kanë bërë dhe janë në gjendje të bëjnë gjëra të pazakonshme për të tjerët dhe të gjejnë gëzim edhe kur nevojat e tyre të papërmbushura janë të mëdha.”15

Sigurimi i shërbimit dhe dhënia e dashurisë hyjnore ndaj të tjerëve na ndihmon të kapërcejmë vetë vështirësitë tona dhe i bën ato të duken më pak sfiduese.

Unë tani u kthehem mësimeve që Profeti Jozef Smith u dha motrave në ditët e fillimit të Rivendosjes. Duke nxitur zbatimin e dashurisë hyjnore dhe dashamirësisë, ai tha: “Nëse jetoni denjësisht sipas këtyre parimeve, sa i shkëlqyer e i lavdishëm do të jetë shpërblimi juaj në mbretërinë çelestiale! “Nëse shkoni baras me privilegjet tuaja, engjëjt nuk do të ngurrojnë të bëhen shoqëruesit tuaj.”16

Njësoj si në ditët e fillimit në Navu ku motrat shkuan andej-këtej duke kërkuar dhe ndihmuar njerëzit në nevojë, kështu është edhe sot. Motrat në mbretëri janë një mbështetje e madhe e themeleve të forcës shpirtërore, shërbimit të dhembshur dhe përkushtimit. Mësueset vizitore të përkushtuara e vizitojnë dhe kujdesen për njëra-tjetrën. Ato ndjekin shembullin e Shpëtimtarit dhe veprojnë siç veproi Ai.

Të gjitha gratë në Shoqatën e Ndihmës mund të mbushen me dashuri duke e ditur se veprat e tyre të vogla të dashurisë hyjnore kanë një fuqi shëruese mbi të tjerët dhe mbi veten e tyre. Ato arrijnë ta dinë me siguri se dashuria hyjnore është dashuria e pastër e Krishtit dhe nuk dështon kurrë.

Kur ju të lexoni historinë e Shoqatë së Ndihmës, ajo do t’ju ndihmojë të zbuloni se ky parim i rëndësishëm i ungjillit është temë e përsëritur nëpër të gjithë librin.

Unë e përfundoj me një ftesë për të gjitha gratë në Kishë që të luten për të pasur dëshirë që të mbushen me dhuratën e dashurisë hyjnore, dashurisë së pastër të Krishtit. Përdorini të gjitha rezervat tuaja për të bërë mirë, për të sjellë lehtësim dhe shpëtim ndaj atyre që ju rrethojnë, duke përfshirë edhe vetë familjen tuaj. Zoti do t’i shpërblejë përpjekjet tuaja me sukses.

Na nxittë njohuria jonë për dashurinë e madhe që Ati dhe Biri kanë për ne dhe besimi e mirënjohja për Shlyerjen, që ta zhvillojmë dhe ta ushtrojmë dashurinë hyjnore ndaj të gjithë atyre që na rrethojnë. Kjo është lutja ime, në emrin e Jezu Krishtit, amen.