Fuqia e Priftërisë Aarone
Ju dhe detyra që mbani në Priftërinë Aarone, janë thelbësore për punën e Atit Qiellor me fëmijët e Tij dhe për përgatitjen e kësaj toke për Ardhjen e Dytë.
Në një sesion trajnimi të kohëve të fundit për Autoritetet e Përgjithshme, Presidenti Tomas S. Monson theksoi sërish detyrat dhe mundësitë për mbajtësit e Priftërisë Aarone.1 Me të njëjtin synim si ato udhëzime, unë ju drejtohem juve.
Detyra, e kryer siç duhet, përcakton fatin e popujve dhe të kombeve. Kaq themelor është parimi i detyrës saqë mbajtësit e priftërisë paralajmërohen: “Si rrjedhim, tani çdo njeri duhet ta mësojë detyrën e tij dhe të veprojë në thirrjen që është caktuar, gjithë zell”2.
Presidenti Monson shpjegon: “Thirrja e detyrës mund të vijë qetësisht, ndërsa ne që mbajmë priftërinë u përgjigjemi caktimeve që marrim”3. Presidenti Monson citoi Xhorxh Albert Smithin: “Së pari është detyra juaj të mësoni atë që dëshiron Zoti dhe pastaj, me anë të fuqisë dhe forcës së Priftërisë së Tij të shenjtë, të lartësoni thirrjen tuaj në prani të shokëve tuaj në mënyrë të tillë që njerëzit të jenë të gëzuar t’ju ndjekin ju”4.
Duke folur për detyrën e Tij, Zoti ynë tha: “Nuk kërkoj vullnetin tim, por vullnetin e Atit”5. “Sepse unë kam zbritur nga qielli jo për të bërë vullnetin tim, por vullnetin e atij që më ka dërguar.”6 Sepse Jezu Krishti e kreu detyrën e Tij, “i gjithë njerëzimi mund të shpëtohet, me anë të bindjes ndaj ligjeve dhe ordinancave të Ungjillit”7. Vëllezër, ky është standardi që duhet të ndjekim.
Në përvojën time unë kam vërejtur se ju që shërbeni si dhjakë, mësues dhe priftërinj, jeni aq të gatshëm, të besueshëm dhe të aftë në kryerjen e detyrës suaj sa ne presim të jeni. Ne ju admirojmë. Gjallëria juaj është ngjitëse, aftësitë tuaja befasuese, shoqërimi juaj gjallërues për ne. Ju dhe detyra që mbani në Priftërinë Aarone, janë thelbësore për punën e Atit Qiellor me fëmijët e Tij dhe për përgatitjen e kësaj toke për Ardhjen e Dytë të Birit të Tij të shenjtë. Ndërsa ju marrim parasysh, ne shohim përtej moshës tuaj. Pali foli për ju duke thënë: “Askush të mos e shpërfillë moshën tënde të re, por bëhu shembull për besimtarët në fjalë, në sjellje, në dashuri, në Frymë, në besim dhe dëlirësi”8.
Priftëria që mori emrin e Aaronit,
Burrave në kohë të lashta u erdhi.
Nëpërmjet levitëve, priftërinjve edhe profetëve,
Për të bekuar bijtë e Perëndisë ajo shërbeu.
Pastaj Shpëtimtari i botës erdhi
Dhe një njeri që quhej Gjon kërkoi,
Që të pagëzohej po nga kjo fuqi
Dhe punën e shpëtimit filloi.
Në ditët e mëvonshme po kjo fuqi
Sërish u rivendos në tokë,
Të vërtetat e ungjillit nga e para tek e fundit
Të mund të nguleshin në zemrat tona.
Priftëri Aarone, e vërteta madhështore,
Për përgatitje erdhi –
Që të mund të kishim shëlbim
Prej të Dashurit Bir të Perëndisë!
Dhe atij që i përdor këto fuqi –
Një djalë i thjeshtë ta bëjë nuk mund.
Me mantelin e priftërisë hedhur mbi të
Ne i themi: “Ky është njeriu!”9
“Fuqia dhe autoriteti i Priftërisë … Aarone është të mbajë çelësat e shërbesës së engjëjve dhe të administrojë në ordinancat e jashtme, letrën e ungjillit, pagëzimin e pendimit për heqjen e mëkateve, në përputhje me besëlidhjet dhe urdhërimet.”10 Presidenti Bojd K. Paker ka vërejtur: “Ne kemi bërë shumë mirë në shtrirjen e autoritetit të priftërisë. Ne e kemi vendosur autoritetin e priftërisë thuajse kudo. … Po përhapja e autoritetit të priftërisë ka përparuar, mendoj unë, më shumë se përhapja e fuqisë së priftërisë.”11 Për mirëqenien e përhershme të fëmijëve të Perëndisë, kjo duhet korrigjuar.
Profeti ynë na ka treguar se si mund të bëhet kjo. Duke cituar Xhorxh Q. Kanonin, Presidenti Monson tha: “Unë dëshiroj ta shoh të forcuar fuqinë e priftërisë. … Unë dëshiroj ta shoh këtë forcë e fuqi të shpërndarë nëpër të gjithë trupin e Priftërisë, që të arrijë nga kryet deri poshtë tek dhjaku më i vogël e më i përulur në Kishë. Çdo burrë duhet të kërkojë e të gëzojë zbulesat e Perëndisë, dritën e qiellit që t’i shkëlqejë në shpirt dhe që t’i japë dituri lidhur me detyrat e tij, lidhur me atë pjesë të punës … që është përgjegjësia e tij në Priftërinë e tij.”12
Çfarë mund të bëjë një dhjak, mësues, ose prift për të marrë shpirtin e zbulesës dhe për të lartësuar thirrjen e tij? Ai mund të jetojë në mënyrë të tillë që të gëzojë fuqinë pastruese, shenjtëruese dhe ndriçuese të Frymës së Shenjtë.
Rëndësia e kësaj gjendet në këto fjalë nga Alma: “Dhe tani unë ju them juve se ky është urdhri sipas të cilit jam thirrur, … për t’u predikuar … brezit të ri … që ata duhet të pendohen dhe të linden përsëri”13. Kur dikush lindet përsëri, zemra e tij ndryshon. Ai nuk ka dëshirë për gjëra të liga ose të papastra. Ai ndjen një dashuri të thellë dhe të qëndrueshme për Perëndinë. Ai dëshiron të jetë i mirë, t’u shërbejë të tjerëve dhe të mbajë urdhërimet.14
Presidenti Jozef F. Smith e përshkroi përvojën e tij me këtë ndryshim të fuqishëm: “Ndjenja që erdhi mbi mua ishte ajo e paqes së kulluar, e dashurisë dhe e dritës. Ndjeva në shpirtin tim që, nëse kisha mëkatuar … më ishte falur; se vërtet isha pastruar nga mëkati im; zemra ime ishte prekur dhe ndjeva se nuk dëshiroja të lëndoja as insektin më të vogël nën këmbët e mia. Ndjeva sikur dëshiroja të bëja mirë kudo, gjithkujt dhe gjithçkaje. Ndjeva një risi jete, një risi dëshire për të bërë atë që është e drejtë. Nuk kishte mbetur asnjë copëz dëshire për të ligën në shpirtin tim. Isha veçse një djalë i vogël, është e vërtetë, … por ky ishte ndikimi që erdhi mbi mua dhe e di se ishte nga Perëndia, dhe ishte e ka qenë gjithmonë një dëshmi e gjallë për mua se isha i pranuar nga Zoti.”15
Kështu ne ju bëjmë thirrje juve vëllezër të rinj e të mrekullueshëm që të përpiqeni me zell që të “linden[i] përsëri”16. Lutuni që ta merrni këtë ndryshim të fuqishëm në jetën tuaj. Studioni shkrimet e shenjta. Dëshironi më shumë se gjithçka tjetër që ta njihni Perëndinë dhe të bëheni si Biri i Tij i shenjtë. Gëzojeni rininë tuaj por “i flak[ni] gjërat fëminore”17:
Shmangni bisedat profane dhe të pamend.
Largohuni nga gjithçka e ligë.
Shmangni grindjen.
Pendohuni kur është enevojshme.18
Kjo do t’ju ndihmojë të bëheni një burrë i pjekur dhe me dinjitet. Cilësitë e kurajës, besueshmërisë, përulësisë, besimit dhe mirësisë do të jenë tuajat. Miqtë do t’ju admirojnë, prindërit do t’ju lavdërojnë, vëllezërit në priftëri do të mbështeten tek ju dhe të rejat do t’ju adhurojnë e do të bëhen edhe më të mira për shkakun tuaj. Perëndia do t’ju nderojë dhe do t’i dhurojë shërbimit tuaj në priftëri fuqi nga lart.
Ne të tjerët, do të bëjmë pjesën tonë. Si prindër e gjyshër ne do t’ju përgatisim ju për shërbim më besnik në mbretërinë e Perëndisë. Si vëllezërit tuaj, ne do të jemi shembuj që ju t’i ndiqni. Ne do ta rrisim forcën e kuorumeve tuaja. Ne do t’i mbështesim presidencat e kuorumeve tuaja ndërsa ato ushtrojnë çelësat e tyre drejtues. Ne do t’ju sigurojmë mundësi që të kryeni plotësisht detyrat e Priftërisë Aarone dhe të lartësoni thirrjen tuaj aty.
Nëpërmjet shërbesës suaj, bekime të mëdha do t’i vijnë Kishës. “Engjëjt flasin nëpërmjet fuqisë së Frymës së Shenjtë.”19 Edhe ju mund të bëni po ashtu. Ndërsa flisni me anë të fuqisë së Frymës së Shenjtë dhe administroni emblemat e shenjta të sakramentit, burrat e gratë, djemtë e vajzat do të përpiqen fort që të pendohen, të rrisin besimin e tyre në Krisht dhe të kenë Shpirtin e Shenjtë gjithmonë me ta.
Kur të agjëroni dhe të mblidhni ofertat e agjërimit, anëtarët do të nxiten t’i modelojnë veprat e tyre sipas Shpëtimtarit. Zoti u kujdes për të varfrit, të shtypurit dhe bëri shenjë: “Eja e më ndiq”20. Shërbimi juaj në përkujdesje për njerëzit me më pak fat na përfshin në punën e Tij të shenjtë dhe na ndihmon të ruajmë falje për mëkatet tona të shkuara.21
Kur të “vizito[ni] shtëpinë e çdo anëtari”22, mos jini të frikësuar ose të turpshëm. Fryma e Shenjtë do t’ju japë ju në po atë çast fjalët që të thoni, dëshminë që të tregoni, shërbimin që të jepni.
Përpjekjet tuaja të zellshme që “të vëzhgo[ni] mbi kishën gjithmonë”23 do të jenë të frytshme. Sjellja juaj e përulur dhe e sinqertë do të zbusë zemrën edhe të njeriut më mosbesues dhe do të zvogëlojë kontrollin e Satanit mbi të. Ftesa juaj për të tjerët që të vijnë në kishë me ju, të marrin sakramentin me ju dhe të shërbejnë me ju do të bëhet një balsam i mirëpritur për ata që kanë humbur në hijet ku drita e ungjillit është veçse një thëngjill i zbehtë ose që nuk ndriçon fare.
Oh, vëllezërit e mi të dashur e të rinj, “mos e [lini] pas dore dhuntinë që është në [ju]”24, që e morët kur iu dha Priftëria Aarone dhe u shuguruat.
“Sepse Perëndia nuk na ka dhënë frymë frike, por force, dashurie dhe urtësie.
Mos ki turp, pra, të dëshmosh Zotin tonë. … Por hiq keq … për ungjillin, sipas fuqisë së Perëndisë,
që na … thirri me një thirrje të shenjtë, … që na u dha në Krishtin Jezus përpara fillimit të kohëve.”25
Profeti ynë i dashur “ju ka thirrur te flamuri”26. Ne ju përshëndesim, lutemi për ju, gëzojmë në shërbimin me ju dhe i japim falënderime Perëndisë për fuqinë e shërbesës suaj shpëtuese.
Unë jap dëshmi, Perëndia është Ati ynë i Përjetshëm dhe banon atje në qiej. Jezusi, Krishti është Biri i shenjtë i Perëndisë, Shëlbuesi i botës, dhe ju mbajtësit besnikë të Priftërisë Aarone jeni të dërguarit e Tij në tokë, në emrin e Jezu Krishtit, amen.