Mësimdhënia sipas Mënyrës së Shpirtit
Ndonëse ne jemi të gjithë mësues/e, ne duhet të kuptojmë plotësisht se është Fryma e Shenjtë mësuesi dhe dëshmitari real i gjithë të vërtetave.
Shumë vite më parë, unë isha me shokun tim të misionit në qendrën e trajnimit misionar kur dëgjova zërin e një fëmije të thotë: “Gjyshe, a janë këta misionarë të vërtetë?” U ktheva dhe pashë një vajzë të vogël duke mbajtur dorën e gjyshes së saj dhe duke treguar me gisht nga unë dhe shoku im. Unë buzëqesha, i zgjata dorën, e pashë atë drejt e në sy dhe thashë: “Përshëndetje, unë jam Plaku Riçardson dhe ne jemi misionarë të vërtetë”. Ndërsa ktheu kokën pas nga unë, ajo buzëqeshi, e ngazëllyer që ishte në prani të misionarëve të vërtetë.
U largova nga ajo përvojë me devotshmëri të përtërirë. Unë dëshiroja të isha modeli i misionarit që Shpëtimtari, familja ime dhe kjo vajzë e vogël prisnin që unë të isha. Gjatë dy viteve të ardhshme, unë punova shumë për të ngjarë, për të menduar, për të vepruar dhe sidomos për të dhënë mësim si një misionar i vërtetë.
Pas kthimit në shtëpi, u bë gjithnjë e më shumë e dukshme që edhe pse kisha mbaruar misionin, ndikimi i misionit tim mbeti në mua. Faktikisht, edhe pas gjithë këtyre viteve, unë ende e ndiej se dy vitet e misionit tim ishin më të mirat për jetën time. Një mësim i paparashikuar nga misioni im ishte zëri i asaj vajze të vogël. Edhe tani po dëgjoja në mendjen time: “Gjyshe, a është ai një mbajtës priftërie i vërtetë?”, “Gjyshe, a është ai një bashkëshort i vërtetë ose një baba i vërtetë?” apo “Gjyshe, a është ai një anëtar Kishe i vërtetë?”
Unë kam mësuar se çelësi për t’u bërë i vërtetë në çdo aspekt të jetës sonë është aftësia jonë për të dhënë mësim në një mënyrë që nuk kufizon të mësuarin. Ju e shihni se, një jetë e vërtetë kërkon të mësuarin e vërtetë, i cili varet në mësimdhënien e vërtetë. “Përgjegjësia për të dhënë mësim [në mënyrë efektive] nuk është e kufizuar ndaj atyre që kanë thirrje zyrtarisht si mësues/e.”1 Në fakt, çdo pjesëtar i familjes, udhëheqës i Kishës dhe anëtar i Kishës (përfshirë të rinjtë dhe fëmijët) ka përgjegjësinë për të dhënë mësim.
Ndonëse ne jemi të gjithë mësues/e, ne duhet të kuptojmë plotësisht se është Fryma e Shenjtë mësuesi i vërtetë dhe dëshmitari i gjithë të vërtetave. Ata të cilët nuk e kuptojnë plotësisht këtë dhe as nuk përpiqen të marrin nga Fryma e Shenjtë, dhe e bëjnë çdo gjë vetë, në mënyrë të sjellshme e ftojnë Shpirtin të jetë me ta por vetëm si një ndihmës, ose mendojnë se po ia kalojnë të gjithë mësimin Shpirtit kur, në fakt, ata thjesht po prezantojnë mësimin pa studiuar. Të gjithë prindërit, udhëheqësit dhe mësuesit kanë përgjegjësinë për të dhënë mësim “me anë të Shpirtit”2. Ata nuk duhet të japin mësim pa praninë e Shpirtit ose kur nuk e kanë Shpirtin, por sipas mënyrave të Shpirtit, në mënyrë që Shpirti të mund t’i mësojë të vërtetën e pakufizuar.
Moroni na ndihmon të kuptojmë se si mund të japim mësim me anë të Shpirtit pa zëvendësuar, dobësuar ose larguar Frymën e Shenjtë si mësuesin e vërtetë. Moroni tha se shenjtorët sjellin përvojat e tyre “sipas mënyrës së shfaqjes së Shpirtit”3. Kjo kërkon më shumë se sa thjesht të paturit e Shpirtit me ne. Të sillesh “sipas mënyrës” së Frymës së Shenjtë do të thotë se ne mund të na duhet të ndryshojmë mënyrën tonë të mësimdhënies, për të ndjekur shembullin e mënyrës që Fryma e Shenjtë të mëson. Ndërsa bashkojmë mënyrën tonë me mënyrën e Frymës së Shenjtë, atëherë Fryma e Shenjtë mund të na mësojë dhe dëshmojë pa kufizim. Ky bashkim i rëndësishëm mund të tregohet nga shembulli i mëposhtëm.
Shumë vite më parë, unë dhe fëmijët e mi ecëm më këmbë në majë të South Sistër, një mal 10.358 fut [3.157 m] në Oregon. Pas disa orësh ne ndeshëm një malore të lartë 45 gradë me guriçka të formuara në lashtësi nga një vullkan. Me shikimin nga maja, ne vazhduam të ecnim para dhe kuptuam se në çdo hap këmba jonë do të zhytej në guriçka, duke na shkaktuar rrëshqitje prapa disa centimetra. Ndërsa unë qëndroja me vajzën time 8-vjeçare, djali im 12-vjeçar ecte përpara në anë të malit. Lodhja dhe dekurajimi shpejt filluan dhe asaj iu thye zemra, duke menduar se nuk do mund të bashkohej me të vëllanë në majë. Impulsi im i parë ishte ta mbaja në krahë. Fryma ime ishte gati, por fatkeqësisht mishi ishte i dobët. Ne u ulëm në shkëmbinj, vlerësuam situatën tonë dhe krijuam një plan të ri. I thashë asaj t’i vendoste duart në xhepat e prapëm të pantallonave të mia, të mbahej fort, dhe – më e rëndësishmja – sapo unë të ngrija këmbën për të bërë një hap, ajo shpejt duhet ta vendoste këmbën e saj në të njëjtin vend. Ajo imitoi çdo lëvizje që unë bëra dhe u mbështet në ngjitjen që erdhi nga mbajtja në xhepat e mi. Pas asaj që dukej si përjetësi, ne arritëm në majë të malit. Shprehja e saj e ngadhënjimit dhe e kënaqësisë ishte e paçmueshme. Dhe po, sipas mendimit tim, ajo dhe vëllai i saj ishin alpinistë të vërtetë.
Arritja e vajzës time ishte rezultat i përpjekjes së saj të zellshme dhe se sa mirë ajo ngjitej sipas mënyrës që unë ngjitesha. Ndërsa ajo sinkronizonte lëvizjet e saj me të miat, ne arritëm një ritëm së bashku, duke më lejuar mua të shfrytëzoja gjithë energjitë e mia. E tillë është situata ku ne japim mësim “sipas mënyrës së shfaqjes së Shpirtit”. Ndërsa ne bashkojmë mënyrën e mësimdhënies tonë që të harmonizohet me atë të Frymës së Shenjtë, Shpirti na forcon dhe në të njëjtën kohë, nuk është i kufizuar. Me këtë në mendje, ju lutem merrni parasysh dy “shfaqjet themelore të Shpirtit” që ne duhet të ndjekim.
Së pari, Fryma e Shenjtë i mëson individët në një mënyrë shumë personale. Kjo bën të mundur për ne që të dimë ngushtë të vërtetën për veten tonë. Për shkak të nevojave, rrethanave dhe përparimit tonë të ndryshëm, Fryma e Shenjtë na mëson atë që duhet të dimë dhe bëjmë në mënyrë që të mund të bëhemi ata që duhet të bëhemi. Ju lutem, vini re se kur Fryma e Shenjtë na mëson “të vërtetën e të gjitha gjërave”4, Ai nuk na e mëson çdo të vërtetë përnjëherësh. Shpirti na mëson të vërtetën “rresht pas rreshti, parim pas parimi, pak këtu dhe pak atje”5.
Ata që japin mësim sipas mënyrës së Shpirtit, e kuptojnë se ata po mësojnë njerëzit, jo thjesht po paraqesin mësimin. Si të tillë, ata mposhtin dëshirën për të ndarë çdo gjë në një manual ose për të dhënë mësim gjithçka që ata kanë mësuar mbi temën dhe përqendrohen më mirë në ato gjëra që familja e tyre ose anëtarët e klasës duhet të dinë dhe bëjnë. Prindërit, udhëheqësit dhe mësuesit që ndjekin shembullin e mënyrës se si Shpirti të mëson, mësojnë shpejt se mësimdhënia e vërtetë përfshin shumë më tepër se sa të folurin dhe të treguarin. Si rezultat, ata qëllimisht ndalojnë që të dëgjojnë, të vëzhgojnë me kujdes dhe pastaj të shohin se çfarë të bëjnë tjetër6. Kur ata e bëjnë këtë, Fryma e Shenjtë është në një gjendje që t’u mësojë si nxënësve edhe mësuesve se çfarë duhet të bëjnë dhe ç’duhet të thonë.7
Së dyti, Fryma e Shenjtë na mëson duke na ftuar, nxitur, inkurajuar dhe frymëzuar për të vepruar. Krishti na siguroi se do ta dimë të vërtetën kur ta jetojmë doktrinën dhe të veprojmë siç duhet.8 Shpirti na drejton, udhëzon dhe tregon se çfarë të bëjmë.9 Megjithatë, ai nuk do të bëjë për ne atë që vetëm ne mund ta bëjmë për veten tonë. Ju e shihni se, Fryma e Shenjtë nuk mund të mësojë për ne, nuk mund të ndiejë për ne, ose të veprojë për ne sepse kjo do të ishte në kundërshtim me doktrinën e lirisë së zgjedhjes. Ajo mund të na ndihmojë me mundësitë e të na ftojë për të mësuar, ndier dhe vepruar.
Ata që japin mësim sipas kësaj mënyre të Shpirtit, i ndihmojnë të tjerët duke i ftuar, inkurajuar dhe ofruar mundësi për të përdorur lirinë e tyre të zgjedhjes. Prindërit, udhëheqësit dhe mësuesit e kuptojnë se ata nuk mund të ndiejnë, mësojnë apo edhe të pendohen, ,për,, familjen, kongregacionin ose anëtarët e tyre të klasës. Në vend që të pyesin: “Çfarë mund të bëj unë për fëmijët e mi, pjesëtarët e klasës ose të tjerët?” ata pyesin: “Si t’i ftoj e ndihmoj ata përreth meje për të mësuar për veten e tyre?” Prindërit të cilët pasqyrojnë shfaqjet e Frymës së Shenjtë, krijojnë shtëpi ku familjet mësojnë të kuptojnë parimet në vend që thjesht të mësojnë parimet. Në të njëjtën mënyrë, në vend që thjesht të flasin mbi doktrinat, mësuesit ndihmojnë nxënësit të kuptojnë dhe jetojnë doktrinat e ungjillit. Fryma e Shenjtë nuk është i kufizuar ndërsa individët ushtrojnë siç duhet lirinë e tyre të zgjedhjes.
Me gjendjen e tanishme të botës, ne kemi nevojë më të madhe për të mësuarin dhe mësimdhënien e vërtetë në shtëpinë, mbledhjet dhe klasat tona të ungjillit. E di se përpjekja juaj për t’u përmirësuar ndonjëherë mund të duket dërrmuese. Ju lutem mos u shkurajoni lidhur me përparimin tuaj. Unë mendoj përsëri për përvojën time të ngjitjes me fëmijët e mi. Ne ramë dakord se çdo herë që do të ndalonim për të pushuar, në vend që të përqendroheshim vetëm se sa lart duhet të shkonim, ne menjëherë do të ktheheshim mbrapsht dhe do të shihnim poshtë malit. Do të shihnim pamjen dhe do t’i thonim njërit-tjetrit: “Shikoni se sa larg kemi ardhur”. Më pas do të merrnim frymë thellë, do të ktheheshim shpejt, do të shihnim përpjetë dhe do të fillonim të ngjiteshim përsëri avash. Vëllezër dhe motra, ju mund të jeni prind veprues, mund të drejtoni dhe të jepni mësim sipas mënyrës së shfaqjes së Shpirtit. Unë e di që ju mund ta bëni këtë. Unë dëshmoj se ju mund ta bëni këtë dhe jetët do të ndryshojnë.
Jeta ime ka qenë e bekuar nga mësues të vërtetë, që më kanë mësuar me Shpirtin dhe sidomos me anë të Shpirtit. Unë ju ftoj juve që në çdo gjë që bëni, të bashkoni mënyrën e mësimdhënies tuaj me atë sipas mënyrës së Frymës së Shenjtë. Unë dëshmoj se Jezu Krishti është Shpëtimtari ynë dhe se ungjilli i Tij është rivendosur. Për shkak të kësaj ne duhet të jemi prindër të vërtetë, udhëheqës/e të vërtetë/a, mësues/e të vërtetë/a dhe nxënës/e të vërtetë/a. Unë dëshmoj se Perëndia do t’ju ndihmojë në përpjekjet tuaja, në emrin e shenjtë të Shpëtimtarit tonë, Jezu Krishtit, amen.