2011
Ju Keni Rëndësi për Të
Nëntor 2011


Ju Keni Rëndësi për Të

Zoti përdor një peshore shumë të ndryshme nga e botës për të matur vlerën e një shpirti.

President Dieter F. Uchtdorf

Moisiu, një nga profetët më të mëdhenj që ka njohur bota ndonjëherë, u rrit nga bija e Faraonit dhe i kaloi 40 vitet e para të jetës së tij në sallat mbretërore të Egjiptit. Ai e njohu drejtpërdrejt lavdinë dhe madhështinë e asaj mbretërie të lashtë.

Vite më vonë, në majë të një mali të largët, shumë larg nga shkëlqimi dhe madhështia e Egjiptit të fuqishëm, Moisiu qëndroi në prani të Perëndisë dhe i foli Atij ballë për ballë ashtu si një burrë flet me mikun e tij.1 Gjatë asaj vizite, Perëndia i tregoi Moisiut mjeshtërinë e duarve të Tij, duke i dhënë një vështrim të shkurtër të veprës dhe lavdisë së Tij. Kur mbaroi vegimi, Moisiu ra në tokë për hapësirën e shumë orëve. Kur së fundi forca e tij u kthye, ai kuptoi diçka që, gjatë gjithë viteve të tij në oborrin e Faraonit, nuk e kishte menduar kurrë më parë.

“Unë e di”, tha ai “se njeriu është një hiç.”2

Ne Jemi më Pak nga sa Supozojmë

Sa më shumë mësojmë mbi universin, aq më shumë kuptojmë – të paktën në një pjesë të vogël – atë që dinte Moisiu. Universi është kaq i madh, i mistershëm dhe i lavdishëm saqë është e pakapshme për mendjen njerëzore. “Botë pa numër kam krijuar”, i tha Perëndia Moisiut.3 Çuditë e qiellit natën janë një dëshmi e bukur e asaj të vërtete.

Ka pak gjëra që më kanë mbushur me një nderim të tillë që të lë pa frymë, sa fluturimi në errësirën e natës përmes oqeaneve e kontinenteve dhe vështrimi nga dritarja e kabinës mbi lavdinë e pafundme të miliona yjeve.

Astronomët janë përpjekur të numërojnë numrin e yjeve në univers. Një grup shkencëtarësh vlerëson se numri i yjeve që shihen nga teleskopët tanë, është 10 herë më i madh se gjithë grimcat e rërës në plazhet dhe shkretëtirat e botës.4

Ky përfundim ka një ngjashmëri mbresëlënëse me deklarimin e profetit të lashtë, Enokut: “Dhe po të ishte e mundur që njeriu të mund të numëronte pjesëzat e tokës, po, miliona tokë si kjo, nuk do të kishte fillim në morinë e krijimeve të tua”5.

Duke pasur parasysh pafundësinë e krijimeve të Perëndisë, nuk është çudi që Mbreti i madh Beniamin e këshilloi popullin e tij që “gjithmonë të mban[in] në kujtesë, madhështinë e Perëndisë dhe asgjësinë [e tyre]”6.

Ne Jemi më Shumë nga sa Supozojmë

Por edhe pse njeriu është një hiç, më mbush me habi e nderim mendimi se “vlera e shpirtrave është e madhe në sytë e Perëndisë”7.

Dhe ndërsa ne mund të shohim hapësirën e pafund të universit dhe të themi: “Çfarë është njeriu në krahasim me lavdinë e krijimit?” Perëndia Vetë tha se ne jemi arsyeja pse Ai krijoi universin! Vepra dhe lavdia e Tij – qëllimi për këtë univers madhështor – është të shpëtojë dhe ekzaltojë njerëzimin.8 Me fjalë të tjera, hapësira e pafund e përjetësisë, lavditë dhe të fshehtat e hapësirës dhe kohës së pafund, të gjitha janë ndërtuar për dobinë e të vdekshmëve të zakonshëm si ju dhe unë. Ati ynë Qiellor e krijoi universin që ne të mund të arrijmë potencialin tonë si bij e bija të Tij.

Ky është një paradoks i njeriut: krahasuar me Perëndinë, njeriu është hiç; por ende është gjithçka për Perëndinë. Ndonëse po të krahasohemi me krijimin e pafundëm ne mund të dukemi se jemi një hiç, ne kemi një shkëndijë të zjarrit të përjetshëm që digjet në kraharorin tonë. Ne kemi premtimin e paimagjinueshëm të ekzaltimit – botë pa fund – brenda rrokjes sonë. Dhe është dëshira e madhe e Perëndisë që të na ndihmojë ta arrijmë atë.

Marrëzia e Krenarisë

Mashtruesi i madh e di se një nga mjetet e tij më efikase për t’i çuar në rrugë të gabuar fëmijët e Perëndisë është që të joshë skajet e paradoksit të njeriut. Për disa, ai i josh me prirjet e tyre krenare, duke i fryrë e duke i nxitur të besojnë në fantazinë e sigurisë në vetvete dhe të pathyeshmërisë së tyre. Ai u thotë atyre se e kanë kapërcyer të zakonshmen dhe se për shkak të aftësisë, të drejtës prej lindjes, ose gjendjes shoqërore ata janë më të mirë se cilësitë e zakonshme të gjithçkaje që i rrethon. Ai i çon ata që të arrijnë në përfundimin se, si pasojë, ata nuk i nënshtrohen rregullave të askujt tjetër dhe nuk duhet të shqetësohen nga problemet e askujt tjetër.

Thuhet se Abraham Linkolnit i pëlqente një vjershë që thotë:

Oh, përse krenar shpirti i të vdekshmit të jetë?

Si një meteor fluturues, një re që kalon shpejt,

Një shkrepje vetëtime, si përplaset një dallgë,

Shkon njeriu nga jeta tek çlodhja e tij në varr.9

Dishepujt e Jezu Krishtit e kuptojnë se, krahasuar me përjetësinë, ekzistenca jonë në këtë sferë të vdekshme është veçse “një çast i shkurtër” në hapësirë dhe në kohë.10 Ata e dinë se vlera e vërtetë e një njeriu ka të bëjë pak me atë që bota e çmon me vlerësim të madh. Ata e dinë se mund të grumbullosh të hollat e mbledhura të të gjithë botës dhe me to nuk mund të blesh as edhe një çyrek bukë në ekonominë e qiellit.

Ata që do të “trashëgo[jnë] mbretërinë e Perëndisë”11 janë ata që bëhen “si një fëmijë, [të] nënshtruar, [të] bindur, [të] përulur, [të] duruar, plot me dashuri”12. “Sepse kushdo që lartohet do të ulet, dhe kush ulet, do të lartohet.”13 Dishepuj të tillë e kuptojnë gjithashtu “se kur ju jeni në shërbimin e bashkëqenieve tuaja, ju jeni vetëm në shërbimin e Perëndisë tuaj”14.

Ne Nuk na Kanë Harruar

Një mënyrë tjetër se si mashtron Satani është nëpërmjet shkurajimit. Ai përpiqet ta përqendrojë vështrimin tonë tek mungesa jonë e rëndësisë derisa fillojmë të dyshojmë nëse kemi vlerë të madhe. Ai na thotë se jemi tepër të vegjël sa të na vërë re ndokush, se ne na kanë harruar – veçanërisht Perëndia.

Më lejoni të ndaj me ju një përvojë personale që mund të japë ndonjë ndihmë për ata që ndihen të pavlerë, të harruar, ose të vetmuar.

Shumë vite më parë mora pjesë në trajnim për pilot në Forcat Ajrore të Shteteve të Bashkuara. Isha shumë larg nga shtëpia, një ushtar i ri nga Gjermania Perëndimore, lindur në Çekosllovaki, që ishte rritur në Gjermaninë Lindore dhe që fliste anglisht vetëm me vështirësi të madhe. Më kujtohet qartë udhëtimi ynë për në bazën e trajnimit në Teksas. Isha në një aeroplan, ulur pranë një pasagjeri që fliste me një theks të fortë jugor. Mezi mundja të merrja vesh ndonjë fjalë që thoshte. Po vrisja mendjen vërtet, nëse ma kishin mësuar gjuhën gabim që prej fillimit. Isha i tmerruar nga mendimi se duhet të konkurroja, për vendet e para të lakmuara në trajnimin për pilot, me studentë që e kishin anglishten gjuhë amtare.

Kur arrita në bazën ajrore në qytetin e vogël Big-Spring [Burimi i Madh] në Teksas, kërkova dhe gjeta degën e shenjtorëve të ditëve të mëvonshme, që përbëhej nga një grusht anëtarësh të mrekullueshëm, të cilët mblidheshin në dhoma të marra me qira në vetë bazën ajrore. Anëtarët qenë në procesin e ndërtimit të një shtëpie të vogël mbledhjesh që do të shërbente si një vend i përhershëm për Kishën. Në atë kohë, anëtarët bënin shumicën e punës për ndërtesat e reja.

Ditë pas dite, unë merrja pjesë në trajnimin për pilot e studioja sa më shumë që të mundesha dhe pastaj e kaloja shumicën e kohës sime të lirë duke punuar tek shtëpia e re e mbledhjeve. Atje mësova se dy-për-katër nuk ishte ndonjë lloj vallëzimi, por një copë druri me përmasa dy me katër inç. Gjithashtu mësova aftësinë e rëndësishme për mbijetesë që të mos godisja gishtin kur ngulja gozhdë.

Kalova kaq shumë kohë duke punuar në shtëpinë e mbledhjeve saqë presidenti i degës – që ndodhi të ishte edhe një nga instruktorët tanë për fluturim – shprehu shqetësim se ndoshta duhej të kaloja më shumë kohë duke studiuar.

Miqtë e mi dhe bashkëstudentët për pilotë u përfshinë në aktivitete për kohën e lirë gjithashtu, ndonëse mendoj se është e drejtë të thuhet se disa nga këto aktivitete nuk do të kishin qenë në harmoni me broshurën e sotme Për Forcën e Rinisë. Nga ana ime, u kënaqa që isha një pjesë aktive e asaj dege të vocërr të Teksasit perëndimor, duke praktikuar aftësitë e sapofituara si karpentier dhe duke përmirësuar anglishten time, ndërsa përmbushja thirrjet e mia për të dhënë mësim në kuorumin e pleqve dhe në Shkollën e së Dielës.

Në atë kohë, Big-Springu, me gjithë emrin e tij, ishte një vend i vogël, i parëndësishëm dhe i panjohur. Dhe shpesh unë u ndieva po ashtu për veten time – i parëndësishëm, i panjohur dhe mjaft i vetmuar. Me gjithë këtë, unë as edhe njëherë nuk e vrava mendjen nëse Zoti më kishte harruar ose nëse Ai do të ishte në gjendje ndonjëherë të më gjente atje. E dija se nuk kishte rëndësi për Atin Qiellor se ku isha, ku renditesha në lidhje me të tjerët në klasën time për trajnim si pilot, ose se cila ishte thirrja ime në Kishë. Ajo që kishte rëndësi për Të ishte se po bëja më të mirën që mundesha, se zemra ime ishte e prirur nga Ai dhe se isha i gatshëm të ndihmoja të tjerët që ishin rreth meje. E dija që, nëse do të bëja më të mirën që mundesha, gjithçka do të ishte mirë.

Dhe gjithçka shkoi mirë.15

I Fundit do të Jetë i Pari

Zoti nuk ka fare gajle nëse ne i kalojmë ditët tona duke punuar në salla të mermerta apo në stalla ahuri. Ai e di se ku jemi, pavarësisht sa të përulura të jenë rrethanat tona. Ai do të përdorë – në mënyrën e Tij dhe për qëllimet e Tij të shenjta – ata që e duan Atë.

Perëndia e di se disa nga shpirtrat më të shkëlqyer që kanë jetuar ndonjëherë, janë ata që nuk do të shfaqen kurrë në kronikat e historisë. Ata janë shpirtrat e bekuar e të përulur që ndjekin shembullin e Shpëtimtarit dhe i kalojnë ditët e jetës së tyre duke bërë mirë.16

Një çift i tillë, prindërit e një mikut tim, janë shembull i mirë i këtij parimi për mua. Bashkëshorti punonte në një uzinë çeliku në Juta. Në drekë, ai do të nxirrte shkrimet e tij të shenjta, ose një revistë të Kishës dhe do të lexonte. Kur punëtorët e tjerë e panë këtë, u tallën me të dhe i sfiduan besimet e tij. Kurdoherë që e bënë këtë, ai u foli me shpirtmirësi dhe me mirëbesim. Ai nuk lejoi që mungesa e tyre e respektit ta zemëronte ose ta mërziste atë.

Vite më vonë, një nga tallësit më të zhurmshëm u sëmur rëndë. Përpara se të vdiste, ai kërkoi që ky burrë i përulur të fliste në funeralin e tij – gjë që ai e bëri.

Ky anëtar besnik i Kishës nuk pati kurrë shumë nga pikëpamja e gjendjes shoqërore apo e pasurisë, por ndikimi i tij u shtri thellë tek të gjithë ata që e njihnin. Ai vdiq në një aksident industrial, ndërsa ndaloi që të ndihmonte një punëtor tjetër i cili kishte ngecur në borë.

Brenda një viti, të vesë së tij iu desh t’i nënshtrohej një operacioni në tru, që e la të paaftë për të ecur. Por njerëzve u pëlqen shumë të vijnë e të kalojnë kohë me të, sepse ajo dëgjon. Ajo mban mend. Ajo përkujdeset. Në pamundësi për të shkruar, ajo mëson përmendësh numrat e telefonit të fëmijëve dhe të nipërve e mbesave të saj. Ajo kujton me dashuri datëlindjet dhe përvjetorët.

Ata që e vizitojnë atë largohen duke u ndier më mirë për jetën dhe për veten. Ata ndiejnë dashurinë e saj. Ata e dinë se ajo përkujdeset. Ajo nuk ankohet kurrë, por i kalon ditët e saj duke bekuar jetën e të tjerëve. Një nga mikeshat e saj tha se kjo grua ishte një nga pak njerëzit që ajo kishte njohur ndonjëherë të cilët ndjekin vërtet shembullin e dashurisë e të jetës së Jezu Krishtit.

Ky çift do të kishte qenë i pari që do të thoshte se ata nuk kishin shumë rëndësi në këtë botë. Por Zoti përdor një peshore shumë të ndryshme nga e botës për të matur vlerën e një shpirti. Ai e njeh këtë çift besnik; Ai i do ata. Veprimet e tyre janë një dëshmi e gjallë e besimit të tyre të fuqishëm tek Ai.

Ju Keni Rëndësi për Të

Vëllezër e motra të mia të dashura, mund të jetë e vërtetë se njeriu është një hiç në krahasim me madhësinë e universit. Nganjëherë ne mund të ndihemi madje të parëndësishëm, të pa vënë re, të vetëm, ose të harruar. Por gjithmonë kujtoni – ju keni rëndësi për Të! Nëse ndonjëherë keni dyshuar për këtë, merrni parasysh këto katër parime hyjnore:

Së pari, Perëndia i do të përulurit dhe të bindurit, pasi ata janë “më [të mëdhenjtë] në mbretërinë e qiejve”17.

Së dyti, Zoti ia beson “plotësi[në] e ungjillit [të Tij që] të mund t’u shpallet nga të dobëtit dhe të thjeshtët fundeve të botës”18. Ai ka zgjedhur “gjërat e dobëta të botës [që] të vijnë dhe … të dërrmojnë gjërat e fuqishme dhe të forta”19 dhe që të turpërojë “të fortët”20.

Së treti, pavarësisht se ku jetoni, pavarësisht sa të përulura të jenë rrethanat tuaja, sa i pakët punësimi juaj, sa të kufizuara aftësitë tuaja, sa e zakonshme pamja juaj, apo sa e vogël mund të duket se është thirrja juaj në Kishë, ju nuk jeni i pa vënë re për Atin tuaj Qiellor. Ai ju do ju. Ai e njeh zemrën tuaj të përulur dhe veprimet tuaja të dashurisë dhe shpirtmirësisë. Së bashku, ato formojnë një dëshmi të qëndrueshme të besnikërisë dhe besimit tuaj.

Së katërti dhe së fundi, ju lutem kuptojeni se ajo çfarë shihni dhe përjetoni tani nuk është ajo që do të jetë përgjithmonë. Ju nuk do të ndieni vetmi, hidhërim, dhembje ose shkurajim përgjithmonë. Ne kemi premtimin besnik të Perëndisë se Ai as nuk do të harrojë as nuk do braktisë ata që e duan Atë.21 Kini shpresë dhe besim tek ai premtim. Mësoni ta doni Atin tuaj Qiellor dhe bëhuni dishepull i Tij në fjalë e në veprim.

Sigurohuni që, nëse ju thjesht duroni, besoni tek Ai dhe mbeteni besnikë në mbajtjen e urdhërimeve, një ditë ju do të provoni për veten tuaj premtimet që iu zbuluan Apostullit Pal: “Ato gjëra që syri nuk i ka parë dhe veshi nuk i ka dëgjuar dhe nuk kanë hyrë në zemër të njeriut, janë ato që Perëndia ka përgatitur për ata që e duan atë”22.

Vëllezër e motra, Qenia më e fuqishme në univers është Ati i shpirtit tuaj. Ai ju njeh ju. Ai ju do me dashuri të përkryer.

Perëndia ju sheh jo vetëm si një qenie e vdekshme në një planet të vogël që jeton për një stinë të shkurtër – Ai ju sheh ju si fëmijën e Tij. Ai ju sheh ju si qenia që jeni të aftë dhe të projektuar që të bëheni. Ai dëshiron që ju ta dini se ju keni rëndësi për Të.

Besofshim, mirëbesofshim dhe i jetofshim gjithmonë jetët tona në mënyrë të tillë që ta kuptojmë vlerën dhe potencialin tonë të vërtetë të përjetshëm. Qofshim të denjë për bekimet e çmuara që Ati ynë Qiellor ka gati për ne është lutja ime në emrin e Birit të Tij, madje Jezu Krishtit, amen.