Këngët që Ata Nuk Mundën t’i Këndonin
Ndërsa ne nuk i dimë të gjitha përgjigjet, ne njohim parime të rëndësishme që na lejojnë të përballemi me tragjeditë me besim dhe siguri.
Shumë njerëz ndeshin probleme të mëdha ose edhe tragjedi gjatë kësaj jete të vdekshme. Kudo në botë ne shohim shembuj të sprovave dhe mundimeve.1 Ne prekemi në shpirt nga pamjet televizive të vdekjes, vuajtjeve të dhembshme dhe dëshpërimit. Ne shohim japonezët të luftojnë heroikisht kundër shkatërrimit nga një tërmet dhe cunami. Skenat shqetësuese nga shkatërrimi i kullave të Qendrës Botërore të Tregtisë ishin të dhembshme t’i rijetoje. Diçka na trondit shpirtërisht kur mësojmë mbi një tragjedi të tillë, veçanërisht kur e vuajnë njerëz të pafajshëm.
Ndonjëherë tragjeditë janë shumë vetjake. Një bir apo bijë vdes i ri/e re ose bëhet viktimë e një sëmundjeje shkatërruese. Jeta e një prindi të dashur merret për shkak të një veprimi të pamend apo aksidenti. Kurdo që ndodh tragjedia, ne vajtojmë dhe përpiqemi të mbajmë barrat e njëri-tjetrit.2 Ne dëshpërohemi për gjërat që nuk do të plotësohen dhe këngët që nuk do të këndohen.
Ndër pyetjet që u bëhen më shpesh udhëheqësve të Kishës janë: Përse një Perëndi i drejtë lejon që gjëra të këqija të ndodhin, sidomos te njerëzit e mirë? Përse ata që janë të drejtë dhe në shërbim të Zotit, nuk janë të mbrojtur nga tragjedi të tilla?
Ndërsa nuk i dimë të gjitha përgjigjet, ne njohim parime të rëndësishme që na lejojnë të përballemi me tragjeditë me besim dhe siguri se ka një të ardhme plot shpresë të planifikuar për secilin prej nesh. Disa nga parimet më të rëndësishme janë:
Së pari, ne kemi një Atë në Qiell, që na njeh e na do personalisht dhe e kupton vuajtjen tonë plotësisht.
Së dyti, Biri i Tij, Jezu Krishti, është Shpëtimtari dhe Shëlbuesi ynë, Shlyerja e të cilit jo vetëm siguron për shpëtim dhe ekzaltim, por do të dëmshpërblejë për të gjitha padrejtësitë e jetës.
Së treti, plani i Atit për lumturinë e fëmijëve të Tij përfshin jo vetëm një jetë para lindjes dhe atë të vdekshme, por edhe një jetë të përjetshme gjithashtu, duke përfshirë një ribashkim madhështor dhe të lavdishëm me të gjithë ata që kanë humbur. Të gjitha gabimet do të korrigjohen dhe ne do të shohim me qartësi të përsosur dhe këndvështrim e kuptim të patëmetë.
Nga këndvështrimi i kufizuar i atyre që nuk kanë njohuri, kuptim apo besim në planin e Atit – që vetëm e shohin botën përmes lentes së vdekshmërisë me luftërat, dhunën, sëmundjet dhe të keqen e saj – kjo jetë mund të duket dëshpëruese, kaotike, e padrejtë dhe e pakuptimtë. Udhëheqësit e Kishës e kanë krahasuar këtë këndvështrim me dikë që ecën në mes të një drame me tre akte.3 Ata që nuk kanë njohuri për planin e Atit, nuk e kuptojnë atë që ka ndodhur në aktin e parë, që është ekzistenca para lindjes dhe qëllimet e përcaktuara atje; as nuk kuptojnë sqarimin dhe zgjidhjen që vjen në aktin e tretë, që është përmbushja e lavdishme e planit të Atit.
Shumë njerëz nuk e vlerësojnë se, sipas planit të Tij të dashur dhe tërësor, ata që duken të dëmtuar pa ndonjë faj të vetin, në fund të fundit nuk ndëshkohen.4
Pas rreth gjashtë muajsh do të mbushen 100 vjet nga fundosja tragjike e anijes oqeanike të pasagjerëve Titanik. Rrethanat shkatërruese të kësaj ngjarjeje të tmerrshme kanë ndikuar fort te njerëzit gjatë gjithë shekullit, qysh kur ndodhi. Reklamuesit e anijes së re luksoze të pasagjerëve, që ishte 11 kate e lartë dhe 270 metra e gjatë5, shprehën pretendime të tepruara dhe të pajustifikuara rreth paprekshmërisë së Titanikut nga ujërat e dimrit plot ajsbergë. Kjo anije mendohej si e pafundosshme; por kur u fundos nën sipërfaqen e Oqeanit të akullt Atlantik, mbi 1.500 shpirtra vdiqën.6
Në shumë mënyra fundosja e Titanikut është një metaforë për jetën dhe shumë parime të ungjillit. Ajo është një shembull i përsosur i vështirësisë së të parit vetëm nëpërmjet lenteve të kësaj jete të vdekshme. Humbja e jetës ishte katastrofike në pasojat e saj, por ishte e një natyre rastësore. Me morinë e vdekjeve të dy luftërave botërore dhe kur sapo kaloi 10-vjetori i shkatërrimit të kullave të Qendrës Botërore të Tregtisë, ne kemi parë në vetë kohën tonë një pamje tronditjeje, agonie dhe çështjesh morale rreth ngjarjesh që vijnë si pasojë e ushtrimit të keq të lirisë së zgjedhjes. Ka ndikime të tmerrshme te familja, miqtë dhe kombet si rezultat i këtyre tragjedive, pavarësisht nga shkaku.
Në lidhje me Titanikun, u nxorën mësime rreth rreziqeve prej krenarisë dhe udhëtimit në ujëra të turbullta dhe “se Perëndia nuk tregohet i anshëm”7. Ata që u përfshinë ishin nga të gjitha nivelet shoqërore. Disa ishin të pasur dhe të famshëm, të tillë si Xhon Xheikob Astor; por kishte gjithashtu edhe punëtorë, emigrantë, gra, fëmijë dhe anëtarë të ekuipazhit.8
Kishte të paktën dy lidhje të shenjtorëve të ditëve të mëvonshme me Titanikun. Që të dyja ilustrojnë sfidën tonë në të kuptuarit e sprovave, mundimeve e tragjedive dhe japin një depërtim në atë se si mund t’i përballojmë ato. I pari është një shembull i të qenit vlerësues për bekimet që marrim dhe sfidat që shmangim. Ai përfshin Alma Sonin, që më vonë shërbeu si Autoritet i Përgjithshëm.9 Ai ishte presidenti im i kunjit kur unë linda në Logan të Jutas. Unë pata intervistën time para misionit me Plakun Soni. Në atë kohë të gjithë misionarët e ardhshëm intervistoheshin nga një Autoritet i Përgjithshëm. Ai ishte një ndikim i shkëlqyer në jetën time.
Kur Alma ishte i ri, ai pati një mik që ishte më pak aktiv në Kishë, i quajtur Fred. Ata patën diskutime të shumta rreth të shërbyerit në mision dhe më në fund Alma Soni e bindi Fredin që të përgatitej dhe të shërbente. Ata që të dy u thirrën në Misionin Britanik. Në mbarim të misionit të tyre, Plaku Soni, sekretar misioni, bëri rregullimet e udhëtimit për kthimin e tyre në Shtetet e Bashkuara. Ai bleu biletat e udhëtimit me Titanikun për vete, Fredin dhe katër misionarë të tjerë që patën mbaruar misionin e tyre gjithashtu.10
Kur erdhi koha e udhëtimit, për disa arsye Fredi ishte vonuar. Plaku Soni i anuloi të gjashtë biletat për të lundruar me një anije të re luksoze pasagjerësh në udhëtimin e saj të parë dhe bleu bileta për një anije që lundronte ditën tjetër.11 Të katër misionarët që qenë të emocionuar për udhëtimin me Titanikun, shprehën zhgënjimin e tyre. Përgjigjja e Plakut Soni parafrazonte tregimin e Jozefit dhe të vëllezërve të tij në Egjipt shkruar te Zanafilla: “Si mund të rikthehemi te familjet tona në qoftë se fëmija nuk është me ne?”12 Ai u shpjegoi shokëve të tij se ata të gjithë erdhën në Angli së bashku dhe ata të gjithë duhej të ktheheshin në shtëpi së bashku. Plaku Soni më pas mësoi për fundosjen e Titanikut dhe me mirënjohje i tha mikut të tij, Fredit: “Ti më shpëtove jetën”. Fredi iu përgjigj: “Jo, duke më bindur të shkoj në mision, ti më shpëtove jetën”13. Të gjithë misionarët e falënderuan Zotin që i ruajti.14
Ndonjëherë, siç ishte rasti me Plakun Soni dhe shokët e tij misionarë, bekime të mëdha u shkojnë atyre që janë besnikë. Ne duhet të jemi mirënjohës për të gjitha mëshirat e dhembshura që vijnë në jetën tonë.15 Ne nuk jemi të vetëdijshëm për bekimet e shumta që marrim nga dita në ditë. Është tepër e rëndësishme që ne të kemi një qëndrim mirënjohës në zemrën tonë.16
Shkrimet e shenjta janë të qarta: ata që janë të drejtë, që ndjekin Shpëtimtarin dhe mbajnë urdhërimet e Tij, do të përparojnë në tokë.17 Një element thelbësor i përparimit është të kemi Shpirtin në jetën tonë.
Sidoqoftë, drejtësia, lutja dhe besnikëria jo gjithmonë do të rezultojnë në përfundime të lumtura në vdekshmëri. Shumë do të përjetojnë sprova të ashpra. Kur kjo ndodh, vetë të pasurit besim dhe kërkimi i bekimeve të priftërisë miratohen nga Perëndia. Zoti ka thënë: “Dhe pleqtë … duhet të thirren e duhet të luten për ta dhe duhet t’i vënë duart mbi ta në emrin tim; dhe nëse ata vdesin, do të vdesin në mua dhe nëse jetojnë, do të jetojnë në mua”18.
Është mësimdhënëse që lidhja e dytë e shenjtorëve të ditëve të mëvonshme me Titanikun nuk pati një përfundim të lumtur në vdekshmëri. Irene Korbet ishte 30 vjeçe. Ajo ishte bashkëshorte dhe nënë e re nga Provo e Jutas. Ajo pati talente të rëndësishme si artiste dhe muzikante; ajo ishte gjithashtu mësuese dhe infermiere. Me këshillën e profesionistëve të mjekësisë në Provo, ajo mori pjesë në një kurs gjashtëmujor studimesh për teknikën e mamisë në Londër. Ishte dëshira e saj e madhe që të sillte një ndryshim në botë. Ajo ishte e kujdesshme, e vëmendshme, plot lutje dhe e guximshme. Një nga arsyet që ajo zgjodhi Titanikun për t’u rikthyer në SHBA ishte sepse mendoi që misionarët do të udhëtonin me të dhe se kjo do t’i jepte një siguri shtesë. Irene ishte një nga gratë e pakta që nuk i mbijetuan kësaj tragjedie të tmerrshme. Shumë nga gratë dhe fëmijët u vendosën në barkat e shpëtimit dhe përfundimisht shpëtuan. Nuk kishte mjaft barka shpëtimi për të gjithë. Por besohet se ajo nuk shkoi te barkat e shpëtimit sepse, me trajnimin e saj të posaçëm, ajo po ndihmonte për nevojat e pasagjerëve të shumtë që ishin plagosur nga përplasja me ajsbergun.19
Ka shumë lloje sfidash. Disa na japin neve përvoja të nevojshme. Rezultatet negative në këtë jetë të vdekshme nuk janë prova të mungesës së besimit apo të ndonjë papërsosmërie në planin e përgjithshëm të Atit tonë në Qiell. Zjarri i rafinuesit është i vërtetë dhe cilësitë e karakterit e të drejtësisë që janë farkëtuar në furrën e fatkeqësive, na përsosin dhe pastrojnë, dhe na përgatisin të takojmë Perëndinë.
Kur Profeti Jozef Smith ishte i burgosur në burgun e Libertisë, Zoti i tha atij se shkatërrime të shumëfishta mund ta pllakosin njerëzimin. Shpëtimtari deklaroi ndër të tjera: “Në qoftë se do të hidhesh në thellësi, në qoftë se dallgët e trazuara komplotojnë kundër teje, në qoftë se erërat e forta bëhen armiku yt; … dhe gjithë elementët ndërthuren për të penguar rrugën; … këto gjëra do të të japin përvojë dhe do të jenë për të mirën tënde”20. Shpëtimtari e mbylli këshillën e Tij: “Ditët e tua njihen dhe vitet e tua sʼdo të numërohen më pak; si rrjedhim, mos ki frikë … , sepse Perëndia do të jetë me ty përherë e përgjithmonë”21.
Disa sfida vijnë nga liria e zgjedhjes së të tjerëve. Liria e zgjedhjes është thelbësore për rritjen dhe zhvillimin shpirtëror vetjak. Sjellja e keqe është element i lirisë së zgjedhjes. Kapiten Moroni shpjegoi këtë doktrinë shumë të rëndësishme: “Zoti lejon që të drejtët të vriten, që drejtësia dhe gjykimi i tij të bien mbi të ligjtë”. Ai e bëri të qartë që të drejtët nuk kanë humbur, por “hyjnë në prehjen e Zotit, Perëndisë së tyre”22. Të ligjtë do të mbahen përgjegjës për mizoritë që kryejnë.23
Disa sfida vijnë nga mosbindja ndaj ligjeve të Perëndisë. Problemet e shëndetit që vijnë nga abuzimi me duhanin, alkoolin dhe drogat, janë tronditëse. Burgosja në paraburgime dhe burgje si pasojë e krimit lidhur me alkoolin dhe drogën është gjithashtu shumë e zakonshme.24
Shpeshtësia e prishjeve të martesës për shkak të mosbesnikërisë është gjithashtu e madhe. Shumë nga këto sprova dhe mundime mund të shmangeshin me anë të bindjes ndaj ligjeve të Perëndisë.25
Presidenti im i dashur i misionit, Plaku Marion D. Hanks (që u nda nga jeta në gusht), na kërkonte neve si misionarë që të mësonim përmendësh një thënie për t’u rezistuar vështirësive të jetës së vdekshme: “Nuk ka shans, as të ardhme, as fat që mund të shmangë apo ndalojë, apo kontrollojë përkushtimin e patundur të një njeriu të vendosur”26.
Ai pranonte se kjo nuk i përshtatej të gjitha sfidave që ne ndeshim, por është e vërtetë në gjërat shpirtërore. Unë e kam vlerësuar këshillën e tij në jetën time.
Një nga arsyet për humbjen e tmerrshme të jetës në Titanik është se nuk pati mjaft barka shpëtimi. Pavarësisht nga sprovat që ndeshim në këtë jetë, Shlyerja e Shpëtimtarit siguron barka shpëtimi për cilindo. Për ata që mendojnë se sprovat që ndeshin janë të padrejta, Shlyerja i mbulon të gjitha padrejtësitë e jetës.27
Një sfidë unike për ata që kanë humbur të dashurit e tyre është të shmangin të menduarit shumë për mundësitë e humbura në këtë jetë. Shpesh ata që vdesin herët kanë demonstruar aftësi, interesa dhe talente të mëdha. Me kuptueshmërinë tonë të kufizuar, ne mbajmë zi për gjërat që nuk do të përmbushen dhe këngët që nuk do të këndohen. Kjo është përshkruar si të vdesësh me muzikën tënde ende brenda teje. Muzika në këtë rast është një shëmbëlltyrë për çfarëdolloj mundësish të parealizuara. Ndonjëherë njerëzit kanë bërë përgatitje të madhe, por nuk kanë pasur mundësinë ta shfaqin në vdekshmëri.28 Një nga poemat klasike më të cituara, “Elegji e Shkruar në Oborrin e Një Kishe Fshati” nga Tomas Grej, arsyeton mbi mundësi të tilla të humbura:
Shumë lule lulëzojnë pa u parë,
Dhe në ajrin e shkretëtirës bukuria e tyre është vrarë.29
Mundësia e humbur mund të lidhet me familjen, punësimin, talentet, përvojat apo të tjera. Të gjitha këto u ndërprenë shpejt në rastin e Motrës Korbet. Pati këngë që ajo nuk i këndoi dhe mundësi që ajo nuk i përmbushi në këtë jetë të vdekshme. Por parë përmes lentes së gjerë dhe të qartë të ungjillit, në vend të lenteve të kufizuara të një ekzistence të thjeshtë të vdekshme, ne njohim shpërblimin e madh e të përjetshëm të premtuar nga një Atë i dashur në planin e Tij. Siç na mësoi Apostulli Pal: “Ato gjëra që syri nuk i ka parë dhe veshi nuk i ka dëgjuar dhe nuk kanë hyrë në zemër të njeriut, janë ato që Perëndia ka përgatitur për ata që e duan atë”30. Një varg nga një himn i dashur siguron ngushëllim, lehtësim dhe lente të qartë: “Dhe Jezusi mund t’i dëgjojë këngët që unë nuk mund t’i këndoj”31.
Shpëtimtari ka thënë: “Si rrjedhim, zemrat tuaja duhet të ngushëllohen. … Rrini të qetë dhe dijeni se unë jam Perëndi.”32 Ne kemi premtimin e Tij se ne me fëmijët tanë do të këndojmë “këngë gëzimi të përhershëm”33. Në emrin e Jezu Krishtit, amen.