2011
Mësimet e Jezusit
Nëntor 2011


Mësimet e Jezusit

Jezu Krishti është Biri i Vetëmlindur dhe i Dashur i Perëndisë. … Ai është Shpëtimtari ynë nga mëkati dhe vdekja. Kjo është njohuria më e rëndësishme mbi tokë.

Elder Dallin H. Oaks

“Ç’u duket juve për Krishtin?” (Mateu 22:42). Me këto fjalë Jezusi hutoi farisenjtë e kohës së Tij. Me të njëjtat fjalë unë pyes miqtë e mi shenjtorë të ditëve të mëvonshme dhe të krishterë të tjerë se çfarë ju vërtet besoni rreth Jezu Krishtit dhe çfarë jeni duke bërë për shkak të këtij besimi.

Shumica e citimeve të mia nga shkrimet e shenjta do të gjenden në Bibël, sepse ajo është e njohur për shumicën e të krishterëve. Shpjegimet e mia natyrisht që do të vijnë nga ato çfarë na mësojnë shkrimet e shenjta bashkëkohore, sidomos Libri i Mormonit, në lidhje me kuptimin kaq të errët të shkrimeve të Biblës, që të krishterë të ndryshëm nuk bien dakord mbi domethënien e tyre. Unë po u flas besimtarëve, por edhe të tjerëve. Sikurse Plaku Ted R. Kelister na mësoi këtë mëngjes, disa që e quajnë veten të krishterë e lavdërojnë Jezusin si një mësues të madh, por shmangen nga pohimi i karakterit të Tij hyjnor. Kam përdorur fjalët e Vetë Jezusit për t’u drejtuar atyre. Ne të gjithë duhet të marrim parasysh atë që Ai Vetë na mësoi se kush ishte dhe për çfarë u dërgua për të bërë në tokë.

Biri i Vetëmlindur

Jezusi na mësoi se Ai ishte Biri i Vetëmlindur. Ai tha:

“Sepse Perëndia e deshi aq botën, sa dha Birin e tij të vetëmlindurin, që, kushdo që beson në të, të mos humbasë, por të ketë jetë të përjetshme.

Sepse Perëndia nuk e dërgoi Birin e vet në botë që ta dënojë botën, por që bota të shpëtohet prej tij” (Gjoni 3:16–17).

Perëndia, Ati e pohoi këtë. Në kulmin e përvojës së shenjtë në malin e Shpërfytyrimit, Ai shpalli nga qielli: “Ky është Biri im i dashur, në të jam kënaqur: dëgjojeni” (Mateu 17:5).

Jezusi, gjithashtu na mësoi se paraqitja e Tij ishte e njëjtë si e Atit të Tij. Ai u tha apostujve të Tij:

“Po të më kishit njohur, do të kishit njohur edhe Atin tim; qysh tani e njihni dhe e keni parë”.

Filipi i tha: “Zot, na e trego Atin, dhe na mjafton”.

Jezusi i tha: “Ka kaq kohë që unë jam me ju dhe ti nuk më ke njohur akoma, o Filip? Kush më ka parë mua, ka parë Atin” (Gjoni 14:7–9).

Si rrjedhim, apostulli Pal e përshkroi Birin si “vula e qenies së [Perëndisë, Atit]” (Hebrenjve 1:3; shih edhe 2 Korintasve 4:4).

Krijuesi

Apostulli Gjon shkroi se Jezusi, të cilin ai e quajti “Fjala”, “ishte në fillim me Perëndinë. Të gjitha gjërat u bënë me anë të tij (fjala), dhe pa atë nuk u bë asnjë nga ato që u bënë” (Gjoni 1:2–3). Pra, sipas planit të Atit, Jezu Krishti ishte Krijuesi i të gjitha gjërave.

Zoti, Perëndia i Izraelit

Gjatë shërbesës ndaj njerëzve të Tij në Palestinë, Jezusi deklaroi se Ai ishte Jehovah, Zoti Perëndi i Izraelit (shih Gjoni 8:58). Më vonë, si Zot i ringjallur, Ai i shërbeu popullit të Tij në kontinentin amerikan. Atje Ai shpalli:

“Vini re, unë jam Jezu Krishti, për të cilin profetët dëshmuan se do të vinte në botë. …

… unë jam Perëndia i Izraelit dhe Perëndia i tërë tokës” (3 Nefi 11:10, 14).

Ajo që Ai Ka Bërë për Ne

Shumë vite më parë, në një konferencë kunji takova një grua që tha se i ishte kërkuar që të kthehej në kishë pas shumë vitesh largimi, por nuk mund të mendonte për ndonjë arsye se përse duhet të vinte. Për ta inkurajuar i thashë: “Kur mendoni për të gjitha gjërat që Shpëtimtari ka bërë për ne, a nuk keni shumë arsye të ktheheni në kishë për ta adhuruar e për t’i shërbyer Atij?” U çudita nga përgjigjja e saj: “Çfarë ka bërë Ai për mua?” Për ata që nuk e kuptojnë se çfarë ka bërë Shpëtimtari ynë për ne, do t’i përgjigjem kësaj pyetje me vetë fjalët e Tij dhe me dëshminë time.

Jeta e Botës

Bibla shënon mësimin e Jezusit: “Unë kam ardhur që të kenë jetë e ta kenë me bollëk” (Gjoni 10:10). Më vonë, në Botën e Re, Ai shpalli: “Unë jam drita dhe jeta e botës” (3 Nefi 11:11). Ai është jeta e botës sepse Ai është Krijuesi ynë dhe se, nëpërmjet ringjalljes të Tij, ne të gjithë jemi të sigurt se do të jetojmë përsëri. Dhe jeta që Ai na jep nuk është thjesht jeta e vdekshme. Ai na mësoi: “Unë u jap atyre jetën e përjetshme dhe nuk do të humbasin kurrë, e askush nuk do t’i rrëmbejë nga dora ime” (Gjoni 10:28; shih edhe Gjoni 17:2).

Drita e Botës

Jezusi gjithashtu na mësoi: “Unë jam drita e botës; kush më ndjek nuk do të ecë në errësirë” (Gjoni 8:12). Ai gjithashtu shpalli: “Unë jam udha, e vërteta dhe jeta” (Gjoni 14:6). Ai është udha dhe Ai është drita sepse mësimet e Tij ndriçojnë rrugën tonë në jetën e vdekshme dhe na tregojnë rrugën e kthimit për tek Ati.

Duke Bërë Vullnetin e Atit

Jezusi gjithmonë e nderoi Atin dhe e ndoqi Atë. Edhe kur ishte i ri Ai u shpalli prindërve të Tij tokësorë: “A nuk e dinit se më duhet të merrem me punët e Atit tim?” (Lluka 2:49). Më vonë Ai u mësoi: “Sepse unë kam zbritur nga qielli jo për të bërë vullnetin tim, por vullnetin e atij që më ka dërguar” (Gjoni 6:38; shih edhe Gjoni 5:19). Dhe Shpëtimtari na mësoi: “Askush nuk vjen tek Ai përveçse nëpërmjet meje” (Gjoni 14:6; shih edhe Mateu 11:27).

Ne kthehemi tek Ati duke bërë vullnetin e Tij. Jezusi na mësoi: “Jo çdo njeri që më thotë: ‘Zot, Zot’ do të hyjë në mbretërinë e qiejve, por do të hyjë ai që kryen vullnetin e Atit tim që është në qiej” (Mateu 7:21). Ai shpjegoi:

“Shumë do të më thonë atë ditë: ‘O Zot, o Zot, a nuk profetizuam ne në emrin tënd, a nuk i dëbuam demonët në emrin tënd, a nuk kemi bërë shumë vepra të fuqishme në emrin tënd?’

Dhe atëherë unë do t’u sqaroj atyre: ‘Unë s’ju kam njohur kurrë; largohuni nga unë, ju të gjithë, që keni bërë paudhësi’” (Mateu 7:22–23).

Atëherë, kush do të hyjë në mbretërinë e qiejve? Jo ata të cilët thjesht bëjnë vepra të fuqishme duke përdorur emrin e Zotit, Jezusi na mësoi “[por vetëm] ai që kryen vullnetin e Atit tim që është në qiej”.

Shembulli i Madh

Jezusi na e tregoi se si ta bënim këtë. Ai na ftoi vazhdimisht për ta ndjekur Atë: “Delet e mia e dëgjojnë zërin tim, unë i njoh dhe ato më ndjekin” (Gjoni 10:27).

Fuqia e Priftërisë

Ai u dha fuqinë e priftërisë dishepujve të Tij (shih Mateu 10:1) dhe të tjerëve. Ai i tha Pjetrit, apostullit më të vjetër: “Dhe unë do të të jap çelësat e mbretërisë së qiejve; gjithçka që të kesh lidhur mbi tokë, do të jetë lidhur në qiej, dhe gjithçka që të kesh zgjidhur mbi tokë, do të jetë zgjidhur në qiej” (Mateu 16:19; shih edhe Mateu 18:18).

Lluka shënoi se: “Zoti caktoi shtatëdhjetë të tjerë dhe i nisi dy nga dy përpara tij, në çdo qytet dhe vend, ku ai do të shkonte” (Lluka 10:1). Më vonë këta të shtatëdhjetë me gëzim i thanë Jezusit: “Edhe demonët na nënshtrohen në emrin tënd” (Lluka 10:17). Unë jam një dëshmitar i asaj fuqie priftërie.

Prijësi nëpërmjet Frymës së Shenjtë

Në përfundim të shërbesës së Tij tokësore, Jezusi i mësoi apostujt e Tij: “Ngushëlluesi, Fryma e Shenjtë, që Ati do ta dërgojë në emrin tim, do t’ju mësojë çdo gjë dhe do t’ju kujtojë të gjitha këto që ju thashë” (Gjoni 14:26) dhe “ai do t’ju prijë në çdo të vërtetë” (Gjoni 16:13).

Prijësi nëpërmjet Urdhërimeve të Tij

Ai gjithashtu na prin ne nëpërmjet urdhërimeve të Tij. Kështu që, Ai i urdhëroi nefitët se ata nuk duhet të kenë mosmarrëveshje në lidhje me çështjet e doktrinës, sepse, u tha:

“Ai që ka shpirtin e grindjes nuk është i imi, por është i djallit i cili është ati i grindjes dhe ai nxit zemrat e njerëzve, që të grinden me zemërim me njëri-tjetrin.

Vini re, kjo nuk është doktrina ime, që të nxis zemrat e njerëzve në zemërim, njëri kundër tjetrit; por, doktrina ime është kjo, që gjëra të tilla duhet të zhduken” (3 Nefi 11:29–30).

Përqendruesi në Jetën e Përjetshme

Ai gjithashtu na sfidon që të përqendrohemi në Të, jo në gjërat e botës. Në predikimin e Tij të madh mbi bukën e jetës, Jezusi shpjegoi ndryshimin midis ushqimit të vdekshëm dhe të përjetshëm. Ai tha: “Mos punoni për ushqimin që prishet, por për ushqimin që mbetet për jetë të përjetshme, të cilin do t’jua japë Biri i njeriut” (Gjoni 6:27). Shpëtimtari na mësoi se Ai ishte Buka e Jetës, burimi i ushqimit të përjetshëm. Duke folur për ushqimin e vdekshëm që bota të ofron, përfshirë manat që Jehovai kishte dërguar për të ushqyer bijtë e Izraelit në shkretëtirë, Jezusi na mësoi se ata që u mbështetën në këtë bukë tani janë të vdekur (shih Gjoni 6:49). Në të kundërt, ushqimi që ofroi Ai ishte “buka e gjallë që zbriti nga qielli”, dhe Jezusi na mësoi: “Nëse një ha nga kjo bukë do të jetojë përjetë” (Gjoni 6:51).

Disa nga dishepujt e Tij thanë se kjo ishte “e folur e rëndë” dhe nga ai moment shumë nga dishepujt e Tij “u tërhoqën dhe nuk shkuan më me të” (Gjoni 6:60, 66). Me sa duket ata nuk e pranuan mësimin e Tij të mëparshëm se ata duhet të “kërkoni[n] … para së gjithash mbretërinë e Perëndisë” (Mateu 6:33). Edhe sot disa që pretendojnë krishtërim joshen më shumë nga gjërat e botës – gjëra që mbështesin jetën në tokë, por nuk japin ushqim drejt jetës të përjetshme. Për disa, “e folura e Tij e rëndë” është ende një arsye që të mos ndjekin Krishtin.

Shlyerja

Pika kulmore e shërbesës së vdekshme të Shpëtimtarit ishte Ringjallja dhe Shlyerja e Tij për mëkatet e botës. Gjon Pagëzori profetizoi këtë kur tha: “Ja, Qengji i Perëndisë, që heq mëkatin e botës” (Gjoni 1:29). Më pas, Jezusi na mësoi se: “Biri i njeriut … erdhi … për të shërbyer për të dhënë jetën e tij si çmim për shpengimin e shumë vetëve” (Mateu 20:28). Në Darkën e Fundit, sipas rrëfimit të Mateut, Jezusi shpjegoi se vera që Ai kishte bekuar, ishte “gjaku i besëlidhjes së re, i cili është derdhur për shumë për faljen e mëkateve” (Mateu 26:28).

Pasi iu shfaq nefitëve, Zoti i ringjallur i ftoi ata që të afroheshin për të ndier plagën në anën e Tij dhe gjurmën e gozhdëve në duart dhe këmbët e Tij. Ai shpjegoi, se e bëri këtë “që ju të dini se unë jam Perëndia i Izraelit dhe Perëndia i tërë tokës dhe se u vrava për mëkatet e botës” (3 Nefi 11:14). Dhe rrëfimi vazhdon, turma “[ra] te këmbët e Jezusit dhe e adhur[oi] atë” (vargu 17). Në fund të fundit, për shkak të kësaj e gjitha bota do ta adhurojë Atë.

Jezusi na mësoi më tej të vërtetat e çmuara mbi Shlyerjen e Tij. Libri i Mormonit, i cili shtjellon më shumë mësimet e Shpëtimtarit dhe jep shpjegimin më të mirë të misionit të Tij, paraqet këtë mësim:

“Ati im më dërgoi që të mund të ngrihesha në kryq … , që t’i tërheq të gjithë njerëzit tek unë, …

… që të qëndrojnë para meje për t’u gjykuar për veprat e tyre.

Dhe … kushdo që pendohet dhe pagëzohet në emrin tim, do të mbushet; dhe në qoftë se duron gjer në fund, vini re, atë do ta konsideroj të pafajshëm para Atit tim, në atë ditë kur do të qëndroj të gjykoj botën. …

Dhe asgjë e papastër nuk mund të hyjë në mbretërinë e [Atit]; prandaj asgjë nuk hyn në pushimin e tij, vetëm ata që kanë larë rrobat e tyre në gjakun tim, për shkak të besimit të tyre dhe të pendimit të të gjithë mëkateve të tyre dhe të besnikërisë së tyre deri në fund” (3 Nefi 27:14–16, 19).

Dhe në këtë mënyrë ne kuptojmë se Shlyerja e Jezu Krishtit na jep mundësinë për të mposhtur vdekjen shpirtërore që vjen nga mëkati dhe, nëpërmjet kryerjes dhe mbajtjes së besëlidhjeve të shenjta, të kemi bekimet e jetës së përjetshme.

Sfida dhe Dëshmia

Jezusi lëshoi sfidën: “Ç’u duket juve për Krishtin?” (Mateu 22:42). Apostulli Pal sfidoi korintasit “[për të] analiz[uar] veten [e tyre] a [janë] në besim” (2 Korintasve 13:5). Secili prej nesh duhet t’u përgjigjet këtyre sfidave për vete. Ku është besnikëria jonë përfundimtare? A jemi ne si të krishterët në përshkrimin e paharrueshëm të Plakut Nil A. Maksuell, që bëjmë shtëpitë tona të përhershme në Sion dhe nuk mbajmë një shtëpi për pushime të pjesshme në Babiloni?1

Nuk ka rrugë të mesme. Ne jemi ndjekës të Jezu Krishtit. Shtetësia jonë është në Kishën e ungjillin e Tij dhe ne nuk duhet të përdorim vizën për të vizituar Babiloninë ose për të vepruar si një nga shtetasit e saj. Ne duhet ta nderojmë emrin e Tij, të mbajmë urdhërimet e Tij dhe “të mos kërko[jmë] gjërat e kësaj botës, … para së gjithash [të] kërko[jmë] të ndërto[jmë] mbretërinë e Perëndisë dhe të vendos[im] drejtësinë e tij” (Mateu 6:33, nga Përkthimi prej Joseph Smith-it, Mateu 6:38).

Jezu Krishti është Biri i Vetëmlindur dhe i Dashur i Perëndisë. Ai është Krijuesi ynë. Ai është Drita e Botës. Ai është Shpëtimtari ynë nga mëkati dhe vdekja. Kjo është njohuria më e rëndësishme mbi tokë, dhe ju mund ta dini këtë për veten tuaj, siç unë e di për vete. Fryma e Shenjtë, që dëshmon për Atin dhe Birin e na drejton për tek e vërteta, m’i ka zbuluar këto të vërteta dhe Ai do t’jua zbulojë ato juve. Mënyra është dëshira dhe bindja. Në lidhje me dëshirën, Jezusi na mësoi: “Lypni dhe do t’ju jepet; kërkoni dhe do të gjeni; trokitni dhe do t’ju çelet” (Mateu 7:7). Në lidhje me bindjen, Ai na mësoi: “Në qoftë se dikush don të bëjë vullnetin e tij, do ta njohë nëse kjo doktrinë vjen nga Perëndia apo që unë flas nga vetja ime” (Gjoni 7:17). Unë dëshmoj për të vërtetën e këtyre gjërave, në emrin e Jezu Krishtit, amen.

Shënim

  1. Shih Neal A. Maxwell, A Wonderful Flood of Light (1990), f. 47.