2011
Duaje Nënën e Saj
Nëntor 2011


Duaje Nënën e Saj

Si mundet një baba ta rrisë një bijë të lumtur dhe të edukuar mirë në botën që sa vjen e bëhet më helmuese? Përgjigjja na është mësuar nga profetët e Zotit.

Elaine S. Dalton

Është e vështirë të përshkruhet çasti i shenjtë kur një baba i ri mban një foshnjë vajzë në krahë për herë të parë. Këtë vit tre nga bijtë tanë janë bërë baballarë të disa vogëlusheve. Kur e pashë birin tonë të sertë, të fortë, lojtar të regbisë, Xhonin, duke mbajtur foshnjën e tij të parë vajzë në krahë, ai e pa me një dhembshuri nderuese dhe pastaj pa drejt meje me një shprehi që dukej sikur thoshte: “Si ta rris unë një vajzë?”

Këtë mëngjes unë dëshiroj t’u flas bijve tanë dhe të gjithë baballarëve. Si mundet një baba ta rrisë një bijë të lumtur dhe të edukuar mirë në botën e sotme që sa vjen e bëhet më helmuese? Përgjigjja na është mësuar nga profetët e Zotit. Është një përgjigje e thjeshtë dhe është e vërtetë – “Gjëja më e rëndësishme që një baba mund të bëjë për [bijën] e tij është të dojë nënën e [saj]”1. Nga mënyra se si ju e doni nënën e saj, ju do t’i mësoni bijës suaj rreth dhembshurisë, besnikërisë, respektit, mëshirës dhe përkushtimit. Ajo do të mësojë nga shembulli juaj se çfarë të presë nga një djalë i ri dhe cilat cilësi të kërkojë te një bashkëshort i ardhshëm. Ju mund t’i tregoni bijës suaj nga mënyra se si e doni dhe e nderoni gruan tuaj, se ajo duhet të presë të martohet me dikë që do ta dojë dhe do ta nderojë. Shembulli juaj do t’i mësojë bijës suaj vlerën e të qenit grua. Ju po i tregoni asaj se ajo është një bijë e Atit tonë Qiellor, që e do atë.

Duajeni nënën e saj aq shumë, saqë martesa juaj të jetë çelestiale. Një martesë në tempull për gjithë kohën dhe përjetësinë është e denjë për përpjekjet tuaja më të mëdha dhe që të jetë përparësia juaj më e madhe. Ishte vetëm pasi Nefi përfundoi tempullin në vendin e shkretë që ai shpalli: “Dhe … ne jetuam sipas mënyrës së lumturisë”2. “Mënyra e lumturisë” gjendet në tempull. Është mbajtje besëlidhjeje. Mos lejoni asnjë ndikim që vjen në jetën apo shtëpinë tuaj, që do të shkaktonte që ju të rrezikonit besëlidhjen apo zotimin tuaj ndaj gruas dhe familjes.

Te klasa e Të Rejave ne po e ndihmojmë bijën tuaj të kuptojë identitetin e saj si bijë e Perëndisë dhe rëndësinë e të qëndruarit e virtytshme dhe e denjë për të marrë bekimet e tempullit dhe për një martesë në tempull. Ne po i mësojmë bijës suaj rëndësinë e të bërit dhe mbajtjes së besëlidhjeve të shenjta. Ne po i mësojmë asaj të zotohet tani, që të jetojë në mënyrë të tillë, që të jetë gjithmonë e denjë për të hyrë në tempull dhe të mos lejojë asgjë që ta frenojë, ta hutojë apo ta përjashtojë atë nga të qenit e denjë për në tempull. Shembulli juaj, si babai i saj, është më ndikues se fjalët tona të rëndësishme. Të rejat shqetësohen për baballarët e tyre. Shumë e shprehin dëshirën e tyre të madhe që të bashkohen përjetësisht si një familje. Ato dëshirojnë që ju të jeni atje kur ato të shkojnë në tempull apo të martohen në tempull. Qëndrojini pranë bijës suaj dhe ndihmojeni atë të përgatitet dhe të qëndrojë e denjë për në tempull. Kur ajo të bëhet 12 vjeç, merreni me vete në tempull shpesh, që të kryejë pagëzime për paraardhësit tuaj dhe të të tjerëve. Ajo do t’i ruajë ato kujtime përgjithmonë.

Kultura e përhapur e të sotmes përpiqet të shkatërrojë dhe të poshtërojë rolin tuaj të përjetshëm si patriark dhe baba e t’i zvogëlojë në kulm përgjegjësitë tuaja më të rëndësishme. Këto përgjegjësi ju janë dhënë juve “nëpërmjet planit hyjnor” dhe, si etër, ju “duhet të kryeso[ni] familjet [tuaja] me dashuri e drejtësi dhe jeni përgjegjës për të siguruar gjërat e nevojshme për jetën dhe mbrojtjen për familjet [tuaja]”3.

Baballarë, ju jeni rojtarët e shtëpive tuaja, bashkëshorteve tuaja dhe fëmijëve tuaj. Sot, “nuk është gjë e lehtë ta mbrosh familjen nga prania e padëshiruar e së keqes në mendjen dhe shpirtin e [tyre]. … Këto ndikime munden dhe futen të papenguara në shtëpi. Satani [është shumë i zgjuar]. Ai nuk ka nevojë të shpërthejë derën që të hyjë.”4

Ju duhet të jeni rojtarët e virtytit. “Një mbajtës priftërie është i virtytshëm. Sjellja e virtytshme nënkupton që [ju keni] mendime të dëlira dhe veprime të ndershme. … Virtyti është … një tipar i perëndishmërisë.” Ai “është i ngjashëm me shenjtërinë”5. Vlerat e Të Rejave janë tipare si të Krishtit që përfshijnë edhe vlerën e virtytit. Ne tani ju bëjmë thirrje që të bashkoheni me ne që ta drejtojmë botën drejt një kthimi ndaj virtytit. Në mënyrë që ta bëni këtë, ju “duhet të ushtroni virtyt dhe shenjtëri”6 duke hequr nga jeta juaj çdo gjë që është e ligë dhe e papajtueshme për dikë që mban priftërinë e shenjtë të Perëndisë. “Virtyti duhet t’i stolisë mendimet e tua pa pushim; atëherë do të forcohet vetbesimi yt në prani të Perëndisë; dhe … Fryma e Shenjtë do të jetë shoqëruesi yt i vazhdueshëm”7. Kështu që jini të matur rreth asaj që shikoni në televizor, internet ose shtypin e shkruar. Virtyti juaj personal do të jetë shembull për bijat tuaja dhe gjithashtu, edhe për bijtë tuaj, se çfarë force dhe kurajoje e vërtetë morale jeni ju. Duke qënë rojtar i virtytit në vetë jetën tuaj, në shtëpinë tuaj dhe në jetën e fëmijëve tuaj, ju po i tregoni gruas dhe bijave tuaja çfarë është në të vërtetë dashuria. Pastërtia juaj vetjake do t’ju japë fuqi.

Ju jeni rojtari i bijës suaj në një kuptim më të gjerë sesa ai ligjor. Jini të pranishëm në mënyrë aktive në jetën e bijës suaj. Vëreni atë në dijeni të standardeve tuaja, pritshmërive tuaja, shpresave tuaja dhe ëndrrave për suksesin dhe lumturinë e saj. Bëjini asaj pyetje, njihuni me miqtë e saj dhe kur të vijë koha me ata që do dalë në takime. Ndihmojeni atë ta kuptojë rëndësinë e arsimimit. Ndihmojeni atë të kuptojë se parimi i modestisë është mbrojtje. Ndihmojeni atë të zgjedhë muzikën, revistat, programet televizive, filmat dhe faqet në internet që ftojnë Shpirtin dhe janë në pajtim me identitetin e saj hyjnor. Jini një pjesë aktive e jetës së saj. Dhe, nëse gjatë viteve të saj të adoleshencës ndodh që ajo nuk do të kthehet në orar në shtëpi nga një takim, shkoni dhe merreni atë. Ajo do të kundërshtojë dhe do t’ju thotë se ju i keni shkatërruar jetën e saj shoqërore, por së brendshmi ajo do ta dijë se ju e doni dhe se ju interesoheni aq shumë për të sa të jeni rojtari i saj.

Ju nuk jeni burra të zakonshëm. Për shkak të trimërisë suaj në mbretërinë paratokësore, ju u kualifikuat që të jeni udhëheqës dhe që të zotëroni fuqinë e priftërisë. Atje ju shfaqët “besim të jashtëzakonshëm dhe vepra të mira” dhe ju jeni këtu tani që të bëni të njëjtën gjë8. Priftëria juaj ju veçon nga të tjerët.

Në pak javë tre bijtë tanë do t’u kenë dhënë bijave të tyre vogëlushe një emër dhe një bekim. Unë shpresoj se ky do të jetë i pari nga shumë bekime priftërie që ato do të marrin nga baballarët e tyre, pasi në botën në të cilën do të rriten, ato do të kenë nevojë për ato bekime. Bija juaj do ta ruajë në kujtesë priftërinë dhe do të vendosë në zemrën e saj se kjo është ajo që dëshiron në shtëpinë dhe familjen e saj të ardhshme. Kujtoni gjithmonë “që të drejtat e priftërisë lidhen në mënyrë të pandashme me fuqitë e qiellit dhe se fuqitë e qiellit nuk mund të kontrollohen, as përdoren, vetëm mbi bazën e parimeve të drejtësisë”9.

Baballarë, ju jeni heroi i bijës suaj. Babai im ishte heroi im. Unë e kisha zakon të prisja te shkallët e shtëpisë tonë për të kur ai kthehej çdo natë nga puna në shtëpi. Ai më merrte në krahë dhe më rrotullonte e pastaj më lejonte t’i vendosja këmbët në këpucët e tij të mëdha dhe pastaj unë vallëzoja me të në shtëpi. Më pëlqente shumë sfida që të përpiqesha të ndiqja çdo hap të tijin. Ende më pëlqen.

A e dinit se dëshmia juaj ka një ndikim të fuqishëm te bijat tuaja? Unë e dija se babai im kishte një dëshmi. Unë e dija se ai e donte Zotin. Dhe për shkak se babai im e donte Zotin, edhe unë e doja gjithashtu. Unë e dija se ai kujdesej për vejushat pasi ai i kaloi ditët e pushimeve të tij nga puna duke lyer shtëpinë e vejushës që jetonte aty ngjitur. Unë mendova se ato ishin pushimet më të bukura që kishim kaluar ndonjëherë si familje, pasi ai më mësoi mua të lyeja! Ju do ta bekoni jetën e bijës suaj në vitet që do vijnë, nëse do të kërkoni mënyra për të kaluar kohë me të dhe për të ndarë dëshminë tuaj me të.

Në librin e Mormonit, Abishi u kthye në besim ngaqë babai i saj i tregoi vegimin e tij të mrekullueshëm. Për shumë vite, ajo e mbajti dëshminë e saj në zemër dhe jetoi drejtësisht në një shoqëri shumë të ligë. Pastaj erdhi koha kur ajo nuk mundi të heshtte më dhe ajo vrapoi shtëpi më shtëpi për të ndarë dëshminë e saj dhe mrekullitë që i kishte dëshmuar në pallatin e mbretit. Fuqia e kthimit të kësaj të reje dhe e dëshmisë qenë një mjet për ndryshimin e të gjithë shoqërisë. Populli që e dëgjoi atë të dëshmonte, u bë një popull që “u kthyen në besim te Zoti, [dhe] nuk hoqën dorë kurrë nga besimi i tyre” dhe bijtë e tyre u bënë djem luftëtarë!10

Ashtu siç thotë himni, “Rise up, O men of God!” [“Ngrihuni, O burra të Perëndisë”]11 Kjo është një thirrje për ju, burra që mbani priftërinë e shenjtë të Perëndisë. U thëntë për ju ashtu siç u tha për kapiten Moronin:

“[Ai] ishte njeri i fortë dhe i fuqishëm; … ai ishte njeri me kuptim të përsosur; … një njeri i vendosur në besimin e Krishtit. …

… Në qoftë se të gjithë njerëzit kishin qenë dhe ishin, ose do të jenë ndonjëherë, sikurse Moroni, vini re, fuqitë e vërteta të ferrit do të ishin tundur përgjithnjë; po, djalli nuk do të kishte kurrë më fuqi mbi zemrat e fëmijëve të njerëzve”12.

Vëllezër, baballarë, të rinj: “Jini mbretër ndaj mbretit brenda jush”13.

Pra, si ta rrisni një vajzë? Duajeni nënën e saj. Drejtojeni familjen tuaj për në tempull, jini rojtarë të virtytit dhe lartësoni priftërinë tuaj. Baballarë, juve ju janë besuar bijat mbretërore të Atit tonë Qiellor. Ato janë të virtytshme dhe të zgjedhura. Është lutja ime që ju të kujdeseni për to, t’i forconi ato, të jepni shembull për një sjellje të virtytshme dhe t’u mësoni atyre të ndjekin shembullin e Shpëtimtarit – pasi Ai jeton! Në emrin e Jezu Krishtit, amen.

Shënime

  1. Presidenti David O. McKay shpesh e citonte këtë deklaratë të Theodore Hesbourgh, në “Quotable Quotes”, Reader’s Digest, janar 1963, f. 25; shih edhe Richard Evans’ Quote Book (1971), f. 11.

  2. 2 Nefi 5:27.

  3. “Familja: Një Proklamatë Drejtuar Botës”, Liahona, nëntor 2010, f. 129.

  4. A. Theodore Tuttle, “The Role of Fathers”, Ensign, janar 1974, f. 67.

  5. Ezra Taft Benson, “Godly Characteristics of the Master”, Ensign, nëntor 1986, f. 46.

  6. Doktrina e Besëlidhje 46:33.

  7. Doktrina e Besëlidhje 121:45, 46.

  8. Alma 13:3; shih edhe vargun 2.

  9. Doktrina e Besëlidhje 121:36.

  10. Alma 23:6; shih edhe Alma 19:16–17; 53:10–22.

  11. “Rise Up, O Men of God”, Hymns, nr. 323.

  12. Alma 48:11, 13, 17.

  13. Në Harold B. Lee, “Be Loyal to the Royal within You”, në Speeches of the Year: BYU Devotional and Ten-Stake Fireside Addresses 1973 (1974), f. 100.