Një Kohë për t’u Përgatitur
Ne duhet t’’ia përkushtojmë kohën tonë gjërave që kanë më shumë rëndësi.
Kapitulli i tetë i manualit Predikoni Ungjillin Tim e përqendron vëmendjen tonë te përdorimi i mençur i kohës. Në këtë kapitull, Plaku M. Rasëll Ballard na kujton se ne duhet të vendosim qëllime dhe të mësojmë si të përvetësojmë teknikat e të jetuarit për të arritur qëllimet (shih Predikoni Ungjillin Tim: Një udhëzues për Shërbimin Misionar [2004], f. 146). Përvetësimi i teknikave të nevojshme për të arritur qëllimet tona përfshin aftësimin në përdorimin e kohës sonë.
Unë jam mirënjohës për shembullin e Presidentit Tomas S. Monson. Me gjithçka që bën si profet i Perëndisë, ai garanton, ashtu siç bëri Shpëtimtari, se ka ende kohë të mjaftueshme për të vizituar të sëmurët (shih Lluka 17:12–14), për të lartësuar ata që janë të shkurajuar dhe për t’u bërë shërbëtor i të gjithëve. Unë jam mirënjohës gjithashtu, për shembullin e shumë të tjerëve që japin nga koha e tyre në shërbim të bashkëqenieve të tyre. Unë dëshmoj se dhënia e kohës sonë për t’u shërbyer të tjerëve, e kënaq Perëndinë dhe duke bërë kështu, ne do të afrohemi më shumë me Të. Shpëtimtari ynë do t’i përmbahet fjalës së Tij se “ai që është besnik dhe i mençur në kohë, llogaritet i denjë për të trashëguar banesat e përgatitura për të prej Atit tim” (DeB 72:4).
Koha kurrë nuk shitet; pavarësisht sa mund të përpiqeni, koha është një artikull që nuk mund të blihet në asnjë dyqan me asnjë lloj çmimi, por nëse përdoret me mençuri, vlera e saj është aq e madhe saqë nuk mund të matet. Sidoqoftë kur koha përdoret me mençuri, vlera e saj është e pamatshme. Në çdo ditë të dhënë ne të gjithëve na janë caktuar, pa asnjë pagesë, sasi të njëjta minutash dhe orësh për t’’i përdorur dhe shpejt ne mësojmë, siç na mëson himni i njohur me kaq maturi, “koha fluturon mbi krahët e dritës; ne nuk mund ta kthejmë më” (“Improve the Shining Moments” Hymns, nr. 226). Ne duhet ta përdorim me mençuri kohën që kemi. Presidenti Brigam Jang tha: “Ne jemi të gjithë borxhlinj ndaj Perëndisë për aftësinë e përdorimit të kohës për të përfituar dhe ai do të kërkojë llogari të rreptë për përdorimin e [saj]” (Teachings of Presidents of the Church: Brigham Young [1997], f. 286).
Me gjërat që na kërkohen, ne duhet të mësojmë t’i ndajmë zgjedhjet tona sipas përparësive, që ato të përputhen me qëllimet tona ose të rrezikojmë t’i dorëzohemi zvarritjes dhe ta shpenzojmë kohën tonë me shumë aktivitete që e çojnë dëm atë. Neve na janë mësuar shumë mirë përparësitë nga Mësuesi Mjeshtër kur ai shpalli në Predikimin e Tij në mal: “Si rrjedhim, mos kërkoni gjërat e kësaj bote, por para së gjithash kërkoni të ndërtoni mbretërinë e Perëndisë dhe të vendosni drejtësinë e tij” (Mateu 6:33, shënim nga Përkthimi prej Joseph Smithit, Mateu 6:38). (Shih edhe Dallin H. Oaks, “Focus and Priorities”, Liahona, korrik 2001, f. 99–102.)
Alma foli për përparësitë kur ai dha mësim se “kjo jetë u bë një gjendje e përkohshme prove; një kohë për t’u përgatitur që të takojmë Perëndinë” (Alma 12:24). Për mënyrën se si ta përdorim më së miri dhuratën e çmuar të kohës që të përgatitemi për të takuar Perëndinë mund të na duhet udhëzim, por me siguri që ne do ta vendosnim Zotin dhe familjet tona në krye të listës së përparësive. Presidenti Diter F. Uhtdorf na kujtoi se “në marrëdhëniet familjare dashuria në të vërtetë shqiptohet k-o-h-ë” (“Për Gjërat që Kanë më Shumë Rëndësi”, Liahona, nëntor 2010, f. 22). Unë dëshmoj se kur ndihma kërkohet me lutje dhe sinqeritet, Ati ynë Qiellor do të na ndihmojë t’i japim rëndësi asaj që meriton kohën tonë në vend të diçkaje tjetër.
Përdorimi i gabuar i kohës është një kushëri i afërm me përtacinë. Ndërsa zbatojmë urdhrin që të pushojmë së qenuri përtacë (DeB 88:124), ne duhet të jemi të sigurt se kur jemi të zënë jemi edhe frytdhënës. Për shembull, është e mrekullueshme të kesh mjetet e komunikimit të kohës me kuptimin e vërtetë të fjalës në gishtërinjtë tanë, por le të jemi të sigurt që nuk bëhemi fanatikë të komunikimit me gishtërinj. Unë kam përshtypjen se ne kemi ngecur në një varësi të re gllabëruese të kohës – një varësi që na skllavëron që të jemi vazhdimisht duke kontrolluar dhe duke dërguar mesazhe sociale e megjithatë duke dhënë përshtypjen e rreme se jemi të zënë dhe frytdhënës.
Ka shumë përfitime nga qasja jonë e lehtë në komunikim dhe informacion. Mua më është dukur shumë e dobishme të kem mundësi të bëj kërkime mbi shkrime, biseda të konferencave, regjistrave të paraardhësve dhe të marr mesazhe elektronike, lajmërime nga facebook-u, twitteri dhe mesazhe nëpërmjet telefonit. Sado të mira që janë këto gjëra, ne nuk mund t’i lejojmë ato që të zëvendësojnë gjërat që janë më të rëndësishme. Sa e trishtë do të ishte nëse telefoni dhe kompjuteri, me të gjithë ndërlikimin e tyre, të zëvendësonin thjeshtësinë e një lutjeje të sinqertë ndaj një Ati të dashur në Qiell. Le të jemi aq të gatshëm për t’u gjunjëzuar sa jemi për të dërguar mesazhe.
Lojërat elektronike dhe marrëdhëniet në internet nuk janë zëvendësues të qëndrueshëm të miqve të vërtetë që mund të japin një përqafim inkurajues, që mund të luten për ne dhe të kërkojnë më të mirën për ne. Sa mirënjohës kam qenë që kam parë anëtarët e kuorumit, orëve mësimore dhe të Shoqatës së Ndihmës të bashkohen për të mbështetur njëri-tjetrin. Në të tilla raste, e kam kuptuar më mirë se çfarë kishte ndër mend apostulli Pal kur tha: “Ju pra nuk jeni më të huaj, as bujtës, por bashkëqytetarë të shenjtorëve” (Efesianëve 2:19).
Unë e di se lumturia jonë më e madhe vjen kur ne e përqendrojmë vëmendjen tonë te Zoti (shih Alma 37:37) dhe tek ato gjëra që sjellin një shpërblim që zgjat, në vend që ta përqendrojmë vëmendjen tonë në mënyrë të pamend tek përdorimi i mediave virtuale, kopshtaria në internet dhe videolojëra të tjera. Unë e nxis çdonjërin prej nesh që t’i marrim ato gjëra që na vjedhin nga koha jonë e çmuar dhe të vendosim t’i zotërojmë ato, në vend që të lejojmë që nëpërmjet natyrës së tyre varësuese të na zotërojnë ato ne.
Që të kemi paqen për të cilën flet Shpëtimtari (shih Gjoni 14:27), ne duhet t’ia përkushtojmë kohën tonë gjërave që kanë më shumë rëndësi dhe gjërat e Perëndisë kanë më shumë rëndësi. Ndërsa ne komunikojmë në lutje të sinqertë me Perëndinë, lexojmë dhe studiojmë çdo ditë nga shkrimet, meditojmë mbi atë që kemi lexuar e ndier dhe më pas, i zbatojmë e i jetojmë mësimet që mësuam, ne do të afrohemi më shumë me Perëndinë. Premtimi i Perëndisë është se kur ne kërkojmë me zell nga librat më të mirë “[Ai] do t’ju japë juve dituri me anë të Shpirtit të tij të Shenjtë” (DeB 121:26; shih edhe DeB 109:14–15).
Satani do të na tundojë që ne ta keqpërdorim kohën tonë me zbavitje të maskuara. Megjithëse do të ketë tundime, Plaku Kuentin L. Kuk dha mësim se “shenjtorët që i përgjigjen mesazhit të Shpëtimtarit, nuk do të drejtohen kurrë në rrugë të gabuar nga aktivitete hutuese e shkatërruese” (“Are You a Saint?” Liahona, nëntor 2003, f. 96). Hiram Pejxh, një nga tetë dëshmitarët e Librit të Mormonit, na mësoi një mësim me vlerë rreth aktiviteteve hutuese. Ai pati njëfarë guri dhe duke e parë atë ai shënoi ato që mendonte se ishin zbulesa për Kishën (shih DeB 28). Pasi u qortua, një tregim thotë se guri u mor dhe u gropos nën dhé që të mos bëhej më kurrë një aktivitet hutues.1 Unë e ftoj secilin prej nesh që të gjejë cilat janë aktivitetet që e çojnë dëm kohën në jetën tonë të cilat duhet t’i groposim nën dhé në mënyrë figurative. Neve do të na duhet të jemi të mençur në gjykimin tonë për t’u siguruar se mënyra se si ne e përdorim kohën tonë është e ekuilibruar mjaftueshëm që të përfshijë Zotin, familjen, punën dhe aktivitete të shëndosha argëtuese. Ashtu siç shumë e kanë zbuluar tashmë, ka një shtim të lumturisë në jetë kur ne e përdorim kohën për të kërkuara ato gjëra që janë “të virtytshme, të dashura ose me famë të mirë apo të denj[a] për t’u lavdëruar” (Nenet e Besimit 1:13).
Koha kalon shumë shpejt. Sot do të ishte një ditë e mirë, ndërkohë që koha e jetës sonë në tokë kalon, që të rishikojmë se çfarë po bëjmë që të përgatitemi për të takuar Perëndinë. Unë dëshmoj se shpërblime të mëdha i presin ata që e përdorin kohën e jetës tokësore për t’u përgatitur për pavdekshmërinë dhe jetën e përjetshme. Në emrin e Jezu Krishtit, amen.